Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    Vetvendosje Maska e INDRITI
    Anëtarësuar
    14-11-2002
    Vendndodhja
    I ulur ne zemren e njeres.
    Postime
    2,170

    Mrekullia Dhe Komentimi I Kur’anit NË DritËn E Njohurive TË Reja Shkencore

    All-llahu i madhërishëm në Kur’anin famëmadh urdhëron e thotë:

    “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt” (Ali Imran, 190)

    Kur’ani fisnik në këtë verset pasqyron tablonë e qetë të ndikimeve kozmike në vetëdijen e matur, e njëheresh i orienton zemrat dhe shikimet e besimtarëve vazhdimisht, në këtë libër të hapur, faqet e cilit shfletohen gjithnjë.
    Në këtë univers paraqiten shenja e cila frymon, inspiron dhe mobilizon në natyrën e matur të njeriut ndjenjën për vërtetësi e vendosur në faqet e këtij Libri dhe projektin e kësaj godine, mobilizon dëshirën për përgjigje Krijuesit të multiuniversit. Të mençurit të cilët posedojnë intelekt, hapin sytë për t’i pritur shenjat kosmike të All-llahut. Ata me tërë qenjen e tyre orientohen drejt All-llahut të madhërishëm me sinqeritet, me zemër, në këmbë, ulur dhe të shtrirë.
    Sytë u hapen e njohin dhe në këtë arrijnë të vërtetën e gjithësisë të cilën e ka krijuar All-llahu Fuqiplotë, njohjen e qëllimin të ekzistimit të gjithësisë, shkakun e krijimit të saj dhe natyrën e saj për nënshtrim; e njohin këtë me frymëzimin i cili bashkon zemrën e njeriut dhe ligjet e kësaj qenësie.
    Sikur ta nxjerrnim ndjenjën tonë prej shoqërimit të qetë me natyrën dhe përsëritjes së qetë të kësaj shenje, do të lëkundeshin të gjitha vizionet tona, do të luhateshin ndjenjat tona, do të kuptonim me siguri se pas kësaj harmonie do të ekzistojë një Krijues absolut i cili këtë e sjell në përshtatje, do ta kuptonim që prapa këtij preciziteti duhet të ekzistojnë ligjet tejet madhështore të cilat mbretërojnë dhe i mbrojnë këto mrekulli kosmike.
    Teksti kuranor këtu i pasqyron në detaje hapat e lëvizjes psiqike të cilat i shkakton orientimi kah skena e qiejve dhe Tokës, kah ndryshimi i natës dhe ditës në ndjenjat e atyre që kanë intelekt.
    Teksti njëkohësisht është inspirues dhe pasqyrues.
    Ai i orienton zemrat nga programi i drejtë në bashkëpunim me natyrën e gjithësisë dhe vërtetësinë e saj, paraqet përshtypjen e fituar përmes ligjeve dhe inspirimeve kosmike, dhe bën që librat e hapur të gjithësisë të bëhen libër të njohjes për njeriun – besimtarin, njohje e bashkimit me All-llahun dhe atë që e krijon dora e All-llahut.
    Kjo bashkon fillimin e orientimit të zemrës nga të përmendurit e Tij në këmbë, ulur dhe i shtrirë dhë të përshtaturit lidhur me krijimin e qiejve dhe Tokës dhe ndryshimit të natës dhe ditës.


    Të përshtaturit mbi krijesat e All-llahut, të shikuarit e librit të hapur të gjithësisë dhe të soditurit – përcjellja e dorës kreative të All-llahut, lëvizjes së kësaj gjithësie, është adhurim. Sikur të lidheshin njohuritë kosmike të cilat e hulumtojnë esencen e Kosmosit, ligjet e tij, energjinë e tij dhe atë që në kosmos është e fshehur, e fshehur në sekretet dhe fuqitë e tij, sikur të bashkoheshin të gjitha këto njohuri me të kujtuarit e Krijuesit të këtijj kosmosi, me ndjenjën e madhështisë së Krijuesit dhe mirësisë së Tij, përnjëherë kjo do të ndryshonte dhe do të shndërrohej në ibadet ndaj Krijuesit të këtij kosmosi. Jeta do ti fuqizohej në këto shkenca dhe do të orientohej nga All-llahu i madhërishëm.
    Simptomet e All-llahut Fuqiplotë në kosmos paraqiten në realitetin e tyre inspirativ, por vetëm për zemrat e njerëzve të devotshëm, të cilët All-llahun e përmendin në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Këta njerëz janë ata të cilët persiatin mbi krijimin e qiejve dhe tokës dhe mbi ndryshimin e natës dhe ditës. Këta janë ata të cilët me këtë janë lidhur me programin hyjnor i cili shpie në mirësi dhe shpëtim. Mirëpo, ata që qëndrojnë me duar kryq para fenomeneve të kësaj jete tokësore dhe arrijnë deri te disa fshehtësi të fuqive kosmike, pa këtë lidhje dhe bashkim, e rrënojnë jetën, e rrënojnë vetveten me këto fshehtësi të cilat i kanë arritur, e shndërrojnë jetën e vet në ferr të mjerë dhe shqetësim, i cili njeriut ia zë frymën. Ata përfundojnë me zemrimin e All-llahut dhe dënimin e Tij në fund të bredhjes.

    “... Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh...” (Ali Imran, 191)

    Nuk e krijove këtë kosmos së koti dhe pa qëllim, por të jetë vërtetësi e ekzistimit të Tij, ndërsa vërtetësia është ligj i Tij. Ai nuk është gjë e kotë siç mundohen ta paraqesin disa filozofi. Ky kosmos qarkullon sipas një ligji dhe nuk i është lënë anarkisë.
    Ky ëshë kontakt i cili në mendjen e të mençurve e ngulit ndjenjen e vërtetësisë origjinare mbi sajimin e këtij kosmosi dhe na zgjidh gjuhët për ta madhëruar All-llahun dhe për ta eliminuar çdo mendim se krijimi i kësaj bote është i pavërtetë.
    Pasojnë aktivitetet shpirtërore drejt takimeve të këtij kosmosi dhe frymëzimit të tij:

    “... ruana prej dënimit të zjarrit. Zoti ynë, atë që Ti e fute në zjarr atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtar!“ (Ali Imran, 192)

