-Kam frikë se nuk do jem i qetë në këtë apartament!
-Mos u merakosni, zotëri i nderuar, asnjë nga klientët tanë nuk është ankuar deri më sot. Gjithçka është e sistemuar në vendin e vet.
-Jeni i sigurt që ky është vendi për mua?
-Nëse ju do silleni mirë si klientët tanë, s’ka për të ndodhur asgjë e keqe!
-Por sikur të ndodhë?
-Nuk mund të jem krejtësisht i bindur në sjelljen tuaj.
-Për mua ka rëndësi të bëj një gjumë të qetë e të rehatshëm brenda katër mureve. Ju si thoni? Është i rëndësishëm gjumi?
-Oh, më i rëndësishëm se çdo gjë. Ju dukeni si tipi që mbështet kokën e kërkon me çdo kusht të flejë brenda pak sekondash. Kjo ju shqetëson, keni frikë mos është e pamundur një gjë e tillë.
-Nuk mund të thoni diçka të tillë për mua. Unë i nënshtrohem dëshirës për gjumë kur është e nevojshme. Gjithçka ndodh natyrshëm, e mua më pëlqen të bëhet kështu.
-Si të urdhëroni, zotëri i nderuar! Dëshironi të porosis të rregullojnë shtratin për gjumë?
-Tani?
-Përse jo? Në këto çaste mund të bëni një gjumë të qetë e të ëmbël si fëmijë. Askush nuk ka për të shqetësuar ëndrrat tuaja, unë do pres që të mbaroni gjumin e pastaj mund të vazhdojmë bisedën.
Zotëria shëtiti të gjitha dhomat, pastaj bëri me kokë kolltukun, tha se do shtrohej aty. Një afsh i nxehtë i kaloi nëpër gjithë trupin, derisa ndjeu djersë të ftohta. Atij iu afrua punonjesi i hotelit dhe e pyeti nëse ndihej rehat. Zotëria nuk iu përgjigj.
-Jam i sigurt që këtu nuk mund të bëni një gjumë të ëmbël.. Këmbët tuaja janë të mbledhura e ju s’mund të nënshtroheni pa dëshirë në krahët e një dashnoreje të bukur që pret t’i aviteni symbyllur. Ç’iu prish, sikur të shtriheni në shtratin e posaçëm, aty mund të rrotulloheni sa herë të doni, keni një hapësirë të mjaftueshme për të shëtitur gjumin tuaj lart e poshtë pa rrezikuar të pengoheni siç mund të ndodhë këtu, në këtë kolltuk.
-Oh, më lini të qetë. Për pak po më kapte gjumi.
-Por kështu do zgjoheshit shpejt. Do ishte e dëmshme për shëndetin tuaj. Mund të shqëtësoheshit për kot gjë, e të vrisnit mendjen përse iu doli gjumi pikërisht atë çast. Mund të humbisnit një ëndërr të bukur e pastaj do rrekeshit më kot për ta gjetur nga e para. Më dëgjoni!
-Jeni i bindur që është me vlerë të kaloj në dhomën e gjumit?
-Jeni i sigurt që kërkoni të flini rehat?
-Oh, kam kohë që nuk i besoj më një gjëje të tillë. Gjumi më urren mua.
-Por kjo nuk ka rëndësi. Besoj më kuptoni! Hajde, bëjeni për mua. Mund të vazhdojmë më vonë akoma të flasim. Tani, të flini!
-Hm, ky ishte një urdhër?
-Sigurisht që jeni i dëshpëruar, po e shoh. Nuk ju kam bërë asgjë të keqe deri tani.
-Atëhere pse kërkoni të qëndroni në një dhomë me mua, në gjumin tim?
-Por është e natyrshme që një njeri i lodhur, si ju, të ketë dikë mbi kokë që t’i lexojë mendimet, t’i hyjë në ëndrra, për të veçuar të mirat djathtas, e ato që s’bëjnë, në anën tjetër.
-Sikur të kem një njeri të tillë, sikur...
