MPB ende e sheh Kaçanikun në kuadër të Serbisë


Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, vazhdon të mos e pranoj realitetin e shtetit të ri të Kosovës dhe këtë e manifeston nëpërmjet komunikatave zyrtare të kronikës së zezë



Skandali i MPB-së ka të bëjë me një komunikatë të publikuar me rastin e kapjes së një personi të dyshuar për grabitje, i cili është nga Kaçaniku i Republikës së Kosovës, mirëpo kjo ministri shkruan se Kaçaniku bie në kuadër të Serbisë, njofton agjencia e lajmeve INA.


Në MPB kanë qenë të pakapshëm për të komentuar këtë skandal dhe për të përmirësuar gabimin. Ndërsa përgjegjësia e tillë bie edhe mbi kuadrot shqiptare udhëheqëse në kuadër të këtij dikasteri, sidomos zëvendësministri Xhevat Buçi, pasi që Republika e Kosovës tashmë është njohur si shtet nga ana e Shkupit dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike.

Ky skandal i dalur lidhet me arrestimin e një 19 vjeçari nga Kaçaniku me inicialet D.A, i cili për tetë herë me radhë kryente vjedhje në kishën "Shën Gjeorgjia" në lagjen Çair të Shkupit. Vjedhjet ishin bërë nga 12 tetori e deri më 8 nëntor të këtij viti, kur ai pardje edhe u kap nga inspektorët policor. Policia maqedonase gjithashtu vazhdon në komunikatë se "19 vjeçari me prejardhje nga Serbia i ka vjedhur rreth 30 mijë denarë në arkën e kishës të cilat ishin dhuruar nga vizitorë t ndryshëm. Sipas informacioneve të policisë D.A. ka grabitur edhe kisha tjera në Draçevë dhe Çair dhe se ndaj tij është shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditëve për kryerjen e vjedhjeve të rënda. (INA)