Fil C. është përpara derës sime i zymtë në fytyrë. E ftoj të hyjë brenda dhe ai i hutuar bën përpara meje duke më shtyrë lehtë me duar.
-Ulu,-i them,-Si është puna?
Fili shikon rreth e rrotull shtëpinë. Është hera e parë që vjen brenda.
-E bukur,-thotë.
Unë i buzëqesh. Jam në pozitë, nuk kemi qenë asnjëherë miq të mirë të dy.
-Dua të më ndihmosh! Kam rënë keq në borxh. Duan të më marrin shtëpinë!
-Ti jeton në apartament me qera,-i them i habitur.
-Atë të prindërve.
-Sa të duhen?
Fili bëri një gjest me shenja.
-Milionë?!-klitha unë i habitur.
Ai uli kokën i vrarë.
-Vetëm ti mund të më ndihmosh!
-Megjithatë…Dëgjo, Fil…
-E dija,-më ndërpreu. I zemëruar me veten, më dha dorën, e mbajti pak në ajër, pastaj bëri të zhdukej me shpejtësi, për të vrarë veten. E ndalova vetëm në dalje, e futa me zor brenda dhe i thashë:
-Po shikoj sa e kam gjendjen…Pas ca minutash, u ktheva duke i dorëzuar gjithë shumën në duar. Fili më pa i fantaksur. Nuk iu besoi syve. Unë i rraha krahët, e urtë e butë e përcolla deri jashtë.Mbylla derën me çelës, e quajta veten budalla, pastaj e stakova mendjen, mora një shishe që e thava përgjysmë dhe ia këputa gjumit.
Një javë më vonë, Fili u paraqit prapë në shtëpinë time. Këtë herë ishte si zot në vendin e tij. U fut brenda, u ul te vendi ku kishte qenë herën e parë e më tha:
-Ndonjë gjë për të pirë?
Unë u drejtova të mbush gotat. Kur u ktheva, pashë që kishte vënë mbi tavolinë një grumbull parash. I shikonte me vëmendje, mos i shpëtonin deri sa të vija unë.
-I kam numëruar,-tha.-Janë të gjitha.
Unë bëra “Po”, me kokë, pastaj i hoqa prej andej dhe u ula afër tij.
-Ke qejf të vish sot me mua?-më tha papritur. Unë e pashë drejt në sy. E kishte seriozisht.
-Do shkojmë te shtëpia e prindërve. T’i takojmë. Më ndihmove seriozisht për ta mbajtur atë shtëpi…
-Domethënë shtëpinë e kishe lënë peng me gjithë prindër, brenda?-qesha me zë kurse Fili vazhdoi të këmbëngulte:.
-Si thua?-pyeti.-Drekojmë andej sot!
Unë, që s’kisha gjë më të mirë për të bërë, pranova dhe shkova të vishem.
-Nuk kemi qenë ndonjëherë miq të vërtetë,-dëgjoja Filin nga dhoma tjetër.
Fili m’u duk edhe më i shkarë nga rruga e zotit.
-Shkojmë,-i thashë, e vendosëm që rrugën ta bënim me makinën time.
& & &
-Ja ku është,-më tregoi Fili një shtëpi të vogël, që i ngjante një barrake të mbajtur mirë. Unë çapleva sytë nga habia. Pas dy orësh rrugëtimi, Fili po më tregonte një gjë me të vërtetë të rrallë.
-Si ka mundësi?-e pyeta duke menduar për shumën e madhe që kishte lënë për atë shtëpi. Ai nuk u përgjigj. Vetëm më drejtoi ku të parkoja makinën. Ishim jashtë qytetit. Për herë të parë dallova një si kopësht të vogël ku rritej bari. E kishin rrethuar me një gardh të lyer me të bardhë. Ngrita supet, dola nga makina dhe vendosa të ndjek Filin.
-Mund të presim aty,-më tha duke drejtuar gishtin drejt dy stolave, të vendosur rreth një tavoline.
-Unë po hyj brenda, po përgatis për të pirë.
I ndoqa këshillat e tij. U ula të pres. Fili ishte brenda. Kur hapi derën, ndjeva një rrymë ajri që u ngrit deri afër meje, pastaj sikur dëgjova një zë të dobët, që thoshte të njëjtën frazë: -Erdhe bir…
Nuk e dija përse, megjithatë s’isha rehat, e po kruaja pa kujdes kokën. Kjo shtëpi i ngjante një barange, unë e thashë, megjithatë…Kopshti ku u ula kishte një rrip toke ku rriteshin ca lule të verdha, të bukura. Iu buzëqesha me mirësjellje, pastaj fluturova në mendime të tjera. Fili kur më preku nga prapa më bëri të hidhem në ajër.
-Ç’ke? Ke frikë?-më pyeti me djallëzi ai, duke vendosur një shishe në tavolinë. –Kjo është shtëpia ime! Rri i qetë, ç’pret?-dhe e përplasi gotën me mua. Një tingull i qartë, shumë më i fortë se ai zë që kisha dëgjuar përpara. Sikur Fili më thoshte të bëja kujdes, mos prekja gjë me dorë.
-Shtëpi e veçantë,-fola unë. Fili qeshi.
-Kjo është shtëpi që flet,-më tha.
E pashë drejt në sy.
-Kur fle këtu, zgjohem natën i skuqur me të puthura në faqe. S’të besohet? Po sikur të të thosha që janë ca duar që më përkëdhelin gjithë natën. Është gjë e rrallë, të më besosh.
-Fil, t’i lemë këto,-i thashë duke i rrahur shpatullat.
-Këtë shtëpi e kam ndërtuar me shumë durim.-vazhdoi ai. –Që ta dish, e kam nisur si projekt këtu e kur isha akoma fëmijë.
-Ti më thua që këtu jetojnë…
-Pikërisht! Më kujtohet si sot, ditën kur vendosa gurin e parë.
-Themelet?
-Kisha kaluar një natë të tërë pa gjumë. Vuaja keq nga bajamet. Afër kokës kisha nënën që më mbante pas vetes e më puthte që të merrja frymë. Qante, vërtet, edhe unë kisha dhimbjet e mia, megjithatë kalova, mund të them, një natë të lehtë pupël. Ajo që më shtrëngonte pas vetes, e unë që më në fund iu dorëzova lodhjes e fjeta duke buzëqeshur. Të nesërmen, në mëngjes, u ngrita më herët se gjithë të tjerët. Ndihesha i shëruar. Kisha veshur, tamam, ashtu është, një palë treçerekëshe me xhepa të gjerë. I mbusha sa munda më të puthurat e nënës sime, hipa biçikletën e udhëtova e udhëtova deri sa erdha këtu. Një pjesë e puthjeve kishin rrënë rrugës, më ndiqnin sikur të isha perëndi, unë majë biçikletës ato më këmbë. Ç’gallatë që ishte, për atë zot. Hapa një gropë të vogël, i futa brenda, e dija që do rriteshin! Tani, mure më të fortë se të kësaj shtëpie, s’gjen në gjithë botën,-dhe Fili u ngrit më këmbë, eci drejt mureve, mbështeti faqen e kur u kthye afër meje,për çudi, kishte një skuqje të dukshme sikur ta kishin puthur dy çaste më parë në fytyrë.
Unë u sprapsa pak. Ai qeshi. –Shko tha, provoje!
Iu afrova murit. I mbylla sytë, e preka me duar.
Asgjë. U ktheva nga Fili duke ngritur supet.
-Provo ta përqafosh,-tha, e unë s’arrita të kap si duhet atë faqe muri, kur ndjeva një afsh të ngrohtë që depërtoi deri në thellësi. Isha skuqur, kur u ktheva, ndërsa Fili po më zgjaste një shami duke më shtrënguar të fshija buzëkuqin.
-Që të mos habitesh kur të hysh brenda: të gjithë muret janë ngjyer në një të verdhë të zbehtë. Ditën kur vdiq i ndjeri babai im, unë hoqa fshehurazi fytyrën e tij, gjeta të kap edhe një dritë shikimi që s’kishte dhënë shpirt akoma, i mora me vete e majë biçikletës sime erdha deri këtu. Nuk isha i gëzuar si më përpara. Vetëm qaja, biçikletës i jepja me gjithë fuqinë, sikur me të arritur në vend, do mund të gjeja paqe. Nuk ishte aspak e vërtetë. I bëra muret me vështrimin e zbehtë të tim eti, e kur dola këtu, ku jemi ne, bëra një gjest të pakuptimtë. I shkunda duart nga pushi që më kishte mbetur akoma, e ja ku janë…Të pëlqejnë ato lulet e verdha te rripi i tokës atje? Kanë një aromë shumë të ëmbël. Prej tjetër bote…Është kështu siç po të them!
Unë ndjeva të më ngjethet mishi. Nuk iu afrova atyre luleve, ndjehesha në faj që kisha buzëqeshur pak më përpara.
-Mos u mërzit,-tha Fili, unë gjërat nuk i them sipas rendit të duhur. Eja me mua,-e më tërhoqi pas dore përmes barit. Ndalëm në një shelg të njomë, me gjethe që fëshfërinin në çdo hap tonin. Fili s’e pati për gjë të priste një cep të gishtit, e me gjakun që kullonte ushqente bimën dhe veten.
-Këtu janë recitimet e babait,-tha,-ke qejf të dëgjosh?
Ç’trishtim,në këtë qytet të pushtuar nga vdekja,
Që po më vdes edhe mua pak nga pak!
Më vjen të rrëmbej shpirtin e të zhdukem,
Sa më larg prej tij,sa më larg!…
Ai vetëm lëvizte buzët e poezisë së mësuar përmendësh, kurse shelgjet luanin një zë burri që vinte prej së përtejmi.
Unë shtanga përtokë, kurse Fili priti të mbaronin vargjet, ledhatoi gjethet e shkuli një fidan të vogël që ma vendosi në duar.
-Ta dish që nuk është e lehtë të marrësh me vete gjëra të tilla. Përgjohesh nga ligji, unë e di, është e ndaluar , por s’kam ç’të bëj.
Është më e fortë se mua. Kujdes aty…
Dhe unë kërceva i trembur në ajër. Ishte diçka nëntokësore, që lëvizte si urith e vende- vende fryhej derisa pëlciste në ajër, në një gjëmim të bujshëm dheu. Sa u tremba herën e parë.
-Ç’është kjo?-i thashë Filit.
-Kisha qejf të merrja me vete zënkat tona. Ato i groposa thellë, e atyre vetëm rrallë iu teket të dalin jashtë. Sa kënaqem! E dëgjon zhurmën e tyre?Bukur! E paimagjinueshme, e sa frikë kisha atëhere. Një njeri me mend nuk duhet të shpërdorojë asgjë,- vazhdoi Fili.
-Po brenda, brenda do më futësh,-i thashë aq kurioz sa kurrë ndonjëherë.
-Brenda? Aty është aq bukur sa s’e merr dot me mend!Sa futesh, majtas, gjendet një skrivani e mbushur përsipër me fletë të bardha. Vetëm të nisesh e të dëgjosh historira nga më të bukurat. Unë i kisha shumë qejf kur isha fëmijë. Nëna ime më tregonte duke shtrënguar dorën time fort. Nëse kërkon të ecësh, gjen një neon të fshehur, që ndrit në shkrepëtima. Unë i kisha frikë atëhere. Kur kacafyteshin njeri me tjetrin, unë mbushja xhepat me klithmat e tyre, e i fusja me kujdes, një nga një, brenda neonit, që sot rrokulliset pr hesap të tij. Ç’të të them. Edhe unë vetë bëj shumë kujdes të futem brenda. Kam frikë mos shkel mbi tapetin e derës, se pastaj e gjej veten përtokë. I shmangem këtij rreziku, pastaj dëgjoj pëshpëritjet e nënës që më fryn në vesh, kërkon të më largojë syrin e lig e të tjera si këto.
-Si është e mundur?-e pyes. –Kur do futemi brenda?
Fili me merr pas vetes, ne i largohemi akoma më shumë hyrjes. Gjejmë një pemë, ku Fili ngjitet si majmun e më fton ta ndjek pas. Këtu së larti, tha, mund të shohësh tymin e bardhë. Babai im kishte aq qejf të tymoste. E gjithë shtëpia jonë ka qenë e mbuluar nga një re e tillë, se unë s’doja t’i mungonte kjo gjë.
Fili vazhdoi të recitojë:
Ti nuk më do.
S’ka gjë.
Të dua unë.
Jam mësuar të jap
dashuri që s’më kthehet!
E shikon sa bukur? Brenda nuk futemi dot!
-Nuk është mirë aty?-pyeta.
-Jo, nuk mungon gjë. I kam rregulluar të gjitha. Dhomat janë model. Një tjetër veç meje nuk hyn dot.Më është dashur shumë sakrificë t’i bëj të gjitha.
-Sakrificë?
-Domethënë që s’i kisha të gjitha gati. Më kupton? Nuk është se prindërit do të m’i jepnin të gjitha? Mua më mungonin edhe gjërat më elementare për të bërë një shtëpi të tillë.
-Fil…
-Ishte e domosdoshme ta bëja! Prita të japë shpirt nëna dhe mora prej saj ato që më nevojiteshin. Sot janë këtu, siç e shikon…Të lutem! Mos më shiko ashtu! E di që ka qenë jo korrekte nga ana ime, por tek e fundit bashkova copërat e ja ku janë, të dy, të tre, bashkë me mua, nën një çati. S’është bukur,-tha Fili. –Kështu s’mund të mbetem asnjëherë vetëm. Sa shumë i dua.
…Më prit ca këtu,-dhe u largua me vrap, prapë brenda shtëpisë.
Unë ndjeva ethe të ftohta përbrenda. Fili kishte nxjerrë kokën nga dritarja e po më bërtiste:
-Ej, ka vend edhe për diçka tënden këtu brenda. E di, s’kemi qenë shokë të vërtetë, por që sot them se duhet…
Unë ngriva në vend. Fili qeshte.
-Ti duhet të japësh shpirt sot! E vendosa. Sa bukur! Të pëlqen?...Më prit pak,-ia bëri. –Nënë, më ndihmo pak për drekën! Baba, nuk vure mend duke lexuar politikën e qytetit? Kemi miq sot!
-Fil, Fil,-thashë me zë të shuar kurse ai ishte futur brenda. Kishte shumë gjëra për të bërë. Këtë e mora me mend. U smprapsa e për dreq kisha shkelur ca lule që s’i kisha parë. Edhe Fili do kishte harruar të më fliste për to. U bëra keq. Në nxitim e sipër kisha rrëzuar një shandan që qëndronte më këmbë bri meje. Në majën e gishtave, gjeta rrugën deri tek makina. As vetë s’e di si është ndezur ajo makinë. Di vetëm që s’ktheva dot kokën mbrapa. Më dukej sikur nën hundë ndihej një erë e rëndë tymi. Pastaj aroma e një gjelle që më ftonte të kthehesha pas. Fili ishte mjeshtër për këto.
Kur arrita në shtëpinë time isha fundosur në dyshime të kobshme, frika që s’më kishte braktisur asnjë çast më dëboi prej makinës të mbyllesha brenda me çelës. Në gjithë atë nxitim, pa dashje, kisha shkelur tapetin në hyrje të portës. Ndjeva ethet në gjithë trupin, u ula në gjunjë e fola me veten duke kujtuar tek sendet që kisha brenda dhomës, fjalë-lëvizjet e prindërve të mi të gjorë!
Krijoni Kontakt