Përgatitja e mazhorancës së ardhshme të re kërkon programin e ri të kësaj mazhorance dhe ne këtu në qendër, prej dy muajsh, po punojmë intensivisht për programin e PD-së.

Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të PD-së, ku njoftoi se për përfundimin e këtij programi janë angazhuar në personalitetet më të shquara të shoqërisë civile dhe botës akademike.

Berisha tha se ky nuk "është vetëm programi elektoral, por është edhe plani i veprimit të mazhorancës së ardhshme që synon t'u japë përgjigje problemeve më madhore me të cilat përballet vendi, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndarjes së politikës me biznesin, shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, lirisë së tregut. Mbi të gjitha, zbatimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit ligjor.

Siç tha ai, "mazhorancën e re duhet ta konsiderojmë si "levën" e Arkimedit të shpëtimit të shoqërisë dhe të vendit nga kjo krizë, dhe rrokullisje e madhe që po e ndan Shqipërinë çdo ditë e më shumë nga Europa dhe Perëndimi, që po e varfëron atë gjithnjë e më shumë, që po e spastron atë më shumë se çdo lloj mënxyre tjetër". Kryetari i PD-së e vlerësoi sfidën që kemi përpara si "betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë". "Ne, çdo gjë mund të dorëzojmë, por jo më votën. Ky duhet të jetë mesazhi që duhet të përcjellim në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare. Ky dhe vetëm ky", bëri thirrje Berisha.

Berisha u bëri thirrje demokratëve për të konsideruar votën e lirë si një mision të shenjtë për të sotmen, për të ardhmen e kombit e të shoqërisë shqiptare. Në fund, kryetari i PD-së, Berisha, deklaroi se "kam besim tek ju se këtë fushatë, e cila synon edhe njëherë fillimin e përpjekjes sonë për mazhorancën e re, do ta kurorëzojmë me sukses".

Në vazhdim të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, i ka njohur drejtuesit e strukturave të bazës me procedurat që do të ndiqen për zgjedhjet në parti. Nëpërmjet një materiali të shkruar, drejtuesit e degëve dhe të nëndegëve u njohën në mënyrë të detajuar me të gjitha problemet e zgjedhjeve të reja në parti.

Diskutantët që e morën fjalën, theksuan rëndësinë e kësaj fushate zgjedhjesh për ripërtëritjen e partisë dhe hapjen e saj drejt shoqërisë civile dhe vlerave të saj më të qëndrueshme gjatë këtyre viteve. Ata e njohën Këshillin Kombëtar me varfërinë dhe krizën që ka mbërthyer vendin si pasojë e keqqeverisjes socialiste. Ata mbështeten platformën e re të PDSH-së për të siguruar një mazhorancë të re në zgjedhjet e ardhshme, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë dhe komplekse.