-Unë s’mund të jem asnjëherë ai që kërkoni ju, i nderuar zotëri! Kjo është e pamundur për një punonjës të thjeshtë hoteli si unë.
-E dija, e dija, megjithatë më thatë që në dhomën tjetër, ju, do jeni bashkë me mua!
Punonjësi i hotelit mbështeti duart mbi kokë, u rrotullua e pastaj iu kthye me një shprehje të qetë:
-Mirë, bëni si të doni! Për mua është më mirë të shkoj!
-Si kështu? Vendosët të më lini? Kjo është e padrejtë! Unë dua një shpjegim!
Punonjësi buzëqeshi duke ngritur supat në faj. Ç’të bëj më shumë,-dukej sikur thoshte, por pastaj vrau mendjen e buzëqeshi:
-Keni dëshirë të bisedojmë bashkë? Kur të mërziteni, do jeni i gatshëm për gjumë.
-Oh, sa mirë, unë e ndiej që mund të bëj një gjumë të këndshëm si rrallë ndonjëherë. Ejani me mua.
-Kërkoni të më mbyllni në dhomën tjetër? Kjo quhet padrejtësi. Ju mund të bëni gjumin tuaj, por unë nuk mund të rezistoj në një vend të izoluar duke pritur zgjimin. Më kuptoni? Duhet të fle me ju!
-Kjo është e pamundur! Unë s’mund t’ia lejoj një gjë të tillë një punonjësi hoteli. Gjumi im mund të jetë i shqëtësuar dhe plot makthe. Ju lutem të më kuptoni.
-Atëhere unë po shkoj!
Punonjësi u ngrit e lëvizi rrëmbyeshëm, doli jashtë pa i lënë mundësi tjetrit ta ndiqte. Zotëria i nderuar eci drejt dritares, përballë shihte një rrugë të pluhurosur ku luanin fëmijë që gjuanin me gurë njeri-tjetrin. I vështroi një copë herë. Pamja ishte monotone, atij iu errën sytë dhe kuptoi sa e rëndësishme ishte të flinte. Por ndërsa po merrte vendimin e tij, u dëgjua një zhurmë, një muzikë, që depërtoi përmes altoparlanteve të vendosur në lartësi të mureve. Ishte një stacion radioje. Ai dalloi zërin e lehtë të një femre që fliste kodra pas bregut e qeshte me ato që thoshte vetë.
U mendua. Ai i kishte të gjitha mundësitë të njihej me një femër të tillë. Të takohej me të, e pas disa minutash ta linte veten në fërkime dhe ofshama që mund të zgjasnin gjithë natën. Le të bënin edhe dashuri. Kjo ishte e mundur. Por gjumi i tij… atëhere po, që lindnin probleme. Mund të harronte të flinte, e për një njeri si ai, kjo ishte vetvrasje. U kujtua që pikërisht ai stacion muzikor i kishte prishur orarin e fjetjes, i kishte hequr prej syve perden e rëndë të krijuar nga panorama e dritares.
-Oh, e kotë,-mendoi. –Nuk duhej të vija këtu.
Eci drejt tavolinës. Aty gjeti një këmbanë të vogël,që e mori në dorë dhe e shkundi disa herë. Një zhurmë e lehtë, kërcënuese, që dilte përtej me forcë e kërkonte të lajmëronte njeri.
Pas pak u dëgjuan hapa. Dikush hyri pa trokitur. Ishte një grua me një foshnjë që kishte mbërthyer buzkat në gjoksin e saj dhe thithte pa pushim.
-Më kërkuat ?
-Do të doja të pushonte menjëherë kjo muzikë e mallkuar. Nuk më le të qetë.
-Nuk dëgjohet asnjë gjë, zotëri !
-Oh, por unë kujtova se dëgjohej. Më falni, kam gabuar,-tha zotëria me një shprehje fisnike në fytyrë.
-Mos u shqetësoni. Janë gjëra që ndodhin. Ju dukeni i lodhur, keni nevojë të flini.
-Patjetër ! Fëmija juaj di të qajë.
