Në muajin nëntor, 50 ikona të autorëve të mëdhenj Onufri, Shpataraku e Selenicasi, do të udhëtojnë drejt Moskës, ku do të hapet një ekspozitë e titulluar “Ikona dhe ikonografë shqiptarë - Shqipëria e krishterë”
Shqipëria e krishterë në Moskë
Alma Mile
Kushtojnë plot 20 milionë dollarë dhe në muajin nëntor do të udhëtojnë drejt Moskës. Rreth 50 ikona, që mbajnë firmat e Onufrit, Shpatarakut, Çetirëve, Selenicasit e Qipriotit, do të ekspozohen përgjatë dy muajve në një nga muzetë më të mëdhenj të kryeqytetit rus. Ekspozita e titulluar “Ikona dhe ikonografë shqiptarë-Shqipëria e krishterë”, është rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar në maj të këtij viti, mes drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado, dhe drejtorit të Muzeut Qëndror të Kulturës dhe Artit të Vjetër në Moskë, Andre Rubliov. Sipas studiuesit Ylli Drishti, një ndër kuratorët e kësaj ekspozite, pjesa më e madhe e këtyre ikonave, të cilat i përkasin shek.XIII-XIX, janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve, ndërsa të tjerat do të vijnë nga Muzeu Mesjetar i Korçës, nga Berati dhe Muzeu Historik Kombëtar. Sipas Drishtit, tashmë të gjitha fotografitë dhe të dhënat përkatëse të ikonave që do të ekspozohen kanë mbërritur në Moskë dhe pala ruse, është duke u përgatitur për realizimin e ekspozitës. “Në bazë të marrëveshjes, vitin tjetër, në Tiranë do të hapet një ekspozitë e ikonografisë ruse. Kjo ekspozitë do të shoqërohet gjithashtu edhe më një katalog në gjuhën shqipe dhe atë ruse, i cili do të përgatitet nga të dyja palët”,- thotë Drishti. Ndërkohë, ndonëse duhen edhe dy muaj para hapjes së ekspozitës “Ikona dhe ikonografë shqiptarë - Shqipëria e krishterë”, në kryeqytetin rus, në laboratorin e Galerisë së Arteve, ka nisur puna për gatitjen e ikonave për rrugë. Sipas shefes së sektorit të restaurimit, Majlinda Agolli, në këtë laborator, janë duke kaluar të gjitha ikonat që do të udhëtojnë drejt Moskës, me qëllim që ato të mund t’i rezistojnë udhëtimit të gjatë dhe ndryshimeve atmosferike, pa pësuar asnjë dëmtim. Megjithatë disa syresh kanë pasur më tepër punë se të tjerat, pasi kanë pasur nevojë për pastrim, për “ngritje” ngjyrash, apo për restaurimin e atyre pjesëve, të cilat kanë pësuar rënie të ngjyrave. Kështu, mes këtyre ikonave mund të përmenden ikonat “Shën Mëria në fron”, e një piktori anonim, e shek.XIX, “Shën Pjetri dhe Shën Pali”, si dhe dy- tre të tjera.
Krijoni Kontakt