Close

Rezultati i Sondazhit: Per cilin parti politike do te votoni ne tetor?

Votues
208. Nuk mund të votoni në këtë sondazh
  • LDK

    69 33.17%
  • PDK

    71 34.13%
  • AAK

    11 5.29%
  • Parti tjeter

    22 10.58%
  • Jam i pavendosur

    9 4.33%
  • Do bojkotoj zgjedhjet

    26 12.50%
Faqja 21 prej 28 FillimFillim ... 111920212223 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 201 deri 210 prej 276
  1. #201
    i/e regjistruar Maska e Ardi-1
    Anëtarësuar
    09-11-2003
    Vendndodhja
    Zvicër, Zürich
    Postime
    124
    PËR TË QESHUR E PËR TË QARË,
    FJALIMI QË U PËLQEU TË GJITHË ZYRTARËVE


    Shkruan Akademik Rexhep Qosja


    Fjalimi që kryeadministratori i Kosovës, Harri Holkeri, mbajti para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 11 maj, iu pëlqeu të gjithë zyrtarëve në Kosovë: edhe zyrtarëve shqiptarë, edhe zyrtarëve serbë! Nuk jemi mësuar që t’i shohim kështu të një mendimi, madje, kështu të kënaqur për të njëjtën çështje po thuaj asnjëherë gjatë këtyre pesë vjetve. Përkundrazi: jemi mësuar që t’i shohim me disponime të ndryshme në situata të njëjta dhe me qëndrime të ndryshme ndaj të njëjtave çështje. Kur zyrtarët shqiptarë ishin me disponim të mirë ose, të shprehem pak më thjesht, të kënaqur, zyrtarët serbë ishin me disponim të keq, domethënë të pakënaqur. Dhe, anasjelltazi. Dhe, kjo është plotësisht e kuptueshme. Zyrtarët shqiptarë, në njërën anë, dhe zyrtarët serbë, në anën tjetër, kanë qëndrime të ndryshme ndaj njëmendësisë së Kosovës sot dhe, në mënyrë të veçantë, ndaj ardhmërisë së Kosovës. E qëndrimet e zyrtarëve, deshën s’deshën, kushtëzohen nga qëndrimet e popujve, kurse qëndrimet e këtyre dy popujve ndaj Kosovës sot dhe Kosovës nesër janë plotësisht të ndryshme. Është iluzore që prej serbëve të pritet që Kosovën e sotme ta përjetojnë si shqiptarët, ashtu siç është iluzore që prej shqiptarëve të pritet që për të ardhmen e Kosovës të mendojnë siç do të donin të mendojnë serbët. Për këtë arsye më duken naive dhe të padrejta deklaratat e zyrtarëve në të cilat prej serbëve të Kosovës kërkohet që të mos shikojnë në drejtim të Beogradit, ashtu siç më janë dukur gjithmonë të padrejta, madje dhunuese kërkesat e serbëve që ne të mos shikojmë në drejtim të Tiranës.

    Më 11 maj ngjau e pabesueshmja: për herë të parë gjatë këtyre pesë vjetëve zyrtarët shqiptarë dhe zyrtarët serbë ishin të bashkëkënaqur me fjalimin e kryeadministratorit të Kosovës! A kishin arsye të jenë njësoj të kënaqur me atë fjalim? Pa dyshim jo. Për dallim prej zyrtarëve serbë, që kishin arsye të jenë të kënaqur, zyrtarët shqiptarë kishin arsye të jenë të pakënaqur me të. Fjalimi i kryeadministratorit Harri Holkeri, të cilin numri më i madh i medieve e paraqiti të zbukuruar a njëanshëm të shkurtuar, në të vërtetë ishte shuplaka e parë në fytyrën e zyrtarëve tanë gjatë këtyre pesë vjetëve. Disa prej tyre, megjithatë u bënë sikur nuk morën shuplakë po ledhatim! Kjo, natyrisht, nuk mund të quhet sjellje politike as e çmuar as e denjë në kushtet demokratike. Në demokraci karrotës i thuhet karrotë, kurse kërbaçit- kërbaç. Pse, atëherë, zyrtarët tanë edhe kërbaçin po e quajnë karrotë- si paraardhësit komunistë? Modeli i sjelljes politike, i ushtruar gjatë shumë shekujve nën pushtime e, sidomos, gjatë shekullit të fundit nën pushtimin serb, nuk mund të harrohet për pesë vjet lirie nën protektoratin ndërkombëtar. Një prej parimeve themelore që përbëjnë këtë model është: pagëzoje të keqen të mirë dhe të padrejtën të drejtë se të del më mirë! Kur e quajnë shuplakën e Përfaqësuesit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Harri Holkeri, ledhatim, zyrtarët tanë, posaçërisht dy personazhet me të cilët jam marrë edhe herë të tjera në këto shkrime, m’i përkujtojnë zyrtarët tanë komunistë kur i quanin ledhatime grushtat e përfaqësuesve të veçantë të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë!

    Nuk është thënë kot: kur përsëritet historia përsëritet në trajtën e farsës! Në politikën tonë të gjitha janë të vdekshme, vetëm servilizmi është i pavdekshëm.


