Kreu i PD kërkon në Këshillin Kombëtar hapje ndaj shoqërisë civile dhe botës akademike
Berisha: Jo biznesmenë në krye të degëve
“Në zgjedhjet në parti nuk duhet të qarkullojmë njëri-tjerin, por të ripërtërijmë strukturat”
Nevila Perndoj
TIRANE- Asnjë biznesmen i fuqishëm, anëtar i Partisë Demokratike, nuk do të ketë të drejtën të kandidojë për postin e kryetarit të PD-së nëpër rrethe. Kjo është thënë qartë dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Edhe lideri i opozitës Sali Berisha ka theksuar në fjalën e tij se duhet ndarë politika nga biznesi. Duke zbardhur vetëm një pjesë të programit ende të papërfunduar të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se përgatitja e maxhorancës së ardhshme të re kërkon programin e ri të saj. “Ky është një program i qendrës së djathtë. Dhe padyshim që drejtimi politik i partisë do t’i japë viston përfundimtare. Por duhet të them që ky nuk është vetëm programi elektoral. Ky në tërë materien është plani i veprimit të maxhorancës së ardhshme që synon t’u japë përgjigje problemeve më madhore me të cilat përballet vendi, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndarjes së politikës me biznesin, shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, lirisë së tregut. Mbi të gjitha zbatimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit ligjor”,- tha ai. Lideri i opozitës, Berisha, theksoi gjithashtu se në procesin e ardhshëm të zgjedhjes së strukturave nuk do të ndiqet më procesi i riciklimit, por ai i ripërtëritjes. “Në të gjithë këtë proces ne nuk duhet të ndjekim riciklimin, por duhet të ndjekim ripërtëritjen. Tjetër është riciklimi, tjetër është ripërtëritja dhe me këtë nuk i zvogëlojmë vlerat askujt. Por ne kemi nevojë të shtojmë vlerat, ne nuk përballojmë dot në asnjë rrethanë sfidat e ardhshme në qoftë se rrimë duke qarkulluar njëri-tjetrin dhe jo duke nxjerrë në krye, jo duke vendosur në drejtim elementin më të vlefshëm, më të aftë, më kompetent. Secili do të mbledhë pikët e veta dhe do përpiqet të gjejë pozicionin e tij në këtë garë të madhe, e cila duhet të ketë si moto ripërtëritjen tonë”, -tha ai. Berisha u përqëndrua në përzgjedhjen e kandidatëve nga shoqëria civile dhe ajo akademike, pasi një procedurë e tillë ka sjellë sukses në zgjedhjet e kaluara. “Të luftosh dhe të mendosh për maxhorancën e re do të thotë, para së gjithash në këtë proces të hapësh dyert për të gjitha vlerat e komunitetin ku jetojmë. Askush nuk mund të përgatisë maxhorancën e re duke menduar për karrigen e tij. Duhet të mendojmë për qeverisjen e vendit, për një qeverisje kompetente dhe transparente. Në këtë kontekst, ju takon ju të jeni tërësisht të hapur ndaj shoqërisë civile, ndaj botës akademike. Ju rikujtojmë se vetëm kjo masë u bë një faktor përcaktues në zgjedhjet e fundit në fitoren e tërë qyteteve të mëdha të vendit. Të hapemi ndaj aleatëve tanë më të mirë”, - tha ai. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar është vendosur gjithashtu që të ndalet nepotizmi kryesisht në seksionet dhe grupseksionet. Një problem të tillë e evidentoi në fjalën e tij edhe kryetari i demokratëve, Sali Berisha. “Në udhëzimet e reja të fushatës sonë ka qëndrime të qarta ndaj nepotizmit, ndaj seksionit në familje, kështu që në rast se ne vërtet mendojmë për maxhorancën e re ne duhet të jemi plotësisht të hapur ndaj vlerave të komunitetit ku jetojmë”, -tha ai.
25/09/2004
Mendoj se është i drejtë shqetësimi i Berishës për korrupsionin por në ditët e sotme biznesmenë janë të gjithë intelektualët psh. artistët me shitjen dhe tregtimin e veprave të tyre artistike, avokatët dhe juristët me shitjen dhe tregtimin e shërbimeve të tyre, mjekët me shitjen dhe tregtimin e shërbimeve të tyre, politikanët dhe diplomatët me shitjen dhe tregtimin e aftësive të tyre etj. etj.
Mendoj se biznesmenët duhet të luajnë një rol kyç në jetën politike të çdo vendi e edhe të vendit tonë sepse ata kanë njohuritë më të mëdha të menaxhimit duke përfshirë edhe menaxhimin e jetës politike të vendit.
Korrupsioni duhet të luftohet me luftë ndaj tij nga agjensi shteti të krijuara për këtë qëllim, dhe nga i gjithë populli.
Krijoni Kontakt