Gazeta Shqiptare
Portret i paautorizuar i investiguesit më të njohur të shtypit britanik. Që nga "rrëmbimi i Victoria Beckham" e deri te falsifikatorët shqiptarë në Çeki
Mazher Mahmood, gazetari që fut në kurth krimin shqiptar
Nga korrespondenti ynë në Londër Muhamed Veliu
I ka shpallur "luftë" çdo lloj krimineli në botë sado i fortë dhe i gjithpushteshëm të jetë ai. Mund të udhëtojë në çdo cep të botës për të kryer infiltrimin dhe më pas zbulimin e aktiviteteve kriminale të të gjitha llojeve. Në "menunë" e pasur të investigimeve përfshihen pedofilët, trafikantët e armëve apo të drogës, emigracioni ilegal, gjithkushi që abuzon pozitën e besuar, përfshi çdo gjë që është ilegale dhe konsiderohet thyerje ligji. Bilanci i deritanishëm i suksesit të punës së tij flet vetë. 130 persona të dënuar nga drejtësia angleze. Megjithëse ka mbi kokë një çmim prej 100.000 paundësh për atë që e vret, ai prapë vazhdon aventurën e tij të rrezikshme së rendjes pas kriminelëve. Ngjason sikur kemi të bëjmë me ndonjë detektiv të famshëm anglez. Por, në fakt nuk është i tillë, por veçse një gazetar. Emri i tij është Mazher Mahmood. Ai është cilësuar si "arma sekrete" e njërës prej gazetave më të mëdha në botë "News Of The World" që botohet në Londër , e cila çdo javë në të gjithë botën shet 15 milion kopje. Pikërisht kjo "armë sekrete" ka dy vjet që në shënjestrën e saj ka vënë edhe shqiptarët e krimit. Me sukses të plotë Mahmood ka arritur të zbulojë në nëntë raste individë shqiptarë të përfshirë në krime nga më të ndryshmet. i "armatosur" me informativë të sigurtë brënda komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe madje edhe në Kosovë dhe Çeki, ky gazetar investigativ ka zbuluar shumë prej "bëmave të shqiptarëve".
Është cilësuar si "dirty digger" gërrmues i hileve, por atij si bëhet vonë nga epitetet që i vënë. Megjithëse në disa investigime ka dështuar përpara drejtësisë Mahmood vazhdon kalvarin e tij të hetimeve sëbashku me grupin sekret të investigatorëve. Gjatë të gjithë kohës kur ai ka patur probleme të natyrës ligjore Mahmood ka patur mbështjen totale të editorëve të gazetës. Në vitin 1999 ai do të kurorëzohej si reporteti i vitit, në ceremoninë e përvitshme të shtypit anglez Press Aëards. Gazeta "News of the World" gjithmonë ka promovuar punën e tij. Të qënurit me prejardhje nga Pakistani, e bën atë më të përshatshëm për lujtur shumë "role" të ndryshme duke u kamufluar përsosmërisht në shumë raste si një sheik arab. Pavarësisht se roli i sheikut ka vite që po funksionon dhe ka futur në grakcë shumë persona VIP ndër to dhe Princeshën Sofi, duket se nuk është konsumuar ende.
