Pas shkëputjes së LSI-së së Metës, socialistët humbasin maxhorancën
PS me 63 deputetë, humb shumicën
Albert Çaçi dhe Ilir Gjoni nuk firmosin as për PS, as për LSI. Maxhoranca në dorë të aleatëve
A.Rama
TIRANE- Dy deputetët socialistë Albert Çaçi dhe Ilir Gjoni, nuk do të jenë të përfaqësuar në asnjë prej grupeve parlamentare të Kuvendit në sesionin e ri. Pas konfirmimit të grupeve të reja parlamentare dje në seancë plenare, rezultoi se Çaçi dhe Gjoni, të dy deputetë të mandatuar nga Partia Socialiste, nuk kanë firmosur deklaratën mbi përkatësinë e tyre në grupin parlamentar. Në këtë mënyrë grupit të PS-së i kanë mbetur vetëm 63 deputetë, përfshirë këtu edhe 5 deputetët Ejup Tabaku, Vladimir Malo, Fatmir Xhindi, Lekë Çukaj dhe Elida Tepelena që u janë dhënë borxh grupeve parlamentare të aleatëve të vegjël, për të plotësuar numrin e nevojshëm. Tkurrja e grupit parlamentar të PS-së në 63 deputetë, erdhi pas largimit të 9 deputetëve që tashmë bëjnë pjesë në grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa për Albert Çaçin, prej ditësh ishte duke u diskutuar nëse do të bënte pjesë në grupin parlamentar të LSI-së, apo do të vazhdonte të ishte pjesë e grupit të maxhorancës. Surprizë është mospërfshirja në grupin e PS-së e deputetit Ilir Gjoni. Tashmë, për të dy deputetët në fjalë, nuk ka më kohë për plotësimin e deklaratës mbi përkatësinë në grupet parlamentare, sepse është mbyllur afati i përcaktuar në rregulloren e Kuvendit që dje në fillim të seancës. Kështu sipas nenit 15 të rregullores, “deputetët duhet të rideklarojnë se në cilin grup parlamentar bëjnë pjesë, brenda tre ditëve nga data e fillimit të çdo sesioni, kohë gjatë së cilës mund të krijohen edhe grupe të reja”. Ndërkohë asnjëri prej tyre nuk ka dhënë sqarime për këtë ndryshim të pozicionit politik. Deputeti Çaçi, nuk ka marrë pjesë në asnjë prej dy seancave të zhvilluara në sesionin e ri parlamentar, as në themelimin e partisë së re të LSI-së, ku emri i tij figuron në përbërjen e kryesisë së saj. Gjatë kësaj kohe ai ka shmangur të gjitha kontaktet me shtypin duke e lënë të mjegullt përkatësinë politike. Nga ana tjetër si LSI, ashtu edhe PS, pohojnë se Çaçi do të jetë përfaqësues i tyre në Parlament. Burime nga grupi i maxhorancës pohuan dje se Çaçi, pavarësisht se nuk ka firmosur deklaratën formale, do të jetë pjesë e PS-së. Ndërsa Ilir Gjoni, ka qenë dje në seancë duke pasur mundësinë që të plotësonte deklaratën se në cilin grup do të bënte pjesë, gjë që nuk e ka bërë.
Humbja e maxhorancës
Shifra prej 63 deputetësh të PS-së, konfirmon zyrtarisht se PS ka humbur shumicën parlamentare në Kuvend. Edhe duke shtuar votat e aleatëve, që janë 11, socialistët nuk do të jenë asnjëherë të sigurtë për rezultatin e votimit për projektligje të rëndësishme si buxheti i shtetit. Kjo pasi dy deputetët e PBDNJ-së Ligoraq Karamelo dhe Kristo Goxhi si dhe deputeti i PDS-së Paskal Milo, kanë shfaqur qëndrime të ndryshme nga ai i PS-së në votime të mëparshme. Aq më tepër që të vegjlit gjatë kësaj kohe kanë rritur pretendimet e tyre për të pasur më shumë përfaqësim në qeveri duke ngushtuar rrethin e veprimit për PS-në. Por duket se Nano dhe PS ecin me llogarinë se 63 deputetëve të deklaruar me PS do t’i shtohen edhe dy votat e Çaçit e Gjonit, votat e 8 deputetëve aleatë të PSD, PAD, PBDNJ e PAA plus të Milos, Karamelos e Goxhit. Gjithsej në këtë rast maxhoranca bën 76 vota.
Krijoni Kontakt