Fati i ka shpëtuar 18 klandestinë shqiptarë, gomonia e të cilëve natën e së enjtes ishte fikur nga dallgët e mëdha në afërsi të Brindizit. Të shpëtuar nga policia italiane ata kanë pohuar se janë kryesisht nga Fieri. Një grua shtatzanë është shtruar urgjent në spital, ndërkohë që skafisti nuk është arrestuar, pasi klandestinët nuk kanë treguar se cili prej tyre është.
Shqiptarët nuk i ndjek më fati nëse ndërmarrin udhëtim me gomone për të arritur brigjet italiane. Pas tragjedisë së 9 janarit, dita e djeshme për pak nuk ka sjellë një të dytë. Pas një periudhe frike prej disa muajësh, shoqëruar me presion të fortë të policisë, një gomone me klandestinë e nisur dje nga brigjet shqiptare për pak sa nuk ka patur një fund tragjik të ngjashëm me atë të 9 janarit në afërsi të qytetit italian të Brindizit. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, dje është raportuar emergjenca e një gomoneje me klandestinë të mbetur në mëshirë të dallgëve rreth 26 milje në juglindje të Brindizit. Menjëherë në drejtim të gomones janë nisur forca të rojes bregdetare italiane, që pasi kanë mundur të gjejnë lehtësisht gomonen e bllokuar pas fikjes së motorrave, kanë bërë të mundur shpëtimin e 18 njerëzve në bordin e saj. Si për të treguar fatin e keq që i priste, menjëherë pas evakuimit, gomonia e dëmtuar është fundosur.
Ngjarja
Sipas dëshmivë të klandestinëve të gomones, të marra nga policia, ata janë nisur natën e së enjtes me det të mirë nga brigjet shqiptare, por kur kanë kaluar ujërat ndërkombëtare dhe janë futur në ato italiane, deti kishte qenë i trazuar. Pikërisht dallgët e detit kishin dëmtuar motorrat e vegjël vetëm prej 70 kuaj fuqi të gomones 5.5 metra të gjatë. Sipas dëshmive, 18 klandestinët, mes të cilëve një grua shtatzanë, kishin qendruar në det të hapur për gati 10 orë. Gomonia kishte filluar të mbushej me ujë dhe njerëzit kishin filluar të përfshihehsin nga paniku. Pikërisht në këtë kohë, rreth orës 09.30, ata ishin vënë re nga një jaht turistik që kishte lajmëruar policinë. Pasi ishin strehuar në një qendër pritjeje, gruaja shtatzanë dhe një burrë, ishin shtruar në spital për të marrë ndihmën e parë, pasi kishin patur probleme me shëndetin.
Hetimi
Policia italiane menjëherë ka filluar hetimin për ngjarjen. Agjentët janë përpjekur të veçojnë nga 18 klandestinët skafistin, por ata nuk e kanë treguar se cili prej tyre është duket me dëshirën për ta ruajtur nga prangosja. Të marrët në pyetje kanë pohuar se janë kryesisht nga zona e Fierit. Ata kanë pohuar gjithashtu se kanë udhëtuar me makina të ndyshme në drejtim të Vlorës dhe janë nisur mbrëmjen e së enjtes në grykëderdhjen e lumit Vjosë. Nga ana tjetër edhe Ministria shqiptare e Rendit ka deklaruar se është duke e ndjekur ngjarjen. Bëhet e ditur se Ministri i Rendit ka urdhëruar strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të bëjnë hetime.
9 janari, tragjedia që shënoi 11 të vdekur dhe 7 të zhdukur
Më 9 janar të këtij viti, në afërsi të Karaburunit, një gomone që ishte nisur në drejtim të Italisë është mbytur dhe për pasojë humbën jetën 21 persona dhe 7 të tjerë u zhdukën. Pjesa më e madhe e personave që tentuan brigjet italiane ishin nga veriu i vendit, kryesisht nga Shkodra. Ngjarja e rëndë ndodhi për pasojë të detit të keq dhe për shkak se gomonia nuk arriti të përballonte udhëtimin. Klandestinët kishin paguar plot 1500 euro për udhëtimin e vdekjes. Mes tyre kishte gra e fëmijë. Sekserët dhe skafistët u kishin premtuar atyre se udhëtimi ishte i siguruar, pasi ishte rënë dakord me forcat e Guardia di Finanza që do t'i shoqëronte deri në brigjet italiane. Për këtë ngjarje të rëndë u arrestuan 11 persona, mes tyre edhe ish-shefi i postës së policisë së Dhërmiut, Vladimir Kordhishta, i cili u la në gjendje të lirë më 2 korrik. Seancat gjyqësore në ngarkim të të pandehurve nisën më 4 maj, dhe janë dëgjuar pjesa më e madhe të dëshmitarëve. Vendimi për të pandehurit e kësaj çështjeje është shtyrë për t'u dhënë më 10 shtator. Pas tragjedisë së 9 janarit, policia shqiptare nisi një luftë për të eleminuar trafikun klandestin dhe që prej asaj kohe nga brigjet shqiptare nuk është nisur asnjë gomone që të tentonte Italinë. Gomonia e kapur dje ka shënuar ringjalljen e këtij trafiku.
Krijoni Kontakt