Delegacioni faktmbledhës i Partive Popullore Europiane ka vazhduar gjatë ditës së djeshme takime me drejtues të forcave politike. Delegacioni është takuar me kryetarin e PR, Fatmir Mediu me të cilin ka biseduar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Një vend të rëndësishëm në takim ka zënë problematika zgjedhore. Nga ana e tij, Mediu ka theksuar në takim se zgjedhjet janë të rrezikuara si rezultat i mungesës së vullnetait politik nga ana e socialistëve për të realizuar reformën zgjedhore, e cila tashmë është tërësisht e bllokuar.
Delegacioni i përfaqësuesve të 3 partive popullore europiane, ka zhvilluar po dje një takim me krerët e PDR. Përfaqësues të partive austriake, greke e suedeze, kanë dëgjuar nga krerët e Partisë Demokrate të Re, shqetësimet që lidhen me situatën politike në vend dhe me ritmet e zhvillimit. Reformatorët janë shprehur se ndihma e PPE është e domosdoshme për mbështetjen e opozitës shqiptare në mënyrë që kjo e fundit të dalë nga situata ku ndodhet dhe të bëhet më e besueshme për elektoratin. Krerët e PDR janë shprehur se reformimi i KQZ dhe përmirësimi i Kodit Elektoral, mund të realizohet vetëm duke përfshirë në proces gjithë spektrin politik shqiptar pa përjashtime. Përfaqësuesit e delegacionit të partive popullore europiane, kanë siguruar se do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zhvillimin dhe emancipimin e saj si dhe për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqetësimet e ngritura në takim, do të përcillen edhe pranë delegacionit të PPE.
Krijoni Kontakt