Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 17
  1. #1
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846

    Maqedonasit zgjedhin bashkëjetesën në referendum

    BDI: Dalja e shqiptarëve në referendum nuk është interes i shqiptarëve
    PDSH: Shqiptarët të votojnë kundër “referendumit maqedonas”

    Nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti, duke komentuar thirrjen që lideri i PDSh-së ia bën elektoratit shqiptarë për dalje në votime, thekson se ”nuk është mirë që të rrënohet ajo që me vite është ndërtuar” dhe shton se “kjo nuk është në interes të shqiptarëve, sepse nuk qartëson çka duhet të bëjnë shqiptarët pas referendumit”.

    Tani më ka filluar fushata kundër dhe pro referendumin maqedonas që u paralajmërua nga pushteti dhe opozita.

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ditë më parë është prononcuar se shqiptarët do të abstenojnë nga “referendumi maqedonas” për shkak se ky referendum është kundër ndarjes së re territoriale ,decentralizimit dhe mbi të gjitha kundër interesave të shtetit dhe shqiptarëve.

    Në anën tjetër lideri i PDSh-së, Arbër Xhaferit në mjetet e informimit të Kosovës, ka deklaruar të kundërtën ”se shqiptarët duhet të dalin në referendum” përkundër faktit se gjatë debatit parlamentar për ndarjen e re territoriale Xhaferi dhe partia e tij paraqiteshin me deklaratat kundër referendumit që e inicoi kongresi gjithmaqedonas me në krye Todor Petrovin dhe që mbështetet nga opozita maqedonase.Por, ai thotë që shqiptarët duhet të votojnë kundër referendumit, pas çkajit do të hapeshi një dialogi ri shqiptaro maqedon.

    Subjektet politike duke u prononcuar për deklaratën e fundit të liderit të PDSH-së shprehin habinë se si është e mundur që aq shpejt, brenda natës të ndryshohen qëndrimet politike, por disa të tjerë këtë deklarim e vlerësojnë se e drejtë ekskluzive e subjektit, pa marrë parasysh se cilat mund të jenë pasojat që mund të dalin prej saj për shtetin dhe shqiptarët.

    Nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti, thotë se ne në Bashkimin Demokratik për Integrim i kemi qëndrimet e qarta në lidhje me këtë referendum se ai duhet të bojkotohet jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga komunitetet tjera që jetojnë në Maqedoni, ngase shton ai bëhet fjalë për një referendum njënacional, i cili nuk do të sjellë gjëja të mira për Maqedoninë. Rafis Haliti duke komentuar thirrjen që lideri i PDSh-së ia bën elektoratit shqiptarë për dalje në votimet thekson se nuk është mirë që të rrënohet ajo që me vite është ndërtuar, duke shtuar se kjo deklaratë nuk është në interes të shqiptarëve, sepse sipas tij deklarata në fjalë nuk qartëson çka duhet të bëjnë shqiptarët pas referendumit. Rafis Haliti poashtu ka kritikuar qëndrimin e liderit të PDSh-së se Marrëveshja e Ohrit nuk ekziston, duke ia bërë me dije edhe PDSh-së edhe PPD-së se ata janë nënshkrues të kësaj marrëveshje, duke shtuar se këto dy parti kanë qenë edhe bisedues në Ohër dhe është dashur që atëherë t’i qartësojnë gjërat. Duke komentuar pjesën e deklaratës së kryetarit të partisë më të madhe opozitare shqiptare, se shqiptarët nuk kanë fituar kurgjë me organizimin e ri territorial, Haliti me kundërpërgjigje se është dashur që edhe opozita shqiptare të mer pjesë në këto bisedimee që më pastaj të kritikon Ligjin, duke shtuar se Ligji i ri për ndarjen territoriale nuk është ideal, por është i kapshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni.

    Për zëdhënësin e PPD-së Qenan Aliu, deklarata e numrit një të PDSh-së është e drejtë e çdo partie politike që të ketë qëndrim për referendumin, duke shtuar se prononcimin e PDSh-së, PPD-ja nuk e sheh të arsyeshëm ta komentojë. Qenan Aliu ka theksuar se gjatë ditëve të ardhshme PPD-ja do t’i thërrasë të gjitha subjektet politike të ndërtojnë pozicion konvergjent rreth çështjes së referendumit.

    Kryetari i PDK-së, Basri Haliti, propozimin e PDSh-së që të dilet në referendum e ka cilësuar si akt të tyre partiak, sepse vlerëson Haliti, çdokush ka të drejtë të propozojë. Ne, ka shtuar mëtej Basri Haliti do të përkrahim çdo referendum që synon federalizimin e Maqedonisë dhe në këtë drejtim, ka shtuar kryetari i PDK-së ne u kemi bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe shoqatave tjera që të na bashkangjiten për organizimin e një referendumi, ku pyetja do të ishte: a jeni për federalizimin e Maqedonisë.

    Rreth deklaratës së Arbër Xhaferit, këto ditë në televizionin “Kanal 5” është prononcuar edhe nënkryetari i LSDM-së, Vllado Buçkovski, i cili ndërmjet tjerash ka deklaruar se prononcimi i Xhaferit është njera prej variantave po qe se referendumi do të kishte përkrahje. Sipas Buçkovskit po qe se referendumi do të kishte sukses, Paralamenti në afat prej 60 ditëve do të duhej ta miratonte Ligjin e vitit 1996 dhe do të vinim në një situatë shumë të rëndë, sepse siç ka theksuar Vllado Buçkovski me këtë do të duhej bisedime të reja dhe negociata, kurse de fakto do të eliminohej Marrëveshja e Ohrit. Sipas nënkryetarit të LSDM-së, “Xhaferi nuk bën ndonjë punë të mençur, dhe ka kohë që të hudh në publik projekte që kanë funksion ta ngadëlsojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”.Teza e tij për federalizimin e Maqedonisë nuk është përcaktim politik i tij por vetëm sa preferon mjegullimin e skenës politike në vend, ka thënë Vllado Buçovski

    S.Demiri
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    09-01-2003
    Vendndodhja
    Kosove
    Postime
    355
    MAQEDONI, Persona të armatosur qëllojnë një makine policie, tre të plagosur


    SHKUP (15 Shtator) - Tre policë maqedonas u plagosën me armë zjarri, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, kur të paktën dy persona të panjohur hapën zjarr kundër makinës së tyre në të gdhirë të ditës së sotme në Shkup. Incidenti ndodhi në Suto Orizari, në rrugën "Ëashington" në veri të Shkupit, bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Goran Pavlovski. Dy të panjohurit, që ndodheshin në një automjet, hapën zjarr kur u shkëmbyen me makinën e policisë, që po patrullonte. Jeta e një polici të plagosur rëndë në kraharor dhe në stomak është në rrezik, ndërsa gjendja e dy policëve të tjerë, të plagosur në këmbë, është e stabilizuar, bëri të ditur zëdhënësi. Shkaqet e këtij sulmi nuk dihen ende dhe kanë nisur hetimet, shtoi Pavlovski. ro/ro (BalkanWeb)

