Sigurimet
Artiola Alimadhi - 17/09/2004
“Dukagjini”: Sigurimet po humbin 20 milionë dollarë në vit nga tarifat TPL
Kol Puta, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë së sigurimeve “Dukagjini”, thotë se shitja e policave të sigurimit TPL me 55-60 për qind të çmimit të miratuar bën që shoqëritë e sigurimit të humbasin bashkarisht rreth 20 milionë dollarë në vit. Përqëndrimi i shitjes së tyre në pika të veçanta dhe kompjuterizimi i procesit do të ndihmojë në shndërrimin e këtyre shoqërive në “piramida të ligjshme”
Shoqëritë e sigurimit humbasin bashkarisht rreth 20 milionë dollarë në vit si rezultat i shitjes së policave të sigurimit për sigurimin e detyrueshëm TPL nën nivelin minimal të përcaktuar nga Ministria e Financave. Shoqëria kosovare e sigurimeve “Dukagjini”, e cila para pak kohësh mori lejen nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve (KMS) për ushtrimin e aktivitetit në fushën e sigurimit në Shqipëri, deklaron se në bazë të të dhënave konfidenciale që ajo disponon, aktualisht në tregun shqiptar policat e sigurimit TPL shiten në nivelin 55-60 për qind të çmimit të miratuar. Rezultati, sipas kësaj shoqërie, është se shoqëritë e sigurimit humbasin bashkarisht rreth 20 milionë dollarë në vit. “Ky fenomen po gërryen financat e kompanive të sigurimit dhe rrezikon shndërrimin e tyre në ‘piramida të ligjshme’”, shkruhet në një propozim të bërë nga Kol Puta, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë, drejtuar shoqërive të tjera që veprojnë në tregun shqiptar të sigurimeve. “Konkurrenca në sigurimet e detyrueshme duhet të realizohet jo duke cenuar çmimet, por duke rritur cilësinë e shërbimeve dhe transparencën në pagesën e dëmeve”, shprehet Puta.
Zgjidhjet e mundshme
Një ndër propozimet e bëra si dhe një zgjidhje e mundshme për problemin e paraqitur më sipër është që tregu i shitjes së policave të sigurimit të detyrueshëm (TPL) të përqëndrohet në qendra të komjuterizuara. Në këto qendra duhet të këtë agjentë të të gjithë shoqërive të sigurimit që operojnë në treg në mënyrë që edhe procesi i shitjes të jetë më transparent dhe më efektiv. Këto qendra propozohen të ngrihen në qendrat kryesore të vendit dhe pikat kufitare doganore me fluks të konsiderueshëm të lëvizjes së mjeteve. “Në propozojmë që të hiqet dorë nga sistemi i kioskave dhe agjentët e panumërt të sigurimit të automjeteve, të shtypjes së policave me dorë apo me makina shkrimi”, shprehet Puta. Sipas tij, niveli i shërbimit në sportelet e kompanive të sigurimit apo agjencitë e sigurimit duhet t’i përngjajnë cilësisë së shërbimeve të ofruara nga bankat. Aplikimi i sistemit on-line është mjeti më i suksesshëm që mundëson transparencën dhe lufton informalitetin në fushën e sigurimeve.
I njëjti supozim bëhet edhe për policën e shëndetit në udhëtim. Ky lloj sigurimi është sigurim vullnetar, por duke qenë se është i domosdoshëm në disa raste (si për shembull në kërkesat e ambasadave të huaja që e kërkojnë patjetër), “Dukagjini” kërkon që edhe ky lloj shërbimi të mos kryhet në vende të papërshtatshme (si në dyert e ambasadave), por në agjenci të përqëndruara e të përbashkëta.
Shumë propozime të mira këto të zotit Kol Puta dhe mendoj që qeveria shqiptare duhet t'i ketë parasysh dhe të marrë masat e duhura që të lehtësoj punën dhe të ndihmoj tregun e sigurimeve të arrij nivelet e duhura.
Krijoni Kontakt