RD
------
Raca e Bolinove dhe mediat e krimit në Shqipëri
Historia e një grupi mafioz, që nga rikthimi i "Gazeta Shqiptare" e deri tek lindja e "News 24". Nga shërbimi ndaj fashizmit, në shërbim të krimit të organizuar
Karlo Bolino filloi botimin e "Gazetës Shqiptare" në Shqipëri para 12 vjetësh. Dihet botërisht se gazeta me të njëjtin titull i ka shërbyer me devotshmëri fashizmit në vitet '27-'39. Mirëpo nga dhjetra lloj titujsh që mund të sillte në Shqipëri, Bolino solli "Gazetën Shqiptare," gazetën që trumpetoi fashizmin. Arsyet i di vetë Bolino pse zgjodhi këtë gazetë. "Gazeta Shqiptare" ka lindur në analet më të errëta të agjitropit fashist, është vënë në shërbim të fashizmit me zellin e një agjenti të shpërblyer, që nuk ndalet para mjeteve për kryerjen e misionit. Shqipëria që mbajti një barrë të ndjeshme të kësaj barbarie kryqëzorësh të zinj, që i pagoi haraçin më të shtrenjtë Luftës Antifashiste në raport me numrin e popullsisë, trajtohet nga gazeta e Bolinos si vend konvalishence për trupat fashiste që më 7 prill 1939 zbarkuan në tokën shqiptare mbi kufoma martirësh, të cilët nuk e pranuan pushtimin fashist. Gjaku i tyre i derdhur në altarin e lirisë, aktet e tyre të qëndresës nuk përmenden fare në "Gazetën Shqiptare", që e quan zbarkimin italian në Shqipëri një akt madhor emancipimi për mirëqenien e popullit shqiptar.
Amplifikimi i triumfit fashist në Europë, mohimi me një të rënë të lapsit i kontributit madhor të popujve për shembjen e fashizmit, janë vetëm prologu i karrierës së gjatë të "Gazetës Shqiptare". Kjo gazetë që nuk tha qoftë edhe një fjalë për një luftë që bëhej diku në një vis të vjetër të Gadishullit, emrin e të cilit e përbaltte çdo ditë në krye të faqes, tani përpiqet të bëjë kozmetikën e të pavarurës.
Bolino nuk e ka përjetuar atë periudhë të zezë të vendit të tij, i cili nën sopatën fashiste provoi fatkeqësi të pallogaritshme si populli italian, ashtu edhe popujt e tjerë. Së bashku përjetuan egërsinë fashiste, por do të ishte e pabesueshme që ky i ri italian të mos ketë lexuar dhe mësuar në bankat e shkollës së Italisë së sotme demokratike mbi këtë histori të zezë që ka kaluar vendi i tij. Por gjithashtu është e pabesueshme që ky i ri italian, që mori përsipër "Gazetën Shsqiptare" të Pulias në Shqipëri, të mos ketë patur informacion se çfarë përfaqësonte dhe kujt i shërben në Shqipëri kjo gazetë që në vitet '27-'39.
Edhe pse "Gazeta Shqiptare" njihej botërisht për mbështetjen që i kishte dhënë fashizmit, Bolino e solli atë në Shqipëri para 12 vjetësh. Bolino nuk njihej as si gazetar dhe as si biznesmen në Itali, por kishte zëra se ai kishte lidhje me organizatën mafioze Sacra Corona Unita. Flitet se edhe financimet për botimin e gazetës dhe të televizionit të tij, Bolino i merr nga kjo organizatë mafioze. Që në numrin e parë të botimit të "GSH" në Shqipëri u vunë re qëndrimet antishqiptare dhe cungimi i gjuhës shqipe. Nga numri në numër, kjo gazetë u bë një zëdhënëse dhe mbështetëse e organizatave kriminale e mafioze.
Mjafton të përmendim faktin se gjatë gjithë këtyre viteve që vendi ynë drejtohet nga qeveritarët më të korruptuar të kontinentit, mediat e Bolinos kanë qenë shërbyesit më të mirë të interesave të këtyre të korruptuarve. Jo vetëm kaq, por "GSH dhe "N24" janë kthyer në shërbëtorë të klaneve mafioze, që janë fuqizuar së tepërmi gjatë këtyre viteve të fundit. Qeveritarët e korruptuar dhe klanet mafioze që mbështeten prej tyre, kanë gjetur terren përkrahjeje në mediat e Bolinos. Karlo Bolino dhe bolinot që e rrethojnë atë, e kanë shndërruar gazetarinë në një bordello, duke e vënë në shërbim të interesave mafioze të gjithë qeveritarëve.
Jo pa qëllim Bolino zgjedh në rrethin e ngushtë të tij njerëz mediokër dhe pa dinjitet, për t'i përdorur dhe për t'i vënë në shërbim të klaneve mafioze.
Mjafton të përmendim faktin që nga vrasja e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit, e deri tek krimet e tipit mafioz, kriminelët gjithmonë kanë gjetur mbështetje dhe përkrahje në gazetën e Bolinos. Sa herë që kanë ndodhur ngjarje të rënda, gazeta dhe televizioni i Bolinos gjithmonë kanë mbajtur krahun e kriminelëve, duke abuzuar me viktimat. Të gjithë e kanë në kujtesë manipulimin që bëri televizioni i Bolinos "N24" me fatkeqësinë e vrasjes së biznesmenit Florian Vila. Askush nuk mund ta besojë që paratë e pista të mafias dhe të grupeve kriminale nuk janë derdhur drejt mediave të Bolinove, për të deformuar të vërtetën dhe për të futur në qorrsokak hetimet.
Ky televizion fabrikoi lajme, duke e cilësuar bashkëshorten e tij si të akuzuar për vrasjen e Vilës, pa asnjë provë. Të njëjtën gjë bëri edhe me atentatin ndaj profesor Ylli Pangos, i cili shpëtoi për qime, pasi i shpërtheu në garazhin e shtëpisë së vet bomba e vendosur nga terroristët. Burime të sigurta i kanë deklaruar RD-së se një shumë e madhe të hollash është paguar për "Gazetën Shqiptare" atëherë, që të shmangej pista e hetimit. Ka shumë mundësi që pas atentatit të fshiheshin anëtarë të bandës së famshme "Hakmarrja për drejtësi", e cila i ka ruajtur të paprekura marrëdhëniet e saj me racën e Bolinove. Kështu ndodhi edhe me vrasjen e komisar Malushit, e kështu me radhë.
Këto media, që qelben nga paratë e krimit, kanë bërë gjithçka për të humbur gjurmët e vrasësve dhe për të vështirësuar punën e hetimeve nga prokuroria. Dhe kjo ka ndodhur sa herë që janë vrarë apo rrëmbyer biznesmenë dhe qytetarë të pafajshëm.
Gazeta "RD" ka ndërmend që të ndërmarrë një hetim serioz jo vetëm për historinë e mediave që kontrollohen sot nga Bolinot, meshkuj apo femra qofshin, por mbi të gjitha për burimet e të ardhurave dhe për abuzimet administrative që janë kryer në favor të "lulëzimit" të këtij shtypi, që bie erë Sacra Corona Unita. Shprehim bindjen se kjo do t'i shërbejë jo vetëm organeve të drejtësisë, por edhe lexuesit, i cili do të çlirohet nga shumë enigma që e mundojnë për qëndrimet e tmerrshme që në raste delikate kanë mbajtur mediat e kontrolluara nga Bolinot.
------
Krijoni Kontakt