  3. #3
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Ndersa raporti nga Briseli thote qe referendumi do te deshtoj,gje te cilen e pohoi dje edhe ministresha e puneve te jashtme Mitreva.
    Shpresoj qe ky "referendum" do ngelet vetem edhe nje zhgenjim tjeter i partive politike opozitare te cilet luajne ne karten etnike dhe duke tentuar te fitojne poena politike duke abuzuar te drejtat e shqiptareve ne Maqedoni.
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  4. #4
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Referendumi, midis shumë çështjeve të paqarta

    Dështimi, në interes të shqiptarëve

    - Thekse nga disa analistë neutralë: N.Ziberi: Dalja në referendum, ndihmesë opozitës!-Hisen Ramadani: Dihen qëllimet e partive që organizojnë referendumin!-Denko Malevski: Hyrje në krizë...
    Çështja e referendumit kundër konceptit qeveritar të decenttralizimit, i cili është paraparë që të mbahet në fillim të nëntorit është bërë top temë jo vetëm ndër qarqet politike brenda Maqedonisë, por edhe përtej kufijve. Efektet e tij po analizohen para se ai të mbahet, dhe ajo që është më esenciale për shqiptarët, është dilema të dalin ose jo në referendum. Kjo, ngase nuk mund të parasghikohet lehtë se cili është veprimi më i drerjtë dhe çka fitohet nëse dalin në referendum dhe çka nëse e bojkotojnë ate.

    Naser Ziberi, njëri prej figurave politike kur PPD-ja ishte në pushtet,ish-sekretar, deputet dhe ministër, dhe njëri nga autorët e tesktit të Marrëveshjes së Ohrit, thotë se dalja në referndum e shqiptarëve do të thotë t’i ofrohet ndihmë subjekteve politike dhe qytetarëve maqedonas që i organizuan mbledhjen e nënshkrimeve.

    “Me këtë, krijohen mundësi që referendumi të ketë sukses, ngase mund të ndodhë që në referndum të dalin 50 plus një për qind”, thotë N.Ziberi për të vazhduar: “Nëse kihet parasysh se cila ka qenë kërkesa e tyre, ai është i dëmshëm, sepse dihet se iniciatorët kërkojnë që Struga të jetë pa mjediset shqiptare, kurse për Shkupin kanë kërkuar të mos jetë dygjuhësor, e që e gjithë kjo është një veprim i dëmshëm për shqiptarët”.

    Sipas Naser Zyberit, mosdalja e shqiptarëve është tentativë për të penguar që të arrihet 50 plus 1 për qindshi i trupit votues, me çka çfarëdo rezultati i referendumit do të biente në ujë. “Suma sumarum”, thotë në fund Naser Zyberi “ky referendum qoftë pozitiv apo negativ do të ketë pasoja për Maqedoninë”.

    Hisen Ramadani, politikan me përvojë të gjatë, mendon se motivi është tepër i vogël për një hallakamë kaq të madhe që është bërë në Maqedoni rreth këtij referendumi, sepse thotë ai, epitetet që i vehen ligjit për organizimin e ri teritorial nuk janë të vërteta, pra ato janë të finguara për motive tjera - lufta për pushtet.

    “Këto janë disa forca regresive nacionaliste të cilët kërkojnë ta devalvojnë Marrëveshjen e Ohrit, kurse në fazën e dytë mund të shkallëzohet dhuna”, thotë Hisen Ramadani.

    Ramadani vlerëson se suksesi eventual i referendumit nuk e anashkalon pozitën e shqiptarëve, sepse herëdokurdo duhet të sillet një ligj ku do të zbatohet parimi i Badinterit. Sepse nënvizon Hisen Ramadani, pala tjetër sa herë që t’i kujtohet mund të organizojë referendume të ngjajshme. Ndërkaq rreth dilemës të dilet apo të mos dilet në referendum, Ramadani është i mendimit se ai duhet të bojkotohet.

    Çështja e bojktotit ose e votimit për ose kundër, nuk është vetëm dilemë tek shqiptarët, por dhe çështje e shtetit. Këtë e kanë thënë shumë analistë dhe subjekte politike. Kështu, ish ministri i Punëve të jashtme të Maqedonisë, profesori i Universitetit të Shkupit, dr.Denko Malevski, në një intervitë për A1, ndërmjet tjerash ka thënë se po hymë në një krizë politike, ngase të gjithë energjinë shoqërore e kemi të drejtuar nga referendumi. Rezultati nga ky referendum nuk dihet, por është fakt, thotë Malevski, se jemi të preokupuar me këtë çështje, tregon qartë se shteti është para dilemave të reja. Ai parapëlqen ballafaqimin e argumenteve, të pushtetit kundrejt atyre të opozitësç ku çon referendumi.

    Në këtë pikë, një kohë më të gjatë partitë në pushtet dhe ato në opozitë, kanë pasë të këmbejnë argumente “për” dhe “kundër”, por mbledhja e nënshkrimeve arriti që referendumin ta venë në rend dite dhe të shpallet zyrtarisht nga parlamenti, si obligim kushtetues.

    Sa u përket pozicioneve të dy partive më të mëdha shqiptare, ato tashmë kanë filluar të qartësohen. BDI, sipas deklarimeve të disa përfaqësuesve të saj, do të kërkojë që shqiptarët ta bojkotojnë, duke vlersuar se ai është referendum njënacional dhe se qëllimet e opozitës maqedonase janë të qarta, që referendumin ta shfrytëzojë për të ardhur në pushtet. Ndërkaq ndër shqiptarët krijoi huti “ndërhyrja” e papritur e PDSh-së me qëndrimin që shqiptarët duhet të dalin në referendum me çka do ta kundërshtonin ligjin për organizimin e ri territorial. Suksesi i referendumit, deklaroi këto ditë lideri Arbër Xhaferi, do të thoshte fund i Marrëveshjes së Ohrit, me çka do të nevojitej ndërmjetësim ndërkombëtar. Këtë qëndrim në PDSh e arsyetojnë me argumentimin se kjo do ta detyronte palën maqedonase dhe faktorin ndërkombëtar për organizimin e një “Ohër të dytë”, ku do të definoheshin disa çështje që nuk u definuan si duhet gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë në vitin 2001..

