Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell ka anulluar një vizitë të planifikuar për në Lojërat Olimpike të Athinës.
Një deklaratë e nxjerrë në Uashington nga zëdhënësi i tij, Richard Boucher thotë se zoti Powell kishte informuar homologun e tij grek, Petros Molyiatis se aktiviteti i ngjeshur e parandaloi atë të merrte pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave.
Deklarata nuk përmend demonstratat anti-amerikane që u zhvilluan në Athinë të premten.
Dje policia në kryeqytetin grek të Athinës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë më shumë se 2 mijë demonstrues që po protestonin kundër vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Powell.
Pati përleshje përpara ndërtesës së parlamentit, ndërsa policia u përpoq t'i ndalonte demonstruesit të arrinin tek ambasada amerikane.
Petros Konstantinou, nga grupi kundër globalizimit "GENOA 2001" tha:
"Ne nuk duam që Colin Powell të vijë në Greqi. Ne i kërkojmë autoriteteve greke të anullojnë këtë vizitë, pasi Colin Powell është personi që është shprehur se nuk e njeh frymën olimpike."
Krijoni Kontakt