    DEKLARATA HISTORIKE

    Personazhi im i dytë ose, si mund të emërtohet më saktësisht, personazhi numër dy, ishte këto ditë për vizitë në Shqipëri. Gjatë vizitës ai dha një numër të pacaktuar deklaratash, por mediet vendore veçuan njërën prej tyre. Në këtë deklaratë të veçuar ai, përpos të tjerash, tha: Shqipëria po luan rol të madh në informimin e qendrave botërore për Kosovën! Domethënë: krejt ç’ka bërë dhe ç’po bën Shqipëria për Kosovën, që e vlen të veçohet si përpjekje e saj për Kosovën, për arritjen e synimeve kombëtare historike të popullit shqiptar të Kosovës, është: po i informon qendrat politike botërore për Kosovën! Thuajse qendrat politike botërore nuk kanë në Kosovë KFOR-in, UNMIK-un, zyrat e veta- disa prej tyre, dhe organizata e shërbime të tjera, që i informojnë në hollësi për Kosovën!

    Shqipëria, pa të cilën as nuk do të mnd të bëhej e të mbahej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, as nuk do të mund të bëhej lufta çlirimtare në Kosovë 1997- 1999; Shqipëria që e bëri të jashtëzakonshmen për pranimin dhe vendosjen e qindra mijëra kosovarëve gjatë fushatës së bombardimeve; Shqipëria e cila qe shumë kohë, si e tha me të drejtë kryetari Alfred Moisiu gjatë vizitës në Prishtinë, është avokat i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe, në përgjithësi, në qendrat politike botërore, mund të jetë e kënaqur, shumë e kënaqur për deklaratën e sipërcituar të personazhit tim të dytë! Ky personazh kur është në Kosovë shpesh e thotë të kundërtën e asaj që e tha në Tiranë për rolin e Shqipërisë për Kosovën. Dhe, njëra prej këtyre deklaratave të tij historike për rolin e Shqipërisë në Kosovë, që e shqiptoi disa ditë pas protestës së 17 e 18 marsit, ishte kjo: Kosovës (të cilën ai, personazhi im numër dy, e ka qitur në rrugë të “pakthishme”) të gjitha të zezat i vijnë prej Serbisë dhe prej Shqipërisë!

    Tani, me rastin e vizitës në Shqipëri, personazhi im i dytë tregoi se, megjithatë, është i përmirësueshëm! Natyrisht, nëqoftëse ky përmirësim nuk është vetëm i përkohshëm: gjithmonë përmirësimi i servilëve është i përkohshëm.

    TË GJITHA DEKORATAT TONA

    Siç është parë dhe siç është dëgjuar në mediet tona elektronike, prej vitit të kaluar Kosova nderon individë, institucione e persona juridikë, banorë të Kosovës e shtetas të huaj, me dekorata, medalje, urdhëra, tituj, çmime, trofe- si krejt u quajtën ato.

    Ja si quhen ato:

    Medalja e artë e Lirisë
    Medalja e artë e Pavarësisë
    Medalja e artë e Lidhjes së Prizrenit - të argjendta dhe të bronzta nuk ka!

    Medalja Artist i merituar
    Medalja Mësues i Merituar
    Dekorata Qytetar i Merituar i Kosovës
    Medalja Presidenciale e Meritave dhe Çmimi i Presidentit për Meritat e Ambientit! (hahaha)

    Medalja Civile për Shërbim të Kosovës
    Medalja Ushtarake për Shërbim të Kosovës
    Çmimi Presidencial “E” për Shërbim të Eksportit!

    Çmimi Presidencial për Cilësi dhe Aftësi të Menaxhimit
    Çmimi Presidencial për Inovime, Kërkime dhe Zhvillim
    Çmimi Presidencial për Suksese në Prodhim dhe në Biznes
    Çmimi Presidencial për Studiues!

    Medalja Humaniste Nëna Tereze - thuajse ka medalje humaniste e jo medalje për humanizëm!

    Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çeta.

    Ambasador Nderi, dhe, madje, Ambasador i Kombit të Kosovës!

    Trofeu i Presidentit!

    E të tjera.

    Ç’mund të thuhet për emrat e këtyre dekoratave, medaljeve e titujve? Përgjigjen në këtë pyetje po e jap në trajtë të pyetjeve. A duhet të heshtet analfabetizmi gjuhësor me të cilin janë quajtur këto dekorata, medalje, tituj, urdhëra, çmime, trofe, që jepen në emrin e Kosovës? A duhet të heshtet tollovia kuptimore, në të vërtetë moskuptimore, që krijojnë emrat e tyre? A duhet të lihet në heshtje togfjalëshi Kombi i Kosovës, ani Ambasador i Kombit të Kosovës? A duhet të heshten pasojat e mundshme politike, kulturore, kombëtare në historinë kombëtare shqiptare të krijimit të togfjalëshve të tillë? Si është e mundshme që institucionet e Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, të lejojnë që marrëzirat e tilla gjuhësore, dhe logjike, të përmbajtura në emrat e disave nga ato dekorata, urdhëra e tituj, të bëhen publike dhe, madje, të fillojnë të jipen në emrin e Kosovës? Si është e mundshme që institucionet e Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, të heshtin para joseriozitetit, madje, banalitetit të përmbajtur në emrat e disave nga dekoratat, urdhërat dhe titujt e sipërthënë? Me to mund të mashtrohet kush, por nuk mund të nderohet Kosova!


