HIMARE
Nuk është mirë kështu. Edhe sot deri në mesditë deti nxorri në breg copëza nafte të zeza…", këto janë fjalët e shumë pushuesve në plazhet e zonës së Himarës, të cilët edhe pse jo të trembur, e kanë një mllef. "Të paktën të mblidhnin këto që kanë dalë në breg. Të vjen keq, duket sikur plazhet janë si mall pa zot…". Pushuesit të mbledhur në disa plazhe të vogla të Himarës, filluar që nga gjiri i Llamanit, për shkak se gjatë ditës së djeshme deti ka patur dallgë të mëdha, thonë se gjatë paradites, si zakonisht që nga e mërkura, deti ka nxjerrë në breg sërish njolla dhe copa të ngurtësuara nafte. Vetëm pasi era ka ndërruar drejtim aty nga dreka, njollat ndotëse janë larguar.
Ngjarja e hidhur
Që nga alarmi i krijuar, pasi u mësua për ndotjen në bregdetin e Jonit nga një anije greke, që kishte derdhur mbeturina nafte, kanë kaluar 48 orë. Por përgjatë kësaj kohe, askush nuk është munduar që të ndërmarrë ndonjë veprim. As pushteti vendor, filluar që nga Bashkia e Himarës, as ndonjë ministri në Tiranë. I vetmi që dha një ide për shmangjen e ndotjes, ishte ministri i Mjedisit Ethem Ruka, i cili pasi njohu nga afër situatën, tha se do të ishte mirë që vetë pushuesit t'i kushtonin pak minuta pastrimit të plazheve ku ata pushojnë. Më tej askush nuk e vuri më ujin në zjarr. Të gjithë u ndien të lehtësuar pas parashikimeve hipotetike, se pas 24 orësh, apo pak më tepër, vetë deti do të depozitonte gjithë sasinë e ndotjes në brigje, duke i dhënë fund gjithë historisë.
Zhgënjimi
Plazhistët e zonës së Himarës thonë se i kanë vënë re njollat e naftës në det dhe pjesë të ngurtësuara të tyre paraditen e së mërkurës. Duke mos e kuptuar se ç'kishte ndodhur, ata kishin vazhduar plazhin pa u kujdesur. Por pasi kishin bërë banjo në ujë, pothuaj të gjithë kishin dalë në breg me këmbët e pjesë të tjera të trupit të ndotura nga njolla nafte. Natyrisht që secili paskësaj kishte bërë një zgjedhje, por plazhistët thonë se nuk kanë dijeni për ndonjë që të ketë braktisur pushimet për shkak të ndotjes, ashtu siç pohojnë se askush nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore për të njëjtin shkak. Gjithsesi duke filluar që nga e mërkura, diçka ka ndryshuar në stereotipin e pushuesve. Dhe pothuaj të gjithë njerëzit e kontaktuar nga Gazeta e shprehnin një shetësim të përbashkët: "Më mirë do të ishte sikur dikush, sadopak, të kishte bërë diçka konkrete. Ky vend të jep përshtypjen sikur nuk ka zot. Sikur dy kompani me ushtarë të kishin shpërndarë në plazhe, të paktën sa për të prishur imazhin e keq", thonë pushues të ndryshëm.
Komandanti i Kapitenerisë: Bregdeti ka nisur të pastrohet
Bregdeti përgjatë Jonit, nga Palasa deri në Qeparo, ka nisur të pastrohet nga mbeturinat e mazutit". Kështu është shprehur për Gazetën Komandanti i Kapitenerisë së Vlorës Anastas Goga. Sipas tij sasia e lëndës ndotëse me përbërje nafte vihet re shumë pak në ujërat tona dhe shkak për këtë janë bërë dallgët e fuqishme, që kanë nisur që prej mëngjesit të djeshëm. "Vetëm dallgët dhe era po bëjnë të mundur pastrimin e gjithë kësaj sipërfaqeje të ndotur, ndërsa ne nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi s'kemi mjete të përshtatshme për pastrim", thotë komandanti Goga. Megjithatë ai shton se gjendja nuk duhet të bëhet alarmante.
Vazhdon kërkimi i anijeve luftarake për tragetin fajtor
Megjithëse deti ka ngritur dallgë, tre nga anijet tona vazhdojnë të patrullojnë gjatë gjithë kohës përgjatë linjës ku kalojnë tragete të mëdha udhëtarësh të linjave nga Korfuzi për në Itali", pohoi gjatë ditës së djeshme për Gazetën Faik Xhaferraj, Shefi i Shtabit të Flotës Detare. Gjithsesi, sipas tij, ende nuk kishte ndonjë informacion se cili mjet lundrues kishte ndërmarrë një veprim të tillë të dënueshëm. Sipas sinjalizimeve, sasia e lëmdës ndotëse është lëshuar rreth 4 ditë më parë në zonën e ujërave tona territoriale, pranë gadishullit të Karaburunit. Duke qenë se rrymat detare kanë drejtimin për në jug, sipërfaqja e ndotur ka prekur plazhet, që nga Palasa deri në Qeparo.
NDOTJA
Një anije e paidentifikuar shkarkon në drejtim të Gadishullit të Karaburunit mbeturina nafte. Ndotja mbërrin në plazhet e Palasës deri në Himarë e Qeparo paraditen e të mër-kurës. Plazhistët vënë re se janë ndotur pas daljes nga uji
ALARMI
Mediat japin lajmin sipas të cilit plazhet në Himarë ishin ndotur nga një lëndë me përbërje nafte. Ministri i mjedisit inspekton terrenin dhe konfirmon. Edhe pse pranohet se disa ministri do të kontribuojnë, nuk merret asnjë masë konkrete
KONTROLLI
Komandantë të lartë të Flotës Detare pohojnë se tre anije luftarake janë duke patrulluar me qëllim identifikimin e anijes që ndot ujërat tona territoriale. Por nga vëzhgimet ende nuk është përcaktuar ndonjë mjet lundrues fajtor
DEMTIMET
Edhe pse u hipotezua se pas 24 orësh sasia e lëndës ndotëse do të dilte e gjitha në breg, nuk ndodhi kështu. Sipas sinjalizimeve të djeshme, në bregdetin e Himarës përsëri është depozituar naftë gjatë orëve të paradites.
Krijoni Kontakt