Kodi i Heshtjes
Pika më fortë në suksesin profesional të editorit investigativ të gazetës më të madhe në Angli është mosnjohja e identitetit të tij. Flitet se është rreth 40-vjeç dhe rrjedh nga një familje pakistaneze e vendosur në Birmingan.. Më e rëndësishmja nga të gjitha është kodi i maskimit dhe heshtjes që e rrethon atë. Ai nuk flet me shtypin, madje shumë pak nga kolegët e gazetës ku punon e njohin. Kolegë të tij brenda gazetës shprehen se ai është një tip që nuk flet. Ai bën një jetë të fshehtë, vazhdimisht nën observimin e rreptë të dy bodigardëve. Ndryshimi i shpeshtë i shtëpive të banimit ku ai jeton janë pjesë përbërëse e strategjisë mbrojtëve të Maz. Fotoja e tij nuk publikohet, ndërsa kur shkon në gjykatë për të dhënë dëshmi flet pas perdes. Më e shumta e jetës së tij është jashtë zyrës, ndërsa për të, jeta sociale duke se është inekzistente. Ai nuk pi duhan dhe nuk shkon në aktivitete sociale që organizon gazeta. Ish-editori i gazetës "News of the World", Phill Hall, i cili ka punuar nga afër me Mahmood thotë se as ai nuk e di saktësisht se sa vjeç është Mazi. Ish editori refuzon që të flasë rreth tij pasi siç shprehet Hall: "Maz nuk do që të shkruhen shkrime për të". Duke ruajtur me fanatizëm fshehtësinë në maksimum dhe punuar në ilegalitet të plotë Mahmood në ato të pakta prononcime për shtypin thotë se një gjë e tillë është pjesë e punës dhe se i sjell kënaqësi, por jo gjithmonë është kështu. Problemet janë pjesë e paevitushme e të gjithë asaj që ai bën. Vitin e shkuar "gozhdimi" spektakolar i një super-mafiozi rus i cili ishte dënuar me 23 vjet burg në Itali dhe më pas arratisur, do të bëntë që Maz të fillonte të ruhej 24 orë në ditë nga dy bodigardë. Mesazhi dërguar nga mafiozi rus, Antonio Russo për Mahmood ishte real dhe plot frikë. Nga tani e tutje koka e tij kishte një gjobë prej 100.000 paund. Pazari ishte i qartë. Kush eleminon Mahmood ka gati paratë.
Karriera
Aplikimi për punë praktike në gazetën lokale "Birmingham Evening Mail" dhe më pas refuzimi i saj do ta shndërronin Mahmood në një informator rreth aktiviteteve ilegale në komunitetin me origjinë nga India. Historia e përfshirjes në botën e investigimeve për të nuk është e rastësishme. Një kopjim i jashtëligjshëm i kasetave muzikore nga një pjesëtar i fisit të tij dhe më pas shitja e infiormacionit një televizioni lokal do të shënonte startin e karrierës së tij në gazetari. Që prej këtij momenti, karriera e tij do të ecte me hapa të shpejtë. Fillimisht nisi punë si reporter në dyert e gazetës "The Sunday Times", prej nga u pushua në vitin 1989 për pasaktësi në shkrime. Shpëtimtare për karrierën e tij do të bëhëj gazeta tjetër e manjatit të medias Rupert Mardock, "News of the World". Ai i nënshkruan shkrimet me emrin Mazher Mahmood, shumë besojnë se nuk është emri i tij. Në rastin e vetëm që ai ka folur rreth punës së tij në media ka qënë një intervistë për të përjavshmen amerikane "Newsëeek" disa ditë pas shkrimit rreth "rrëmbimit të Victoria Beckham". "Për mua është një avantazh i madh që jam aziatik. Është e vetmja arsye që unë jam gjallë. Askush nuk mund të mendojë që unë jam gazetar. Në këtë mënyrë unë fitoj besimin e njerëzve", shprehet Mahmood.
Buxheti
Një investigim në Britaninë e Madhe ka raste që arrin në 300.000 stërlina. Dhe një oreks për të ndërrmarrë një aksion të tillë ka vetëm një gazetë gjigande si "News of the World". Krahas avantazheve si fshehtësia apo prejardhja e tij aziatike, Mazher Mahmood ka në dorë për investigimet e tij pjesën më të madhe të buxhetit javor që ka gazeta. Nga ky buxhet mësohet se nuk paguhet vetëm rroga e tij vjetore që shkon në 120.000 stërlina, por edhe grupi teknik i ivestigatorëve, bodigardët si dhe shpenzimet e drekimeve me viktimat e tij në hotelet më luksoze jo vetëm në Londër por edhe në të gjithë botën. Nuk mbeten pa u paguar kur duhet edhe avionët privatë personal, jahtet dhe limuzinat, pa harruar shpërblimet për informatorët. Conrad Broën, djali i themeluesit të metodave filmike me kamera të fshehta në gazetarinë investigative angleze, Gary Broën, është një nga njerëzit kyç në operacionet investiguse, pasi ai është mjeshtri i instalimit të kamerave të fshehta që filmojnë provat inkriminuese për shkrimet e Maz.