    PATRIOTI

    Në bisedën, në njërën nga të përmuajshmet tona, personazhi im, me të cilin nuk kam patur rastin të merrem më përpara, foli gjerë e gjatë për jetën dhe punën e tij, për interesimet intelektuale dhe politike, për karrierën universitare, për veprimtarinë shkencore, për pozitat që ka në institucione arsimore e shkencore, për funksione partiake në kohën e pluralizmit, për kontribute e merita të tjera, që i njihen e i shpërblehen sot në Kosovë. Duke folur kështu, ç’është e vërteta, pa shumë elokuencë për përkushtimet e tij atdhetare, harroi të tregonte se në vitin 1981, ishte zgjedhur, me propozimin e një patrioti tjetër, sekretar i organizatës themelore të Lidhjes së Komunistëve në fakultetin në të cilin punonte dhe, si sekretar i posazgjedhur, kishte paraqitur referat për situatën politike e të sigurisë në fakultet dhe për detyrat e ardhshme të Lidhjes së komunistëve për sendërtimin e detyrave që kishte caktuar Komiteti Krahinor i LKK-së pas demonstratave të rinisë sonë studentore. Harroi të tregonte se në atë referat, si dhe në diskutimet e ditëve të përparme, i kishte dënuar vendosmërisht ato demonstrata duke i quajtur armiqësore, nacionaliste e irredentiste, të drejtuara- kishte thënë- kundër bashkim- vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë!

    Dhe, ja, ky personazh i imi është sot personazh publik në ngritje, drejtues i një institucioni të lartë në Kosovë, kurse shumë nga ata, që kishin marrë pjesë në ato demonstratat që dënonte ky, që e kishin paguar me përndjekje a burgje shumëvjeçare përkushtimin e tyre atdhetar, që profesionalisht janë të kualifikuar si ai dhe kanë vepra shkencore të botuara jo më pak se ai, ja, pra, ata sot as nuk mund të sigurojnë punë e lëre më të ngriten në pozita drejtuese a të gëzojnë farë publiciteti.

    E kuptueshme! Kështu kuptohet atdhetarizmi dhe kështu ndahet drejtësia në jetën tonë të sotme!

    Personazhi im për të cilin fola me këtë rast është vetëm njëri nga vargu i gjatë i personazheve të cilëve u është shpërblyer me çmim të lartë “patriotizmi” kundër demonstratave të 1981-shit, fryt i të cilave, në të vërtetë, është e sotmja jonë.

    Për më tepër, personazhi im për të cilin fola me këtë rast është vetëm njëri nga vargu i gjatë i kuadrove universitare të cilëve u është shpërblyer me çmim të lartë “patriotizmi” për pjesëmarrje funksionale në “rendin demokratik” të krijuar nga LDK-ja nën terrorin e regjimit të Milosheviqit!

    Dhe, më tej: personazhi im për të cilin fola me këtë rast është vetëm njëri nga vargu i gjatë i kuadrove universitare të cilëve u është shpërblyer me çmim të lartë “patriotizmi” për kundërshtimin propagandistik dhe praktik që i ka bërë UÇK-së prej vitit 1997 e deri më sot!

    Çka të bësh? Kështu luhet bixhozi politik në Kosovën tonë!


    MREKULLITË GJUHËSORE

    Jogjuhëtarë dhe gjuhëtarë, në mënyrë të veçantë drejtuesit e Shoqatës së Gjuhës Shqipe, po shkruajnë e po flasin shpesh në medie për gjuhën e medieve tona. Po flasin e po shkruajnë për cenimet e rënda gramatikore e logjike që po pëson gjuha në disa nga këto medie, sidomos, në disa nga mediet elektronike. Nuk mund të them asgjë më shumë dhe asgjë më mirë se ç’po thonë ata. Për t’i dëshmuar pohimet e tyre po paraqes disa shembuj të pësimeve të gjuhës shqipe në disa nga mediet elektronike, të shënuara gjatë tri ditësh. Meqenëse përpos lajmeve, pothuaj, nuk dëgjoj e shikoj rregullisht programe të tjera në këto medie, mund të supozohet se sa e pafund do të ishte lista e pësimeve të gjuhës në to po t’i kisha shikuar si më rregullisht!

    - smugj me perime!

    - sot nuk ka vepruar asnjë aktivitet!

    - familja mbetet jashtë kulmit!

    - duke i bërë flokët të mrekullueshëm dhe të parezistueshëm!

    - ju rikujtojmë me titujt kryesorë!

    - terroristët arritën të ikin përmes një veture!

    - shifra variuese për të vrarët e të plagosurit!

    - e kriposim tortën!

    - bartësit e institucioneve të Kosovës në takim me kryeadministratorin Harri Holkeri!

    - as të afërmit nuk kanë pasur qasje të burgosurve!

    - ata nuk pranuan të dhënë informata!

    - prej sot fshati do të ketë ujësjellës të pishëm në çdo shtëpi!

    - po vazhdojmë me lajme e informacione!

    - selektori do të ketë solucion perfekt!

    - viktima identifikoi veten...!

    - Kosova ka një kulturë të lashtë të një lashtësie të moçme!

    E të tjera! E të tjera!

    Me shembuj të këtillë të përdorimit të gjuhës në disa nga mediet tona mund të bëhen disa vëllime nga 300 faqesh secili. Urdhëroni, prandaj, e qeshni apo qani!


