Duam një zgjidhje të ndershme për tre studentët çekë

Arben Rrozhani
16-07-2007

Një nismë ku janë bashkuar qindra njerëz të thjeshtë, deri kryetarë shtetesh. Një aksion që zgjat prej tetorit të vitit 2001 dhe deri sot, në korrik 2007, ka mbetur po atje ku u nis eksplorimi i pamundur për të gjetur atë çfarë mendohet të ketë mbetur nga tre të rinjtë çekë, Jan, Mihal dhe Lenka. Ishin thjesht turistë, ama turistë çekë, siç i pëlqen ta cilësojë diplomati Dobesh, të cilët nuk shkojnë për tu shtruar pikniqeve siç bëjnë rëndom shqiptarët në bjeshkë, por menjëherë nisin përpjekjen për ta pushtuar atë mal.

Tre studentët çekë, të tillë ishin. Janë ende të gjallë, sepse zyrtarisht ata janë persona të humbur dhe në kërkim, megjithëse, siç totë Dobesh, është e pamundur që pas 6 viteve ata të jetojnë. Por meritojnë seicili nga një varr, ku nënat t'i qajnë në gjuhën e tyre. Me këtë shpresë prej 6 vitesh vazhdon një gjueti e madhe e avashtë, herë-herë e padukshme për të kapur në ajër, një të dhënë befasuese që do të çojë njerëzit tek zgjidhje e ndershme, siç e cilëson konsulli çek.

Diplomatët çekë mendohen disa ditë derisa vendosin të të presin në zyrën e ambasadës.

Zonja Toufarova, ish-konsulle në Ambasadën e Çekisë, më kishte pritur gjashtë vite më parë në të njëjtën zyrë ku pasardhësi, Vaclav Dobesh, njëherësh zëvendës ambasador i Republikës Çeke më "gostit" me dy dosje të trasha, ku shkruhet "Studentët". Është kronologjia e të dhënave, ekspeditave, notave zyrtare të zyrtarëve çekë dhe shqiptarë, hartave, letrave dëshpëruese të nënave të tre studentëve çekë, që humbën në Shqipëri gjatë vite më parë, Jan, Mihal Pavleka dhe Lenka Tuçkova. Prej asaj kohe, nuk dihet ku janë. Ishin studentë, alpinistë të pasionuar, që kishin ardhur të zbulonin befasuesen e maleve shqiptare dhe u zhdukën në asgjë... Zëvendës ambasadori, me zë energjik, shpjegon se nuk janë humbur shpresat, të paktën të gjenden eshtrat e tre të rinjve, që meritojnë të kenë të pakën nga një varr. "Të gjithë e kanë parasysh dhe janë të bindur se, të gjenden të gjallë ato studentë në Shqipëri, është krejt e pamundur dhe e parealizueshme. Normalisht, kjo do të ishte dëshira dhe ëndrra më e bukur që mund të kërkonte secili prej nesh që të realizohej, por është krejt e pamundur",- shprehet zoti Dobesh. Dhe ndoshta jo pa shpresë. Kryeministri shqiptar i premtoi pak javë në parë homologut çek në Pragë, se do të bënte çmos t'i jepte fund misterit të tre studentëve. Premtoi edhe shpërblimin 50 mijë euro, për këdo që jep informacione për gjetjen e atyre që kanë mbetur prej studentëve.

Është një detyrë njerëzore, një histori ku janë përfshirë nga ish-presidenti legjendar i Çekisë, Vaclav Havel, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar deri te ata studentë çekë, policë të thjeshtë dhe të keqpaguar shqiptarë, udhërrëfyes që donin me gjithë shpirt të mbyllnin një njollë të zezë të maleve shqiptare, të cilat nuk mund të mbajnë peng ëndrrat e ndërprera tragjikisht të tre të rinjve çekë.

Zoti zëvendës ambasador, historia e tre studentëve çekë vazhdon të mbetet ende në mister, megjithëse kanë kaluar gjashtë vite nga ngjarja tragjike. Çfarë është bërë për një lajm të mirë?