    Kjo është e çuditshme mbi grupin e ndjenjave të largpamësit. Atëherë zgjidhen gjuhët e tyre, e shprehin këtë lutje të gjatë, me devotshmëri, frikë, zë dridhës, i drejtohen All-llahut të madhërishëm me melodi të bukur me ritëm gjegjës dhe ashpërsi të shkretëtirës në rrokje me melodi.
    Duhet të përqendrohemi para dridhjes së parë derisa njerëzit janë drejtuar nga Zoti i tyre duke e lutur t’i mbrojë nga denimi dhe zjarri. Duhet të përqendrohemi para fjalëve të tyre:

    “Zoti ynë, atë që Ti e fute në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë!” Ali Imran, 192)

    Këto ethe , të cilat i godasin para se gjithash janë tronditje nga turpi për shkak të mjerimit të qe ndiejnë banorët e ferrit. Ata këtë e ndiejnë më fort se djegia e zjarrit.
    Këto ethe, kjo tronditje, shkakton tek ata ndjenjë të tmerrshme që ata nuk kanë askë që do t’u ndihmonte, se tiranët nuk kanë ndihmëtarë!
    Të gjitha yjet, planetet, dielli, hëna dhe galaktikat janë shenja të All-llahut të madhërishëm. I tërë multiuniversi është libër i hapur i Tij, çdo pjesë e kosmosit është një mrekulli e përsosur hyjnore e cila mahnit të diturit.
    Vlen të theksojmë se fjala qiell-tokë (es-semavatu vel erd) përmendet në 81 kaptina të Kur’anit famëmadh. Fjala tokë (erdun) përmendet 453 herë, ndërsa qiell (semaun) 297 herë. Vetëm në kaptinën Bekare qielli dhe toka përmenden 38 herë. Përse?
    Që të zbulohen ligjet e përpikta të kosmosit dhe ligjet e përkryera ndërplanetare që i krijoi All-llahu i Plotfuqishëm në harmoni eklantante.
    Që shkenca t’i studiojë këto ligje të harmonizuara duke mos e çrregulluar këtë precizitet.
    Njeriu si ekzemplar i rëndësishëm i këtij universi, të cilin e krijoi i Gjithëfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi për qëllime të larta e fisnike, e mbi të gjitha ta njohë krijuesin e vet, siç bën aluzion verseti kur’anor:

    “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pervec që të më adhurojnë”. (Edh Dharijat,56)

    Ngase adhurimi i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj All-llahut të madhërishëm e udhëheq njeriun deri në njohuri të vërtetë të Krijuesit.
    Pra, sipas kësaj, njeriu është aktivitet kreativ, shprit që pandërprerë përparon, ngritet prej një gjendjeje në gjendje tjetër, siç përkujton verseti kuranor:
    “Betohem në kuqerrimin e horizontit pas perëndimit. Dhe në natën dhe çka ajo tubon. Dhe në hënën kur ajo është e plotë. Ju patjetër do të përjetoni gjendje pas gjendjeje.”
    (El Inshikak, 16-19)


    E gjithë kjo shikuar përmes Kur’anit është njëra nga dëshmitë më të mëdha të All-llahut të madhërishëm, për ata që shohin realitetin dhe se krijimi i qiejve dhe tokës s’është rezultat i ndonjë loje të paqëllim, siç bën aluzion verseti i Kur’anit fisnik:
    “Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe çka ka ndërmjet tyre, pa një qëllim” (Ed Duhan, 38)
    Pra, këtë univers, të krijuar nga Mjeshtri i Përsosur, ia la premtim dhe nënshtrim njeriut, detyra e të cilit është të mendojë, meditojë dhe të përsiatë mbi shenjat, dëshmitë dhe faktet e All-llahut të madhërishëm, kështu që, në këtë mënyrë t’i sigurojë vetes mjete për ngadhënjim dhe fitore të vijueshme mbi kozmosin si faktor konkret e real e njëkohesisht imperativ i Kur’anit famëmadh:

    “Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhërin e Tij. Vërtetë, në këto ka argumente për një popull që mendon.” (En Nahl, 12)


    Njerëzit gjithmonë janë fascinuar nga mijëra drita vezulluese që spërkaten në qiellin e natës. Prej planetit tonë me sy të thjeshtë mund të shohim afro 6000 yje.
    Sipas shkencëtarëve, drita e diellit është 3000 trilion qirinj, ndërsa e yllit Sirius, 26 herë më e fortë. Ka yje të largëta që kanë dritë 100-500 herë më të fuqishme se Dielli.
    Para katërmbëdhjetë shekuj Kur’ani fisnik e drejton njerëzimin nga e vërteta!

    “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, as nata para ditës, por secili noton në një galaksion.”(Jasin, 40)
    Këtu dukshëm qëndron fakti esencial, d.m.th. ekzistimi i orbitave solare dhe lunare, të cilat i konfirmon astronomia moderne.
    Kur’ani famëmadh flet për Diellin, Hënën dhe dobitë e tyre për njerëzit, jo vetëm si burime të dritës, por edhe batica dhe zbatica e valëve bregdetare bëhet nën ndikimin e Hënës.
    Lexojmë me vëmendje versetin e Kur’anit fisnik:
    “Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe Diellin e Hënën, dhe yjet janë të nënshtruar më urdhërin e Tij. Vërtetë, në këto ka argumente për një popull që mendon”. (En Nahl, 12)

    Njekohesisht Dielli dhe Hëna shërbejnë si çështje
    referimi për kozmosin dhe për të njehsuar kohën (muajt solarë dhe lunarë):

    “Ai e bëri Diellin shëndritës, e Hënën dritë dhe asaj (Hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton”.(Junus,5)

    Edhe afati i Diellit është i përcaktuar. Kur’ani i lavdishëm në këtë çështje është eksplicit:

    “Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit,të Dijshmit”.(Jasin, 38)

