Shekulli, 1 tetor 2004

Çmimi i Kurajos për Naser Zubaku dhe zviceranin Fritz Luchsinger, pasi
shpëtuan një nënë me fëmijë nga vetura që po digjej

Një shqiptar nderohet si Hero i Zvicrës

Enver Robelli

ZURIH – Për çdo vit revista “Der Beobachter” nderon me mirënjohjen “Prix
Courage” figura, që në situata të jashtëzakonshme kanë shpëtuar jetë
njerëzish. Në një atmosferë mjaft të egër, kur ndjenjat kundër shqiptarëve
në Zvicër kanë arritur një kulm të ri, lajmi se laureat i çmimit “Prix
Courage” është një shqiptar mund të quhet shkëndijë shprese. Naser Zubaku
dhe Fritz Luchsinger në shkurt të këtij viti në autostradën A12 afër
Flamatt-it në kantonin e Freiburg-ut shpëtuan nga vetura që po digjej një
nënë zvicerane dhe fëmijën e saj gati dyvjeçar. “Kam bërë diçka të mirë”.
Vetura e zviceranes kishte rrëshqitur dhe ishte rrokullisur disa metra, në
fund ajo ishte përfshirë nga zjarri. Në largësi ishin dëgjuar klithma dhe
thirrje për ndihmë. Mekaniku 46 -vjeçar Fritz Luchsinger e kishte parë
aksidentin nga vendi i tij i punës dhe kishte vrapuar për ndihmë. Shoferi
Naser Zubaku, një shqiptar 32-vjeçar nga Kosova, kishte ndalur automjetin e
tij dhe po ashtu kishte vrapuar në vendin e ngjarjes. Pa ngurruar ata
shpëtuan të dy udhëtarët përmes dritareve të thyera të veturës. Zubaku
kishte nxjerrë nga vetura foshnjen 18-muajshe, ndërsa Luchsinger gruan që
kishte drejtuar automjetin. Vetëm disa sekonda më vonë veturën e gëlltiti
plotësisht zjarri. Në njoftimin e policisë në shkurt të këtij viti thuhej se
pa ndërhyrjen e dy shpëtimtarëve të rastësishëm, nëna dhe fëmija do të
kishin vdekur. Naser Zubaku nuk dëshiron të bëjë bujë me aktin e tij të
guximshëm. “Mua më mjafton se e di që kam bërë diçka të mirë”. Të shtunën e
kaluar Naser dhe Fritzi, nga ish-ministri i Financave Otto Stich, morën
çmimin “Prix Courage“, një mirënjohje për kurajon e tyre. Bashkë me çmimin
ata u shpërblyen edhe me një çek në vlerë prej 25 mijë frangash. Në mbrëmjen
e dorëzimit të çmimit mori pjesë edhe ministri i Komunikacionit dhe Mediave,
Moritz Leuenberger.
Në fjalimin e tij, Leuenberger foli për rëndësinë e guximit. “Të guximshëm
janë ata njerëz, të cilët ndjekin zemrën e tyre, edhe pse mendja do t’i
këshillonte të merrnin një rrugë tjetër”,- tha Leuenberger. Ministri tërhoqi
vëmendjen e të pranishmëve se kurajoja civile dhe guximi janë obligime
qytetare. Sipas tij është me rëndësi që njerëzit e guximshëm si Naser dhe
Fritzi të shpërblehen për veprimet e tyre humane. Para se të nderoheshin me
çmimin “Prix Courage”, Naser Zubaku dhe Fritz Luchsinger nga Zyra për
Evitimin e Aksidenteve janë shpallur “Kalorës të rrugës”.



VitoreStefaLeka