Foshnja lëvizi lehtazi kokën e nisi një të qarë të zhurmshme, duke përpëlitur doçkat në ajër me mundim. Gruaja qeshi. Fëmija kishte kuptuar si duhej të sillej. Por zotëria më këmbë reagoi i dëshpëruar duke klithur :
-Ndale, bëje të pushojë. Unë kam nevojë për qetësi. Ma jep mua fëmijën,-dhe i hoqi duarsh foshnjën, që kërkonte pa pushim gjoksin e nënës. Ai i futi gishtin e madh në gojë, e iu drejtua gruas :
-Mund të mbuloheni! Më turbullon gjoksi juaj.
-Mund ta prekni, nëse dëshironi.
Foshnja u luhat në një ankim të fundit dhe mbylli sytë i lodhur.
-Merre, merre, nuk duroj dot,-dhe zotëria e kaloi në duart e të ëmës fëmijën. –Vetëm zgjojeni, ai nuk ka mundësi të bëjë këtë gjë.
- Por ai është vetëm disa muajsh, zotëri. si mund të jeni kaq i pashpirt?
-Atëhere përse erdhët këtu, në këtë orë, në dhomën time?
-Ju i ratë këmbanës, jam e sigurt për këtë.
-E çdo të thoni me këtë? Unë jam në dhomën time e mund të bëj si të dua. Dua ta lëkund këmbanën e pastaj të fle.
-Zot, të ishte aq e thjeshtë të bënit si të donit!!!Unë jam këtu sepse më thirri këmbana që ju lëkundët. Sa pa kuptim. E keni idenë që jeni i sëmurë?
Zotëria eci me hapa të lëkundur drejt pasqyrës, preku fytyrën me dorë dhe u ndje i zbehtë. Kjo e turbulloi, i erdhi turp, mendoi të kërkonte falje. Por kur ktheu kokën, ndjeu gruan që qante pa zë, duke lëkundur fëmijën e saj.
-Ka vdekur dikush që kishit për zemër?-e zbuti zërin zotëria.
Gruaja e pa gjithë mirëkuptim në sy. Kërkoi lejë të largohej me foshnjën e saj. Burri i vet ishte në gjumë, e kur të zgjohej, duhej ta gjente afër, ndryshe mund të bëhej xheloz.
Zotëria mendoi shumë, por nuk i erdhi në ndihmë as vullneti i pastër për të bërë një dremitje minutash sa të kthjellonte idetë.

& & &

Tani që mbeti vetëm, i erdhi ndër mend që kishte zgjedhur atë fjetore ashtu rastësisht, duke nxituar me ngulm të fuste kokën nën një çati. Nuk kishte patur mundësi të shihte me saktësi ku ishte ndërtesa, oborrin që e rrethonte, njerëzit e tjerë që pushonin si ai. Kjo i krijoi një gjendje ankthi, e kapi paniku e mendoi që kishte rrezikuar duke pranuar të shtrihej në një dhomë të huaj. Për këtë gjë, doli në dritare, i varur përjashta dhe thirri me zë fëmijët që po luanin. Ata ngritën kokën, vështruan dritaren e tij, pastaj duke e injoruar sikur ai të mos ishte, vazhduan lojën. Thirri prapë, i dëshpëruar, fytyra e tij kishte një shprehje tmerri. Njëri nga djemtë e la lojën, eci me hapa të pasigurtë përpara, ndaloi poshtë dritares së tij e bërtiti:
-Kush po flet?
-Djalosh, jam këtu lart! Më shikon?
-Ku dreqin? Po talleni me mua?
E në të vërtetë, burri ishte bërë më prapa, e vetëm zëri i tij dilte përjashta.
-Oh, e kuptoj shqetësimin tënd. Jam diku këtu lart, më thuaj, çfarë shikon?
-Asgjë. Të gjitha dritaret janë mbyllur.
Zotëria ato momente kishte izoluar kanatat e dritares pa dashur.
-Djalosh, e di që është e çuditshme, kërko dhomën time. Ngjitu lart, kështu do t’i kuptosh të gjitha.
