RD
--
Kryetari i PD kërkon hapjen e strukturave ndaj shoqërisë civile dhe botës akademike
Zgjedhjet, beteja për jetën ose vdekjen e demokracisë
Ne çdo gjë mund ta dorëzojmë, por jo më votën. Ky duhet të jetë mesazhi që duhet të përcjellim në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare. Ky dhe vetëm ky. Vota në Shqipëri është bërë problem botëror. U denoncua në Kongresin Amerikan, u denoncua në Strasburg në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, është denoncuar në Bruksel, është denoncuar kudo. Po kush do të jenë ata që do të zgjidhin problemin? Kush ua zgjidhi problemin gjeorgjianëve? E zgjidhën vetë.
Nga Sali BERISHA
Kjo mbledhje, sado që në pamje të parë teknike, është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi sot ne çelim siparin e përpjekjes sonë të madhe për mazhorancën e re të ardhshme në Shqipëri.
Situata në vend bëhet çdo javë e më kritike. Regjimi kleptokratik i Tiranës zhytet çdo ditë, çdo javë, më thellë në korrupsion, trafiqe dhe krim të organizuar. Kryeministri i vendit ka marrë në dorë trafikun e drogës, kontrabandën, gjobat. Sot, klani i tij është klani më i rrezikshëm në rajon, për lidhjet e tij me malavitën dhe me trafiqet. Kompanitë e tij janë mirëfilli kompani të transportit të drogës.
Shqipëria, siç dëgjoni çdo ditë nga statistikat dhe lajmet, po shndërrohet në arenën kryesore të trafiqeve kriminale. Nga ana tjetër, krimi i organizuar është vërsulur me tërbim për të shtënë në dorë edhe segmentet e mbetura të ekonomisë shqiptare.
Kurrë ndonjëherë vendi nuk është qeverisur në tërë historinë e tij nga një klikë kaq e korruptuar sa kjo. Prapa çdo vendimi, prapa çdo akti e ligji, qëndrojnë interesat e ekonomisë kriminale të Fatos Nanos, Angjelit, Dukës, Arben Malajt.
Çdo ditë e më të mëdha, më të thella, më të rrezikshme, bëhen lidhjet direkte të kryeministrit me krimin.
Çdo ditë e më i madh bëhet vendimi i tij për të bllokuar jo vetëm reformën zgjedhore, por procesin zgjedhor dhe në këtë mënyrë, integrimin.
Eminët dhe isakët e tij, nga mëngjesi gjer në darkë, mbrojnë tezën se Shqipërisë nuk i duhet integrimi, ndërsa padroni i tyre shpall data sa më të largëta për këtë proces jetik për çdo shqiptar, vetëm e vetëm në mënyrë që të mund të garantojë një periudhë më të gjatë kleptokracie, një periudhë më të gjatë në të cilën ai të shfrytëzojë ligjin dhe pasuritë publike për pasurimin e tij.
Në asnjë udhëtim të tij, jashtë apo brenda, nuk mund të mungojë Andi i KESH-it, Idrizi i doganave, Rafti i të gjitha bëmave. Por nga ana tjetër, ky regjim është sot tërësisht i diskretituar, i damkosur. Ky është regjimi i dytë pas Lukashenkos në Europë, që është paralajmëruar për përjashtim nga Këshilli i Europës.
Reformat, përparësi e të gjitha përparësive
Shqipëria, apo kjo qeveri, është bërë delja e zezë e krimit të organizuar në rajon dhe më gjerë. Kanë vendosur rekordet më të zeza të korrupsionit. Të gjitha këto nuk lehtësojnë aspak, por përkundrazi shtojnë përgjegjësitë tona ndaj vendit, ndaj shoqërisë dhe kombit. Të gjitha këto kërkojnë nga PD dhe aleatët e saj që të shumëfishojnë energjitë për t'u përballur, për të fituar, për t'i dhënë vendit mazhorancën e re, për t'i dhënë vendit mazhorancën që do t'i zbardhë faqen, që do të ndryshojë imazhin e nxirë në mënyrën më të pamerituar nga kjo klikë në pushtet, për t'i dhënë vendit mazhorancën që do të shndërrojë reformat në përparësinë e të gjitha përparësive, vendosjen e shtetit ligjor, veprimin e ligjit pa dallim ndaj qytetarëve dhe qeveritarëve, ndarjen pa mëshirë të politikës me biznesin, me forcën e ligjit, të gjitha përpjekjet e çmendura të politikanëve për t'u pasuruar, duke përdorur ligjin dhe pushtetin.
Kjo është sfidë e madhe, përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe kjo përgjegjësi do të përballohet vetëm në rast se ne, në këtë proces të zgjedhjeve në parti, angazhohemi dhe përkushtohemi me seriozitetin më të madh dhe mendojmë në çdo hap që të bëjmë për mazhorancën e re, mazhorancën ndryshe, që do të përballojë me sukses përgjegjësitë e mëdha.
