“Bllokimi i rrugës nga Bollano ishte i jashtëligjshëm”
“Protesta të tilla s’janë në të mirë të qytetit të Himarës por e shpien atë në probleme sociale dhe etnike”
Ened Janina
Nga Himara Ened Janina
HIMARË - Forcat politike të Himarës reagojnë pas veprimit të dhunshëm të kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano, i cili bllokoi rrugën nacionale Vlorë- Sarandë për rreth katër orë. Forca të ndryshme politike të krahut të djathtë dhe të majtë kanë dënuar njëzëri veprimin e Bollanos duke e konsideruar atë si një akt të paligjshëm dhe të nxituar. Ata kanë dënuar edhe faktin që Vasil Bollano ka detyruar punonjësit e Bashkisë së Himarës që të dalin në protesta. “Protesta të tilla nuk janë në të mirë të qytetit të Himarës por e shpien atë në probleme sociale që mund të marrin parametra të paparashikuara”,- tha dje për Shekullin kreu i PDR-së, Anesti Dhimojani. Sipas degëve të partive politike në Himarë, veprime të tilla të ndërmarra nga kreu i bashkisë mund të krijojnë probleme të rënda etnike.
Kreu i PDR-së së Himarës dhe një nga anëtarët e vjetër të Këshillit Bashkiak, Anesti Dhimojani, ka kundërshtuar dje veprimin e Vasil Bollanos për bllokimin e rrugës nacionale në shenjë proteste. “Nëse kryetari i Bashkisë synon që të zbatojë ligjin atëherë unë mendoj se protesta nuk kishte përse të bëhej. Kjo pasi, për sa jam në dijeni unë, subjektet që akuzohen nga kryetari Bollano kanë leje ndërtimi të rregullta të marra konform ligjeve të shtetit shqiptar”,- tha Anesti Dhimojani. Sipas tij, këto lloj protestash nuk sjellin asgjë përveçse konflikte dhe probleme sociale të kota. Dhimojani ka konsideruar si një shkelje edhe faktin që Vasil Bollano ka detyruar nën kërcënime punonjësit e bashkisë që të dalin në protestë gjatë orarit zyrtar të punës. “Unë do ta quaja një anomali faktin që stafi i Bashkisë së Himarës të ishte pjesëtar kryesor në këtë protestë të palajmëruar dhe të paligjshme. Bllokimi i rrugës është një akt i dënueshëm dhe i jashtëligjshëm. Nëse kryetari i bashkisë kërkon që të zbatojë ligjin unë bashkohem me të në të mirë të Himarës. Madje gëzohem nëse ai do të kërkojë të zbatojë ligjin për problemet që ka Himara por në këtë rast unë jam kundër tij”,- tha Dhimojani. Ai pohoi se organet kompetente duhet ta shohin me kujdes këtë veprim që ka ndërmarrë kreu i Bashkisë së Himarës.
Ndërkohë, Jorgo Goro e ka konsideruar protestën dhe bllokimin e rrugës si një akt krejtësisht të padrejtë dhe provokativ. “Ky veprim është në vazhdën e atyre që Vasil Bollano ka ndërmarrë qysh në kohën e fushatës elektorale. Ai mbledh njerëz të tijtë dhe kryen veprime të jashtëligjshme. Edhe pse është kryetar i Bashkisë së Himarës ai ende nuk e ka kuptuar se ka një pozicion ekzekutiv dhe se detyra e tij është që të zbatojë vendimet e Këshillit Bashkiak si dhe ligjet e shtetit shqiptar. Kur ai vetë del e bllokon rrugën nacionale, dikush duhet që të ndërhyjë dhe ta detyrojë atë që të zbatojë ligjet e shtetit”,- tha Goro për “Shekullin”. Sipas tij, Bollano është një anarshist që po shkatërron institucionin shtetëror që drejton. Goro e quan të paligjshëm edhe faktin që Bollano ka detyruar punonjësit e bashkisë që të dalin në protestën e tij. “Vasil Bollano nuk ka të drejtë që të nxjerrë institucionin që ai drejton në mënyrë të jashtëligjshme në protestë. Bashkia është një institucion i krijuar për të mbrojtur ligjet e shtetit, ndërkohë që Bollano e ka kthyer në një institucion politik sipas interesave të tij”,- tha dje Goro.
Kundra protestës së zhvilluar nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është shprehur dje edhe kreu i Partisë Demokratike të Himarës dhe krytari i Këshillit Bashkiak, Savo Prifti. Sipas tij, veprimi i Bollanos për bllokimin e rrugës nacionale Sarandë- Vlorë ishte i gabuar dhe i nxituar që vjen si pasojë e një irritimi personal të kryebashkiakut. “Unë isha në Vlorë dhe pasi erdha këtu mora një mocion për bllokim rruge që kishte bërë kryetari i bashkisë. Për mendimin tim ai ishte një vendim i nxituar, pasi nëqoftëse Bollano pretendon se ndërtesat janë në kundërshtim me ligjin duhet të ndjekë procedurat ligjore dhe jo të marrë vetë vendime të këtij loji. Meqënëse ai ka konstatuar se janë shkelur procedurat ligjore duhet të bëjë padi në gjykatë dhe ajo të vendosë vetë për gjithçka. Këtu kemi të bëjmë me një irritim personal të tijin që ka sjellë bllokimin e padrejtë të rrugës. Veprimi i tij për bllokimin e rrugës është krejtësisht i kundraligjshëm dhe mendoj se janë organet kompetente që duhet ta verifikojnë këtë gjë”,- tha dje për “Shekullin”, kreu i PD-së së Himarës Savo Prifti. Sipas tij, Bollano do të japë llogari edhe përpara Këshillit Bashkiak për atë që ka bërë. “Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak unë do të kërkoj një interpelancë me kryetarin Bollano në lidhje me këtë çështje. Do i kërkojmë që të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak”,- tha Prifti.
06/09/2004 Shekulli
Si ne Shqiperi njerez si Bollano kan te drejten t'i ndalojne Shqiptareve te hyjne ne Himare nje Zot e mer vesh. Me sa duket per mendimin tim Bollano do te ndertoj shtet te pavarur brenda Shqiperise. Rrofshin gomeret e Shqiperise qe dine vetem hajne! FLM
Krijoni Kontakt