Sa më shumë kalojnë vitet, aq më i ndjeshëm bëhet njeriu. Pa le pastaj kur arrihet një moshë, kur lista emërore e të njohurve të vdekur fillon e bëhet dukshëm më e gjatë sesa ajo e të njohurve... ende të gjallë! Në këto ujëra pluskoj edhe unë.
Dendur e kam kujtuar Panajot Panon, i cili ishte nga ata qendërsulmues, thuajse të pashoq, që i ndërtonin vetë aksionet e pastaj me vërshime të rrëmbyeshme drejt portës kundërshtare, ku topi nuk u shqitej nga këmba, gjuanin dhe... shënonin! Cili sportdashës i viteve të rinisë sime e ka harruar golin e Panajotit shënuar në portën e Jashinit të famshëm?
Krahas dhimbjes së madhe që më ngjalli në zemër ndërrimi jetë i këtij futbollisti, tashmë thuajse legjendar sa i takon futbollit shqiptar, po aq edhe e ndjeva veten krenar. Natyrshëm lexuesi do të më pyesë: Pse? Vetëm mërgimtarët më kuptojnë e mund ta kenë këtë ndjenjë. Presidenti i Shqipërisë, pa vonesë u drejton letër ngushëllimi të gjatë dhe shumë të ndjerë familjarëve të Panajot Panos. Dita e varrimit të tij, administrativisht shpallet ditë zije kombëtare. Gjithashtu, Federata Shqiptare e Futbollit e mori përsipër organizimin e varrimit. Këto dëshmi vlerësimi më bëjnë krenar si edhe ta ndiej veten sikur nuk jam pinjoll i një vendi prej 28.000 km2, por sikur rrjedh nga një popull që shtrihet në qindra-mijëra km2!
Kësisoj ndërrimi i jetës së Panajot Panos së ndjerë, krahas trishtimit që më ngjalli në përkujtim të tij, e pati edhe atë forcë shtytëse shpirtërore që, për anë brengës arriti të lartësojë edhe ndjenjën tjetër, siç është ajo e krenarisë tek ne, të mërguarit larg Atdheut!
Në vazhdim, për t’iu larguar shtjellës mendimeve të trishta si edhe ndjenjave bashkëshoqëruese të tyre... fillova t’i hidhja një sy shtypit shqiptar. Në faqet e para, si zakonisht, veç lajme për efekt ndaj lexuesit. Në dy gazeta, doemos ndërmjet njoftimeve tjera zhurmëndjellëse, ishte edhe informacioni lidhur me vdekjen e yllit të futbollit shqiptar, Panajot Panos. Ngaqë ndjeshmërinë në ato çaste e kisha shumë të theksuar e për t’iu mënjanuar ndjenjave të trishta iu shmanga shtypit shqiptar e duke lundruar nëpër internet, veç kur mësoj një lajm tjetër të trishtë: kishte ndërruar jetë përkthyesi Pashko Gjeçi! Ah, sa kohëzgjatje të shkurtër pati ajo ndjenja e krenarisë kombëtare, e cila mu ngjall tek mësova vdekjen e nderit të futbollit shqiptar, Panajot Panos. Një vorbull e re ndjenjash skajshëm trishtuese më shakulloi të tërin! Rryeshëm, mes mugëtirës të së kaluarës, erdhën dhe u përndritën në nënvetëdijen time emrat si edhe fytyrat e asaj plejade letrarësh të rinj, nxënës të Patër Vinçenc Prenushit, Patër Justin Rrotës, Patër Marin Sirdanit etj., etj., të shkolluar në vazhdim në universitete perëndimore duke u diplomuar me Summa cum Laude. Mes tyre ndrit edhe emri i Pashko Gjeçit, i fundit në listën e ndritur të atyre tashmë të ndjerë!
E burgosën, e internuan, e detyruan tërë jetën të punonte punëtor krahu, profesor Guljelm Dedën. I internuar, ulur këmbëkryq mbi krevat, shkruan e shkruan përgjatë 17 vitesh pune të tillë prej skllavi dhe e përfundon shqipërimin e veprës së Lodovico Ariostos me titull “Orlandi i Çmendun”. Dyzet mijë vargje njëmbëdhjetërrokëshe, të rimuara e të hedhura me bukurshkrim në katërqind fletore, janë kulmimi i punës profesor Guljelm Dedës!
E së fundi, i përshenjuar sipas udhëzimeve katoviciane, mbas vitit 1990 ai u detyrua që të gjente pak prehje shpirtërore, të shkonte e të ndërronte jetë në Itali e atje edhe... të harrohet nga vendi i tij!
Gjithashtu, e burgosën dhe u munduan ta depersonalizonin profesor Mark Demën! E cili ishte faji i tij? Sepse nxënësve maturantë u dha si temë hartimi: “Puna e rëndë fizike përkul trupin. Paraja përkul shpirtin”. Ndërsa unë sot, nga lartësitë e viteve 2000, e shoh prekshëm se sa realist ka qenë i ndjeri profesor tek u dha nxënësve temën e mësipërme. Edhe ky profesor i shquar, përgjatë kalvarit të jetës tij nën diktaturën komuniste, e shqipëroi njërën nga kryeveprat botërore, “Eneidën” e Virgjilit. Po sa para bëjnë vlerat intelektuale të tij? Edhe ky, mjeshtër i letërsisë edhe i kulturës, ndërroi jetë... i harruar në Atdheun e tij!
E i fundit i asaj plejade profesorësh si edhe intelektualësh të shquar, ndërroi jetë para dy ditësh në Tiranë, profesor Pashko Gjeçi. Ndjeva dhimbje tek e mësova lajmin mortor, por kjo dhimbje u shumëfishua falë faktit se me të merr fund plejada e shqipëruesve më të mëdhenj të kryeveprave botërore të letërsisë, posaçërisht të asaj klasike latino-italiane si edhe asaj klasike të Greqisë së lashtë!
Pashko Gjeçi e shqipëroi “Komedinë Hyjnore” të Dante Alighierit, njërit prej mjeshtërve nga më të mëdhenj të letërsisë si edhe të psikologjisë njerëzore, me tri pjesët përbërëse të saj. Ai gjithashtu shqipëroi edhe “Odisenë” e famshme të Homerit. Thellësinë e profesorit në njohjen thelbësore të gjuhëve prej nga shqipëronte dua t’ia ilustroj lexuesit me një shembull kuptimplotë. “Odiseja” është e shkruar në gjuhën greqishte të vjetër, por që nga shekulli VIII ose VII para Krishtit (kur mendohet se është hartuar nga autori), fillimisht u transmetua si gojëdhënë e derisa mori formë të shkruar. Nga kjo formë e shkruar, profesor Pashko Gjeçi vërtet e shqipëroi, por atij nuk i mjaftonte gjuha klasike greqishte e vjetër, sepse teksti ishte i ndërthurur nga tri të folme kryesore (tri dialekte), ajo atikase si edhe ato eolike si edhe jonike. Por Pashko Gjeçi e njihte aq me themel greqishten e vjetër me të gjitha ndikimet dialektore si edhe nëndialektore, sa që diti t’i dilte shqipërimit në krye me sukses.
Lexuesi i vëmendshëm mund ta ketë vënë re se si për të tre këta mjeshtra të fushës shqipërimeve unë nuk e kam përdorur emërtimin cilësor përkthyes, por i quaj shqipërues! Sa për një hedhje drite të përgjithshme, pjesa më e madhe prej ne mërgimtarëve mendojnë se janë të aftë të përkthejnë nga gjuha e huaj e vendit ku banojnë në shqip. Jo zotërinj. Tjetër është të përkthesh (ose të mendosh se përkthen), e tjetër është të shqipërosh. E pra, Pashko Gjeçi me shokët e plejadës së tij, jo vetëm përkthenin, por edhe shqipëronin! Këtej ta mësojë lexuesi se si profesor Guljelm Deda (me të cilin kam pasur nderin gjatë vitit 1951 të thyej gurë për më se tetë muaj radhazi në Malin e Taraboshit), më thoshte edhe përsëriste: “Shpesh, kah përkthej ndo’j varg të vështirë, a ma beson se kalojnë orë të tâna derisa e realizoj ashtu si m’tingllon mue n’vesh vyeshëm?”
I përmenda më lart dy dhimbje që e bashkëshoqëruan njëra-tjetrën tek mësova ndërrimin jetë të profesor Pashko Gjeçit: dhimbja për vetë profesorin si edhe dhimbja se me të u shua edhe pishtari i fundit i asaj plejade letrarësh të shquar!
E tashti i erdhi radha, në mbyllje të këtij shkrimi, edhe dy dhimbjeve të tjera.