Asnjë fjalë e tij nuk u dëgjua. Ishte e ngjarë që zotëria t’i kishte menduar dhe jo shqiptuar ato fjalë.
Fëmija u largua me kokën e ulur, duke i shpjeguar shokëve atë gjë të çuditshme që i kishte ndodhur. Të gjithë lanë lojën, e të mërzitur nisën të largohen derisa nuk u panë më. U dëgjua trokitje në derë. Ishte një vajzë e re, e lezetshme, me flokë të gjatë, të zinj, që i derdheshin pas shpine. Ajo e pa drejt në sy dhe shqiptoi:
-Padronia ime, gruaja me fëmijë, kërkoi që të vija këtu. Ç’dëshironi të bëj?
Zotëria i nderuar psherëtiu thellë, e mori për dore vajzën dhe e çoi në dhomën e gjumit. Ajo qëndronte e ngrirë si një statujë. Ai u zhvesh në sytë e saj, veshi një palë rroba gjumi dhe duke i kapur dorën, i foli shkarazi:
-Qenkeni shumë e bukur! Dini të tregoni histori? Kam nevojë për një histori që të mund të më kapë gjumi.
- Unë di vetëm të tregoj varrimin e Rafaelos. Ishte rrëmujë e madhe dhe të gjithë njerëzit qanin.
-Tregoni, tregoni. Qenka diçka interesante.
-Atë ditë ishte një ndeshje e madhe futbolli dhe të gjithë njerëzit gëzonin nëpër rrugë. I gjori djalosh, që kishte mbetur i vrarë në një shkëmbim zjarri. Rastësisht e kishin kapur plumba në të gjithë trupin. Për mua mbetet e pashlyeshme në kujtesë . Shtëpia ime ishte ngjitur me të tijën, kështu që i dëgjoja të gjitha. Nëna e tij e kishte veshur me një kostum të ri Rafaelon, e i lutej të çohej më këmbë, të vallëzonte bashkë me të. Asgjë e tillë s’ndodhi. Në komodinën e tij ishte një libër i përthyer në faqet e mesit. Pas shumë orësh, nëna i dëboi të gjithë, ia lexoi deri në fund librin e ra pa ndjenja në këmbët e të birit.
-Çfarë libri ishte ai?
-Lumi i vdekur!
-Oh, interesante! Dhe pastaj ç’ndodhi?
-Unë di vetëm që kur shkova për t’i ngushëlluar, i hodha një vështrim shkarazi kufomës, që kishte të dy sytë e hapur e fiksonte diçka në tavan. I mbante me mundim sytë hapur, këtë e ndjeva, megjithatë kishte aq dëshirë t’i shihte të gjithë, njeri pas tjetrit, që hynin e dilnin brenda asaj dhome.
Zotëria u mërzit. Kishte diçka që e trishtoi në gjithë atë histori. Gjumi, pikërisht gjumi i tij ishte ngacmuar pak, shumë pak për ta burgosur brenda qepallava të syve për një kohë të gjatë. Atëhere i tha zonjushes:
-Dëshiroj të më tregoni një histori tjetër!
-Po të doni ua them nga e para këtë histori. Është e vetmja që di.
-Mos u tregoni kaq mizore!
Vajza ngriti supet me mospërfillje. Ajo kishte thënë të vërtetën.
-Atëhere duhet të ndryshoni diçka në këtë histori të trishtë që mbani mend. Si thoni, mund ta tregoni duke e ngjallur në fund atë djalosh.
Kështu dilnim paq, e djaloshi me t’u zgjuar, mund të vraponte disa herë brenda dhomës, e të shtrihej të flinte, i lodhur, me sytë e mbyllur.
-Por kështu s’ka asnjë vlerë. Ku qëndron historia? Atëhere djaloshi bëhet banal, të gjithë kemi mësuar të flemë gjumë. Kurse ashtu, i vdekur me sytë e hapur, duke rrokur të gjithë në atë vështrim të ngrirë, unë ndjeva keqardhje dhe dashuri për të. Edhe ju, patjetër që në vendin tim do kishin ndjerë të njëjtën gjë.