Të luftosh dhe të mendosh për mazhorancën e re, do të thotë që para së gjithash në këtë proces të hapësh dyert për të gjitha vlerat e komunitetit ku jetojmë. Askush nuk mund të përgatisë mazhorancën e re, duke menduar për karriken e tij. Duhet të mendojmë për qeverisjen e vendit, për një qeverisje kompetente dhe transparente. Në këtë kontekst, ju takon ju të jeni tërësisht të hapur ndaj shoqërisë civile, ndaj botës akademike. Ju rikujtojmë se vetëm kjo masë u bë një faktor përcaktues në zgjedhjet e fundit në fitoren e tërë qyteteve të mëdha të vendit. Të hapemi ndaj aleatëve tanë më të mirë.
Kjo garë duhet të ketë si moto ripërtëritjen
Në udhëzimet që ju merrni, veçanërisht për degët e mëdha dhe për degët e tjera, për të shmangur mbylljen e seksioneve, ne autorizojmë anëtarësimin direkt në degë, sepse nuk mund të mohohet frenimi që u bëhet qytetarëve në disa nga seksionet tona.
Në udhëzimet e reja të fushatës sonë ka qëndrime të qarta ndaj nepotizmit, ndaj seksionit në familje, kështu që në rast se ne vërtet mendojmë për mazhorancën e re, duhet të jemi plotësisht të hapur ndaj vlerave të komunitetit ku jetojmë. Në të gjithë këtë proces, ne nuk duhet të ndjekim riciklimin, por duhet të ndjekim ripërtëritjen. Tjetër është riciklimi, tjetër është ripërtëritja dhe me këtë nuk i zvogëlojmë vlerat askujt. Por ne kemi nevojë të shtojmë vlerat, ne nuk i përballojmë dot në asnjë rrethanë sfidat e ardhshme, nëqoftëse rrimë duke qarkulluar njëri-tjetrin dhe jo duke nxjerrë në krye, jo duke vendosur në drejtim, elementin më të vlefshëm, më të aftë, më kompetent.
Kemi përpunuar një sëri kriteresh dhe vazhdojmë t'i përpunojmë ato me institucionet ndërkombëtare të karakterit partiak.
Pa diskutim që të zgjedhurit duhet të jenë bashkëkohës. Këto kritere janë tërësisht demokratike, por këto kritere pasqyrojnë dhe do të pasqyrojnë bashkëkohësinë e atyre që marrin përsipër drejtimin.
Këto kritere do të kenë sistemin e fiksimit të tyre. Jemi pak të vonuar, por ne do t'i respektojmë ato, do t'ua shpërndajmë. Gara është e hapur për të gjitha. Natyrisht edhe vlerësimi, edhe kriteret janë të hapura për të gjithë. Secili do të mbledhë pikët e veta dhe do të përpiqet të gjejë pozicionin e tij në këtë garë të madhe, e cila duhet të ketë si moto ripërtëritjen tonë.
PD drejt zgjedhjeve, bazuar në principin një njeri, një votë
Si parti, në këtë periudhë po përgatitemi për hapin vendimtar dhe ky hap do të jetë një njeri, një votë, do të jetë bilanci i këtyre zgjedhjeve, do të jetë rekordi i këtyre zgjedhjeve që do të shkëpusë PD nga praktika e deritanishme e delegimit dhe do ta çojë atë drejt zgjedhjes të bazuar në principin një njeri, një votë, gjë që e bën partinë më demokratike, më serioze. Pavarësisht se akoma nuk është një formë universale, askush nuk mund të mohojë se është forma më demokratike e jetës së brendshme të një partie. Ndaj dhe në këtë kontekst duhet një seriozitet i madh në këto zgjedhje, duhet një evidencë serioze, sepse parimi një njeri, një votë, kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha, evidencë të ndershme dhe korrekte të anëtarësisë. Ky është kushti më themelor për të proceduar me këtë parim. Vështirësia jonë në këtë drejtim është emigracioni, por edhe ky duhet të përballohet nëpërmjet evidencave të qarta dhe në zgjedhjet e ardhshme asgjë nuk do të pengojë PD-në të aplikojë në tërë strukturat e saj parimin një njeri, një votë.
Programi i PD-së, plani i veprimit të mazhorancës së ardhshme
Përgatitja e mazhorancës së ardhshme të re kërkon programin e ri të kësaj mazhorance. Ne këtu në qendër, prej dy muajsh, po punojmë intensivisht për programin e PD-së. Janë angazhuar në këtë program personalitetet më të shquara të shoqërisë civile dhe botës akademike. Është e para herë që në programin tonë aktivizohet një numër shumë i madh ekspertësh të të gjitha fushave dhe jo vetëm në hartimin e tij, por edhe në oponencën e tij.
Natyrisht ky është një program i qendrës së djathtë. Dhe padyshim që drejtimi politik i partisë do t'i japë viston përfundimtare. Por duhet të them që ky nuk është vetëm programi elektoral. Ky, në tërë materien, është plani i veprimit të mazhorancës së ardhshme, që synon t'iu japë përgjigje problemeve më madhore me të cilat përballet vendi, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndarjes së politikës me biznesin, shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, lirisë së tregut. Mbi të gjitha, zbatimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit ligjor.