    KOMISIONET PARTIAKE

    Komisionet, juritë, grupet e ndryshme punuese në të shumtën e rasteve janë bërë dorë e zgjatur e partive, që në gjykimet dhe vlerësimet e tyre për kriter themelor kanë përkatësinë partiake të kandidatëve, për të cilët japin propozime a marrin vendime. Po e jap një shembull të vlerësimit të tillë të institucioneve të tilla të përkohshme.

    Para një kohe Bordi i Fakultetit të Edukimit zgjodhi Komisionin për vlerësimin e punës pedagogjike, profesionale e shkencore të kandidatëve që ishin paraqitur në Konkursin për lëndët Teori e letërsisë dhe Letërsi popullore, çuditërisht të bashkuar në një lëndë që s’ekziston askund në botë e që do të duhej ta shpjegonte ligjëruesi i zgjedhur. Anëtarë të Komisionit Bordi zgjodhi: du gjuhëtarë dhe një kritik letrar, që njëkohësisht është edhe poet. Që të tre të zgjedhurit janë anëtarë të LDK-së. Njëri prej të zgjedhurve është deputet në Kuvendin e Kosovës, tjetri kryetar në një institucion shkencor, kurse i treti drejtor i një institucioni arsimor. Përbërja e Komisionit tregonte se Bordi i Fakultetit të Edukimit, kur i kishte zgjedhur pikërisht ata që i kishte zgjedhur në Komision, kishte pasur parasysh: e para, që për ligjërues për lëndën për të cilën ishte shpallur konkursi të zgjedhej një anëtar i LDK-së dhe, e dyta, që të zgjedhurve në Komision t’u siguronte një honorar të gjorë!

    I informuar për pakënaqësinë e kandidatëve të paraqitur në konkursin për lëndën Teori e letërsisë dhe Letërsi popullore, Bordi do t’ia shtojë Komisionit prej tre anëtarësh, që do të nënshkruante referatin, edhe dy anëtarë të tjerë, po ashtu, anëtarë të LDK-së: as këta të magjistruar a të doktoruar për Letërsi popullore. Dhe, ky Komision pesë vetash për lëndën Teori e letërsisë dhe Letërsi popullore shpërfill plotësisht përvojën pedagogjike dhe punën kërkimore- shkencore të kandidatëve që me dhjetëra vjet punojnë si docentë a profesorë në shkolla të larta e fakultete, si bashkëpunëtorë të lartë a këshilltarë shkencorë në institucione shkencore dhe zgjedh kandidatin pa stazh pedagogjik. Pse po u bëhej padrejtësi e madhe kandidatëve të tjerë komisioni nuk donte ta dinte. Kryesore ishte të pranohej njeriu i tyre: i partisë së tyre dhe i lidhjeve familjare me miqtë e disave prej tyre!

    Mjerimi politik, verbëria profesionale, mungesa e ndërgjegjës, dhe papërgjegjësia elementare për të drejtën, sidomos, e dy anëtarëve të parë të Komisionit, në shërbimin e të cilëve do të vihen edhe tre anëtarët e tjerë, nuk më çudit: ata në Kosovë shohin vetëm anëtarët e partisë së vet, familjarët e vet dhe të miqve të vet, njerëzit e grupeve të veta!

    Si është e mundshme që ky Bord, që drejton një fakultet, madje, një fakultet që quhet Fakulteti i Edukimit, në Komisionin që do të ndajë drejtësinë për lëndën Teori e letërsisë dhe Letërsi popullore të caktojë gjuhëtarë e kritikë letrarë, por asnjë studiues të Letërsisë popullore, sado në Kosovë jetojnë e punojnë sot mbi tridhjetë vetë, që kanë magjistruar e kanë doktoruar në Letërsinë popullore? Si është e mundshme që ky Bord të zgjedhë një komision që do të ndajë drejtësinë për lëndën Teori e letërsisë dhe Letërsi popullore, në të cilin të gjithë të zgjedhurit do të jenë anëtarë apo, madje, funksionarë të djeshëm e të sotëm të një partie- të LDK-së? A mund të çohen përpara Universiteti i Kosovës dhe Kosova me anësi, në të vërtetë me verbëri të tillë partiake e politike? Sigurisht se jo. A mund të krijohen marrëdhënie normale, korrekte, kulturore, qytetëruese, humane mes studiuesve, mes kuadrove universitare, mes qytetarëve të Kosovës në qoftë se përkatësitë partiake dhe lidhjet familjare e grupore bëhen kriter themelor i vendosjes për fatin e njerëzve: për njohjen a përçmimin e punës së tyre, për punësimin a dëbimin e tyre prej pune? Sigurisht se jo!

    Dhe, të përsëris: më çudit Bordi i Fakultetit të Edukimit!

    Çfarë koncepti për edukatën ka ky bord?

    Çfarë mësuesish mund të formojë ai fakultet, të cilin do ta drejtojë një bord aq fanatik partiakisht, aq i papërgjegjshëm profesionalisht, aq servilë politikisht dhe në të cilin pedagogët do të zgjedhen në bazë të kriterit të përkatësisë partiake dhe të lidhjeve familjare e miqësore me anëtarët e komisionit që zgjedh ata pedagogë.

    Kjo, besoj, s’është për të qeshur; kjo është për të bërtitur të madhe edhe pedagogët, edhe studentët në fakultetet tona! Sepse, rasti këtu i treguar është njëri prej shumë rasteve të tilla në Universitetin tonë.