-Në rregull, qënka e kotë të merrem me ju. Më sillni për të pirë diçka gjumëndjellëse. Mbase një hapje gjumi, ose disa, kështu mund t’i mbaj për çdo moment. Shkoni tani!
Dera u mbyll pas krahëve të tij. Zotëria u fut në banjë, shplau sytë me ujë disa herë e ndjeu një freski që e shtendosi nga tensioni që kishte brenda. Në atë moment u dëgjua një zhurmë nëpër shkallë. Ai doli i çuditur, e përpara derës pa të qëndronin dy njerëz që s’i njihte dhe punonjësi i hotelit që e vështroi me dashuri.
-Më në fund, zotëri! Këta të dy mund t’iu japin një dorë, të trasportoni teshat tuaja!
-Teshat e mia?
-Pikërisht, zotëri i nderuar! Keni tre ditë në këtë apartament, i mbyllur brenda, duke fjetur si i vdekur në shtrat. Nuk mund të qëndroni më tepër se tre ditë. Këto janë rregullat.
-Unë kam fjetur? Kjo është marrëzi! Unë jam këtu ka më pak se dy orë. Kam nevojë për gjumë. Të mbyll sytë e të harrohem si i vdekur.
-Më vjen keq! Rregulli është ky: pastaj ne nuk duam njerëz të çuditshëm që flenë si të vdekur për ditë me rradhë. Klientët e tjerë janë të shqetësuar. Po ju presim poshtë. Bëhuni gati, mund t’iu shoqërojmë deri në stacionin e autobuzave !
Dhe me një nënqeshje idhnake në fytyrë, punonjësi i hotelit doli i shoqëruar nga dy burrat e tjerë. Zotëria goditi murin me grusht e ndjeu një dhimbje që i pllakosi fytyrën. Atë moment, ndjeu zërin e një vajze,që priste tek dera duke thënë:
-Mund të hyj?
Bëri shenjë me kokë.
-Hapjet tuaja zotëri! Me këto mund të flini rehat gjithë jetën!
Zotëria mori në dorë pilulat,e çuditërisht i ngjau sikur në to dalloi sytë e një djaloshi që mund të ishte Rafaeloja. Kjo i ngjalli ankth. Sepse djaloshi flinte me sytë e hapur. Dhe për një të vdekur kjo ishte e bezdisëshme. I dha urdhër tjetrës të largohej.
Iu afrua prapë dritares, e këtë herë dalloi një grumbull njerëzish, si hije të përzishme, që prisnin kokë-ulur, pa thënë asnjë gjë. Ishte një varrim, kjo kuptohej nga veshjet e zeza. E herë pas here ndonjëri ngrinte kokën, shihte me mundim dritaren e tij dhe psherëtinte sa mundej. Askush nuk e njihte zotërinë e nderuar, por gjithë ai përkushtim ishte i veçantë, i dhimbshëm, të bënte përshtypje. Zotëria nuk i la të prisnin më shumë. Punonjësi i hotelit i kishte thënë që kishin kaluar tre ditë që atij i ishin dukur si dy orë. Megjithatë pak rëndësi kishte. Afati i tij kishte mbaruar, e ai ndjente një etje të madhe për gjumë. Zbriti poshtë, duke i lënë të gjitha, siç ishin, të paprekura në dhomën e tij.
U fut në mes të turmës, por askush nuk i dha përshtypjen që e njihte. Këtu, jashtë, frynte një erë e lehtë, që freskonte turmën dhe nuk e linte të djersinte. Zotëria kërkoi të pyesë, por iu duk e pasjellshme. Atëhere u rrotullua, për të parë nga afër dhomën e tij. Por përpara s’ishte hoteli, ishte vetëm një varrezë e vogël, që binte aromë qiparisash. Zotëria qeshi. U largua vjedhurazi të gjithëve, e i lodhur si rrallëherë, eci kuturu brenda varrezës, në kërkim të dhomës së tij!