Zv/ministri i Jashtëm grek: Duam zgjidhje te pranueshme
--------------------------------------------------------------------------------
ATHINE
Athina zyrtare riaktivizion negociatat për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë. Konflikti për emrin zyrtar të Maqedonisë, FYROM, i cili shkaktoi një betejë diplomatike mes dy shteteve dhe nxiti madje edhe embargon e Athinës ndaj mallrave maqedonase, është kthyer sërish në tryezën e diskutimeve të OKB-së, pas gati një dekade. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Janis Valinaqis, është takuar dy ditë më parë me të dërguarin e posaçësm të OKB-së për konfliktin greko-maqedonas, Methju Nimiç. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta e përditshme greke "Elefterotipia", sipas të cilës të dy diplomatët kanë diskutuar gjatë për gjetjen e zgjidhjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, aktualisht Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. "Takimi ishte një nismë e re diplomatike e Athinës zyrtare për të zgjidhur konfliktin për emrin", shkruan gazeta. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Jorgos Kumutsakos, takimi ishte një riaktivizim i negociatave për të zgjidhur çështjen e shumëdiskutuar, edhe pse ajo mbetet një pikë e nxehtë polemikash mes dy qeverive si dhe ministrive të jashtme. Sipas tij, Athina është e mendimit se zgjidhja për emrin duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe të mos shkaktojë debate të reja. Athina dhe Shkupi u përfshinë në debate të ashpra lidhur me emrin e shtetit të ri maqedonas, pas shpalljes së pavarësisë së tij nga federata jugosllave. Autoritetet greke nuk pranuan dot ekzistencën e një shteti me emrin Republika e Maqedonisë, ndërsa emri i shtetit të sapodarë nga federata mbeti Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, FYROM.
Saga dhjetëvjeçare e emrit FYROM
Emri i Maqedonisë u kthye në "mollë sherri" për dy vendet fqinje që me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991. Kryeministri grek i asaj kohe, Micotaqis, nuk e pranoi një gjë të tillë, ndërsa Athina zyrtare, e indinjuar, vendosi edhe një embargo për mallrat maqedonase. Propozimi amerikan për emrin "Shteti i Maqedonisë" gati i dha zgjidhje çështjes në vitin 2002, por marrëveshje nuk u nënshkrua nga Shkupi e Athina. Greqia, gjithsesi, ka pranuar që në emrin zyrtar të jetë edhe fjala Maqedoni.
Krijoni Kontakt