Për ata tre studentë, nuk kemi akoma as edhe një gjurmë. Dua t'ju them që në fillim, se pala jonë ka trajtuar me interes të veçantë dhe është shumë e interesuar që gjithë kjo ngjarje tragjike, pavarësisht se si ndodhi, të paktën të ketë një fund. E di që nuk është një zgjidhje me fat, por të paktën të ketë një zgjidhje të ndershme, një zgjidhje të nderuar. Të gjithë e kanë parasysh dhe janë të bindur se, të gjenden të gjallë ato studentë në Shqipëri, është krejt e pamundur dhe e parealizueshme. Normalisht, kjo do të ishte dëshira dhe ëndrra më e bukur që mund të kërkonte secili prej nesh që të realizohej, por është krejt e pamundur.

Pala shqiptare, në të gjithë nivelet e saj, na është përgjigjur gjithmonë se çështja nuk është akoma e mbyllur. Kështu që, në kuptimin juridik të fjalës, studentët janë gjithmonë në kërkim dhe akoma nuk kanë statusin e personave të humbur, por të personave në kërkim. Ne e vlerësojmë veprimin e organeve shqiptare dhe njëkohësisht vlerësojmë shumë edhe angazhimin personal, sidomos të kryeministrit Sali Berisha, i cili në të gjitha takimet dhe bisedat që ka bërë në Çeki me personalitetet tona, ka biseduar për këtë çështje.

A ka pasur ndonjë zhvillim të ri, meqë është rihapur çështja?

Kjo çështje, formalisht, asnjëherë nuk është konsideruar e mbyllur. Kuptohet që gjithmonë çështja është ndjekur, por nuk ka pasur një intensitet të ngjeshur çdoherë. Për dy arsye: edhe problemit financiar, por edhe potencialit njerëzor, njëkohësisht është edhe çështja e klimës. Në zonën ku përfundojnë gjurmët e studentëve, në të gjithë pjesën e Malësisë së Cukalit, duhet ta pranojmë se është edhe zona më e prapambetur e Shqipërisë. Kur një muaj përpara kam biseduar me shefin e Policisë së Shkodrës për këtë çështje, i theksova se vizita ime ka dy aspekte për të trajtuar. Njëri aspekt, është çështja e studentëve dhe aspekti i dytë, është kërkimi i të dhënave rilevante rreth asaj zone që është jashtëzakonisht e bukur, por shumë e rrezikshme për turistët çekë, të cilët relativisht edhe në kohën e tanishme lëvizin shpesh andej. Kështu që, ne duam t'i ruhemi përsëritjes së një tragjedie të re. Në mënyrë preventive, këtyre turistëve i japim një informacion relevant për të dhëna objektive, në mënyrë të detajuar rreth zonës. Për fat të keq, në Shqipëri nuk është akoma situata, për turistët që lëvizin brenda vendit dhe të funksionojë struktura standarde. Që kur lëvizën p.sh., në pjesën e Malësisë së Cukalit, të ketë harta për çdo fshat dhe shoqërues, ku mund të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat, ku mund të flenë dhe nëse u ndodh diçka, të ketë kudo sinjal telefoni. Të gjitha këto kërkojnë kushte shumë të mira fizike, me makina të përshtatshme për këtë lloj terreni. Nëpërmjet ambasadës tonë, jemi përpjekur që të informojmë turistët cekë me objektive dhe me detaje, për çfarë i pret ata, në mënyrë që të përgatiten mirë për këtë udhëtim dhe nëse vendosin të shkojnë në këto krahina, të shkojnë në kushte shumë të mira. Nuk duhet të udhëtojnë me pamjaftueshmëri mjetesh për lëvizje dhe aq më tepër, natën. Dhe në të gjitha udhëtimet turistike, mundësisht të shoqërohen dhe të na njoftojnë neve këtu në ambasadë, me saktësi maksimale, se në ç'vend do të ndodhen.

