17 studentë fitojnë bursa për studime jashtë vendit
Nga projekti “JoinEusee”, kanë përfituar 17 bursistë të Universitetit të Prishtinës, të cilët do të fillojnë këtë vit mobilitetin e tyre në Universitetet partnere Evropiane.
Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, thonë se nga ky projekt mundësohet shkëmbimi i studentëve dhe i stafit akademik.
Programi për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, JoinEU SEE, në të cilin Universiteti i Prishtinës është partner, ka ndarë bursa për studime jashtë vendit, për studentë të Universitetit të Prishtinës.
Hana Kursani, zyrtare për marrëdhënie me jashtë në Rektoratin Universitetit të Prishtinës, tha se ky projekt ka për qëllim promovimin e arsimit të lartë evropian, për të mbështetur përmirësimin dhe zgjerimin e perspektivave të dijetarëve në karrierë. Përfituesit e bursave do të vazhdojnë studimet në Finlandë, Holandë dhe në Slloveni.
Kursani tha se nga projekti JOINEUSEE, sivjet do të fillojnë mobilitetin e tyre 17 bursistë të Universitetit të Prishtinës, në universitetet partnere evropiane.
Programi JoinEU-SEE kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të treta në fushën e arsimit të lartë në përputhje me objektivat e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij viti kanë përfituar gjithashtu edhe tetë bursistë të tjerë të Universitetit të Prishtinës, nga projekti Bazileus, të cilët do të fillojnë sivjet studimet e tyre në universitetet partnere.
(Albana Karaj)
RTK
Krijoni Kontakt