Shekulli
Qindra mijë amerikanë kanë protestuar në Nju Jork kundër politikave të presidentit Bush, ndërsa delegatët e Partisë Republikane u mblodhën për konventën e tyre kombëtare. Në radhët e protestuesve kishte kundërshtarë të luftës në Irak, aktivistë të të drejtave të grave dhe punëtorë të industrisë së çelikut, që kanë humbur vendet e punës. Disa mijë policë ishin në detyrë për të ruajtur rendin dhe qetësinë gjatë kësaj proteste, e cila u zhvillua pa incidente. Shumica e banorëve të Nju Jorkut, tradicionalisht, ka votuar për demokratët, por autoritetet e këtij qyteti po u kërkojnë banorëve që të tregohen mikpritës për republikanët. Republikanët janë mbledhur në Nju Jork për herë të parë në historinë e tyre me një objektiv qendror. Ata duan ta bindin komunitetin e vogël, por gjithsesi shumë të rëndësishëm të votuesve të pavendosur, se Presidenti Bush e meriton mbështetjen e tyre. Për këtë qëllim, podiumi i republikanëve do të dominohet nga politikanë liberalë, përfshirë disa folës që nuk konsiderohen si bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Bush, por që kanë vendosur ta mbështesin atë në fushatën për t'u rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë. Rudi Xhuliani, i cili ishte kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit më 2001, do ta krahasojë Presidentin Bush me kryeministrin britanik gjatë luftës së dytë botërore, Wiston Churchill. Ndërsa senatori republikan John McCain, për të cilin në një moment u tha se mund te kandidonte si zëvendëspresident për rivalët demokratë, do të theksojë se presidenti Bush nuk ka lëshuar pe në luftën kundër terrorizmit.
Krijoni Kontakt