Një nga krerët e fushatës Bush, zbulon se kishte dhënë këshilla ligjore për kundërshtarët e Kerry-t

Jep dorëheqjen avokati i fushatës së Bushit


Shekulli

CRAWFORD – Avokati kryesor i presidentit Bush për fushatën presidenciale, ka dhënë dje dorëheqjen, pasi zbuloi se ai i kishtë dhënë këshilla ligjore një grupi që akuzonte kandidatin demokrat presidencial John Kerry se ai kishte gënjyer për veprimtarinë e tij në Luftën e Vietnamit. Benjamin Ginsberg është personi i dytë që jep dorëheqjen nga fushata e Bushit, në lidhje me këtë grup të veteranëve të luftës në Vietnam, i quajtur (Swift Boat Veterans for Truth). Njerëzit që punojnë për fushatën e Bushit, këmbëngulin se nuk kanë asnjë lidhje me këtë grup dhe kanë hedhur poshtë akuzën e Kerry-t se ekipi që po punon për rizgjedhjen e Bushit po përdor këto “grupe frontesh” për të bërë fushatë. “Unë kam vendosur të jap dorëheqjen si këshilltar kombëtar i fushatës tuaj, duke ju siguruar se dhënia e disa këshillave ligjore për veteranët ushtarakë të dekoruar, gjë që është tërësisht brenda kufinjve ligjorë, nuk duhet ta tërheqë vëmendjen nga çështjet reale në të cilat ju dhe vendi duhet të fokusoheni”, - shkruante Ginsberg në një letër për Bushin. Një kopje e kësaj letre u bë e njohur edhe nga krerët e fushatës së Bushit. Ky debat i ashpër në lidhje me të kaluarën e Kerry-t në Vietnam, ku ai është dekoruar për merita dhe trimëri, ka mbizotëruar fushatën presidenciale kohët e fundit, për zgjedhjet që do të mbahen më 2 nëntor. Të dy kandidatët po përpiqen ta portretizojnë veten si njerëzit më të mirë për të drejtuar SHBA-të në luftën kundër terrorizmit. Ginsberg ka shërbyer për një kohë të gjatë si shefi i fushatës së Bushit. Ai zbuloi ditën e martë se, gjithashtu, kishte dhënë këshilla ligjore për grupin e veteranëve në fjalë, të cilët kanë sulmuar veçanërisht veprimtarinë e Bushit në luftën e Vietnamit. Këto sulme i kanë bërë, si në emisione televizive ashtu edhe në libra.
Por Mery Beth Cahill, menaxherja e fushatës së kandidatit presidencial John Kerry, bëri të ditur se dorëheqja e avokatit kryesor të fushatës së Bushit nuk i jep fund lidhjeve mes Bushit dhe grupit që po përpiqet të hedhë baltë mbi të kaluarën ushtarake të Kerry-t. Si lejtnant i Marinës, që komandonte një luftanije të vogël në Vietnam, Kerry është dekoruar pesë herë për vlerat e tij gjatë luftimeve. Ai ende ka një shenjë në këmbën e tij, shkaktuar nga plagët e marra. Por pas disa publikimeve të kundërta nga grupi i Veteranëve, ka rënë disi mbështetja për Kerry-n mes brezit të vjetër të kohës së luftës në Vietnam. Madje, sipas disa të dhënave, mendohet që grupi ka marrë financime nga disa përkrahës të Bushit. Vetë Bush ka thënë se Kerry duhet të jetë krenar për shërbimin e tij në luftën në Vietnam, por ai nuk e kritikoi veprimtarinë e Grupit të Veteranëve.