Tre persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar shtëpinë e pedagogut të Universitetit Bujqësor të Kamzës, Xhelil Koleci. Për pasojë është plagosur vjehrri i tij emigrant, i ardhur për pushime nga Italia, i cili mendohet se ka qenë objektivi i grabitjes. Policia nuk ka të dyshuar konkretë si autorë të ngjarjes, ndërsa sipas burimeve, mendohet që ata të jenë të afërm ose të njohur të familjes.



Tre grabitës të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e pedagogut të Fakultetit të Veterinarisë në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Objektivi i tyre mësohet të ketë qenë vjehrri, Avdi Cana, i ardhur mik në shtëpinë e pedagogut. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në orën 03.00 të mëngjesit në Paskuqan 1, në periferi të Tiranës. Ndërsa nuk kanë mundur të marrin asgjë, grabitësit kanë dyshuar se Cana i ka njohur dhe kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Vetëm fati e ka shpëtuar 50-vjeçarin, pasi autorët kanë menduar se ai kishte vdekur dhe janë larguar. Cana, i cili prej 4 vjetësh jeton me dy djemtë e tij në Itali, kishte ardhur për të takuar të bijën dhe për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ai gjendet në terapinë intensive të mjekëve në Repartin e Reanimacionit në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve reanimatorë, 50-vjeçari ka një plagë në bark dhe ka të dëmtuar kryesisht zorrën e trashë. Dalip Koleci, i ati i pedagogut të veterinarisë, ka rrëfyer për Gazetën detaje të ngjarjes së rëndë dhe të tmerrit që ka përshkruar familjen e tij.

A mund të rrëfeni se çfarë ndodhi në familjen tuaj?
Kemi qenë në gjumë kur dëgjuam ulërimat e nuses së Xhelilit. Dy persona të maskuar e të armatosur me pistoletë kishin hyrë nëpërmjet dritares në dhomën ku ishte krushku ynë Avdi Cana. Pasi kishin kontrolluar sirtaret, ata kanë ngritur Avdiun që ishte në gjumë. Me një pistoletë te koka ata i kishin kërkuar atij të tregonte ku i kishte fshehur paratë.

Mendoni se ishin dy persona?
Nusja thotë që ka parë edhe një tjetër që priste dhe ruante lëvizjet nga jashtë. Madje ai mbante dhe qeleshe, por dukej se ishte i ri.

Ju ku ishit në atë kohë?
Kemi qenë deri vonë zgjuar, madje deri aty nga ora 2.30 e mëngjesit, pasi këtu sipër kishte një dasmë. Nuk duhej të kishte më shumë se një gjysmë ore që na kishte zënë gjumi kur ndodhi.

Çfarë ndodhi më pas në dhomën e krushkut tuaj?
Ashtu si nëpër gjumë Avdiu ka mundur t'i thërrasë Xhelitit, duke bërtitur "Ndihmë.., haj-dutët…". Por kjo i ka hapur telashe Avdiut. Grabitësit kanë kujtuar se i njohu dhe njëri prej tyre tha: "Bjeri se na njohu". Tjetri ka qëlluar me pistoletë. Avdiu duhet të ketë humbur ndjenjat dhe grabitësit, duke menduar se ai ka vdekur, janë larguar.

Sa të shtëna ka pasur?
Vetëm një në dhomë. Kur kanë dalë, është dëgjuar të thonë se do qëllojnë nëse shohin se ndokush i vëzhgon apo i ndjek.

Çfarë veprimesh kryhet ju në ato çaste?
Fillimisht kërkuam t'i vinin në ndihmë Avdiut, që e gjetëm të shtrirë në një pellg gjaku. Pastaj mblodhëm mendjen për të mësuar atë që kishte ndodhur. Dërguam Avdiun në spital dhe u munduam të ndihmonim me sa mundëm policinë në veprimet e tyre.

A dyshoni te njeri?
Këtë pyetje na bënë edhe ata të policisë, por nuk di çfarë të them… Por më bën përshtypje fakti se si grabitësit kanë mundur të futen drejt e në dhomën e mikut tonë dhe të mos kërkonin gjë në dhomat e tjera të shtëpisë. Ata ishin të bindur se ajo që kërkonin ishte atje dhe e njihnin mirë zonën dhe shtëpinë. Çdo dyshim më çon te dikush që na njeh shumë mirë, por nuk mund të them se kush është ky i njohuri ynë që donte të na grabiste dhe qëlloi për të vrarë krushkun. Madje, edhe frika se mos Avdiu e njohu, të çon prapë tek ajo që grabitësi është njeri i afërm yni.