    Saubi Demiri
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    09-01-2003
    Vendndodhja
    Kosove
    Postime
    355
    MAQEDONI, SHBA: Referendumi të ketë sukses, i hap rrugën integrimit


    UASHINGTON (16 Shtator) - "SHBA-ja dëshiron që referendumi në Maqedoni të përfundojë me sukses, për shkak se me Ligjin për decentralizim do të lehtësohet rruga e vendit drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike", deklaroi zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Riçard Bauçer. Ai theksoi se decentralizimi i vendit është hap i rëndësishëm edhe për përforcimin e demokracisë në Maqedoni. Referendumi për organizimin e ri territorial është caktuar për më 7 tetor. ro/ro (BalkanWeb)

  6. #6
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Nderkombetaret rreth epilogut te referendumit: BE nuk ka plan “B”, nese referendumi ka sukses

    Nga kendeveshtrimi yne nuk ka nevoje te ndryshon Marreveshje e Ohrit dhe se rruga per ne BE con nepermjet Ohrit, theksoi Shina Thomson.- OSBE-ja do te marre vendim per dergimin e vezhguesve ne referendumin e 7 nentorit

    “Bashkimi Evropian nuk ka kurfare plani ”B”,pasi Marreveshja Korrnize e Ohrit eshte formula e vetme per sukses” deklaroi dje per Flaken zedhensja e Bashkimit Evropian ne Maqedoni,Shina Thomson,duke shtuar se informacionet e dhena per kete ceshtje jane vetem spekulime. “Nga kendeveshtrimi yne nuk ka nevoje te ndryshon kjo marreveshje dhe rruga per BE con nepermjet Ohrit”, theksoi Thomson.”Nuk duhet ndryshuar nje gje qe tregohet e suksesshme” tha zedhenesja e Bashkimit Evropian. “Ajo qe eshte me e rendesishme eshte ardhmeria afatgjate e vendit”, tha ajo.

    Dite me pare ne Maqedoni nga qarqe te ndryshme politike e diplomatike ka dalur spekulimi per gjoja hartimin e nje planit “B”, i cili do te duhej te zbatohej,nese referendumi do te kishte epilog te susksesshem.



    Lidhur me kete pytje edhe ministri i Puneve te Jashtme te Holandes, Bernard Bot, ne takimin qe ka pasur me ministren e jashtme te Maqedonise Ilinka Mitreva, ne Bruksel, ka deklaruar se “nuk duhet te kete plan B, nese besoni se plani A do te funksionon”, dhe ka sqaruar se plotesisht beson ne planin A.



    Thomson dje ka thene se procesi i prolongimit te metejshem te decentralizimit, seriozisht do ta rezikonte anetaresimin e Maqedonise ne Bashkimin Evropian. Ajo ka theksuar nevojen per vazhdimin e reformave tani me te filluara, duke vene theksin ne decentralizimin i cili eshte i parapare edhe me Marreveshjen Kornize.



    Zedhenesja Tomson e pyetur se cili eshte qendrimi i BE-se lidhur me informatat se PDSH i fton shqiptaret te dalin ne referndum, ka thene se “ respekton procedurat kushtetuese te cilat kane te bejne me referendumin, mirepo ajo hapat politik dhe vendimet e njerezve jane vendime te tyre”.



    “Referendumi vonon rrugen per antaresimin e Maqedonise ne BE”, ka deklaruar Shina Tomson dhe ka bere te ditur se referendumi vendit i merr energji te madhe i cili tani duhet t’i perkushtohet procesit per anetaresim ne BE”.

    Nderkaq, Qeveria e Maqedonise ende nuk ka kerkuar nga Misioni i OSBE-se qe te vezhgohet referendumi i 7 nentorit.Zedhenesi i misionit te OSBE-se, Maksim Filandrov theksoi se Zyra per demokraci, institucione dhe te drejtat e qytetareve,diteve te fundit eshte duke e zbatuar misionin e ashtuquajtur “Ppakt-fajnding”, ne kuader te se ciles kane realizuar nje seri kontaktesh me perfaqesuesit qeveritare dhe me partite politike, me qellim qe te bejne vleresimin per nevojen e vezhgimit te referendumit.”Nga konkluzat e misionit Pakt-fajding” do te dihet se a do te dergoje OSBE-ja vezhguesit e saj” theksoi Filandrov.

    Autori:
    S.SALIU
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  7. #7
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Dilemat mbi referendumin shtojne divergjencat ndershqiptare: BDI-ja me “trase te qarte”, ne PDSH Xhaferi dhe Thaci s’mund te merren vesh!?


    Rreth divergjencave ne PDSH, zedhenesi Sulejman Rushiti me pergjigje: Divergjencat jane thjeshte per nje aspekt teknik te demonstrimit te qendrimeve politike.-Per mundesine e mbeshtetjes se pergjithshme te nje "referendumi shqiptar", qe eshte paralajmeruar nga PDSH-ja, si zgjidhje ne instance “te fundit”, zedhenesja e BDI-se, Ermira Mehmeti, thekson se BDI “nuk u pershtatet sfidave qe vijne nga qarqet e tjera” -PPD-ja e quan “salto mortale” reterimin e PDSH-se

    Ceshtja e referendumit ishte nje teme e "nxehte" per Kryesine qendrore te Partise Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila, ne mbledhjen e se enjtes mbrema, duhej t'i mbeshteste qendrimet politike te kreut te saj, qe dilnin nga deklaratat e shumta te kryetarit Arben Xhaferi, sidomos ato qe ishin dhene per mediat e jashtme. Nga konferenca per shtyp qe u organizua derisa po mbante mbledhje kryesia, shihej qarte se strukturat me te gjera te partise kishin shprehur disa dilema, qe u konsideruan si normale per nje parti, edhe pse ato kesaj here vinin nga numri dy i saj. Ne debatin e kesaj kryesia ishin prezentuar nje vister obcionesh, per te cilat asnjeri nuk deshironte te marre pergjegjesine mbi vete dhe shi per kete shkak, punet do te qartesohen ne nje mbledhje te radhes te Kuvendit qendror, ne menyre qe kjo pergjegjesi te kete nje shtrirje me te gjere.

    E.Mehmeti(zedhenesja e BDI-se):"Referendumi shqiptar i takon historise!"