E ftoj lexuesin të më ndjekë e të nxjerrë përfundimet. Nderimet që i janë bërë futbollistit posaçërisht të talentuar e të shquar Panajot Panos, më kanë gëzuar për së gjalli të tij. Të tjerat, mbas vdekjes së tij, e zbutën sadopak masën e keqardhjes për humbjen e tij, nisur nga vlerësimi i madh që iu bë edhe me këtë rast. Mirëpo lënia në hije, në heshtje si edhe krejtësisht mbas dore e ngjarjes madhore të ndërrimit jetë të profesor Pashko Gjeçit (në vazhdim edhe të pararendësve të tij, sa i takon kategorisë skajshmërisht intelektuale së cilës ajo plejadë i takonte), e rrëgjoi dukshëm krenarinë time si bashkëkombës dhe më bën ta pyes veten: A ka Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh në Shqipëri apo vazhdon edhe mbijeton po ajo e cila yll polar, krahas yllit të kuq, kishte edhe luftën e kllasave? A ka Institut Studimesh Albanologjike? A ka Akademi Shkencash? Apo të tri këto institucione shkencore vazhdojnë e veprojnë akoma me synimin që të ndiqet shtegu i paracaktuar nga diktatura që çdo arritje shkencore në Shqipëri zanafillën e ka pasur mbas 29 nëntorit 1944? Apo mos personalitete të këtij niveli i kemi me bollëk në Shqipëri?
Në përmbyllje, ja edhe brenga ime e fundit. Profesor Pashko Gjeçi në vargoren e shqipërimeve të tij, ka edhe njërën nga kryeveprat letrare të Göethe-s, “Faustin”. Rastësia e solli që ndërrimi jetë i shqipëruesit të “Faustit” të bëhet shkak që të trajtohet sot edhe një dukuri, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me mosvlerësim vlerash e talentesh të mëdha në fushën e arteve shqiptare. Në rastin e shqipëruesve që trajtuam sot, ka qenë e mallkuara luftë e kllasave e cila vlerësonte partishmërinë para vlerave shkencore.
Vijmë tek rasti konkret. Me 22 janar të vitit 2010, në Helsinki, kryeqytetin e Finlandës së largët, në Suomen Kansallis Ooppera, vihet në skenë opera “Faust” me muzikë të kompozitorit të famshëm francez Charles Gounod. Tre janë personazhet protagoniste të dorës parë të kësaj melodrame: Fausti, Margarita si edhe Mefistofeli. Dhe a ua merr mendja lexuesve të nderuar se, në pllakatat e reklamave të shpërndara anekënd Helsinkit, personazhi i Margaritës interpretohet me 22 dhe 29 janar si edhe në shkurt më 3 më 8 si edhe 13 nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho? Shtoj se kjo soprano, që tashmë ka pushtuar skenat e operave nga më të vlerësuarat evropiane, kudo që interpreton, kërkon që emri i saj të shoqërohet në pllakata me cilësorin Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho! Dhe unë pyes: Si ka mundësi që kjo soprano e cila duartrokitet me ovacione të publikut ngritur në këmbë në teatrot e operave më në zë evropiane e më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në kryeqytetin e Perusë, Lima, që arriti e ftuan edhe këndoi edhe në atë që konsiderohet caku më i madh i vlerësimit botëror, Metropolitani i Nju Jorkut, vazhdon dhe mbahet në hije në Shqipëri? Shikoj gazetat, ndjek lajmet nga Tirana, asgjë... heshtje. Asnjë njoftim rreth aktiviteteve në Finlandë. Nisur nga ky fakt ku institucioni përgjegjës i kësaj fushe e quan këtë soprano prapa listës, atëherë mendoj se duhet t’i shqetësoj instancat më të larta shtetërore dhe t’u vë në dukje se sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, tashmë e radhitur krahas elitës së sopranove të kalibrit botëror, e paemëruar nga shteti shqiptar, në fakt funksionon si Ambasadore e Kulturës Shqiptare në botë!
Duke e shikuar me sy kritik të kaluarën diktatoriale, ku më vlerë kishte një kooperativist i partishëm sesa një profesor me cene biografike (a ngeli njeri pa kësi cenesh në Shqipëri), e duke shpresuar që për hir të nderimit kombit tonë nga bota, vlerat tona duhet t’i qëmtojmë, inkurajojmë edhe mbështesim, se kësisoj e sendërtojmë të ardhmen, i hedh dritë figurës kësaj artisteje shkalle botërore mos ngjasë edhe me të si me Aleksandër Moisiun e madh për të cilin së gjalli Stefan Zweig pati pohuar: Moisiu sjell diellin e vendit të tij kudo që shkon, por si të tyrin e reklamojnë austriakët... ndërsa varrin e ka në Lugano të Zvicrës! A nuk qe shqiptar ai?
Nga Mërgim Korça - Gazeta Standard
Krijoni Kontakt