Grupi Ndërkombëtar i Krizave në një raport të tij të publikuar nga fundi i javës, ka rekomanduar që Kosova, si një shtet i ardhshëm, duhet ta ketë ushtrinë e saj. Por sipas tij, kjo Ushtri e re për një periudhë kalimtare do të duhej të ishte nën mbikëqyrje të NATO-s, dhe nuk do të duhej të përbëhej nga më shumë se 2000 forca.
Në raportin e organizatës joqeveritare, që ka një ndikim të fuqishëm në politikën ndërkombëtare, thuhet se ndërsa po afrohet koha për një vendim për krijimin e shtetit të Kosovës, planifikimi për çështjet e sigurimit ka mbetur pas. Grupi i Krizave ka thënë se shteti i Koovës do të ketë nevojë për institucionet e përshtatshme për të siguruar zbatimin e ligjit dhe paprekshmërinë e kufijve dhe për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmin. Por çka në realitet nënkupton ky rekomandim i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave për bashkësinë ndërkombëtare? Këtë pyetje ia bëri korrespondenti i BBC-së Arbër Vllahiu shefit të zyrës së kësaj organizate në Prishtinë, Alex Anderson
Anderson: Me këtë po prekim në zemër të kësaj çështjeje. Ka ende shqetësime se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare për statusin e Kosovë dhe nëse Kosova do të jetë një shtet i plotë. Ne gjithashtu kishim në mendje qëllimin që aktualisht ta shtyjmë bashkësinë ndërkombëtare të mendojë për nevojat e ndërtimit të shtetit. Dhe natyrisht se pothuaj çdo shtet ka një lloj ushtrie. Ajo që ne deshëm të bëjmë me këtë raport është që ta shtrojmë për diskutim këtë çështje kaq të ndjeshme në marrëveshjen për statusin përfundimtar. Unë mund ta imagjinojë situatën ku bashkësia ndërkombëtare mund ta shënojë me një gjuhë të përpunuar përgjegjësinë që ka NATO për të shikuar zhvillimin e strukturave lokale të sigurisë në Kosovë.
Por kjo do ta lë çështjen të hapur pas zgjidhjes së statusit, prandaj ne do të duhej të mendonim se çka nënkupton kjo. Dhe kjo ka kuptimin për një rol të madh të Serbisë që të vazhdojë të mos e njoh Kosovën. Në Kosovë kjo nënkupton se politika do të deformohet me këtë çështje të hapur nëse ajo duhet ta ketë apo jo ushtrinë e saj dhe do të gëlltitë një energji të madhe. Ajo do ta mbajë të hapur një paqartësi të madhe të periudhës së pas statusit gjë që ne po provojmë ta mbyllim me rekomandime se si të formësohet dhe të trajtësohet kjo ushtri. Ne nuk mendojmë në një kontekst kur forca e NATO-s në Kosovë do të mbetet këtu për një kohë të gjatë dhe kur ushtria kosovare do të duhej të ndërtohet për të mbrojtur kufijtë nga një sulm i mundshëm. Ushtria është një simbol i shtetësisë dhe mund të jetë një faktor i stabilitetit thjeshtë duke ekzistuar.
BBC: Zoti Anderson ju në raportin tuaj keni thënë se kjo ushtri nuk duhet të luaj rolin e policisë dhe se ajo duhet të krijohet sa më shpejtë të jetë e mundur. A vlerësoni ju se ajo duhet të luaj rolin e plotë të Ushtrisë menjëherë pas zgjidhjes së statusit?
Anderson: Jo, me qëllim të ndërtimit të një Ushtrie ose të një force mbrojtëse, që do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s, dhe që duhet të trajnohet nga vetë NATO, ky proces kërkon kohë mbase shumë vjet. Fillimisht duhet të zgjidhet çështja e financimit të saj, pastaj të pajtueshmërisë së kapaciteteve me NATO-n dhe janë faktorë të shumtë që e përcaktojnë krijimin e një force ushtarake. Në këtë mes ne po mendojmë për një forcë që do të numërojë diku rreth 2000 ushtarë. Kjo do të kërkojë shumë vjet dhe në raport ne kemi thënë se ajo do të mund të jetë operacionale diku kah viti 2011 ose 2012. Ndërkohë TMK-ja që kryen punët e inxhinierisë dhe të mbrojtjes civile, kjo forcë mund të racinalizohet dhe të krijohet në të ardhmen si një ushtri e Kosovës.
BBC: Zoti Anderson ju keni thënë në raport se kjo duhet të jetë një forcë shumëkombëshe. Si mendoni ju se pakicat e në veçanti serbët do ta pranojnë atë, marrë parasysh se at anuk e pranojnë as pavarësinë e Kosovës si zgjidhje?
Anderson: Kjo do të jetë një çështje shumë e dhimbshme për Serbinë. Ka pak vullnet për të adresuar çështjen e pavarësisë dhe me siguri se do të ketë emocione të shumta rreth Ushtrisë së Kosovës. Ajo që ne kemi dashur të ilustrojmë në këtë raport është që Serbia të ketë një kurs të parashikueshëm të zhvillimeve të kornizuara në marrëveshjen e statusit përfundimtar dhe për NATO-n që të ketë një rol të fuqishëm në këtë mes. Në këtë marrëvehsje duhe të shkruhen edhe disa kufizime të kapaciteteve të Ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Disa në establishmentin mbrojtës të Serbisë e pranojnë, megjithëse me hezitim, se duke pasur një Ushtri të trajnuar brenda kësaj kornize është një alternativë më e mirë sa të lejohet që kjo të mos diskutohet dhe që ajo të mos përcaktohet nga bashkësia ndërkombëtare. Jo për faktin se alternativë e Ushtrisë zyrtare në Kosovë është ajo që të mos ketë fare një strukturë të tillë dhe alternativa është krijimi i vakuumit. Në këtë situatë do të kemi lëvizje paraushtarake guerilase që do të rivlerësojnë pozitën e tyre dhe provojnë ta mbushin këtë zbrastirë.
Ose e kundërta do të kemi përpjekjet e qeverisë së Kosovës që do të provojë të krijojë forcën e saj policore në drejtim të formacioneve ushtarale me qëllim të kompensimit të gjendjes. Këta do të ishin faktorë destabilizues dhe është me rëndësi që të ngrejmë këtë çështje për të dëshmuar se alternativë e Ushtrisë zyrtare janë organizatat që do të mund të jenë destabilizuese. Duke e parë se cilat janë detyrat e Ushtrisë ne mendojmë se është me shumë rëndësi që ta drejtonim atë në detyrat e jashtme duke e bërë atë të marr pjesë në misionet paqeuajtëse dhe të jetë pjesë e angazhimeve kolektive të sigurisë brenda Ballkanit perëndimor. Prandaj ne mund të ecim drejt anagzhimeve të reja në rajon ku Ushtritë do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën madje duke i kombinuar kapacitetet e tyre në njësi të caktuara që pastaj do t'i bashkohen NATO-s.
BBC: Dhe zoti Anderson kush do të duhej ta kontrollonte dhe kush është përgjegjës për këtë forcë nga pala kosovare?
Anderson: Ne mendojmë se shumë shpejtë do të duhej të ndërtoheshin kapacitet për një Ministri të Mbrojtjes. Mendoj se kjo nuk do të ndodh së shpejti por nëse shikohet zyra e koordinatorit të TMK-së, aty mund të gjenden bazat për ndërtimin e një Ministrie të ardhshme të Mbrojtjes. Ka rreth 15 veta ndërkombëtarë që punojnë aty dhe një nuëmr të punonjësve lokal. Do të ishte mbase e nevojshme që pas një ose dy vitesh pas statusit të rekrutohen më shumë punetorë kosovarë në këtë zyre dhe që stafi ndërkombëtar të tërhiqet në rolin këshillues dhe që pastaj të emërohet një ministër i mbrojtjes. Diçka e ngjashme që kemi parë në krijimin e ministrive të rendit dhe të drejtësisë. Por duhet të ketë një rol të fuqishëm për NATO-n dhe forcën e saj të Kosovës në qeverisjen e kësaj Ushtrie, pra një rol të dyfishtë të komandantit të KFOR-it dhe të ministrit të ardhshëm të mbrojtjes.
Krijoni Kontakt