Mafiozi Rus i dënuari nr 119
Kërkohej në të gjithë botën nga drejtësia italiane, por nuk do ta kishte menduar kurrë se do të përfundonte pas hekurave nga një gazetar. Nuk bëhet fjalë për ndonjë fallsifikator apo trafikant, por pikërisht për një nga "gjeneralët" e mafias ruse, Antonio Ruson, i dënuar në Itali me 23 vjet për vrasje të dyfishtë. Ai do të arrestohej nga policia londineze pasi Maz publikoi një investigim ku zbuloi se Ruso ishte i përfshirë në një rrjet që kryente martesa fallso. Mafiozi i paguante shtetasve britanik 5.000 stërlina për të martuar bukoreshet bionde ruse dhe të tjera vajza nga Europa Lindore që punononin si prostiuta në Londër. Rusi 49 vjeçar pas përfundimit dy vjeçar të dënimit në Angli do t'i duhet të vazhdojë në Itali dënimin e mbetur prej 23 vjetësh për vrasje të dyfishtë. Sipas Maz ai ishte krimineli i 119-të i burgosur gjatë karrierës së tij investigative. Në përfundim të gjyqit policët kryen një falenderim publik për Maz, por shpërblimi i vërtetë për të do të vihej nga vetë mafiozi Ruso. Një çmim prej 100.000 stërlinash u afrua për këdo që do të vriste gazetarin investigativ.
Etika
Etika në gazetarinë investigative është parësore, por gjithmonë më e diskutushmja pasi ajo në vetvete është shumë komplekse. Në Britaninë e Madhe janë shumë analistë të medias që besojnë se Mahmoodit mund ti vlerësohet më shumë kurthet që ngre, se sa ana gazetareske, përfshi etikën që ai përdor në shkrimet e tij. Investigimet e tij janë bërë madje subjekt studimi në degën e gazetarisë nëpër universitete angleze, për të demostruar praktikën e keqe që ai ndjek. Ai u kritikua fuqishëm në gjykatë para katër vitesh për ekspozimin e "Earl of Hardëicke". E ndërsa juria e gjeti atë fajtor në shitjen e drogës (kokainë) vuri re se ai ishte provokuar nga Mahmood para blerjes. Roy Greenslade ish-editor i të përditshmes "Daily Mirror", tani komentator për etikën në shtyp pranë prestigjozes "The Guardian", shprehet me nota të ashpra rreth Mahmood dhe gazetës së tij. "Ai dhe gazeta ka shumë kohë që operojnë në një anë të errët të gazetarisë". Pavarësisht se Mahmood ka ndihmuar në ekspozimin e shumë krimeve shumë gazetarë të tjerë kanë bindjen e plotë se ai i bën investigimet në mënyrë të pamoralshme dhe pa asnjë fije etike gazetareske. Njerëzit e ligjit në Angli i janë kundërvënë mënyrave që ai operon, por Mahmood ka patur mbështetjen e gazetës, e cila sipas kritikuesve "lejon me vetëdije përfshirjen e tij në thyerje serioze të ligjit". Pavarësisht nga këto ai vazhdon punën e tij i pamposhtur, madje duke bashkëpunuar sukseshëm nga afër me policinë gjatë gjithë kohës.
"Rrëmbimi i Viktoria Beckam", gracka ku ra vetë Mahmood
Nëntë dhjetorin e vitit 2002 pas botimit të një investigimi me titull "Rrëmbimi i shekullit" Mahmood pretendonte që kishte kapur scoopin më të madh të karierës së tij, por është gabuar. Kurthi i ngritur nga ai dhe Florim Gashi i ka zënë vetë brenda. Mazher Mahmood ka akuzuar shqiptarin nga Elbasani, Lulëzim Balliu, si organizatorin kryesor të rrëmbimit të Victoria Beckam. Ai do të shkruante "Një plan tejet i detajuar, për t'i hedhur gaz paralizues në fytyrë Victoria Beckam dhe më pas për ta marrë peng atë, ka dështuar, sepse njeriu, i cili do të transportonte atë drejt baneses sekrete ishte një gazetar i gazetës "News of The World". Disa muaj më pas Balliu do të fitonte pafajësinë në gjykatë ndaj akuzave "konspiracion në rrëmbimin e zonjës Beckam". Investigimi doli që ishte një mashtrim i shqiptarit nga Prishtina, mjeshtër i dhënies së informatave rreth krimeve në komunitetin shqiptar, Florim Gashi. "Mazher është shndërruar në viktimë të suksesit të tij personal" është shprehur pas pafajsisë së Balliut publicisti londinez Max Clifford. "Ai kërkon të sjellë gjithnjë investigime të mëdha, por e vërteta është se ato gjithomë nuk dalin histori të mëdha. Kur punon me njerëz dallaveraxhij ata mund të të lënë një ditë në baltë. Kjo ndodhi edhe me Maz në historinë e Victoria Beckham" ka përfunduar Clifford.
ZBULIMET E MAHMOOD PER SHQIPTARET
27.10.2002
Gazetari Mazher Mahmood, ka kontaktuar me shqiptarin Eduart Tobli, i cili në mënyrë perfekte falsifikonte për 700 paund copën, pasaportat e quajtura "Travel Document", me të cilat qeveria Britanike pajis të gjithë emigrantët që fitojnë azil.
03.11.2002
Gazetari ka akuazuar në gazetën "News Of The World" shqiptarin nga Elbasani Lulëzim Balliu si organizatorin të një plani për rrëmbimit të Victoria Beckam. Më pas, investigimi i gazetarit të infiltruar doli që ishte një mashtrim i tij.
02.03.2003
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe Maqedoni, Mahmood ekspozon tre shqiptarë, Nazmi Amidi, Agron Didaj dhe Afrim Gjata. Ata kishin lidhje me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, nga të cilët merrnin çertifikata boshe pët t'i plotësuar.
10.03.2003
Në Londër, përkthyesi shqiptar i emigracionit Arian Shehu, i cili për punonte për kompaninë avokatore "Andreës Solicitors", do të ekspozohej nga Mahmood. Për 250 paund, përkthyesi raportoi se, emigranti (shqiptar) kishte ardhur nga Kosova.
01.07.2003
Mazher Mahmood, depërtoi në grupin e shqiptarëve në qytetin e Leedsit, të cilët falsifikonin paundin dhe euron. Në krye të grupit, sipas gazetarit qëndronte një shqiptar me emrin Myzafer Murataj, i cili falsifikonte kryesisht prerjet 50-she.
18.04.2004
Disa kosovarë pronarë të një fast-foodi në Londër, ekspozohen si shitës jo vetëm të peshkut dhe patateve të skuqura, por edhe të pasaportave false. Për 9.000 stërlina, vëllezrit Ibishi i ofruan gazetarit një pasaportë britanike.
26.06.2004
Mashtrimi i përkthyesit Damian Zefi
Gazetari dërgon një emigrant në zyrat e kompanisë avokatore "J.Gandhi and Associates", sikur ai sapo kishte nga Shqipëria. "Emigranti" foli me përkthyesin Damian Zefi, i cili i tha atij "se do të zgjidhte gjithçka", nëse i jepte 200 stërlina.
15.09.2004
Zbulimi i grupit të falsifikatorëve shqiptarë në Çeki. Përkundrejt një pagese prej 300 eurosh, investiguesi arriti që të siguronte një diplomë mjeku si dhe një pasaportë çeke për të emigruar në këtë mënyrë në Britani.
Krijoni Kontakt