Petersen: "Pa zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan"
Prishtinë, 16 gusht - Shefi i ri i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, deklaroi se pa zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ketë qëndrueshmëri e stabilitet në rajon.
"Unë besoj fuqishëm se nuk do të ketë normalizim dhe qëndrueshmëri në Ballkanin perëndimor, derisa të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës. Me qëndrueshmërinë, normalizimin dhe me zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk do të përfitojnë vetëm qytetarët e saj, por gjithë rajoni", deklaroi Petersen, me të arritur në Aeroportin e Prishtinës.
Z. Petersen tha se do të bashkëpunojë me të gjitha palët për të çuar përpara çështjen e Kosovës.
"Kam ardhur këtu në një çast shumë të rëndësishëm. Unë pretendoj të punoj shumë me kolegët e mi dhe UNMIK-un, me autoritetet e përkohshme dhe me të gjitha palët në Kosovë e në rajon, me qëllim që ta çoj Kosovën përpara dhe rajonin drejt normalizimit, qëndrueshmërisë dhe të ardhmes", tha Soren Jesen Petersen.
Sot, ditën e parë të punës së tij në Kosovë, Soren Jesen Petersen, do të takohet me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi. Ndërkaq nesër, ai do të vazhdojë serinë e takimeve me liderë të tjerë politikë të Kosovës.
Marrë nga kosova.com
Shumë mirë që tani e kanë kuptuar këtë gjë edhe të huajt.
Krijoni Kontakt