Shqipëria, sot, ka një nga indekset më të zeza të zbatimit të ligjit. Indeksi i zbatimit të ligjit në Shqipëri është i përafërt me atë të Burkina Faso. Mos harroni se vetëm 20 vjet më parë, Fatos Nano do të dërgonte në këtë vend të Afrikës veprat e Enver Hoxhës, kurse sot Burkina Faso i thotë Fatos Nanos se ke mbetur në kohën kur sillje veprat tek ne, se ne jemi kthyer tek shteti ligjor.
Pra, përparësi madhore e këtij programi do të jetë zbatimi i ligjit. Zbatimi i ligjit kërkon luftë pa kompromis korrupsionit, drejtësi të pavarur, kërkon përgjegjësi para ligjit për të gjithë ata të cilët e dhunojnë atë. Kjo duhet të jetë fryma që ne duhet të përcjellim në të gjitha seksionet dhe anëtarësinë tonë.
Beteja për votën e lirë, betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë
Mazhorancën e re duhet ta konsiderojmë si "levën" e Arkimedit të shpëtimit të shoqërisë dhe të vendit nga kjo krizë, dhe rrokullisje e madhe që po e ndan Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga Europa dhe Perëndimi, që po e varfëron atë gjithnjë e më shumë, që po e spastron atë më shumë se çdo lloj mënxyre tjetër.
Çdo vit, nga Shqipëria largohen 100 mijë shqiptarë. Largohen shumë më tepër se sa largoheshin nga Kosova nën pushtimin e Millosheviçit.
Programi ynë do të jetë programi i garantimit të plotë të të drejtave të qytetarëve dhe minoriteteve, i luftës pa kompromis ndaj të gjitha formave të trafiqeve, i garantimit të plotë të lirisë së mendimit dhe mediave.
Sot, Fatos Nano i hoqi imunitetin Nikollë Lesit për fajin e vetëm se i botoi vendimin e tij për të shpërblyer veten me 6 rroga. Të përgatisësh mazhorancën e re, do të thotë të mos lësh fatin e vendit në duar të Fatos Nanos dhe ky është kusht vendimtar.
Betejën që nisëm në muajin shkurt, duhet të jemi të gatshëm ta ndërmarrim edhe më të fuqishme në çdo moment që ta kërkojë situata. Është betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë. Ne çdo gjë mund ta dorëzojmë, por jo më votën. Ky duhet të jetë mesazhi që duhet të përcjellim në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare. Ky dhe vetëm ky. Vota në Shqipëri është bërë problem botëror. U denoncua në Kongresin Amerikan, u denoncua në Strasburg në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, është denoncuar në Bruksel, është denoncuar kudo. Po kush do të jenë ata që do të zgjidhin problemin? Kush ua zgjidhi problemin gjeorgjianëve? E zgjidhën vetë.
Nëqoftëse Fatos Nano mendon që me një grusht kalorësish të krimit dhe baronëve të drogës do të mund të shpallë popullin dhe shoqërinë shqiptare si qenie inferiore, duhet të marrë atë që meriton në emër të barazisë para ligjit të qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe kërkohet një angazhim total i potencialit tonë në të gjitha fushat. Ne duhet të bëjmë përpjekje të gjithanshme, por do të ishte iluzion i pafalshëm nëqoftëse ne do të mendojmë që të vijnë të tjerë për të na zgjidhur të drejtën tonë.
Atë do ta mbrojmë vetë, do ta zgjidhim vetë. Regjimi është penalizuar ndërkombëtarisht, me dokumente ndërkombëtare. Nuk tregon asnjë vullnet për zgjedhje të lira, nuk imagjinon dot të heqë dorë nga pasurimi i paligjshëm i përditshëm, atëherë ne do të vazhdojmë betejën tonë të fuqishme.
Edhe njëherë, duke konsideruar votën e lirë si një mision të shenjtë për të sotmen, për të ardhmen e kombit, të shoqërisë shqiptare.
Shqipëria nuk do të mund të jetë më delja e zezë e Ballkanit përsa i përket procesit zgjedhor. Shqiptarët nuk do të mund të jenë më qytetarë të nëpërkëmbur nga një kleptokrat, i cili nuk i lejon të votojnë.
Siç e shihni, mbledhja vërtet është për disa udhëzime teknike, por ajo hap siparin e përpjekjes sonë më të madhe për mazhorancën e re, për kthesën e madhe.
Tani, sapo u ndava me delegacionin e PPE-së që ka ardhur dje në mbështetje të PD dhe opozitës shqiptare në një mision faktmbledhës për zgjedhjet e lira. Miqtë dhe aleatët kudo do të bëjnë të gjitha përpjekjet e tyre, në mënyrë që shqiptarët të votojnë të lirë, por ne duhet të jemi në lartësinë e përpjekjeve që na takon të bëjmë. Dhe ne do të jemi. Unë kam besim tek ju se këtë fushatë, e cila synon edhe njëherë fillimin e përpjekjes sonë për mazhorancën e re, do ta kurorëzojmë me sukses.
*Fjala në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDSH, 24 Shtator 2004.
Krijoni Kontakt