    Dielli është i mbushur përplot me gazra të përbërë nga dy mijë trilion tonelata (2x10 ) materie së bashku me mbeturinat e elementeve tjera.
    Për secilin milion atome të hidrogjenit ka afër 85.000 atome të heliumit dhe vetëm përafërsisht 1000 atome të elementeve të tjera. Një varg reaksione fuzive nukleare, të cilat vezullojnë shndërrimin e hidrogjenit në helium ngjajnë në një shkallë shumë të lartë duke liruar sasi shumë të mëdha energjie në formë të nxehtësisë, dritës, x-rrezeve etj.
    Kur temperatura e brendshme do të arrijë 100 milion Kelvin, heliumi (i prodhuar nga ndezja e hidrogjenit) vetvetiu do të fillojë të ndizet. Kjo do të ngjajë shpejt, duke formuar nje bërthamë karbonike. Rreth kësaj bërthame të ndezur nga jashtë do të fillojë ndezja e heliumit, e më tej do të fillojë të ndizet edhe cipa e hidrogjenit.
    Energjia e madhe e liruar nga këto dy cipa do t’i shtyjë përtej shtresat e jashtme të Diellit, derisa të arrijë orbitën e Jupiterit.
    Astronomët e ditëve të sotme kanë llogaritur se Diellit i kanë mbetur edhe 4,5 milion vite deri në fund. Saktësinë e di më së miri Krijuesi i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Këtë që do të ndodhë me diellin na përkujton verseti kuranor në kaptinën e palosjes:

    “Kur dielli të jetë mbështjellur (errësohet) Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur)”(Et Tekvir, 1-2)
    Dhe atëherë do të ndodhë dita e Kijametit (kataklizmës) dhe natyrisht Diellit do t’i vijë fundi i tij (mustekarr):

    “Kur është dita e kijametit?” E, kur të merren sytë (të parët)? E, të zihet Hëna (errësohet). Dhe të bashkohet Dielli e Hëna”. (El Kijame, 6-9)
    Pra, All-llahu i Gjithëfuqishëm, e këshillon njeriun që t’a zgjërojë diapazonin e hulumtimeve njerëzore duke e udhëzuar në përsiatje dhe në të menduarit mbi “tërë pushtëtin e madh në qiej e në tokë”.
    Andaj rezultati dhe qëllimi i hulumtimit në Tokë e në qiej, si dhe në tërë atë që ekziston duhet të jetë njohuria mbi Krijuesin, sepse në të kundërtën gjithë studimet , argumentet dhe porositë të cilat i theksoi All-llahu i madhërishëm në Kur’an, do të jenë të padobishme, siç thotë vetë Kur’ani famëmadh:
    “Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një popull që nuk beson”. (Junus, 101)

    Prandaj, udhëzimet kuranore duhet t’i kuptojmë si nxitje për lartësim shpirtëror e mendor, njëherit edhe shkencor.
    Në kaptinën “Ylli ndriçues” (Et Tarik), All-llahu i madhërishëm na përkujton një verset tejet interesant për shkencën bashkëkohore:

    “Pasha qiellin që rikthen. Edhe tokën që zbërthen”. (Et Tarik, 11-12)

    Sot dihet, se përveç avullit të cilën qielli e rikthen në shi, qielli rikthen radiovalët, rrezet infra të kuqe, valët elektromagnetike, jonet pozitive dhe negative etj. Ndërsa toka zbërthen farën e bimës, nga ajo del nafta, burimet termale dhe minerale si dhe vullkanet.
    All-llahu i madhërishëm në Kur’anin e lavdishëm urdhëron e thotë:

    “A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme (për jetë)?” (En Nebe’ë, 6)

    Shkenca konfirmon se toka sillet rreth boshtit të vet për 24 orë, rreth diellit për 365 ditë.

    Rrotullimi i saj është eliptik (fjala arabe
    “dehjun” do të thotë formë vezake) me shpejtësi afro njëmijë mila në orë, ndërsa rreth diellit me shpejtësi 65 mijë mila dhe nën këndin 23°.
    Shkencëtarët njoftuan se sikur shpejtësia e tokës të ishte më pak se njëmijë mila në orë, dita do të zgjatë 120 orë, dhe të lashtat do të zhdukeshin.
    Sikur forca e fracitacionit të ishte më e vogël do të zhdukej oksigjeni, detrat do të shkonin në pole, ndërsa ne do të fluturonim . Sikur këndi i tokës, i cili është 23°, të ndryshohej për një shkallë, nuk do të kishte fare stinë të vitit, qendra e tokës do të shndërrohej në shkretëtirë, ndërsa polet do të mbuloheshin përherë me dëborë.
    Nëse e krahasojmë p.sh. me Marsin, për të cilin disa menduan se ka jetë në të, shkencëtarët zbuluan se Marsi është larg nga dielli 142 milion mila dhe se temperatura gjatë ditës mezi arrin disa shkallë mbi zero, ndërsa natën arrinë 70° nën zero. Ndërsa në planetin tjetër – Jupiteri , në të cilin temperatura gjatë natës është 130° nën zero jeta është e pamundur. Pra, All-llahu i madhërishëm, nënën Tokë e bëri të përshtatshme me të gjitha kushtet optimale dhe fiziologjike për jetën e njeriut.

    Kur’ani famëmadh insiston në udhëtim dhe vëzhgim, e nga këto të mësohet dhe të përfitohen njohuritë, traditat dhe përvoja.
    Lexojmë me vëmendje versetet kuranore:

    “Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve!”(En Neml, 69)
    “Thuajdhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si filloi krijimi... (El Ankebutë, 20)




    Nëse ndalemi para këtij konstrukti kur’anor, e para që bie në sy është përdorimi i prepozicionit “fi” që do të thotë përveç tjerash “në – nëpër”. Lexuesi i mirëfilltë në bazë të përvojes së fituar do të konstatojë se njeriu ec, udhëton mbi tokë (alel erd), mbi sipërfaqen e saj. Prandaj, logjikisht do të ishte sikur të thuhej “Udhëtoni mbi tokë”
    Por, nëse me vëmendje kundrojmë, meditojmë dhe studiojmë dhe All-llahu i madhërishëm na zbuloi në këtë shekull astronomik fshehtësitë e tokës dhe kozmosit, lehtë do të konkludojmë se toka përbëhet nga disa sfera (hidro, lito dhe stratosfera). Përveç kësaj prepozicioni “fi”, sipas kuptimit të tij semantik tregon në përshkrim, depërtim, mban vijën horizontale dhe vertikale, hedh diagonalet para dhe pas, hyn në brendi të gjërave e të tjera.
    “Fi – ja” na fton t’i kthehemi të kaluarës që ta ndërtojmë të ardhmen, përkatësisht që çdo gjë ta vëmë në shërbim të perspektivës më fatlume, më të ndritshme të progresit njerëzor.
    Me qëllim që të përfitojë njohuri të plotë mbi botën, jetën dhe qëlimin e jetës njërëzore në tokë,All-llahu fuqiplotë, njeriun si krijesë më të përsosur dhe si mëkëmbës në tokë e udhëzon në udhëtim dhe hulumtim të pandërprerë.
    Njëkohësisht, Kur’ani i Lavdishëm, bën edhe pyetje se për çfarë arsyeje njeriu nuk merr mësim dhe përvojë nga argumentet e shumtë që ekzistojnë në Tokë, qiej dhe vetë njeriun.
    Pyetja mbi fillimin e jetës në Tokë, është aq e lashtë,sa edhe vet gjinia njerëzore. Kjo pyetje e ka preokupuar njeriun vazhdimisht dhe ai bën përpjekje kolosale që mbi këtë çështje të ofrojë pëgjigje. Nga tërë kjo lindën një mori teorish, supozime, hipoteza dhe mendime të ndryshme.
    Besimtarëve, kjo pyetje nuk iu paraqet kurrëfarë problemi sepse besojnë në All-llahun e Plotfuqishëm i cili është krijues i çdo sendi, siç bën aluzion verseti kuranor:

    “... Thuaj: All-llahu është krijues i çdo sendi, Ai është i vetëm ngadhënjyes!” (Er Rra’d, 16)

    E atyre që nuk besojnë në krijimtarinë e All-llahut të madhërishëm, iu paraqitet çdo herë, kjo pyetje si një problem me opus të gjërë dhe i pazgjidhur.
    O Zot Hirëmadh, na bën prej atyre që i lexojnë dhe vështrojnë ajetet Tua, që i ke pikturuar me mjeshtri të përsosur në faqet e Librit të Gjithësisë!

    - vijon –
    Injoranca nuk zhduket me top

  2. #2
    Vetvendosje Maska e INDRITI
    Anëtarësuar
    14-11-2002
    Vendndodhja
    I ulur ne zemren e njeres.
    Postime
    2,170

    Komentimi i mrekullise Kuranore nen hijen e zbulimeve te reja shkencore.

    All-llahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë :
    ,,O njerëz, adhuroni Zotin, tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai i cili për ju e bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju; pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shok). (El Bekare, 21-22)
    Kjo është thënie për të gjithë njerëzit, që ta adhurojnë me përkushtim All-llahun e madhërishëm, i cili është Krijues i tërë njerëzimit, Furnizuesit të tyre, nga qielli dhe toka, i cili nuk ka shok dhe
    “… Ai i cili për ju e bëri tokën shtrat”…
    Kjo shprehje e pasqyron lehtësinë në jetën e njerëzimit në këtë Tokë përgatitjen e jetës në Tokë, në mënyrë që njerëzit të kenë vendqëndrim të përshtatshëm dhe strehim të sigurtë e të qetë ashtu sikur shtrati.
    Esenca e kësaj mrekullie është esenca e çdo gjëje që e ka krijuar All-llahu fuqiplotë. Ky është shembull i aktit hyjnor në gjithçka dhe çdo gjë, prandaj edhe në aktin e krijimit të njeriut.
    Ky pluhur i Tokës përbëhet prej atomeve me cilësi të njohura. Kur njeriu t’i marrë këto atome dhe mundohet të krijojë diçka prej tyre, kufiri i skajshëm i tij çka mund të bëjë prej këtyre atomeve është një tullë ose tjegull, enë ose aparat, pa marrë parasysh sa precize është ajo punë. Ndërkaq All-llahu i cili është kreator i çdo gjëje, sajon prej këtyre atomeve qenie të gjallë, zemra e të cilit rreh dhe punon, jetë e cila përmban atë sekretin hyjnor i cili s’mund të kuptohet, sekretin e jetës… sekret të cilin njeriu nuk mund ta kuptojë as ta krijojë, sekret të cilin nuk e kupton asnjëri…


    Nga shkronjat dhe fjalët njerëzit sajojnë të folurit e vet dhe vargjet në poezi dhe vepra, ndërsa All-llahu i madhërishëm, prej shkronjave e sajoi Kur’anin e lavdishëm.
    Dallimi në mes të veprës së njeriut dhe veprës së All-llahut të plotfuqishëm është si dallimi në mes të trupit të vdekur dhe shpirtit. Ky është dallim siç është dallimi në mes të tablosë së jetës dhe jetës në realitet-vërtetësisë së jetës.
    Prandaj është obligim që njerëzit t’i përkulen All-llahut i cili krijon, edhe qe është i vetmi i denjë për t’i bërë adhurim. Të falurit ,e ka qëllimin e vet të cilin ata do ta arrijnë dhe të cilin do ta realizojnë:
    “…që të jeni të devotshëm…”
    Që ta vazhdojnë rrugën në drejtim të asaj tabloje të zgjedhur të njerëzimit, tablosë së atyre të cilët i falen vetëm All-llahut të madhërishëm, tablosë së atyre të cilët e zbatojnë të drejtën e cila i përket Hyjnisë kreative, andaj i falen vetëm Krijuesit absolut.
    All-llahu i madhërishëm krijoi harmoni fascinuese në tokë, në mënyrë që njerëzve t’u përshtatë dhe përgatitë mjete për jetë dhe të gjitha mjetet e tjera të paqes dhe kënaqësisë, të cilat ua ka nënshtruar. Po të mos ishte kjo harmoni jeta në këtë planet do të ishte e pamundshme. Do të ishte vështirë për njerëzit të merrnin frymë lirisht dhe me lehtësi po të mungonte një element në ajër, apo sikur të prishej barazpesha e elementeve përbërës të ajrit.
    “… E qiellin kulm e bëri…”
    Këtu bëhet aluzion për madhështinë e sajimit të qiellit dhe harmoninë në mes të qiellit dhe jetës së njerëzve në Tokë. All-llahu i gjithëfuqishëm, duke e bërë qiellin kulm i cili me ngrohtësinë e vet, dritën e vet, gravitetin e masës së vet fizike, harmoninë e vet dhe të tjerat që kanë të bëjnë me tokën dhe qiejt është përgatitje për themelimin e jetës në tokë dhe definimin e saj. Prandaj nuk habit fakti se njeriut i bëhet e ditur, në mes tjerash, edhe për fuqinë e Krijuesit dhe virtytin e Furnizuesit; se kërkohet prej njeriut si krijesë e All-llahut, ti falet Atij i cili meriton falje dhe adhurim :
    “…e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju…”
    Kjo përsëritet në shumë vende të Kur’anit famëmadh dhe njeriut i vëhet në dijeni pushteti i All-llahut të madhërishëm dhe të mirat e Tij. Uji i cili bie nga qielli është materia kryesore e jetës për të gjitha gjallesat në Tokë. Prej ujit buron jeta në shumë forma të saja:

    “…Dhe ujin e bëmë bazë të jetës…” (El Enbija,30)

    pa marrë parasysh a rriten bimët mënjëherë pasi që uji të përzihet me tokën, ose pas formimit të lumenjve, ose kur reshjen e thithin shtresat e tokës, andaj uji grumbullohet në brendi dhe paraqitet në sipërfaqe në formë të burimit, ose të puseve të thelluara, ose uji nxirret me anë të pompave të ndryshme në sipërfaqe ose në ndonjë mënyrë tjetër.
    Uniteti i kosmosit dhe harmonisë së pjesëve të tij, Toka e cila është shtrat për njeriun, burimi i ujit i cili bën që të rriten llojshmëri e frutave, tregon se falenderimi për gjithçka i përket vetëm Krijuesit.
    …pra mos i bëni All-llahut shok, duke qenë se ju e dini.”
    Ju e dini se Ai ju ka krijuar, se i ka krijuar edhe ata para jush, e dini se Tokën na ka shtruar si shtrat, ndërsa qiellin si strehë dhe ka bërë që prej tij të rrjedhë uji, dhe se në këtë Ai nuk ka shok i cili do t’i ndihmonte, as ka rival i cili do t’i kundëvihej.
    Pas kësaj njohjeje politeizmi nuk mund të ketë vend.
    I tërë multiuniversi e vërteton mëshirën e All-llahut Hirëplotë në të gjitha nivelet dhe të gjitha hapësirat, siç bën aluzion verseti kuranor :
    “Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, me atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e në të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës (në të gjitha këto), për një popull që ka mend, ka argumente.” (El Bekare,164)
    Kjo metodë kuranore e paralajmërimit të shqisave dhe intelektit është tejet e fuqishme dhe bindëse për t’ia hapur sytë dhe zemrën e njeriut për sekretet e këtij universi e njëherit për t’a zgjuar mendjen për hulumtim. Paraqitja e përhershme e fenomeneve qiellore dhe kozmike para syve tanë, seriozitetit të tyre, veçantisë dhe shqetësimit të zemrës dhe ndjenjës, është imperativ për njeriun që ato të hulumtohen dhe zbulohen.
    sa herë sytë dhe zemrat kanë qenë të befasuara e duke shikuar në këto skena për herë të parë?
    Sa herë tronditet mendja gjatë shikimit të parë të këndshëm të kësaj larmie enigmatike.
    Ky qiell dhe Tokë, këto hapësira të pafund, trupat qiellorë grandiozë dhe horizonti mahnitës, botërat e panjohura, harmonia mahnitëse në pozitën e trupave dhe lëvizjen e tyre në universin e pafund prej të cilave tronditet intelekti njerëzor, ato janë fshehtësi të cilat e dehin shpirtin dhe treten në mbulesën e të panjohurës.
    Edhe ky qiell dhe Toka për të cilat njeriu di pak, për madhësinë, lëvizjet, vjetërsinë dhe distancën e tyre, ngase All-llahu i Gjithëdijshëm njeriut i dhuroi vetëm njohuri të pjesëshme.
    Besimi i sigurtë është shikim i ri në gjithësi, njohja e re e të bukurës, njohja e jetës në Tokë, në larminë e krijimtarisë së All-llahut, çdo çast, me ardhjen e natës dhe fillimin e ditës.
    Zëvendësimi i natës dhe ditës, pasimi i errësirës dhe dritës, ndryshimi i agimit dhe muzgut, mëngjesit dhe mbrëmjes, sa herë i kanë tronditur ndjenjat e njeriut, çdo herë i kanë shqetësuar zemrat, sa herë kanë ndodhur mrekullitë mbi mrekulli, kanë entuziazmuar mendjen e besimtarit në ndjenjën e te cilit vazhdimisht përtëriten këto skena dhe përkujtojnë se dora e Zotit është ajo çka bën që njeriu këtë ta presë edhe atë çdo herë me kënaqësinë e krijimit të ri.
    “…të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve…”


    Është skena më bindëse të cilën e përjeton njeriu i cili udhëton me anije. Vetëm një pikë e vogël në oqeanin e madh, gjersa valët përplasen njëra mbi tjetrën, kurse kaltërsia e pafund dominon përqark, kurse anija lundron duke u tundur andej-këndej. Vetëm pushteti i All-llahut, vetëm mbrojtja e All-llahut të madhërishëm, vetëm ligji kozmik qe ka vedosur All-llahu, e bartë këtë pikë të vogël nëpër valët shkumbuese me madhësi tmerruese.
    “…atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap më te çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit dhe tokës…,”
    Paraqet skenat për të cilat, sikur njeriu të gjykonte me mendje të zgjeruar dhe zemër të ndërgjegjshme, siç insiston Kur’ani fisnik për zemrën e udhëzuar të besimtarit, me të vërtetë do të tronditej qenia e njeriut për shkak të madhështisë dhe mëshirës së pafund të All-llahut të madhërishëm. Kjo është jetë e cila rrjedh nga toka kur ka mjaft lagështi, jetë e qenësisë së panjohur, përmbajtje të pëlqyeshme, jetë e cila zvarritet pa hetuar, e pastaj shfaqet zëshëm, qartë dhe fuqishëm.
    Prej nga ka ardhur kjo jetë? Ka qenë i fshehur në kokrrën dhe farën, do të mund të themi. Mirëpo, prej nga ka ardhur në kokërr dhe farë? Ku e ka rrënjën, burimin? Asnjëri që gjykon, nuk mund të mos e bëjë këtë pyetje. Ateistët kanë synuar ta mohojnë dhe ta anashkalojnë këtë pyetje, për të cilën përgjigjja mund të gjendet vetëm në ekzistimin e Krijuesit të madhëruar, i cili mund t’i japë jetë të vdekurit.
    Mandej erërat të cilat fryjnë herë nga njëra, herë nga ana tjetër, retë të cilat lundrojnë në ajër midis qiellit dhe Tokës si me magji, duke iu nënshtruar ligjeve të cilët i ka caktuar Krijuesi i kësaj bote, e përbëjnë sekretin e pazbuluar, që teoritë mbi shkaqet e krijimit të erërave dhe formimit të reve nuk janë të mjaftueshme për t’u përgjegjur në këtë pyetje.
    Fshehtësia e këtyre harmonive që njohim ne, si fshehtësi të cilat mund t’i numërojmë me mijëra; sikur do të mungonte vetëm njëra prej tyre, nuk do të krijohej ose nuk do të zhvillohej jeta. Kjo, në realitet, është fshehtësi e renditjes, detaje prapa të cilës qëndron qëllimi dhe zgjidhja e jo rastësia e thjeshtë. Kjo është njësia e planfikimit dhe mëshira e renditjes dhe ketë me të vërtetë siç bën
    aluzion verseti kur’anor :
    “…për një popull që ka mend ka mjaft argumente.”(ElBekare,164)
    Por sikur njeriu ta braktiste shprehinë dhe mospërfilljen dhe të shikojë tablotë në gjithësi si diçka të re që ndodh në të, sikur këtë ta shikonte duke përsiatur, njeriut zemra e të cilit është e përshkruar me dritën e besimit, edhe sikur të kalonte nëpër këtë botë si kozmonaut i cili shtegton nëpër gjithësi për herë të parë, syri i tij do vështronte çdo çast, veshi i tij do regjistronte çdo tingull; ai do vërente çdo lëvizje.
    Këto mrekulli të gjithësisë do ta trazonin qenien e tij dhe do të skaliteshin në shikimin e tij, zemrën dhe ndjenjën e tij.
    Kjo është ajo që e bën feja: e bën këtë sinqeritet, këtë ndjenjë, këtë vlerësim të bukurisë, këtë harmoni dhe përsosmëri. Feja është shikim i ri në gjithësi, njohje e re e të bukurës, njohje e jetës në Tokë, në larminë e krijimtarisë së All-llahut, çdo çast, me ardhjen e natës dhe fillimin e ditës.
    Lidhur me versetin e shtjelluar më lartë Muhammedi a.s. ka thënë marrë është ai i cili e lexon këtë verset dhe nuk mendon.”


    -vijon-
    Injoranca nuk zhduket me top

  3. #3
    Vetvendosje Maska e INDRITI
    Anëtarësuar
    14-11-2002
    Vendndodhja
    I ulur ne zemren e njeres.
    Postime
    2,170

    Komentimi i mrekullise kuranore ne hijen e zbulimeve te reja te shkences.

