nga Panorama
--
Kaçak shteti, kaçak mileti!
Armir Shkurti
Në kohën e komunizmit qarkullonte dendur batuta “Doni ta shkatërroni Amerikën? Çoni tre ekonomistë shqiptarë!”. Imagjino se ç’mund të bëjnë më shumë se tre të tillë së bashku, të quajtur “anëtarë të Komisionit të Ekonomisë”! Si në një gosti korbash, ata mblidhen pas katërmbëdhjetë vjet masakre mbi trupin e qyteteve shqiptare duke ngrënë “mëlçinë” e shëndetshme të asaj pjese që e beson ligjin dhe i zbaton regullat e shtetit...
...Ashtu si Parisi ka muzeun e kanalizimeve të ujërave të zeza apo muzeun e funeralit (varrezat Père Lachaise), Tirana ka muzeun e zaptimit masiv të tokës dhe ndërtimeve pa leje, me lejen e pashkruar të shtetit. Këtë vepër të nisur në fillim të viteve 90, ligjvënësit shqiptarë, bashkë me qeverinë, po përpiqen ta përfundojnë me të njëjtën bashkëfajësi, duke shkelur haptas parimet e shtetit ligjor, duke u kthyer në avokatë të ilegales dhe grabitjes së pronës private. Kështu, me projektin e diskutuar në Komisionin e Ekonomisë, Kuvendi ndan urat me shqiptarin që beson në shtet dhe që zbaton rregullat e lojës. Marifetet politike të legalizimit në prag të zgjedhjeve nuk pritet të sjellin tjetër gjë, veçse thellimin e teorisë se “e drejta nuk dhurohet, por fitohet me dhunë!”
Në vitin ’93, një miku im shkon në periferi të Tiranës për të ndërtuar një copë shtëpi në trojet e të parëve të tij, të shtetëzuara nga komunizmi. Shumica e tokës ishte zaptuar dhe mbushur me ndërtime. Kur ish-pronari fillon të ngulë nja dy piketa në një parcelë të lirë, i dalin zaptuesit me automatikë në dorë dhe i japin ultimatumin që të zhduket prej andej, në mos, po e shuajnë me farë e me fis. Ky ish-pronar i urtë e i mirë, besimtar i verbër ndaj drejtësisë dhe ligjit, sot banon vetë i pestë në 64 metra katrorë, ndërkohë që në pronën e tij, të zënë me dhunë, gëlojnë vila pa leje dy dhe trekatëshe, me kopsht e avlli, me hardhi, pula e bagëti të imta e të trasha. Madje, nëse legalizimi do të bëhet siç u diskutua në Komisionin e Ekonomisë, në ato dynymë të pushtuar, pronarin e ri nuk e pengon asgjë të nisë biznese ndërtimi, të ngrejë pallate, duke trekatërfishuar sipërfaqen e banimit dhe paratë, ndërkohë që pronari i vërtetë të vazhdojë të ngrysë ditët e netët në një dhomë e kuzhinë. Por ortakllëku i shtetit, në këtë uzurpim, bëhet më i frikshëm kur zëvendësministri i Rregullimit të Territorit, Artan Lame, kërkon që “ish-pronarët duhet të kompensohen me vlerën si tokë bujqësore, pasi në atë gjendje e kanë pasur tokën kur e ka marrë shteti apo kur ua kanë zënë këta që kanë ndërtuar shtëpitë; ndërsa këta të fundit, do ta blejnë me çmimin e urbanizuar, SEPSE ËSHTË MERITË E SHTETIT QË E SOLLI NË KËTË GJENDJE TOKËN BUJQËSORE”(!) Pra, shteti shqiptar ia njihka vetes meritën e lejimit të thyerjes masive të ligjit, grabitjes së pronës private... e, aq më tepër, kërkon të bëjë edhe biznes, përsëri në kurriz të pronarit të ligjshëm. I madhi La Fonten, këtë komedi e ka përshkruar, pak a shumë, kështu te fabula “Kafshët e sëmura nga murtaja”. “Thuhej se murtaja erdhi nga qielli për të ndëshkuar krimet që bishat kryenin në tokë. Ndaj, edhe luani kërkoi që fajtori të bëhej kurban me qëllim që të shpëtonin të tjerët. Dhe ia nisi nga vetja, duke pyetur në është gjynah që ka ngrënë qingja e, hera-herës, edhe ndonjë bari? U ke bërë nder, duke i ngrënë, – bën lajka dhelpra. Kështu shkoi puna edhe për rëfimet e tigrit, ariut dhe bishave të tjera. Kujtohet në fund gomari dhe pranon se nga uria ka përtypur dikur një tufë bar në një lëndinë. Atëherë bishat u turrën mbi veshgjatin e gjorë e të ndershëm, duke e quajtur fajtor për gjithë atë fatkeqësi...”
Më vjen keq që fatin e njëthundrakut ta kenë të gjithë qytetarët e rregullt, ndërkohë që shteti kthehet në Robin Hud që “grabit të pasurit për t’ua dhënë të varfërve”. Brenda pak muajsh kjo është goditja e dytë ndaj “qytetarit të mirë”. E para ishte falja e faturave të papaguara të KESH-it. Edhe Kuvendi i Shqipërisë këtë radhë po kthehet në përfaqësues të dhunës dhe ilegales. Me këtë lloj legalizimi as këtyre njerëzve të zbritur në Tiranë nuk u bëhet ndonjë nder. Ata tashmë janë të bindur se pronën e kanë fituar me pushkë dhe vetëm me gjak mund t’ua marrësh. Ndaj, dhe ligjëron a s’ligjëron Kuvendi, pak rëndësi ka për ta. Për faj të qeverisjeve të PD-së dhe PS-së, sot të ardhurit ndjehen thuajse klandestinë. Kjo jetë, thuajse kaçakësh, ka ruajtur tek ata agresivitetin e fillimit. Prej vitesh ata jetojnë me makthin e fadromës, me turpin e zaptuesit dhe me llagapin “çeçen”. Nëse ndeshim në shtyp lajme për lloj-lloj krimesh nga banorët e atyre lagjeve deri edhe vrasje brenda familjes, kjo ndodh edhe sepse askush nuk është kujdesur për integrimin e tyre, duke i lënë në nivel popullate, pa i ngritur dot në rang qytetarie. Nëse, që në fillim të viteve 90 shteti do t’u kish caktuar, të paktën, tokën se ku mund të ndërtonin projektin e banesës e të infrastrukturës urbane, si dhe një copë leje në dorë, sot në Bathore, Kodër-Kamëz, Kodrën e Priftit, Kënetën e Durrësit etj., do të kishim lagjet më të bukura ndoshta në Evropë, si dhe një bashkësi të re qytetarësh të nderuar të qyteteve kryesore të vendit. Dhe kjo e gjitha, me paratë e vetë të ardhurve. Gjithashtu, nëse vlera e truallit u njihet si borxh dhe paguhet në dorë ose me këste nga banorët e rinj, të gjitha palëve u jepet mesazhi se e drejta edhe mund të vonojë, por kurrë nuk harron dhe, se më në fund, erdhi dita të bëjmë shtet edhe në Shqipëri. Ndërkohë, si të ardhurit ashtu edhe çdokush tjetër, që ëndërron të bëjë para duke bërë “të fortin”, marrin mesazhin se “kush thyen, paguan; copat i merr me vete”.
---gazeta panorama--
Krijoni Kontakt