    Se si i vlereson qendrimet e fundit te kreut te PDSH-se, per shkak te disa dilemave dhe divergjencave qe kane te bejne me qasjen ndaj referendumit, zedhenesja e Bashkimit Demokratik per Integrim (BDI), Ermira Mehmeti, per “Flaken” tha se shihet qe nuk ka nje qasje unike per kete ceshtje, ndaj dhe nuk meriton ndonje koment te vecante, duke shprehur mendimin se ata se pari duhet mes vete te percaktohen per opcionin qe u konvenon. Ndersa per mundesine e mbeshtetjes se pergjithshme te nje "referendumi shqiptar", qe eshte paralajmeruar nga PDSH-ja, si "zgjidhje" ne instance te fundit, zedhenesja Mehmeti theksoi se BDI ka qendrimet e veta, ndaj dhe nuk u pershtatet sfidave qe vijne nga qarqet radikale maqedonase. Platforma e kesaj partie, thote ajo, eshte implementimi i Marreveshjes se Ohrit, kurse kjo parti eshte e vendosur qe kete ta coje deri ne fund, duke shtuar se iniciativat e tjera te ndara i kane lene me rrjedhat politike prej para vitit 2001, pra i kane lene historise.

    S.Rushiti(zedhenes i PDSH-se): Ne mbledhje u demaskua frika iracionale nga referendumi

    Zedhenesi i PDSH-se, Sulejman Rushiti, thote se ne mbledhjen e fundit te Kryesise qendrore te kesaj partie eshte bere verifikimi i qendrimit te kryetarit te partise Arben Xhaferi lidhur me referendumin. Sipas tij, ne kete mbledhje unanimisht eshte pranuar vendimi per aspektet politike te tij, me te cilat demaskohet frika iracionale nga referendumi, kurse aspekti procedural qe demonstrohet mbetet te diskutohet, per shkak te ideve te ndryshme qe dolen ne debat.

    Per ate se si i sheh divergjencat “sado te vogla ne kreun e partise”, Rushiti me pergjigje se eshte kuptuar gabimisht kjo ceshtje, sepse divergjencat jane thjeshte per nje aspekt teknik te demonstrimit te qendrimeve politike. Edhe zevendesi Thaci ishte pas aspektit politik te kryetarit, kurse nje ide tjeter mund te jape secili anetar i Kryesise, si ishte ajo e zevendesit, qe nuk do te thote se ka divergjenca.
    Per idene e nje “referendumi shqiptar”, me nje konsenzus te gjere te subjekteve politike shqiptare, zedhenesi i PDSH-se thote se ne mbledhje ka pasur obcione te gjera lidhur me referendumin, kurse Kryesia nuk kishte arritur te marre qendrim dhe ato mbeten te debatohen ne te ardhmen, deri atehere duhet pritur se cili prej opcioneve do te pranohet.

    Q.Aliu(zedhenes i PPD-se): Dalja ne referendum eshte miopi politike

    Zedhenesi i PPD-se, Qenan Aliu, thote se reterimet qe i beri Kryesia e PDSH-se, perkatesisht kryetari i saj Arben Xhaferi, lidhur me referendumin e organizuar nga Kongresi Boteror Maqedonas per 7 nentor 2004, ishin vertet "salto-mortale" jo te zakonshme, ndonese konsideron ai, prononcimet e lidershipeve te partive politike jane legjitime.

    Eshte fakt i pamohueshem se ne Maqedoni ekziston nje kolizion mes ligjit per referendum dhe Kushtetutes se Maqedonise, si dhe shume kolizione te tjera, edhe me vete vendimin e Parlamentit per realizimin e referendumit pa shumicen apo te ashtuquajturen "formule te Baditerit", thote zedhenesi Aliu, duke shtuar se disa paradokse ne Maqedoni vertet ndodhi nje kakafoni juridike lidhur me ceshtjen e referendumit.
    Lidhur me qendrimet e parembremshme te Kryesise qendrore te PDSH-se, ai vuri ne dukje se ketu kane ndodhur disa ndryshime, sepse njehere u prononcuan se do te votojne per referendumin, pastaj se do te dalin dhe do te votojne kunder referendumit. PPD-ja konsideron se cdo pjesemarrje e shqiptareve ne kete referendum eshte nje "miopi politike", sepse pjesemarrja e tyre ne kete referendum do te mundesoje rritjen e cenzusit te numrit te votuesve, pavaresisht nga epilogu i tij. Andaj, shton ai, konsiderojme se shqiptaret nuk duhet te kontribuojne ketij referendumi qe eshte kunder Marreveshjes se Ohrit dhe kunder gjuhes shqipe, kurse qellimi i saj eshte i mbrapsht. Shume paradoksal eshte edhe ceshtja e pyetjes se referendumit, qe ka karakter konsultativ, kurse me vendimin e Parlamentit referendumi ka karakter ligjdhenes. Edhe ketu eshte ai kolizioni qe u permend, ndaj dhe PPD-ja gjykon qe shqiptaret nuk duhet te marrin pjese ne keto veprime.
    Zedhenesi Aliu ve ne dukje se PDSH-ja u prononcua qe nuk do te "fuse benzine ne zjarr", se do t'i shikoje punet prej anesh dhe ketu shihen disa "jarani te vjetra", ndaj mendon se kjo eshte nje rreshqitje e mencurise se z. Xhaferit lidhur me kete ceshtje.
    Per ate nese PPD-ja do ta mbeshtese nje propozim te PDSH-se per nje referendum me konsenzus te pergjithshem shqiptar, zedhenesi Aliu tha se kjo ide eshte dhene se pari nga PPD-ja dhe zedhenesi i saj, ne nje prononcim per Televizionin e Kosoves. Gjithsesi, thote ai, shqiptaret jo vetem per ndonje hap tjeter politik "post festum" ketij referendumi, porse subjektet politike shqiptare duhet te kene pozicion konvergjent lidhur me kete ceshtje, nje konvergjence per nje ide te mbrapshte te Kongresit te z. Petrov, qe do te ishte nje pjekuri politike e lidershipeve te partive politike shqiptare, thekson zedhenesi i PPD-se.

    Nga:
    I. Arsllani
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  8. #8
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Me cfare parashe do te organizohet referendumi kunder decentralizimit: Shteti ka ndare dy milione euro, Petrovi kerkon edhe me!

    - Todor Petrov thote se nuk e di saktesisisht se per cfare do te harxhohen 2 milione eurot (120 milione denaret)e Qeverise, prandaj kerkon 420 mije euro plotesuese per fushaten.-Rafiz Haliti: ”Mendoj se kerkesat e Todor Petrovit jane te pabaza…”.-“Keto ceshtje jane te rregulluara me rregullore”, thote deputeti Iljaz Halimi. –Kerkesen e Petrovit, Komisioni zgjedhor do ta shqyrtoje pasi te kompletohet me anetare te rinj.
    .
    Dilema rreth asaj se a duhet te financohet fushata per referendum apo jo, ka shkaktuar polemika ndermjet iniciuesit per referendum dhe organeve te shtetit, meqe behet fjale per proces votimi e jo te zgjedhjes.

    “Financimi i fushates per referendum eshte e drejte e propozuesit si udheheqes i referendumit, ndersa obligimi i qeverise eshte qe ato financa t’i siguroje sipas ligjit per zgjedhje te deputeteve”, deklaron per “Flaken” iniciatori i referendumit, kryetari i Kongresit Boteor gjithemaqedonas, Todor Petrov.

    Ai kete e arsyeton duke bere analogji me zjgedhjet e rregullta: “Nese organizatori i njesise zgjedhore per kandidat per deputet ka te drejte te harxhoje 15 den per votues, gjithashtu edhe ne kemi te drejte te harxhojme aq te holla, gje qe shteti duhet te ndaje rreth 420 mije Euro per fushaten e referendumit”.

    Petrov me tej shton se organizatori ka obligim te hape xhirollogari, t’i evidentoje hyrje–daljet e mjeteve, si dhe tre muaj pas votimit, duhet te paraqese raportin para Kuvendit dhe te hollat teprice mund t’i dedikoje per qellime humanitare.

    “Askush nga partite politike nuk ka te drejte t’i posedoje mjetet, pervec propozuesit te referendumit”, tha Petrov.

    Kryetari i Komisionit Shteteror Zgjedhor, Stevo Pendarovski, thekson se ne nga iniciatori per referendum na jane shtruar dy kerkesa. Njera prej tyre i perket pikerisht financimit te referendumit. “Presim qe keto kerkesa t’i shqyrtojme pas 24 shtatorit, pasi Kuvendi t’i emeroje anetaret e rinj te Komisionit Zgjedhor Shteteror”, thote Stevo Pendarovski.

    Rafiz Haliti, koordinatori i grupit parlamentar te BDI-se, mendon se kerkesat e Todor Petrovit per mjete financiare per fushaten e referendumit jane te pabaza.

    “Nese Petrovi kerkon mjete per fushaten e tij atehere cdo parti politike do te kete te drejte te kerkoje mjete per fushaten e saj pa marre parasysh se a do te jete “pro“ apo “ kunder” referendumit”, thote Haliti.

    Haliti nenvizon se puna e Petrovit ka mbaruar me deponimin e 180 mije nenshkrimeve ne Kuvend. “Nuk shoh arsye pse te mbahet edhe fushate,nderkaq Qeveria eshte e obliguar t’a organizoje procesin e votimit sipas Kushtetutes”, thote ai.

    Iljaz Halimi, deputeti i PDSH-se thekson se shteti duhet te siguroje mjete per fushaten e referendumit.

    Lidhur me insistimin e iniciatorit te referendumit qe mjetet te shkojne te propozuesi i referendumit, Halimi, u pergjigj: “Keto ceshtje jane te rregulluara me rregullore”.

    Ministri i financave , Nikolla Popovski para nje jave kishte deklaruar se per financimin e referendumit jane ndare rreth 120 milion denare.

    “Mendojme se keto mjete jane te mjaftushme, meqe kuvendet zgjedhore per referendum jane me pak se sa per zgjedhje per deputet. Sipas ligjit ne vend te 5 anetareve jane parapare vetem 3” kishte deklaruar per mediat ministri Popovski.

    Lidhur me keto mjete, Todor Petrov thote se nuk e di saktesisisht se per cka do te harxhohen 2 milione eurot (120 milione denaret)e Qeverise.
    Nga:
    Ali SHAINI
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622

    (kundër)fushatë...

    NË DIMENSION TË SKANDALIT - ANALIZË NGA ARBEN XHAFERRI

    "Me suksesin e Referendumit korriten ata që e projektuan dhe e votuan atë, me dështimin e tij do të stolisen me kurorë dafinash ata që në mënyrë të moderuar e riinstaluan zgjedhën në qafën e shqiptarit. Në këtë lojë, bardh-zi, mirë-keq, të moderuar-radikal shqiptarët nuk janë në rol të subjektit, por të objektit.
    Këto taktizime duken paradoksale dhe vështirë të shpjegueshme. Një plak këto ditë më bëri një pyetje shumë të rëndë, meqë tashmë është vendosur skema e rrejshme antagoniste: Si or bir të votojmë për shkaun? S’dita çfarë t’i them aty për aty. U mata t’i përgjigjem me anekdota, t’i them se hoxha lakmiqar nuk bien vetë nga minareja pa e shtyrë pak,por hoqa dorë dhe iu përgjigja me kundër pyetje: Cili është shkau?! Skandaloze, apo jo?

    NË DIMENSION TË SKANDALIT

    Shpesh herë në politikë, ashtu si në jetën e përditshme ndodh që të perceptohesh ndryshe nga ajo që dëshiron, ose nga ajo që faktikisht je. T’i sfidosh tabutë në shoqëritë që janë mësuar me paprekshmërinë e tyre, duhet të jesh i përgaditur për reagime. Ato mund të jenë verbale, por edhe ekstreme, likuidiuese. Reagimet e buta janë në trajtë të skandalizimit të opinionit me guximin e dikujt që i konteston “ të vërtetat” të shndërruara në tabu, reagimet pak më të ashpra janë në trajtë të izolimit, të leçitjes nga mjedisi të tabuthyerësve për ta parandaluar “kontaminimin”, ndërkaq ato më ekstreme përfundojnë me likuidime fizike, qoftë përmes atentateve, helmimeve (rasti i Sokratit), apo djegieve për së gjalli ( koha e inkuizacionit).
    Në Maqedoni iluzionet, të pavërtetat, mashtrimet janë aq të mëdha saqë çka do që të thuhet kundër tyre duket skandaloze. Në këtë shtet, në këtë shoqëri, në këtë mjedis kulturor, në këtë sistem të vlerave, aq shumë janë shtrembëruar gjërat, saqë duket radikale, ekstreme, skandaloze po qe se pohon se Nëna Tereze nuk është bijë e Maqedonisë, por është me origjinë të pastër shqiptare, ose nëse insiston që të zbulohen vlerat kulturore të shqiptarëve në Manastir apo në Shkup. Bie fjala, të thuash se Milton Manaki, xhirues i famshëm i fillimit të shekullit XX nuk është maqedonas, ose faktin se në vitin 1912 shqiptar, me Isë Boletinin në krye, përpak nuk e shpallën pavarësinë në qytetin shqiptar të asaj kohe, në Shkup. Mbi ne bëhet një trysni e madhe që në emër të bashkëjetesës ta heshtim të vertetën.
    Në fillim të angazhimit tim politik në Maqedoni u ballafaqova me disa tabu tema, me disa iluzione që funksiononin me automatizëm, pa dilema si të vërteta. Iluzioni i parë ishte floskula “Maqedonia-oazë e paqës”. Këtë tabu shumë kush e respektonte dhe e trajtonte si një të vërtetë të pakontestueshme. Për ta thyer këtë bindje duhej merrej parasysh reagimet histerike, skandalizimet e besimtarëve të këtyre tabu-dogmave. Ky fiksion që si çdo tabu s’ guxohej të prekej, ndërtohej mbi argumente krahasuese: Gligorovi i mirë-Millosheviqi i ligë. Me vendosjen e këtij relacioni Gligorovi dilte gjithëmonë fitues, por jo vetëm kundër Millosheviqit, por edhe kundër nesh që dinim mirëfilli se mes tyre nuk ka dallime thelbësore. Kontestimin e këtij fikcioni nuk lejonin edhe vetë shqiptarët, nga frika se kritikat tona mund ta relativizojnë ligësinë apsolute të Millosheviqit.
    Në këtë tabu besonte, apo dëshironte të besojë edhe një zyrtar i lartë i politikës amerikane, njëri nga zëvendëssekretarët e shtetit, z.Stroub Talbot. Në paraqitjen e tij në Akademinë e Shkencave Maqedonase, ku merrnin pjesë akademikë, diplomatë, politikanë dhe gazetarë të shumtë ai përsëriti floskulën, “të vërtetën” tashmë të vetëkuptueshme për oazën e paqës, për bashkëjetesën e shkëlqyer ndëretnike dhe gjithë kjo falë politkës së mençur, të urtë të presidentit Gligorov, i cili nuk qenkësh i ligë si Millosheviqi. Ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë shumë rëndë të kontestohen mite të tilla veçmas nëse standardi krahasues është njëmend djallëzor. Këto mendime mund të kontestohen, por duhet pranuar reagimet e skandalizuara të opinionit. Mirëpo këto dyshime që skandalizojnë janë shumë më efektive për ta zbuluar realitetin sesa të gjitha analizat e thata akademike. Atë ditë, duke dashur më shumë të vërtetën sesa Sokratin (Talbotin), bëra, pa dashur një skandal. Mora mikrofonin dhe zura të flas shqip duke bërë një pyetje dinjitarit të lartë të politikës amerikane.Meqë në sallë, nuk kish përkthim në gjuhën shqipe, z.Talbot reagoi natyrshëm, me dashamirësi, duke thënë se nuk ka përkthim. Këtë inskenim “skandaloz” e kuptoi menjëherë ambasadori i mençur amerikan, z. Hill, i cili shpejteshpejt dërgoi një shqiptar t’ia përkthejë atij në vesh fjalët e mia. Dhe ne filluam të mereshim vesh, mirëpo shumë shpejtë u shfaqën reagimet nga pala e skandalizuar maqedonase, jo nga fakti se nuk mernin vesh asgjë, por nga guximi i të folurit shqip në tempullin e maqedonizmës, Akademisë. U krijua një atmosferë e mundimshme të cilën e ndërpreva me fjalinë: Ju kërkoj falje, por ky inskenim ishte një koment i vogël për idilën që ekzistuaka në këtë shtet.
    Një herë tjetër, me gjasë në vitin 1995, presidenti i atëhershëm Gligorov, e mblodhi parinë politike për të mbajtur ders. Argumeni i tij i preferueshëm ishte konstatimi se në Maqedoni, historikisht nuk paska urejtje mbi baza etnike, se ne nuk paskeshim luftuar mes vete, se këtu ka tolerancë etnike, religjioze dhe filloi t’i mbështesë këto pohime të sajuara me rrëfime ekstenzive nga fëmijëria e tij. Këtë avaz të tij e pranuan politikanët e tjerë prezent dhe kjo gënjeshtër, kjo tabu mund të rrëzohej me një mohim të prerë, që skandalizon. Në atë kohë posedoja disa informata nga hulumtime socio-metrike, lidhur me distancën etnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve, mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Rezultatet ishin alarmante dhe brengosëse, natyrisht për ata politikanë që kanë përgjegjësi. Gligorovi nuk ishte i tillë. Duke u mbështetur në këto hulumtime shkencore, i thashë të nderuarit president se premisën kryesore e ka të gabueshme dhe rrjedhimisht edhe përfundimin. Sipas fakteve, qofshin ato aktuale apo historike, pikënisja, premisa kryesore duhet të jetë urrejtja, paragjykimet interetnike e jo dashuria. Për të shëruar këtë gjendje duhet të konstatohet e vërteta e jo iluzioni. Edhe me këtë radhë të gjithë u skandalizuan nga e vërteta. Populli shpeshherë thotë” Më gënje, trillo diçka se më vjen mirë”, por gënjeshtrat në politikë pagohen shtrenjtë, me kamatë.
    Në fillim të konstituimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, kur silleshin aktet me rëndësi historike, shqiptarët si zakonisht ishin të pakënaqur. Në atë kohë funksiononte misioni i ndërmjetsuesit Gert Arens. Në atë kohë poashtu qarkullonte një gënjeshtër që kishte forcën e tabusë. Faktori ndërkombëtar ishte i bindur se Gligorovi është i mirë, ndërkaq opozita maqedonase, me në krye me VMRO-në, qenka radikale, Gligorovi vetë dashka t’ua njohë shqiptarëve të drejtat që i kërkojnë, por s’paska çfarë t’u bëjë opozitës që qenka e gatshme ta destabilizojë vendin dhe rajonin. Mirëpo më vonë u pa që VMRO-ja radikale ishte shumë më kooperative me shqiptarët se sa ata që e satanizonin atë. Në kohën kur ajo e drejtonte shtetin bashkë me PDSH-në, pinjollët e Gligorovit e alarminin opinionin se VMRO-ja paskësh lejuar që me Maqedoninë Perendimore të qeverisin shqiptarët, PDSH-ja. Ky argument i tyre dëshmonte se ata nuk e kanë ndërruar vesin, se nuk mund të pajtohen me faktin që shqiptarët duhet të kenë pushtet të vërtet i cili buron nga elektorati që i ka votuar. Papajtushmëria e tyre, gligorovistëve me faktin që shqiptarët duhet të kenë pushtetin real vazhdon sot e kësaj dite. Të lemerisur nga kjo mundësi, ata, me ligjin për riorganizim territorial, komunës së Shkupit, Çairit ia hoqën me gërshërë të gjitha instucionet relevante administrative(gjyqet), kulturore(teatrin), informative(RTM), arsimore(Universitetin), sportive etj. duke krijuar një komunë prej ndërtesash gjumi. Ata edhe kësaj radhe treguan se nuk mund të japin pushtet real shqiptarëve, por vetëm simbolik. Prandaj deputeti Hysni Shaqiri mund të funksionojë si zëvendës-kryetar i parlamentit vetëm kur e viziton Shqipërinë, eventualisht Kosovën, por në Maqedoni nuk i kanë lejuar ta drejtojë ndonjërën nga seancat, të paktën një minut.
    Me këtë taktikë të frikësimit të faktorit ndërkombëtar me gogolin VMRO, ata, gligorovistët arrinin që të kontrabandojnë një koncept të palejueshëm etnocentrik për shtetin që ishte në shpërputhje me realitetin binacional apo multikulturor të shoqërisë.
    Kjo shpërputhje e konceptit politik me realitetin etnik krijonte në vazhdimësi tensionime objektive që përfnduan, siç dihet me luftë. Lufta në shoqëritë multietnike objektivisht përfundojnë me homogjenizime etnike. Rjedhimisht maqedonasit u homogjenizuan dhe afirmuan idenë se lufta është imponuar nga jashtë, kryesisht nga Kosova dhe se motivet e kësaj lufte janë banale, kriminale etj. Me këtë interpretim lehtë u pajtua edhe faktori ndërkombëtar i cili i quante drejtuesit e luftës si kriminel, vrasës etj. Duheshte të bëhej një skandal që të ndërpritej ky rrëfim i disfavorshëm për shqiptarët dhe skandali u bë me aktin e nëshkrimit të Marrëveshjes së Prizrenit. Të gjithë u çuan peshë duke thënë se paskemi legjitimuar krimin, paskemi demokratizuar terrorizmin. Faktori ndërkombëtar ushtronte trysni mbi ne që ta anulojmë nënshkrimin nga kjo marrëveshje. Përmendnin madje faktin se me këtë nënshkrim jemi treguar bukëshkalë, së nuk paskemi marrë parasysh se ç’është bërë për Kosovën, se me papjekurinë tonë paskemi rrënuar themelet e pavarësisë së Kosovës etj. Ne mbroheshim me një kostatim shumë të drejtë politik dhe moral: Ne nuk mund të vendosim paqë me maqedonasit duke shkaktuar luftën me shqiptarët. Edhe me këtë rast skandali i Prizrenit e prodhoi Marrëveshjen e Ohrit. Kur insistonim pa kurrëfarë xhelozie që z.Sollana të takohet me z.Ali Ahmeti, ai i skandalizuar thoshte: Please, don’t push me! ( Të lutem, mos insisto!). Sot z. Sollana s’parapëlqen të takohet me mua. Kushedi çka i pëshpërisin në vesh.
    Në ditën e ratifikimit të Marrëveshjes së Ohrit në rezidencën e presidentit Trajkovski, fola shqip për ta përuar vlerën e re, por edhe për ta testuar gadishmërinë e dyshimtë të faktorëve maqedonas për të pranuar sinqerisht këtë vlerë. Përgjegjen që e mora ishte në trajtë të skandalizimit të palës maqedonase. Kryeministri i atëhershëm Georgievski, në shenjë proteste e braktisi ceremoninë, ndërkaq presidenti aq i lëvdëruar, Trajkovski pa kontroll tërfëllonte: „Kjo është skandaloze, ky është një diversion i kulluar! Pas kësaj nuk ka më marrëveshje!“ Këto reagime ishin raciste dhe në vend që ne të skanadalizoheshim nga racizmi i tyre, ata i lejonin vetes që të skandalizoheshin nga një e drejtë aq e natyrshme e shqiptarëve për ta përdorur gjuhën amëtare.
    Këto ditë në Maqedoni është hapur çështja e referendumit maqedonas lidhur me miratimin e ligjeve për decentralizim dhe riorganizim territorial të komunave. Sërish shfaqet loja e dyfishtë maqedonase që ka për qëllim t’i përbuzë shqiptarët. Ky referendum ka për qëllim ta alarmojë faktorin e brendshëm dhe të jashtëm për rrezikun që kinse u kanoset maqedonasve nga të drejtat që fituakan shqiptarët me këto ligje. Pra, sërish maqedonasit skandalizohen me të drejtat e shqiptarëve. Por kjo nuk është thelbi i lojës. Me këtë shamatë rreth referendumit, maqedonasit në stilin e vjetër, duke vendosur një relacion artificial, krahasues mes të keqes dhe të mirës, në stilin Millosheviq-Gligorov, shkop-karotë, synojnë t’i kontrabandojnë ligjet konfuze, më të rëndësishmet nga pakoja e Marrëveshjes së Ohrit që në esencë ofrojnë më pak nga ajo që kemi pasur më herët. Me këtë manovër politika maqedonase i infantilizon shqiptarët, njësoj si prindërit kur i frikësojnë fëmijët: haje këtë se vjen ujku! Me këtë rast si dhe me rastet tjera ujku është VMRO-ja dhe referendumi.
    Me spikatjen e referendumit, me vendosjen e këtij relacioni të shpifur, e mira dhe e keqja, me të cilën vazhdimisht na mashtrojnë, pala maqedonase tashmë ka arritur ta suspendojë mendjen, vlerësimin kritik të shqiptarëve lidhur me këto ligje që duheshin ta afronin pushtetin qytetarëve, me një fjalë vetëqeverisjen. Të shkojmë radhazi. Referendumxhinjtë maqedonas thonë se shqiptarët paskan fituar shumë, ne themi se shqiptarët s’kanë fituar asgjë që nuk kanë pasur paraprakisht. Deri më vitin 1996 Struga, Kërçova ishin komuna ku gravitonin fshatërat përreth, ashtu si komuna e Shkupit ku gravitonin, krahas Sarajit edhe fshatërat Haraqina, Studeniçani etj me çka përqindja e shqiptarëve rritej deri në 30%. Pra, në Strugë, në Kërçovën e ardhëshme, në Shkup nuk janë bërë fare përmirësime, por do të thoshim përkeqësime. Thonë se është pranuar kërkesa që komuna e Sarajit t’i bashkangjitej qytetit të Shkupit për të arritur cenzusin e 20%, gjithnjë në vijë të afirmimit të idesë, të kinse përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Me këtë rast ata në mënënyrë tinëzare e fshehin faktin se nuk do të ketë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha komunat e Shkupit, ndërkaq në ato ku mbisundon popullata shqiptare do të ketë përdorim të ngushtuar të gjuhës shqipe. Qytetarët shqiptar ende nuk dinë se ku dhe si do të përdoret gjuha shqipe. Kjo do të zbulohet kur do të përfundojnë proceset. Atëherë shqiptarët do të kuptojnë se në shumicën e komunave të Shkupit fare nuk do të përdoret gjuha shqipe, ndërkaq në komunat ku ata janë shumicë absolute do të përdoret pjesërisht. Po kaq konfuze është situata edhe me decentralizimin. Ne me kohë sinjalizuam se decentralizimi është zëvendësuar me dekoncentrim të pushtetit, ku financat dhe vendimarrja nga pushteti qendror kalon në duart e degëve të pushtetit qendror në nivel komunal. Në këto degë të pushtetit qendror siç është bie fjala departamenti i urbanizmit, sipas të gjitha gjasave nuk do të përdoret gjuha shqipe, por edhe komuna nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje.
    Shqiptarët janë futur në një dimension të konfuzionit ku asgjë nuk është e qartë. Diku punësohen shqiptarë, diku përjashtohen nga puna dhe askush nuk ka argumente të besueshme për përmirësim të statusit të tyre. Po kështu, po kaq konfuzion kemi edhe në fushën e përdorimit të gjuhës shqipe. Askush nuk është në gjendje të shpjegojë në mënyrë gjithëpërfshirëse ku do të përdorej gjuha shqipe, ashtu si askush nuk mund të qartësojë a u zyrtarizua Universiteti i Tetovës, cilat katedra do të hapen, ku do të funksionojnë në Tetovë apo në Shkup. Me këto taktizime shqiptarët qëllimisht mbahen në gjendje komatoze, konfuze, të mashtruar nga fatamorganat maqedonase.
    Shqiptarëve të Maqedonisë, në mënyrë shumë efektive iu serviret skema: ose referendum ku ata humbëkan, ose ligjet e tilla çfarë janë, ku ata fituakan. Në këtë mënyrë fshehet e vërteta se në të dyja variantet ata humbin, ose nuk e realizojnë atë që pandehnin paraprakisht. Kjo politikë quhet politikë e determinimit të humbjes.
    Kërkesa që shqiptarët të marrin pjesë në referendumin e maqedonasëve gjithëkujt i duket skandaloze, antikombëtare, paradoksale. Por t’i analizojmë faktet:
    - nëse heshtim do të miratohet pa telashe një variant i decentralizimit të rrejshëm, një ndarje territoriale që në thelb vendos pyka, në trajtë të enklavave të pastra maqedonase për ta ndërprerë kontinuitetin dhe lidhëshmërinë e hapësirave shqiptare;
    - nëse nuk veprojmë, pa hetuar, pa zhurmë do të instalohet një pordorim i çoroditur i gjuhës shqipe;
    - nëse nuk kundërvihemi do t’i legjitimojmë shtrembërimet që sistematikisht i bëhen Marrëveshjes së Ohrit;
    - nëse nuk pengojmë, maqedonasit sërish do të stolisen me kurorën e paqësorëve, edhe kur janë më ekstremistë se të tjerët;
    - nëse do të sillemi si butakë, do të pranojmë inferioritetin tonë, naivitetin të cilin e paralajmëronte Cërvenkovski kur hyri në kualicion me BDI-në: unë i njoh ata, di si t’i qetësoj…Sllogani tij për zgjedhje presidenciale, “Duhet të dish- duhet të mundesh”, ngërthente në vete pikërisht këtë përcaktim, këtë bindje. Ai me arrogancë e zgjodhi këtë sllogan…
    Me suksesin eventual të referendumit del në shesh disponimi real refraktarë, albanofob i maqedonasëve, me dështimin e referendumit fiton obcioni mashtrues që duket se është moderuar, por në thelb është më restriktiv në të gjitha planet.
    Me suksesin eventual të referendumit kompromentohen vetë maqedonasit dhe anasjelltas, me dështimin e referendumit fiton politika refraktare maqedonase, kështu që njëherë e përgjithmonë, me një ofertë minimale mbyllet kapitulli i kontestit shqiptar në Maqedoni. Duhet marrë parasysh se nga ky kontest varen shumë procese që do të zhvillohen në Kosovë. Duhet pasur parasysh edhe një çështje: Mitrovica mbrohet në Shkup, ashti si në Maqedoni humbin projektet bllokuese serbe për decentralizim e pushtetit në Kosovë. Çfarë mund të ndodhë me Maqedoninë nëse shqiptarët këtu zgjedhin atë rrugë që e ndjekin serbët e Kosovës?!
    Me suksesin e Referendumit korriten ata që e projektuan dhe e votuan atë, me dështimin e tij do të stolisen me kurorë dafinash ata që në mënyrë të moderuar e riinstaluan zgjedhën në qafën e shqiptarit. Në këtë lojë, bardh-zi, mirë-keq, të moderuar-radikal shqiptarët nuk janë në rol të subjektit, por të objektit.
    Këto taktizime duken paradoksale dhe vështirë të shpjegueshme. Një plak këto ditë më bëri një pyetje shumë të rëndë, meqë tashmë është vendosur skema e rrejshme antagoniste: Si or bir të votojmë për shkaun? S’dita çfarë t’i them aty për aty. U mata t’i përgjigjem me anekdota, t’i them se hoxha lakmiqar nuk bien vetë nga minareja pa e shtyrë pak,por hoqa dorë dhe iu përgjigja me kundër pyetje: Cili është shkau?! Skandaloze, apo jo?"

  10. #10
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Mendoj se nuk ka nevojë për kundërreferendum nga ana e shqiptaro-maqedonasve. Po më çudit vetëm një gjë se këtu mbajtja e referendumit po bëhet edhe me taksat e shqiptarëve, shqiptarët duhet të mos pranojnë këtë gjë, pjesa e tyre e taksave nuk duhet të përdoret për referendume shoviniste të sllavëve. Nëse sllavo-maqedonasit votojnë kundër planit të decentralizimit e rrjedhimisht kundër marrëveshjes së Ohrit atëherë kjo dtth. se ata po votojnë kundër bashkëjetesës shqiptaro-sllave në Maqedoni.
    Pra, nëse referendumi kalon me sukses atëherë nuk mbetet zgjidhje tjetër veç ndarjes së Maqedonisë. Ne nuk mund t'i bëjmë ata që të jetojnë me neve me zor, po deshën vetëm, po nuk deshën ne e kemi shtetin tonë dhe nuk ja kemi nevojën fare, bile kjo është edhe dëshira jonë më e madhe dhe zgjidhja që ne e preferojmë më së shumti.
    Ndryshuar për herë të fundit nga dodoni : 22-09-2004 më 18:07
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Greqi, referendum për ndarjen e kishës nga shteti
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-11-2008, 08:11
  2. FBKSH: Referendum për Ribashkimin Kombëtar
    Nga dodoni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 26-08-2007, 09:23
  3. Një referendum për Konferencën Islamike
    Nga FЯODO në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 19-03-2006, 16:55
  4. PUK: Referendum për bashkimin e trojeve shqiptare
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-01-2005, 10:27
  5. Referendum per uljen e moshes se daljes ne pension
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-01-2003, 16:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •