Si more kur ishte aq i sukseshem???

Komisioneri i Policisë së UNMIK-ut largohet nga Kosova


Faton Osmani

PRISHTINË - Komisioneri i deritanishëm i Policisë së UNMIK-ut, Stefan Feller, në fund të kësaj jave do të përfundojë mandatin e tij në Kosovë. Policia e UNMIK-ut, është kritikuar nga shumë organizata ndërkombëtare për dështim gjatë ngjarjeve të marsit, në kohën kur në krye të saj ndodhej Feller. Por gjermani Feller në një konferencë lamtumire me gazetarë shpjegoi se ai largohet pas skadimit të kontratës dhe nuk ka lidhje me ndonjë dorëheqje. Në fund të mandatit të vet, ai vlerëson se policia ndërkombëtare nuk ka dështuar në kryerjen e detyrës së vet gjatë trazirave të marsit. “Nuk mund të flitet për një dështim të policisë gjatë trazirave…Ne kemi bërë më të mirën që kemi mundur”, -tha Feller, i pyetur nga gazetarët. Me këtë rast, ai kritikoi raportet e shumta të organizatave ndërkombëtare të cilat në masë të madhe kanë vlerësuar punën e policisë ndërkombëtare dhe atë të KFOR-it, gjatë trazirave të marsit, si të dështuar. “Ajo që më bën të trishtohem janë raportet e organizatave ndërkombëtare se ato zakonisht po bazohen në atë që e quajnë dështim dhe gabime…Këto ngjarje nuk kanë qenë vetëm demonstrime lokale apo rajonale të dhunës, por kanë qenë trazira të shpërndara në tërë Kosovën”, -u shpreh Feller, duke mbrojtur reagimin e policisë gjatë ngjarjeve të marsit. Kreu i policisë Feller theksoi se ai si polic profesional punon tash 28 vjet dhe se është në drejtim të policisë për më shumë se 12 vjet, përfshirë tre vjet e gjysmë përvojë në Kosovë dhe se nuk ka parë asnjëherë në karrierën e tij zhvillime si ato të 17-19 marsit. Derisa komisari i ardhshëm i Policisë të emërohet nga OKB, postin e komisarit do ta ushtrojë Jill Mancy, zëvendëskomisare për operacione. Feller paralajmëroi vazhdimin e transferimit të përgjegjësive nga policia ndërkombëtare tek Shërbimi Policor i Kosovës. “Planifikojmë që tranzicionin e menaxhimit qendror operacional policor, të nivelit qendror dhe atij rajonal ta bëjmë këtë vit dhe vitin e ardhshëm”. Në fund, ai porositi qytetarët e Kosovës që të bashkëpunojnë më shumë me policinë për zgjidhjen e krimeve, meqë kjo praktikë përdoret kudo në botë.