    Bordi i Universitetit, duke e parë se sa e njëanshme, se sa patologjike, ishte përbërja e Komisionit të Fakultetit të Edukimit, e anulon vendimin e tij. Por, Bordi i Universitetit do të duhej ta dinte se ka edhe jo pak vendime të tjera të komisioneve të njëanshme, që do të duhej të shikoheshin shumë seriozisht.
    Ardi

    Lista e miqëve: Llapi, Kosovelli
    Lista e injorantëve: Brari, Arb, Hilliirian-zoo...

  2. #202
    i/e regjistruar Maska e Ardi-1
    Anëtarësuar
    09-11-2003
    Vendndodhja
    Zvicër, Zürich
    Postime
    124
    Shkruan: Mr. Sabri Kiçmari

    Në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet e dyta të lira për Parlamentin e Kosovës. Përmes tyre do të legjitimohen përfaqësuesit legal të qytetarëve të Kosovës. Zgjedhjet janë për politikanët momente të riprovimit. Ata detyrohen të japin llogari për të bërat dhe të arsyetohen për të pabërat. Në kushtet e ekzistimit të një opozite të fortë, lufta politike mund të jetë mjaft interesante. Në zgjedhje politikanët detyrohen t'i paraqesin pikëpamjet e tyre përmes fjalimeve politike, intervistave, deklaratave, takimeve me qytetarë etj.

    Në të gjitha rastet, medium themelor i komunikimit me opinionin është fjala. Fjala e tyre përcillet me kujdes nga zgjedhësit, nga analistët, nga vëzhguesit dhe veqanërisht nga kundërshtarët politikë. Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë rëndësi të dorës së parë, sepse përfaqësuesit e zgjedhur në këtë mandat, sipas gjasave, do të jenë bartësit e vendimmarrjes për statusin e Kosovës. Subjektet politike janë të preokupuara aktualisht rreth ndryshimeve në sistemin zgjedhor. Pavarësisht ndryshimeve eventuale në sistemin zgjedhor, në zgjedhjet e këtij viti, qytetarët e Kosovës do të kenë rastin të përzgjedhin tipe të ndryshme udhëheqësish. Cilat janë tipet e pushtetit? Sa tipe liderësh mund të evidentohen në Kosovë? Cilat janë karakteristikat e politikanit profesionist?

    TIPET E LIDERËVE

    Max Weberi në ligjëratën e tij „Politika si profesion“ dallon tri tipe të pushtetit: pushtetin tradicional, pushtetin karizmatik dhe pushtetin racional. Pushteti tradicional bazohet në legjitimitetin e pushtetarit përmes respektimit të rregullave tradicionale. Pushteti karizmatik bazohet në cilësi të jashtëzakonshme personale të udhëheqësit, me ç'rast, në shumicën e rasteve, lideri misitifikohet dhe idealizohet. Pushteti racional bazohet në respektimin me përpikmëri të rregullave legale e legjitime dhe procedurave demokratike.

    Bazuar në teorinë e Weberit mbi tipet e pushtetit mund të analizohen edhe tipet e drejtuesve kryesor politik në Kosovë. Varësisht nga mënyra e drejtimit të partisë, raportet me anëtarët dhe organet partiake, sjellja me opinionin publik si dhe varësisht nga veprimi efektiv, transparent dhe participues, në praktikën politike kosovare dominojnë tipi karizmatik dhe ai racional.

    LIDERI KARIZMATIK

    Udhëheqësi karizmatik preferon raporte të zhdrejta në mes tij, organeve dhe anëtarësisë së partisë. Ai përceptohet nga anëtarësia si një fuqi e paarritshme mbinatyrore dhe mbinjerëzore dhe idealizohet deri në maksimum. Në rast të kthjelljes politike të ndonjërit nga vartësit e udhëheqësit karizmatik dhe tentimit për të ndërtuar raporte demokratike brenda partisë, pason vala e sulmeve të paskrupullta nga përkrahësit fanatik të udhëheqësit dhe mënjanimi politik i tij përmes fjalës vendimtare të liderit. Udhëheqësit e tillë, me stil karizmatik, synojnë të fusin nën kontroll të gjitha organet e partisë dhe, mundësisht, të gjitha segmentet e shtetit. Tipin eksluzivisht karizmatik qytetari kosovar e ndesh tek drejtuesi aktual i LDK dhe kryetari i Kosovës Rugova. Përparësi evidente e këtij stili politik është aftësia e shpejt e mobilizimit të anëtarësisë përmes thirrjes nga udhëheqësi. Por në rast të mungesës ose bllokimit të liderit, subjekti i tillë politik përfshihet nga anemia dhe shkapërderdhja. (Shembull: Me rastin e bllokimit të Rugovës në marsin e vitit 1999 e gjithë partia e tij, LDK, u përfshi nga një inaktivitet i përgjithshëm dhe shkapërderdhje masive). Mungesa e diskutimeve të rregullta të temave të rëndësishme nga KP i LDK, mënjanimi i vazhdueshëm i kuadrit racional nga udhëheqja e Partisë, insistimi për të futur nën kontroll të gjitha segmentet e shtetit dhe mosheqja dorë nga funksioni partiak i Ibrahim Rugovës dëshmon për stilin jodemokratik të veprimit politik të kryetarit të LDK dhe koncentrimin ekskluziv në karizmën e kryetarit të kësaj partie. Lideri racional – Udhëheqësi racional krijon raporte legale demokratike në mes tij, organeve dhe anëtarësisë së partisë. Lideri është i obliguar të respektojë rregullat dhe normat e aprovuara nga organet e partisë. Në partitë që drejtohen nga udhëheqës me stil racional ka liri më të madhe të brendshme partiake, kritikë dhe autokritikë, lejohet opozita brenda partisë, legalizohet kompromisi në vendimmarrje dhe synohet bashkëqeverisja. E metë e këtij stili është zhagitja e vendimmarrjes. Hapa të rëndësishëm drejt profilizimit në udhëheqës me stil racional kanë bërë kryetari i PDK Thaçi dhe ai i AAK Haradinaj.

    Thaci është treguar tejet i sukseshëm në ndërtimin demokratik të partisë. Ai ka sjellur si model të ri në kulturën politike kosovare mekanizmin e kundërkandidatit për kryetar, respektimin e organeve të partisë, dhe ndarjen e qartë në mes të funksioneve shtetërore dhe partiake (madje duke hequr dorë nga zgjedhja për Kryeministër). Haradinaj ka preferuar metodën e bashkëpunimit, afrimit dhe mbledhjes së kuadrit duke angazhuar në bashkëorganizim një numër subjektesh dhe përfaqësuesish me orientime të ndryshme politike. Ta zëmë në organet drejtuese të AAK bashkëveprojnë ish-lideri LKJ-ist Bakalli dhe ish -udhëheqësi i Lëvizjes Studentore '81 Kosumi.


    KARAKTERISTIKA TË POLITIKANI PROFESIONIST

    Kosova ka nevojë për politikanë profesionist, të cilët nuk mbështeten vetëm në bindjet e tyre politike e ideologjike, por edhe në etikën e përgjegjësisë, përmes kalkulimit të pasojave nga veprimet praktike politike. Politikani kosovar nuk duhet vetëm të mendojë të jetojë „nga politika“, por edhe të jetojë „për politikën“. Pra jo vetëm të shfrytëzohen të mirat që krijon pushteti dhe veprimi politik (autoriteti, të mirat materiale, reputacioni), por edhe të jepet llogari për veprimet. Disa nga karakteristikat themelore që do të duhej ta shquajnë politikanin profesionist kosovar janë:

    Peshimi i fjalës - Varësisht nga qëllimi që dëshirohet të arrihet, përmes artit të deklarimit, politikanët profesionistë e matin me kujdes secilën fjalë e fjali që dëshirojnë ta thonë publikisht. Ata e paramendojnë efektin e fjalës, si medium i luftës politike. Nëse duhet mbuluar e vërteta, për hir të sigurisë dhe lirisë kombëtare, kjo gjë duhet bërë me mjeshtëri: jo duke gënjyer, por duke mënjanuar përgjigjien direkte. Rikthimi drejt përmbajtjes - Në ndeshjet politike në parlament, në tubime politike dhe në media aktor të caktuar politik i shfrytëzojnë edhe temat private, personale e familjare për të shkaktuar destabilizimin e kundërshtarit politik. Këto tema janë shpesh më tërheqëse për qytetarin e rëndomtë, se sa ato që kanë të bëjnë me bugjetin, politikën ekonomike dhe strategjinë zhvillimore. Ikja nga pyetjet dytësore dhe rikthimi në çështjet përmbajtësore është karakteristikë e rëndësishme e stilit politik të politikanit profesionist.

    Respektimi i vlerave politike – Vlerat politike paraqesin bazën e sistemit politik të lirisë dhe demokracisë. Meqenëse në Kosovë nuk është e fortë ndjenja e patriotizmit kushtetues, meqë kushtetuta aktuale në fuqi ka legjitimitet të përkohshëm, aktorët politik do të duhej që këtë gjë ta zëvendësojnë me respektimin (jo vetëm deklarativ) e vlerave dhe normave të lirisë dhe demokracisë.

    Fusha e alternativave – Politikanët joprofesionist kur duan të argumentojnë vendimet dhe pikëpamjet e tyre për një problem të caktuar përdorin sentencën „Nuk ka alternativë tjetër nga zgjidhja që kemi vendosur ne!“ Ky konstatim nuk është i saktë. Çdo politikë ka alternativë. E diskutueshme është vetëm çështja, sa korrespondon zgjidhja alternative me interesat dhe vullnetin e qytetarëve.

    Pranimi i gabimit – Aktorët politik joprofesionist i pranojnë me vështirësi gabimet e tyre. Duke i paraqitur vendimet dhe pikëpamjet e tyre si e vetmja alternativë, ata ia ngushtojnë hapësirën vetes për të pranuar gabimet e bëra. Eshtë e njohur se në fushën e komplikuar të veprimit politik gabimet janë të pashmangshme. Pranimi i gabimeve të bëra dhe kërkimi i faljes para qytetarëve nuk kanë gjetur shprehje në praktikën politike kosovare edhe pse ka pasur nevojë në memente të caktuara për këtë gjë.


    MEDIAT DHE POLITIKANËT

    Mediat janë mekanizma transmetues dhe krijues të mendimit politik. Gazetarët luajnë rol të rëndësishëm në pasqyrimin dhe vlerësimin politik të sjelljes, veprimit dhe stilit të politikanit. Përmes këndvështrimeve të ndryshme si personalizimi, dramatizimi, moralizimi dhe dyshimi, ata arrijnë ta ndikojnë sjelljen politike të aktorëve politikë në njërën anë, dhe preferencën e qytetarëve, në anën tjetër. Në Kosovë, për fat, përmes një numri të konsiderueshëm të mediumeve të pavarura, lexuesit dhe shikuesit i ofrohen informacione, analiza dhe vlerësime të paanshme. Kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen në korrigjimin e sjelljes dhe veprimit të aktorëve politik.
    Ardi

    Lista e miqëve: Llapi, Kosovelli
    Lista e injorantëve: Brari, Arb, Hilliirian-zoo...

  3. #203
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Presidenti Rugova: Këto zgjedhje janë të rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës



    Prishtinë, 23 tetor - Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, së bashku me zonjën e parë të Kosovës Fana Rugova, sot kanë votuar në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë, ku janë pritur me duartrokotje nga qytetarët e shumtë që kishin ardhur për të votuar.
    Pas votimit, Presidenti Rugova vlerësoi se këto janë zgjedhje të rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, për një Kosovë të pavarur të integruar në BE, NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të.

    "Kam kënaqësinë që sot me zonjën e parë të Kosovës, të votoj në zgjedhjet e dyta nacionale të Kosovës së lirë. Kemi zhvilluar një fushatë të mirë elektorale dhe të qetë", tha Presidenti Rugova, duke falenderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë kontribuar që fushata parazgjedhore të jetë e mirë, korrekte. Poashtu Presidenti vlerësoi se qytetarët kanë treguar një kulturë të lartë politike e shtetërore dhe njëherit falenderoi edhe subjektet politike, pjesëmarrësit e tjerë të drejtpërdrejtë në zgjedhje që kanë treguar gjithashtu një kulturë të lartë të zgjedhjeve dhe të fushatës zgjedhore në përgjithësi.

    "Jam i bindur që sot do të votojnë të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, sepse këto zgjedhje janë me rëndësi për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë, për zhvillimin, prosporitetin, demokracinë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave të rinj", u shpreh Presidenti Rugova.

    Ndërkaq, zonja e parë e Kosovës, Fana Rugova, me rastin e votimit, tha se këto janë zgjedhje të rëndësishme për Kosovën. "Duhet të gjithë të votojmë për shtetin e Kosovës, i cili duhet të zhvillohet, të kultivohet...", tha zonja Rugova duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në votime.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  4. #204
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Kryeparlamentari Daci: Të votojmë të gjithë për nacionalen e Kosovës

    Prishtinë, 23 tetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ka votuar në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë. Pas votimit kryekuvendari Daci u shpreh se "siç po shihet zoti na ka falë sot ditë të mirë në vendin tonë, ndërsa ne do t'i falim Kosovës një ardhmëri që e meriton, një jetë qytetare, një jetë të lumtur për rininë".

    Daci figurativisht me gjuhën e sportit u shpreh se sot "po luan nacionalja e Kosovës" dhe bëri thirrje për të votuar të gjithë për Kosovën.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  5. #205
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Situata e sigurisë e qetë dhe pa incidente serioze

    Prishtinë, 23 tetor - Shërbimi Policor i Kosovës situatën e sotme të sigurisë në vend në ditn e zgjedhjeve parlamentare e vlerësn të qetë dhe normale.

    Sipas zëdhënësit të policisë Refki Morina, përveç disa incidenteve të përëndësishme, kryesisht të votuesve me dokumente të skaduara identifikimi, situata është e qetë dhe fare normale dhe pa incidente serioze.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  6. #206
    i/e regjistruar Maska e Ardi-1
    Anëtarësuar
    09-11-2003
    Vendndodhja
    Zvicër, Zürich
    Postime
    124
    do humbin komunistat në kry me rugo-hiqin kësaj radhe keq!

    sipas të gjitha gjasave nga 99% para ca viteve këtë radhë do kënaqen me 31%
    për zgjedhjet tjera nuk do ekziston më LDK-ja fare, Rugova e ka shkatrru edhe shtetin edhe shëndetin me shlivovicë --raki nga serbia
    Ardi

    Lista e miqëve: Llapi, Kosovelli
    Lista e injorantëve: Brari, Arb, Hilliirian-zoo...

  7. #207
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Citim Postuar më parë nga Ardi-1
    do humbin komunistat në kry me rugo-hiqin kësaj radhe keq!

    sipas të gjitha gjasave nga 99% para ca viteve këtë radhë do kënaqen me 31%
    për zgjedhjet tjera nuk do ekziston më LDK-ja fare, Rugova e ka shkatrru edhe shtetin edhe shëndetin me shlivovicë --raki nga serbia
    Ardi,

    Ku i more kaq shpejt keto rrezulltate preleminare?

    Ku e more kete aftesi qe te flasesh si nje "tregues i te ardhmes?"

    Mbaje veteveten edhe per disa dhjetra ore, deri ne publikimin e rrezulltateve te para preleminare.

    Ku ke marr gjithe kete urrejtje ndaj Presidentit dhe LDK-se?
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  8. #208
    Eklips Maska e deep_blue
    Anëtarësuar
    25-02-2003
    Vendndodhja
    Diku ne Kosove
    Postime
    695
    Petersen e Fieski vlerësuan lart zgjedhjet e sotme në Kosovë

    Prishtinë, 23 tetor - Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një konferencë shtypi mbajtur në orën 21:30 i kanë vlerësuar si shumë të suksesshme zgjedhjet nacionale të 23 tetorit dhe kanë vlerësuar se deri në mbylljen e vendvotimeve, në zgjedhje kanë dalë rreth 600 mijë votues, shprehur në përqindje - rreth 53 për qind.
    Pasi ka dhënë këto shifra, shefi i OSBE-së, Paskal Fieski lavdëroi organizimin teknik të zgjedhjeve, dhe vuri në pah pjesëmarrjen shumë mbresëlënëse të votuesve, me pak incidente dhe në një ambient të sigurt.
    "Gjithçka është bërë në mënyrë të sigurt, në një ambient të sigurt, paqësor e demokratik", tha Fieski.
    Ai gjithashtu vlerësoi ndër të tjera se bojkoti i serbëve ka pasur ndikim në numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve në zgjedhje, duke shprehur zhgënjim për këtë.
    "Gjatë vizitës që kam bërë vendvotime, kam parë një qëndrim shumë pozitiv për ta ndryshuar Kosovën dhe për ta bërë më të mirë", theksoi ndërkaq në vijim shefi i UMMIK-ut, Soren Jesen-Petersen, për të shtuar se zgjedhjet e sotme do të jenë një test për pjekurinë politike të Kosovës.
    "Sonte mund të them se Kosova e ka kaluar këtë test. Sot kemi parë zgjedhje të organizuara dhe të kryera mirëfilli. Kanë qenë të qeta dhe paqësore. Gjatë periudhës së fushatës nuk ka pasur asnjë incident të vetë serioz", theksoi Petersen.
    "Kosova ka çuar një sinjal shumë pozitiv për Evropën dhe për botën", shtoi ai, duke e vlerësuar të mirë pjesëmarrjen dhe duke e cilësuar atë mbi mesataren e shumë vendeve evropiane.
    Jesen-Petersen bëri thirrje që të gjithë t'i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve.
    "Çdokush duhet t'i pranojë rezultatet dhe gjykimin e popullit", tha ai.
    Duke folur ndërkaq për pjesëmarrjen e serbëve, shefi i UNMIK-ut tha se serbët kanë pasur pak kohë që të përgatiten, por edhe kanë pasur trysni që të mos dalin në votime.
    Pas këtyre zgjedhjeve Kosova do të ketë një kuvend legjitim demokratik, tha ndër të tjera Jesen-Petersen.
    Ndërsa, komandanti i KFOR-it, Iv Dë Kermabon theksoi se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë të sigurt, pa asnjë incident.
    Ai shprehu konsideratën më të lartë për pjesëtarët e KFOR-it, të cilët e kanë kryer misionin në mënyrë të përkryer.
    "Keni vepruar me dinjitet dhe me një ndejnjë të madhe të nderit për ta bërë Kosovën demokratike e të lirë", theksoi Kermabon, duke iu drejtuar mirënjohje qytetarëve të Kosovës.
    Numri i vogël i incidenteve tregon se Kosova i pranon zgjedhjet demokratike, theksoi në vazhdim komisioneri i Policisë së UNMIK-ut, Vortrup.
    Ai falënderoi policët e SHPK-së dhe policët ndërkombëtarë, njëkohësisht duke lavdëruar popullin e Kosovës, që ka treguar vullnetin për demokraci.
    Ndërkohë, derisa në konferencën për shtyp u dhanë shifrat e pjesëmarrjes vetëm për dy komuna: Deçan (60.41 për qind) dhe Malishevë (60.60 për qind), sipas rezultateve jozyrtare të shtabeve zgjedhore komunale, përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte si në vijim: në Gjakovë 54.87 për qind, Prizren - 50 për qind, Ferizaj - 55 për qind, Podujevë 51.5 për qind, Dragash - 40 për qind, Pejë - 60 për qind, Istog - 57 për qind, Gjilan - 50.1 për qind, Dardanë - 53 për qind, Viti - 52 për qind, Skënderaj - 55 për qind, Klinë - 58 për qind, Drenas - 66 për qind, Fushë-Kosovë 52 për qind, Therandë- 58.62 për qind, Vushtrri - mbi 50 për qind etj.
    Te gjitha jane thene

  9. #209
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Sipas burimeve jo-zyrtare, nga nje perqindje e vogel e votimeve te gjithembarshme (votimet e kryera deri ne ora 13:00 te dites):

    LDK-ja ka marrur 47% te votave,
    PDK-ja 27%,
    AAK-ja 8%,
    ORA 6%, dhe
    PSHDK-ja afer 2%.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  10. #210
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Sipas KMDLNJ, LDK-ja në zgjedhjet e sotme ka fituar bindshëm me 47 për qind

    Prishtinë, 24 tetor - Në bazë të 17 për qind të vendvotimeve të përpunuara deri më tash të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Kosovë, LDK ka fituar 47 për qind, PDK-ja 27, AAK 8, lista qytetare "Ora" 6, PSHDK-ja 1,8 dhe subjektet e tjera 10 për qind.

    Këto janë rezultate preliminare, thotë KMDLNJ dhe thekson se hapësira për gabime është O,5 për qind.

    QIK-u
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

Faqja 21 prej 28 FillimFillim ... 111920212223 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Debati i Knusve (gjelave)
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 05:15
  2. Uahabizmi i përhapur edhe në Kosovë
    Nga RTP në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 19-07-2005, 18:08
  3. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 03-08-2004, 09:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •