Në Prishtinë sot i filloi punimet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Prishtinë, 16 gusht - Në Prishtinë sot i filloi punimet Seminari Ndëkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, me mbi 100 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në hapje të Seminarit, drejtori prof. Fadil Raka tha se edhe edicioni i sivjetshëm synon të zhvillojë një veprimtari të shumanshme: kurse intensive në mësimin e gjuhës shqipe në tri nivele, do të mbahen shtatë ligjërata nga gjuhësia dhe letërisa si dhe do të mbahen dy sesione shkencore.
Një temë tjetër e këtij Seminari do t'i kushtohet 100-vjetorit të vdekjes së rilindësit tonë të shquar, Sami Frashëri.
Duke përshëndetur seminarin e sivjetshëm, ministri i Arsimit Rexhep Osmani, pasi premtoi mbështetjen për këtë seminar, tha se ai po shton fuqishëm zhvillimin e dijes në fushën e albonologjisë.
Ndërkaq, kryetari i ASHAK Rexhep Ismajli vlerësoi punën e Seminarit dhe siç u shpreh, ai është bërë "një institucion me peshë të veçantë shkencore, kulturore dhe kombëtare, institucion me potencë krijuese".
Këtë Seminar e përshëndeti edhe Luan Omari, zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Organizatorë të Seminarit janë Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë dhe Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, kurse sponsorues është Ministria e Arsimit të Kosovës.
Krijoni Kontakt