Leka Zogu: Do të konkurroj në zgjedhje.
Tirane
Trashëgimtari i Fronit Mbretëror, Leka Zogu I, ka bërë të ditur dje, gjatë një konference për shtyp fillimin e punës së "Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar". Kjo është lëvizja më e re në politikën shqiptare, e cila pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sigurisht nën emrin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila sipas kryetarit të saj Eqrem Spahia është partia bazë. Leka Zogu u shpreh se "Lëvizja për Zhvillim Kombëtar do të përfshijë të gjitha krahët e politikës dhe të shoqërisë mbarëkombëtare me idealin e vetëm, interesat kombëtare. Ajo do të sjellë klimën e pajtimit dhe të mirëkuptimit në kombin shqiptar, që duhet të punojë për të ardhmen", -tha ai. "Për të arritur objektivat e saj lëvizja vlerëson si kusht themelor, ndërtimin e infrastrukturës zgjedhore demokratike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", -tha ai. Madje, Leka Zogu u shpreh optimist edhe për pjesëmarrjen e kësaj lëvizjeje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. “Shqipëria ka bërë disa ndryshime pozitive, por akoma institucionet e saj janë larg kuptimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Ajo sot është e ligjshtuar nga agresiviteti dhe konflikti politik, nga korrupsioni e krimi i organizuar, nga papunësia dhe varfëria, nga hakmarrja dhe gjakmarrja. Po personalizohet politika dhe pushteti, duke ndërhyrë mbi legjislativin dhe ekzekutivin, mbi drejtësinë dhe shtypin e lirë”, -ka vërejtur Leka Zogu. Ne kemi vënë re se, në këtë kohë, politika e konfliktit, intriga, lufta për pushtet, i kanë çuar shqiptarët në mëri, në dhunë, në pasivitet, duke e lënë vendin të mjeruar. Kjo situatë tregon se, klasa politike nuk e ka kuptuar ende misionin e politikës, se si duhet drejtuar shteti, se si duhet qeverisur. Politikanët janë përqendruar në një luftë të ashpër e pa moral për pushtet. Ata diskutojnë dhe veprojnë se si të mashtrojnë dhe të mposhtin njëri – tjetrin, tha më tej ai. Lëvizja, tha Leka Zogu, do të përfshijë të gjithë krahët e politikës dhe të shoqërisë mbarëkombëtare, me një ideal – interesat kombëtare. Kjo do të sjellë klimën e pajtimit e të mirëkuptimit në kombin shqiptar.
Shekulli
Krijoni Kontakt