COPËTIMI - RREZIKU MË I MADH PËR KOSOVËN
Historia e deritanishme e luftërave të fundit në Ballkan është histori e tendencave sërbe për copëtimin e vendeve, viktima të agresionit të saj.
--------------------------------------------------------------------------------
Nëse vërejmë me kujdes zonat ku bëhet lufta në hartën e Kosovës, lehtë dallohet diagonalja Deçan-Drenicë-Llap. Kjo diagonale Kosovën e ndan në dysh. A është vallë kjo një gjë e rastësishme? Nëse iu referohemi përvojave nga lufta në Kroaci dhe Bosnje, atëherë një strategji e tillë të çon në konkludimin se sërbët tentojnë copëtimin e Kosovës. Zatën, historia e deritanishme e luftërave të fundit në Ballkan është histori e tendencave sërbe për copëtimin e vendeve viktima të agresionit të saj. Përjashtimisht luftës në Slloveni, në të cilën sërbët ishin ushtarakisht të dobët (nga shkaku i përbërjes shumëetnike të ushtrisë së tyre) dhe e cila u zhvillua për dinjitet vetëm sa për t'u thënë të tjerëve se matuni mirë poqese doni të shkëputeni, lufta sërbe në Kroaci dhe Bosnje ishte luftë për copëtimin e tyre. Në Kroaci ajo përfundoi me disfatën sërbe, por në Bosnje ajo përfundoi me fitoren e saj. Vetë Radovan Karaxhiqi pohonte se "ne mund ta marrim ushtarikisht gjithë Bosnjën, por nuk duam, ngaqë nuk dimë se ç'të bëjmë me boshnjakët". Tani Republika Sërbskës, edhe pse me Marrëveshjen e Dejtonit nuk iu mundësua bashkimi me Sërbinë, ajo është më Sërbi se vetë Sërbia. Boshnjaku ose kroati i Bosnjës mund të shkojnë tani lirisht në Beograd, por jo edhe në shtëpitë e tyre në Banja Llukë (seli e Republika Sërbskës).
Konfiguracioni i luftës së filluar në Kosovë përbëhet prej tri vijave, të cilat Kosovën e ndajnë në katër breza. Për të ardhur në këtë konkludim na ndihmon një sondazh, sado sipërfaqësor, i vendosjes së njësive ushtarake e policore sërbe në Kosovë si dhe atmosfera që mbretëron në ato zona.
Në zonën jugore, pas shpërthimit të luftës në Drenicë, është zbutur ca atmosfera shtypëse dhe njerëzit më tepër shqetësohen për fatin e Drenicës se sa për ndonjë rrezik që u kanoset atyre direkt, sado që lufta nuk njeh kufij. Në këtë zonë është i ashtuquajturi korridor i Gligorovit, pra rruga Prishtinë-Shkup-Tiranë, për të cilin sërbët bëjnë kujdes që mos ta trazojnë.
Zona tjetër është brezi aktual i luftës. Diagonalja Deçan-Drenicë-Llap. Ky është brezi historik i luftës. Natyrisht, këtu Sërbia ka gjetur partnerin e vet për luftë. Siç e thashë më sipër, konflikti në këtë brez nuk është nxitur rastësisht dhe atë jo vetëm për arsyet sërbe.
Këto zona, e sidomos zona e Drenicës, paraqesin një paradoks politik më vete. Në fakt, ata që kanë insistuar për luftën e armatosur si të vetmen rrugë për çlirimin e Kosovës janë krahu i majtë i spektrit politik kosovar. Drenica është krahina ku nuk ka pasur asnjë komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo krahinë është treguar shumë e gatshme t'i shkojë pas Xhafer Devës në mbrojtjen e kufijve veriorë, që rrezikoheshin nga çetnikët sërbë, por kurrsesi nuk pranoi që t'i shkojë pas Xhafer Devës në ndjekjen e komunistëve shqiptarë në Jug të Shqipërisë. Ky fakt historik, pra edhe nga ana shqiptare, paraqet kompromisin mes forcave politike. Derisa në zonat e tjera është i vështirë kompromisi, ngase lufta politike mes të "majtëve" dhe të "djathtëve" bën ndonjëherë që të harrohet konflikti kryesor (pra konflikti me sërbët), në Drenicë ky kompromis është lehtësisht i arritshëm. Në këtë brez, ende nuk ka shpërthyer lufta në zonën e Llapit.
Brezin tjetër e përbën zona mbi Drenicë, Kosova e Vogël (zona rreth Vushtrrisë) si dhe pjesa më e madhe e Llapit.
Ndërsa brezi i katërt është pjesa më veriore e Kosovës. Këtu bëjnë pjesë rethinat e qytezave Leposaviq dhe Zubin Potok, zona e Shalës me minierat e Trepçës si dhe pjesa e qytetit të Mitrovicës mbi lumin Ibër. Këto zona paraqesin trevat, të cilat gjatë viteve 1941-1943 u quajtën Krahina Autonome e Mitrovicës, zona të cilat janë varfëruar më së shumëti këto 8 vitet e fundit. Këta dy breza, e sidomos brezi më verior, janë të çarmatosur tërësisht.
Në një moment të përshkallëzimit të luftës, të përshtatshëm për sërbët në konstelacionet ndërkombëtare, kur njerëzit në këtë zonë (Veri të Kosovës), të jenë duke thënë "sa shumë po vuan Drenica e shkretë", Sërbia do ta tentojë aktin e gjenocidit të rrufeshëm për t'i vënë shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare para aktit të kryer. Natyrisht, sërbët do të tentojnë që po të njëjtën gjë ta bëjnë mundësisht edhe në dy brezat e mëposhtëm, varësisht sa u ecën puna, në mënyrë që pas bisedimeve dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar të kenë mundësi të bëjnë "lëshime" në këmbim të legalizimit të pjesës që do të mbajnë për vete.
Në favor të kësaj strategjie flet gjendja faktike në teren. Është shumë më e lehtë të kalosh pikat kufitare mes Maqedonisë e Shqipërisë me Kosovën, se sa të kalosh postblloqet sërbe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.
Sikur sërbët të donin ta zgjidhnin me paqë problemin e Kosovës, ata nuk e fillonin luftën. Sikur sërbët të kishin interes që problemin e Kosovës ta zgjidhnin me dhënie të ndonjë autonomie ata nuk do t'ia ngacmonin autonominë shqiptarëve, të cilën ata veç e kishin. Tek e fundit, edhe Shesheli, edhe Drashkoviqi, por edhe Akademia Sërbe e Shkencave dhe Arteve janë prononcuar se për Sërbinë është më mirë pavarësia e Kosovës se sa autonomia e saj brenda Sërbisë apo Jugosllavisë. Dhe këtu ata kanë plotësisht të drejtë, sepse nataliteti shqiptar, formimi i ndryshëm kulturor, prirja antishtet e shqiptarëve ndaj Sërbisë, etj., përbëjnë një rrezik tepër të madh për Sërbinë nëse shqiptarët do të gëzonin të paktën të drejta njerëzore në kuadër të saj.
Që çështjen e Kosovës ta zgjidhin me gjenocid total ndaj shqiptarëve të Kosovës, tani sërbët e kanë kuptuar që nuk e arrijnë dot me vetë faktin se po mbushen 2 muaj të resistencës shqiptare në Drenicë.
Pra, copëtimi i dhunshëm i Kosovës është opcioni i vetëm dhe strategjia e vetme sërbe për Kosovën. Ky pra është rreziku real dhe më i madhi për Kosovën. Është rrezik jo vetëm për shkakun që humbet jeta e dy-treqindmijë shqiptarëve dhe 10-30% e territorit të Kosovës, por edhe për faktin se ky territor paraqet pjesën më të pasur të Kosovës pa të cilin ajo nuk mund të mbijetojë. Kosova është terren i pandashëm dhe copëtimi i saj sjell pasojë gjymtimin e përjetshëm të kombit shqiptar.
Shqiptarët duhet të bëjnë kujdes dhe ta sensibilizojnë në maksimum rrezikun e copëtimit të Kosovës si rrezikun më të madh që i kanosët Kosovës. Këtë duhet ta bëjë si klasa politike në Kosovë e poashtu edhe ajo në Tiranë. Në radhë të parë, nuk duhet lejuar që minoriteti sërb në Kosovë të bëhet palë. Sepse nëse minoriteti sërb prej 5% bëhet palë me shqiptarët në Kosovë, atëherë kjo çon drejt e në copëtimin e Kosovës. Duhet bërë me dije opinionit sërb dhe atij ndërkombëtar, që Kosova më parë do të zhbëhet e tëra se sa të lejojë të copëtohet. Presidenti, Kryeministri, partitë politike, intelektualët, etj., këtë duhet ta thonë hapur dhe ta elaborojnë në takimet e tyre me diplomatë.
Forcat që mbajnë vijën e frontit në Drenicë e Deçan nuk duhet të mjaftohen me sukseset e tyre eventuale aty, sepse lufta që bëjnë sërbët në Drenicë e Deçan është vetëm paralojë e aktit gjenocidal, që ata pregadisin për trevat veriore të Kosovës.
Të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë që kjo të mos ndodhë. ZOTI na ndihmohtë.
--------------------------------------------------------------------------------
"Koha Jonë", Tiranë, 26.04.1998
"Rilindja", Cyrih
"Fakti", Shkup
Nexhmedin Spahiu
Realiteti sot po tregon se drejt copetimit po shkohet.
Shqiptare a po kuptoni?
Krijoni Kontakt