    “Edhe në tokë ka dëshmi për ata të bindurit. Po edhe në veten tuaj. A nuk e shikoni”? (Edh Dharijatë, 20-21)
    Në Kur’anin Famëmadh ka shumë ajete, që tregojnë se islami është fe e vërtetë, fe qe ngërthen të dhëna të shumta shkencore. Shkenca bashkëkohore është fushë e veçantë për shpjegimin e tyre. Nga ajetet e përmendura më sipër, All-llahu i Madhërishëm tërheq vëmendjen e njeriut që t’i vështrojë, të mendojë dhe t’i studiojë të dhënat e shumta që ndodhen në tokë, por edhe më tepër tek vetë njeriu.
    Sot njihen shkencërisht mbi 1,5 milion lloje kafshësh dhe mbi 500 mijë lloje bimësh të shpërndara në sipërfaqen e Tokës.
    Andaj Kur’ani Famëmadh nxit vazhdimisht njeriun që të shfrytëzojë begatinë e mendjes, ngase, sipas të dhënave shkencore bashkëkohore, njeriu shfrytëzon vetëm 10% energjinë e trurit. Për ta shfrytëzuar pjesën tjetër të energjisë intelektuale, njeriu duhet ta përfshijë e angazhojë edhe pjesën tjetër të trurit të quajtur nënvetëdije. Kjo është një bankë e vërtetë dhe në kasafortën e vet ruan 90% të energjisë dhe të talentit njerëzor. Kjo energji madhështore e sistemit nervor qendror mund të krahasohet me një bllok akulli që noton mbi ujë. Pjesa që shihet është një e dhjeta e pjesës që është nën ujë. Apo, siç bën krahasim një shkencëtar, nënvetëdija i përngjan një fshatari që ecën në shkretëtirë. Ai duket i varfër nga jashtë, por nën të ndodhet pasuria e papërshkruar, ari i zi apo nafta.
    Profesori i mirënjohur Line thotë: “Zoti është pa fillim e pa mbarim. Ai i njeh të gjitha gjërat dhe mbi të gjitha është i Gjithëfuqieshëm. Mua më paraqitet me veprat e Tij Madhështore, të cilat më ngashërojnë, e më habisin dhe më bëjnë të klith: “Ç‘është kjo fuqi e madhe, çfarë mençurie dhe diturie, çfarë krijimi i përkryer, të cilin Zoti e tregon në veprat e Tij në mënyrë të përpiktë, në baraspeshë të plotë, e përpushmëri të përsosur gjer në detajet më të imëta!
    Me të vërtetë shfrytëzimi i gjithësisë nga njeriu tregon mëshirën e pafund të Zotit, që çdo gjë ia ka lënë në dorë njeriut. Gjithashtu edhe bukuria dhe përputhshmëria e papërshkruar e gjithësisë dëshmojnë për mençurinë e pafundme të Krijuesit, ndërsa mbajtja e ruajtja e gjithësisë nga shkatërrimi, vërtetojnë Madhërinë dhe Fuqinë e Tij.”
    Këtë më së miri e thekson Kur’ani Famëmadh në ajetin vijues :
    “Po edhe në veten tuaj (keni të dhëna). A nuk e shikoni?” (Edh Dharijatë,21)
    Në këtë ajet të shkurtë të Kur’anit të lavdishëm, por shumë të madh për nga kuptimi, All-llahu i Madhërishëm tërheq vëmendjen e njeriut për të vështruar, gjurmuar dhe zbërthyer dëshmit e Krijuesit. Pra, së pari Kur’ani a.sh. na nxit të vështrojmë dëshmit në Tokë. Nëse nuk mund ta bëjmë këtë, na drejtohet dhe na këshillon që ta vështrojmë vetveten.
    Ja disa të dhëna nga mjekësia për njeriun:
    Zemra jonë është pompa më e përpikte në botë. Për çdo 23 sekonda nëpër zemër kalojnë 5 litra gjak. Për një ditë zemra shtie në qarkullim 19 mijë litra gjak. Për 60 vjet qarkullojnë 480 milionë litra gjak. Kjo pompë tejet e përsosur me vetëlëvizës speciale peshon mesatarisht 230 gramë te femrat, ndërsa 280 gramë te meshkujt.
    Gjaku qarkullon nëpër enët e gjakut 100 mijë kilometra për 23 sekonda. Kjo shpejtësi e qarkullimit të gjakut është 215 herë më e madhe se shpejtësia e anijeve në gjithësi.
    Kjo mrekulli e Krijuesit të përsosur mund të shpjegohet në mënyrë më madhështore: për 11 sekonda, 25 miliardë kamionë mbartës të ngarkuar me oksigjen dhe materie ushqyese të domos-doshme (rruzat e kuqe të gjakut) shkarkojnë barrën e tyre nëpër qeliza të uritura të kapilarëve të gjakut.
    Jeta e rruzave të kuqe zgjat 42 ditë, ndonëse ato me përballim mund të jetojnë deri në 127 ditë. Kjo do të thotë se gjaku ynë ripërtëriet për çdo 2 muaj, pra 200 miliardë rruza të kuqe të gjakut lindin dhe vdesin për çdo ditë. Për këtë All-llahu i Madhërishëm në çdo kohë dhe në çdo çdo çast na drejtohet me pyetje: “A nuk e shihni”?
    Gjatë ecurisë së frymëmarrjes mbushen me oksigjen 400 milionë zgavra në mushkëritë tona. Sipërfaqja e zgavrave (kanaleve) është 150 m².
    Diafragma, muskuli që ndan zgavrën e kraharorit nga ajo e barkut, është organi muskulor më veprues gjatë jetës së njeriut. Ky organ nuk pushon asnjëherë. Ky muskul tkurret (kontrahon) 11 mijë herë në orë, afro 264 mijë herë gjatë ditës apo 670 milionë herë për 70 vjet jetë.
    Truri ynë është kompjuteri më i përsosur në botë. Ai përbëhet prej 100 miliardë qelizash të përhimta, e barabartë me një fuqi të mbi 10 mijë programeve komjuterike në veprim të përhershëm . Sipërfaqja e këtyre komjuterëve është 250 mijë km² (sa gjysma e sipërfaqes së Francës). Të shtojmë edhe diçka: nevojiten pak dashuri dhe intimitet për të lindur krijesën e re, njeriun. Këtë nuk mund ta realizojë kurrë asnjë kompjuter.
    Për çdo ditë shkenca zbulon gjëra të reja te njeriu. P.sh në kohë të fundit biologët e Universitetit të Miçigenit zbuluan në lëkurë dhe në flokë të njeriut metale, siç janë: argjendi, plumbi, kallaji, zinku, hekuri, bakri dhe alumini.
    Ciklonet dhe anticiklonet rrallëherë kalojnë shpejtësinë 130 deri 140 km në orë, kurse shpejtësia e ajrit që del prej mushkërive nëpër kordhat zanore gjatë teshtitjes arrin shpjetësinë 390 km në orë. çfarë mrekullie e Krijuesit më të bukur!
    Në realitet ne jemi “Qenie elktrike” ngase që të 60.00 miliardë qelizat e njeriut shërbejnë në saje të elektricitetit natyrorë të tyre, që i dhuroi Mjeshtri më i përsosur, All-llahu i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
    Shkenca e mjekësisë thotë se çdo qelizë e trupit tonë është një uzinë në miniaturë, nga brenda e elektrizuar me elektricitet negativ, ndërsa nga jashtë me elektricitet pozitiv. Në këtë sistem gjenial bazohet metabolizmi ynë. Me anë të elektrokardiogramit (EKG) dhe elektroencefalo-gramit (EEG) ne sot mund ta regjistrojmë elektricitetin që emiton zemra dhe truri.
    All-llahu i Madhërishëm thotë në Kur’anin fisnik:
    “Po edhe në veten tuaj keni fakte. A nuk e shihni ?” (Edh Dharijat, 21)
    Shumë njerëz e lexojnë këtë ajet pa u thelluar shumë në fjalët kuptimplota që përmban ai. Duke zbërthyer me vemendje këtë ajet dhe duke vështruar vetveten, do të gjejmë shumë shenja dhe dëshmi në veten tonë.
    Ndodh që dikush të thotë : unë jam zotërues i vetvetes, unë e kontrolloj vetveten dhe bëj çfare më teket. Por, kjo s’është e vërtetë, sepse trupi i njeriut është pronë e All-llahut të Plotëfuqishëm. A thua mund ta detyrosh të pushojë pak zemrën që rreh pandërprerë? Ose, nëse ndalet rastësisht, e mund ta bësh të lëvizë përsëri? Si ke guxim të vërtetosh se e ke nën kontroll dhe ia ke nënshtruar zemrën vullnetit tënd. Kur fle, zemra rreh vazhdimisht dhe pa u ndalur.
    Po frymëmarrja? A thua ti merr frymë me vullnetin tënd? Duhet ta dish se frymërrja është një veprim që kryhet në mënyrë instiktive , gjashtëmbëdhjetë herë në minutë, pa dashjen dhe këmbënguljen tënde. Kur asaj i jepet urdhri hyjnor për t’u ndalur, atëherë atë nuk mund ta rikthejë kush përsëri.

    Po lukthi dhe gjithë ajo që ngjet me të, shqetësimet dhe kundërveprimet gjatë tretjes së ushqimit; po lëngjet që tajiten nga gjëndrat e shumta endokrine, a thua të gjitha këto kryhen sipas vullnetit tënd?
    Po zorrët dhe lëvizja e ushqimit nëpër to, mënyra si i thithin materiet e dobishme për organizmin dhe zhvillimin e tij dhe si i nxjerrin jashtë materiet e dëmshe. A thua të gjitha këto veprime kryhen sipas vullnetit tënd, apo kryhen pa i hetuar fare?
    Po rruazat e bardha të gjakut-leukocitet, të cilat ballafoqohen me mikrobet në çastin kur ato hyjnë në trup?
    Leukocitet së pari e përcaktojnë mënyrën se si t’i shkatërrojnë mikrobet, në mënyrë që palca kurrizore të nxisin tajimin e materieve të mjaftueshme të qëndrueshme për t’i mbytur mikrobet.
    A mos jep urdhër ti për këtë veprim të brendshëm, i cili i ngjan një beteje të vërtetë vetëmbrojtëse?
    A mos i përcakton ti me mijëra ecuri biokimike që zhvillohen për çdo sekondë në trupin tënd?
    Pra, të gjitha këto i nënshtrohen vullnetit të Zotit. Ato kryejnë detyrën e tyre pa u ndalur, kurse ti nuk e heton fare këtë.
    All-llahu i Madhërishëm ishte tejet i Mëshireshëm ndaj nesh kur i krijoi të gjitha këto funksione vitale për trupin tonë dhe ua nënshtroi vetëm vullnetit të vet, përndryshe njeriu as nuk do të mund të jetonte, as nuk do të mund të punonte e as nuk nuk do të mund të kryente detyrën e tij në ndërtimin dhe rregullimin e kësaj jetese në gjithësi.
    Po ç‘do të ndodhte sikur zemra t’i nënshtrohej vullnetit tonë? Sigurisht ateherë do të mbeteshim gjithmonë zgjuar, për t’u kujdesur dhe që zemra jonë do të rrahtë normalisht.
    Po t’i nënshtrohej lukthi vullnetit tonë, atëherë do të na ishin dashur shumë orë që pas çdo sasie ushqimi te marre te bëhet veprimi i tretjes së ketij ushqimi.
    Po ashtu sikur t’i nënshtrohej qarkullimi i gjakut vullnetit tonë, truri nuk do të mund të vazhdonte kurrësesi detyrën e vet në këtë jetë, sepse ai është i zënë dhe i kapluar me qindra e mijëra shërbime, të cilat kryhen në çdo minut.
    Të gjithë këta shembuj që morëm më sipër njihen nga njerzit dhe këtë All-llahu i Madhërishëm e ka bërë me qëllim që t’ua tërheqë vërejtjen njerëzve se ne nuk kemi qëndrim vetiak dhe se çdo gjë është në njohuritë e All-llahut të Plotfuqishëm.
    All-llahu i Madhërishëm na përkujton vazhdimisht në Kua’anin fisnik:
    “Dhe, a nuk menduan ata ne veten e tyre ...” (Er Rrum, 8)
    Allahu i Madhërishëm na solli mjaft fakte se edhe lëvizjet tona nuk mund të bëhen pa fuqinë e tij të pakufishme. Fjala vjen, nëse dëshiron të ngritesh nga vendi ku je ulur, sa muskuj duhet te vësh në lëvizje gjersa të ngritesh? Ne ngrihemi dhe as që dimë dhe as që mendojmë se cilët muskuj veme në veprim e cilët jo. Pra, lëvizja e cila kryhet me ndihmën e muskujve të trupit tonë në çastin e ngritjes ajo nuk kryhet me vullnetin tonë. Vetëm dëshira për t’u ngritur është e jona.
    Pra, të gjitha lëvizjet trupore dhe të gjitha ecurit mendore i janë nënshtruar vullnetit të Zotit të Plotfuqishëm.
    Çdo lëvizje mban në vete shifrën hyjnore të cilën All-llahu e ka krijuar në trupin tonë.
    Ta rikujtojmë ajetin e Kur’anit:
    “Ky është All-llahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo sendi, nuk ka Zot tjetër vec Tij, e si prapësoheni”? (Gafir, 62)
    Nëse ne shohim me sy, ne shikojmë me fuqinë e All-llahut, i cili i ka dhuruar syrit fuqinë e të parit. Nëse ecim, flasim e dëgjojmë, ne po ashtu i kryejmë këto veprime me fuqinë e All-llahut, i cili u ka dhuruar këmbëve, gjuhës e veshëve mundësinë e levizjes, të të folurit dhe të dëgjuarit.
    Po të ishin të gjitha këto në aftësitë tona vetiake atëherë, askush nuk do të mund të na merrte aftësinë e të parit, të të dëgjuarit. Të lëvizjes apo të folurit tonë.
    Lexojmë me respekt dhe meditojmë lidhur me ajetin e Kur’anit Famëmadh:
    “Allahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas saj dobësive ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i Dijshmi, më i Fuqishmi”. (Er Rrum,54)
    A thua cili njeri do ta ta dëshironte pleqërinë dhe humbjen e gjallërisë jetësore?!.
    Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë :
    “Dhe se Ai bën për të qeshur dhe për të qarë”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga INDRITI : 17-08-2004 më 10:00
    Injoranca nuk zhduket me top

Tema të Ngjashme

  1. Shkenca ne Islam
    Nga Shën Albani në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 18-08-2010, 11:10
  2. Kur’ani i Mrekullueshem edhe për jo-muslimanet...
    Nga altruisti_ek84 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 19-04-2009, 03:38
  3. Kontributi i shkenctarëve islam në shkencë
    Nga Bleti002 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 15-03-2009, 22:29
  4. Përgjigje Pyetjeve Materialiste!
    Nga Omari në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 09-11-2006, 23:19
  5. Kur dhe kush e ka shkruajtur Kuranin?
    Nga Albo në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 05-02-2004, 16:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •