Gjatë muajve shkurt dhe mars interesi i kredive në lekë është rritur në krahasim me prillin me 1.73 dhe 2.73 për qind. BSH-ja mendon se kjo është pasojë e mungesës së konkurrencës në këtë sektor
Fefad Bank ka ndikuar ndjeshëm në përcaktimin e një norme më të lartë interesi mesatar të ponderuar për kreditë në lekë, për tremujorin e parë të vitit 2002. Lajmi u dha nga ATSH-ja. Sipas Bankës së Shqipërisë, Fefad Bank ka dhënë sasinë më të madhe të kredive në lekë, por duke marrë për to një përqindje të lartë interesi (20-21%) dhe, në këtë mënyrë, është bërë dominuese në përcaktimin e kësaj norme interesi tregu. Po sipas Bankës së Shqipërisë, disa banka si: Alpha Credit, Tirana Bank, Banka Amerikane etj., akordojnë kredi në lekë me interesa më të ulët se Fefad Bank (11-14%), por sasia e kredive të dhëna është e vogël. Një situatë e tillë shkakton efekt në rritje të interesit mesatar të ponderuar për kreditë e akorduara në lekë, si sistem bankar. Gjatë muajit mars 2002, krahasuar me muajin janar, norma e interesit mesatar të ponderuar për kreditë në lekë është rritur me 2.73 pikë përqindjeje dhe, krahasuar me muajin shkurt, 1.73 pikë përqindjeje. Po sipas Bankës së Shqipërisë, tendenca në rritje e normës së interesit për kreditë e akorduara në lekë mund të shpjegohet me mosekzistencën e një tregu të mirëfilltë kreditimi masiv në lekë. Gjithashtu, gjatë muajit mars 2002, duke marrë në konsideratë pritshmërinë për inflacionin, Banka e Shqipërisë filloi të ndjekë një politikë të shtrënguar monetare, e cila u shoqërua me rritjen e normës së interesit të Repo-ve. Pas këtij vendimi, bankat ndaluan reduktimin e normës së interesit për kreditë në lekë.
Megjithatë, mendohet se kjo deklaratë e BSH-së është një justifikim i këtij institucioni përballë tendencës në rritje të normave të kredive në lekë, si pasojë e rritjes së frikës së bankierëve nga inflacioni. Një sondazh i kryer nga vetë BSH-ja në fund të vitit të kaluar, tregoi se pjesa më e madhe e bankierëve pritnin që inflacioni të rritet gjatë këtij viti, gjë që, teorikisht, sjell edhe rritjen e normave të interesave të kredive dhe depozitave në lekë.
Fefad Bank është krijuar në vitin 1998 nga një fondacion gjerman me të njëjtin emër, që vepronte në fushën e kredive të vogla. I njëjti fondacion hapi një bankë në Prishtinë, ndërsa, më pas, u krye binjakëzimi i këtyre dy bankave. Në fillim të këtij viti, gjiganti gjerman Komerzbank bleu 20 për qind të Fefad Bank. Fefad Banka njihet për procedura të thjeshta dhe të shpejta kredidhënieje si dhe për një numër të madh kredish.
Krijoni Kontakt