950 milion dinarë për ndërtmin e bazës ushtarake serbe në Luginën e Preshevës



Bujanoc, 15 dhjetor (presheva.com) – Beogradi zyrtar ka ndarë rreth 950 milion dinarë(150000E) për ndërtimin e bazës ushtarake “Cepotin” ndërmjet qyteteve të Preshevës dhe të Bujanocit. Qeveria e unionit Serbi-Mali i zi ka ndarë për kompleksin ushtarak “Cepotin” 200 milionë dinarë, ndërsa Qeveria republikane 750 milion dinarë, ka bërë të ditur për “AVP” gjenerali i pensionuar ushtarak dhe nënkryetari aktual i Trupit Kordinues për jugun e Serbisë, Ninoslav Kërstiqi. Sipas mediave serbe, fillimi i ndërtimit të bazës ushtarake “Cepotin” varet tanimë vetëm nga marrëveshja në mes ushtrisë dhe policisë serbe.
Me këtë rast, Trupi Kordinues për jugun e Serbisë ka rikonfirmuar edhe njëherë se kërkesat e partive politike shqiptare të jugut të Serbisë për tërheqjen e pjesëtarëve të Ushtrisë serbo-malazez dhe të policisë janë joreale për shkak të gjendjes aktuale të sigurisë. “Për këtë, fillimi i punëve lidhur me ndërtimin e kompleksit Cepotin në mes Bujanocit dhe Preshevës është i patjetërsueshëm”, ka vlerësuar Trupi Kordinues për jugun e Serbisë. Më 28 nëntor, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi Komunal i Preshevës ka miratuar një Deklaratë Politike, ku është kërkuar ndër të tjera Demilitarizimi i plotë i rajonit. Mendohet që baza e cila emërtohet jozyrtarisht edhe si “Bondsteeli serb” do të strehojë rreth 1000 trupa të policisë dhe të ushtrisë. Të gjitha partië politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë kundërshtuar në vazhdimësi paralajmërimet për ndërtimin e kompleksit ushtarak “Cepotin” duke e cilësuar si një veprim që rikujton periudhën e Millosheviqit dhe si një provokim i cili mund që të nxis shpërnguljen masive të shqiptarëve lokal. Gjatë konflikteve të armatosura në mes pjesëtarëve të UÇPMB-ës dhe focave të sigurisë serbe, sipas të dhënave serbe, në rajonin e Luginës së Preshevës kanë qenë të dislokuara rreth 6000 ushtarë dhe 4000 policë serbë.