. Dauti
VLORË- Hasmëria ka marrë jetën e djalit të katërt të familjes Veseli në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur dje në një lokal buzë detit, ndërkohë që kilentët e rastit që ndodheshin në lokal janë terrorizuar nga breshëritë e gjata të automatikut. Burime të policisë thanë për gazetën se viktima Dritan Veseli, 30 vjeç, i martuar dhe me fëmijë, i njohur në qytet me nofkën “Didi”, ka qënë i ulur me shokun e tij Ilirjan Veizi, i njohur me nofkën “Ila Buzdërri” dhe 3 persona të tjerë. Autorët e këtij krimi ende nuk janë identifikuar nga policia. Pas ngjarjes, ata janë larguar me një makinë ngjyrë të bardhë, e cila është gjendur e djegur pranë stadiumit “Flamurtari” të qytetit.
Ngjarja
30-vjeçari Didi që ka humbur tre vëllezër për shkak të hasmërisë (sipas burimeve të policisë vëllezërit Veseli kanë pasur konflikte me bandën e Gaxhait) nuk para shfaqej shumë gjatë ditës nëpër qytet. Ai, sipas informacioneve, i ruhej daljeve gjatë ditës. Dje në mbrëmje, sipas burimeve të policisë që i referohen dëshmive të marra në vendngjarje, ai ka qënë i ulur së bashku me shokët e tij, midis të cilëve dhe “Ila Buzdërri”, në një kioskë ruletë, buzë detit, afër Akademisë së Marinës. Po sipas burimeve kanë qënë dy persona ata që kanë ardhur në lokal. Njëri prej tyre ka qëndruar si roje në hyrje të lokalit, ndërsa tjetri është futur brenda dhe i është afruar tavolinës ku ishte ulur. Autori i krimit mësohet t’u ketë thënë përsonave që ishin ulur me 30-vjeçarin “ju mos lëvizni e kam më këtë”, dhe më pas ka derdhur ndaj tij dy breshëri të gjata automatiku. Si pasojë, 30-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa shoku i tij Ilirjan Vezi i plagosur. Ky i fundit është dërguar në spitalin e Vlorës, ku dhe ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve.
Policia
Uniformat blu të policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendngjarje rreth 15 minuta pas krimit. Ato kanë kryer aty veprimet hetimore si dhe kanë marrë dëshmitë e para lidhur me këtë ngjarje. Në vendngjarje ka mbërritur dhe prokurori i Vlorës, Petrit Çano, dhe drejtori i policisë, Josif Shtëmbari. Sipas hetimeve të para të policisë, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Po sipas burimeve në drejtim të 30-vjeçarit të njohur me nofkën Didi janë derdhur 20 plumba, që për fat nuk kanë bërë rikoshetë por kanë rënë në det. “Në të kundërt, do të kishim shumë viktima të pafajshme, pasi në atë orë të mbrëmjes kishte shumë kalimtarë”,- thanë për gazetën burimet e policisë. Në cilësinë e provës materiale, policia e Vlorës ka bllokuar një gomone me leje, pronë e viktimës dhe shokut të tij të plagosur, që ndodhej buzë detit ku ata pinin kafe. Ndërkohë, gjatë kërkimeve për kapjen e autorëve të këtij krimi uniformat blu kanë gjetur të djegur makinën me të cilën ata u larguan nga vendngjarja. Sipas burimeve, makina me ngjyrë të bardhë dhe targë të huaj, ngjyrë të verdhë, është gjetur pranë stadiumit “Flamurtari”.
Krijoni Kontakt