Mentaliteti çek, përsa i përket lëvizjes nëpër male, është krejt i ndryshëm nga mentaliteti juaj këtu në Shqipëri. Çekët, menjëherë porsa vijnë në vend, kërkojnë që të ngjiten në majën e Jezercës dhe në dhjetëra e dhjetëra maje malesh të tjera. Kjo është tradita e marrëdhënieve tona me natyrën. Para një muaji, kur bërë gjithë këtë udhëtim nëpër vendet më të largëta si Vermoshi, kam biseduar me të gjithë policët, shoqëruesit dhe fshatarët, dhe të gjithë më kanë thënë se çekët janë alpinistët më të shpeshtë që vijnë në këto zona. Turistë keni në minimum, sepse nuk keni fare infrastrukturë, por në rangun e këtij minimumi më të shumtët vijnë për në male dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipërinë e Veriut, është e njëjta situatë edhe po të shkosh në malin e Tomorit.

Kjo ngjarje tragjike, nuk i ka trembur turistët?

Me gjithë mundësitë që kemi krijuar ne për informacion dhe duke ua shpjeguar shumë mirë edhe vendin dhe rrethanat ku kanë lëvizur këta studentë, të gjitha këto kërkesa nuk kanë zënë vend si duhet.

Ka ndikuar shuma prej 50 mijë euro e vendosur nga qeveria?

Ky është një tjetër moment, që ne e vlerësojmë dhe kjo vërteton se premtimi i të gjithë autoriteteve shqiptare nuk qëndron vetëm në nivelin e premtimeve formale, por projektohet edhe në premtime direkte që janë bërë. Në mënyrë logjike mund të presim që banorët e vendit në rajonet ku studentët kanë lëvizur, të kujtojnë akoma shumë informacione relevante, për t'ia njoftuar këto informacione organeve që po merren me ndjekjen e çështjes, në mënyrë që t'iu vijnë në ndihmë atyre. Në vitin 2001, gjurmët e fundit kanë qenë nga 15-18 shtator dhe ata gjithmonë kanë lëvizur në këtë rreth, midis Shkodrës, Koplikut, Dedaj, Kirit dhe Mesit. Në shtator kanë lëvizur në rajonin e Kirit dhe kjo është pikërisht zona që është më pak e kërkuar. Siç edhe e përmenda në fillim, kur bisedova me shefin e Policisë së Shkodrës, e informova për këto dy aspektet kryesore të qëllimit të udhëtimit tim atje. Më tha se përsa i përket anës së sigurimit, gjendja është përmirësuar në krahasim më vitin 2001 dhe me sa pashë në terren, edhe unë u binda se me të vërtetë kështu është. Në asnjë vend nuk dëgjova se lëvizin banda të armatosura dhe e gjithë zona atje është nën kontrollin e plotë të shtetit. Në vitet '99-2001 mund të mos ketë qenë e gjithë zona nën kontroll, megjithatë unë e kam pyetur shefin e policisë nëse ka ndonjë zonë që nga pikëpamja e sigurisë, jo vetëm në aspektin kriminal nuk është e sigurt, që t'u themi turistëve që të mos shkojnë, derisa të ketë sigurinë e kërkuar.

Dhe akoma është pikërisht kjo, zona e Cukalit. Sepse nuk ka ende një hartë ekzakte dhe ka shumë vende që janë të pashkelura. Pikërisht, në këtë zonë përfundojnë gjurmët e studentëve tanë. Përderisa kjo çështje nuk po gjen zgjidhje, në mënyrë që të binden të gjithë, dalin mundësitë teorike të rrjedhës së ngjarjes. E para, që mund të kenë pësuar një aksident dhe tre studentët të kenë rënë në ndonjë humnerë. Mund të kenë hyrë në gropa të thella, ku mund të jenë trullosur, që më pas të mbeten aty. Ose-ose janë sulmuar nga kafshë, apo janë sulmuar nga ndonjë bandë. Çështja në diskutim tani, është se cili nga këto variante është më i munduri i ndodhur. Mua më theksuan, që sulmi nga kafshët e egra nuk është i mundshëm. Nuk përjashtohet, por vështirë se mund të ndodhë. Kjo do të ishte më tepër e mundur, po të kishte ndodhur në kohë dimri. Po kështu, banorët më thanë se në shumë vende, ka shumë gjarpërinj, por edhe kjo është pak e pamundur, se nuk mund të helmohen nga gjarpri njëkohësisht tre persona.

Nuk dua të rrotullohem rreth këtyre spekulimeve, por vetëm dua të them se teorikisht nuk mund të përjashtosh asnjërën mundësi. E vetmja gjë që dimë 100% është se, që nga shtatori i vitit 2001 nuk kemi asnjë të dhënë për studentët. Në përfundim, doja që të theksoja se orientimin për gjurmimin rreth çështjes së humbjes së studentëve duhet ta drejtojë pala shqiptare, sepse ka ndodhur në një zonë ku ndodhet niveli më i ulët i infrastrukturës. Kështu që edhe kërkimi nuk mund të bëhet pa praninë e policisë së specializuar për këto gjëra, po kështu edhe me pajisjet që duhen për këtë punë.

Është menduar për një variant, që ata studentë të jenë vrarë, ndërsa dihet se një shtetas që vrau kushërirën, shoqëruese të studentëve, është burgosur. Ju besoni në këtë pistë?

Këto çështje unë në të vërtetë i kam diskutuar edhe me organet përkatëse, gjatë bisedave që kemi bërë. Dhe nga ata më është siguruar se edhe ky variant është i mundshëm dhe është një çështje që po ndiqet. Në atë mjedis ku përfundojnë gjurmët e studentëve ka shumë fjalë midis banorëve aty, por nuk mund t'i marrësh të gjitha si të mirëqena sepse mund të të çojnë në rrugë qorre. Ndaj mendojmë se pikërisht ai shpërblim që u premtua dhe për aq informacion sa kemi ne edhe prej shumë stacioneve lokale televizive, i bëjnë thirrje në mënyrë të vazhdueshme banorëve që mund të japin informacion për këtë shpërblim, se do të ruhet në fshehtësi absolute për atë që do të komunikohet. Kjo, për mendimin tim është edhe zgjidhja më e mirë. Që nga njëra anë të shfrytëzosh të gjitha thashethemet që qarkullojnë dhe nga ana tjetër, të eliminosh nga kjo të gjitha trillimet që nuk i takojnë realitetit. Unë kam ardhur në tetor të vitit 2003, dhe nga ajo periudhë e vitit, në të gjithë materialet që kemi ne si ambasadë për studentët, shikoj se kanë qenë dy ekspedita çeke dhe këto ekspedita kanë bashkëpunuar shumë me organet e vendit. Bashkë me ta kanë qenë edhe policë shqiptarë që i kanë kërkuar dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me organet e ndjekjes por, pavarësisht përpjekjeve tona, nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Po familjet e studentëve i kanë prerë shpresat?

Ata vetë, duke qenë njerëzit më të afërm, nuk kanë dashur asnjëherë që ta pranojnë se kanë humbur. Kështu, iu janë drejtuar në mënyrë periodike organeve më të larta, si në Republikën Çeke edhe në Shqipëri. Tre muaj më parë ne u kemi çuar notën e fundit autoriteteve më të larta të vendit tuaj, për letrën nga dy nënat e studentëve, që kërkimi të vazhdojë, pavarësisht rezultatit. Unë kam qenë i sigurt se, si Prefekti ashtu edhe shefi i Policisë së Shkodrës, sipas udhëzimeve që ka dhënë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, kërkimi do të vazhdojë edhe sivjet, kjo edhe me pjesëmarrjen e specialistëve të huaj edhe në këto zona që janë fare pak të shkelura, ku supozohet me përafërsinë më të madhe dhe ku gjurmët e studentëve përfundojnë.

Kjo ngjarje, ka ndikuar në marrëdhëniet mes Çekisë dhe Shqipërisë?

Kjo ngjarje tragjike nuk i ka prishur në asnjë mënyrë marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, as edhe ndërmjet dy qeverive. Pala çeke e vlerëson shumë punën dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm edhe për kapacitetet e kufizuara që ka pala shqiptare. Se këto varen në radhë të parë nga potenciali ekonomik dhe nga një terren në të cilin është e pamundur të hysh, si dhe nga kushtet klimatike. E gjithë çështja ka hyrë në vetëdijen dhe njohjen çeke për të gjitha këto. Ashtu si çdo shqiptar ka dijeni për këtë çështje edhe çekët janë po kaq të informuar.
Kjo mund ta ketë penguar turizmin çek në Shqipëri, është vetë logjika që të çon në këtë përfundim.
Por mund të them edhe këtë që, çdo vit, interesi i çekëve për të vizituar Shqipërinë është në rritje. Unë vetë si qytetar çek e përgëzoj këtë punë dhe kuptoj që ky është një interes për të kërkuar vendet më të panjohura, qofshin edhe të rrezikshme. Në fund të fundit, në cilin vend të botës malet nuk janë të rrezikshme. Po të shohësh statistikat e alpinistëve çekë, edhe në vendet më infrastrukturë perfekte ka pasur humbje. Malet janë, sa të bukura dhe të rrezikshme.


Ditari

"Misioni në Shqipëri, në kërkim të shokëve tanë të humbur"

7-20 tetor 200: Raporti i shkuar prej anëtarëve të ekspeditës, pas kthimit nga Shqipëria

(7 tetor) Në Mal të Zi ekspedita me 9 persona dhe 4 makina u nda në dy grupe. Sapo kaluam kufirin shqiptar, policia shqiptare na takoi dhe na drejtoi për në Shkodër. Nga Shkodra folëm me motër Michaelën, nga manastiri salezian. Telefonin e saj e kishin siguruar në Çeki dhe ajo flet çekisht. Na dhanë dy policë që të na ruanin. Takuam zonjën Toufarova, përfaqësuese e Ambasadës Çeke në Tiranë. Ajo na informoi për rezultatet e hetimeve. Informacionet që na dha ajo, ishin të njëjtat me ato që na kishte dhënë ambasada.

Motër Michaela gjeti adresën e një taksisti që kishte marrë në makinën e tij shokët tanë, në gusht. Grupi ynë (me makina "Defender" dhe "Bronco") vendosi ta takojë atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Policët na vinin pas.

Ne i parkuam makinat tona gati 100 metra larg shtëpisë së taksistit dhe shoqëruesi ynë po fliste me familjen e taksistit. Ai nuk ndodhej në shtëpi. Pamë makinën e tij të kalonte në rrugë, e ndoqëm dhe e arritëm pas 5 kilometrash. Ai e informoi motër Michaelën se i kishte çuar tre studentët e humbur në fshatin Bogë, rreth datës 8 gusht.

Në rrugën për në Bogë, ne ndaluam në një kishë, 10 kilometra larg Koplikut. Aty takuam një burrë që fliste polonisht dhe që kishte informacione për ne. Vazhduam rrugën për në Bogë. Atje takuam dy njerëz që kishin parë shokët tanë, në fillim të gushtit. Morën informacione të dyshimta, se shokët tanë i kishin parë në fillim të shtatorit. Pas perëndimit të diellit u kthyem në manastir dhe takuam grupin e dytë që kishte lëvizur me makina të tipit "Jeep" dhe "Nissan-Patrol".

(8 tetor) Gjëja e parë në mëngjes ishte të vazhdonim mbledhjen e informatave, grupi i parë vendosi të kërkojë nëpër ujërat e lumit Drin.

Ata morën informacione kontradiktore, se Honza ishte parë vetëm duke ecur në rajonin Pukë, Fushë-Arrëz, Lekbibaj. Mendohej se ishte parë disa herë në kohën para një muaji e gjysmë dhe para një jave. Një herë ai ishte parë me një vajzë, një herë në një grup tresh. Por dëshmitarët mbanin mend se Honza ishte gjithnjë vetëm. Përshkrimet nuk ishin ato që pritnim dhe kishim dyshime se ata kishin parë tjetërkënd.

Grupi i dytë, iku në drejtim të maleve, në fshatin Bogë, ku kishim ndërprerë ne kërkimet dje. Në secilin grup kishte nga një përkthyes anglishteje dhe nga një polic të armatosur.

Nga Boga vazhduam në Theth. Rruga ishte e gjatë, e qetë dhe e lodhshme, tre orë. Në shtëpinë e parë në rrugë, që ishte edhe dyqan edhe restorant, personeli tha se i mbante mend studentët e humbur. Për fat të keq, ata nuk ishin në gjendje të specifikonin një datë të saktë. Interesant ishte informacioni i një mësuesi vendor, i cili i takoi dhe foli me miqtë tanë.

Ne vazhduam në fshat, që të flisnim me fshatarët. Ngaqë u bë natë, pas këshillës së policit, ne vendosëm që të qëndronim në një hotel vendas. Aty na pritën shumë ngrohtë dhe diskutuam për situatën deri vonë.

(9 tetor) Në mëngjes, ne bashkë me mësuesin, shkuam te fshati i vogël Ndërlysaj, ku takuam fshatarët për të marrë prova mbi miqtë tanë. Njëra prej provave ishte adresa e shkruar nga Honza me dorën e vet. Na e dha një djalë i ri, që e kish marrë direkt prej Honzës. Ai na tregoi vendin ku kish qenë kapmi i shokëve. U kthyem në Theth dhe vazhduam rrugën për në Nikaj Shalë. Vendasit nuk ishin miqësorë me ne dhe njëri mend na përzuri. Ai tha se nuk është e vështirë të zhdukesh në këto male. Jo larg nga Nikaj Shalë ne takuam një punëtor rruge, i cili mbante mend një vend afër lumit, ku shokët tanë kishin ngritur kampin, lanin rrobat, gatuanin etj.

Një informacion interesant u gjet në fshatin Lotaj, ku studentët e humbur ishin parë, duke mbushur shishet me ujë për t'iu ngjitur malit, drejt fshatit Pog.

Askush nuk mbante mend a ti kishte parë ata në Pog. Vendosëm të ktheheshim në Shkodër. Ditën tjetër do të ktheheshim në Lotaj, bashkë me pajisjet, për t'u varur nëpër shpella, për të kërkuar në malet e zonës përreth Lotajt dhe Pogut.

(10 tetor) Në mëngjes, polici ynë shoqërues solli informacionin, që thuhej se vinte nga burime policore.

Shokët tanë ishin parë afër një baze ushtarake në malin e Taramushës, në Shkodër.

Vendosëm të ndryshojmë planet dhe me makinat tona "Bronco" dhe "Jeep" shkuam të kërkojmë në këtë zonë. Folëm me ushtarë në këtë bazë. Njëri prej tyre, tha se ndoshta i kishte parë studentët e humbur në fillim të shtatorit, por nga larg. Ai la të kuptohej se ata mund edhe të kishin kaluar kufirin me Malin e Zi, pa e ditur edhe vetë. Kërkuam në fshatrat përreth dhe vizituam edhe kufirin. Nuk u gjet informacion.

Gjatë kthimit, na thanë se në liqenin e Shkodrës ishin gjetur trupat e dy njerëzve që ishin qëlluar nga prapa. Vendosëm menjëherë të shkojmë në stacionin e policisë, që të shihnim trupat. Polici ynë roje konfirmoi me anë të radiomarrëses, se ne po shkonim në stacionin e policisë. Kur shkuam, na thanë se dy trupat u përkisnin dy grave. Vendosëm që të insistonim në identifikimin e tyre.

Ndërkohë, një burrë i panjohur erdhi dhe na tha se, tre të humburit ishin gjetur gjallë dhe në kushte të mira, në fshatin Nënmavriq. Me një anglishte të keqe, ai shpjegoi se dy ishin burra dhe një grua, turistë që flisnin, sipas tij, një gjuhë të panjohur dhe që kishin çanta shpine jeshile.

Informacioni për këtë mendohej se vinte nga një fshatar që njoftoi policinë, nga fshati Nikaj Shalë, pastaj Ambasadën Çeke në Tiranë dhe pastaj direkt Republikën Çeke. Vendosëm bashkë me policët që të udhëtonim drejt vendit. Në të njëjtën kohë u pyetëm nga Ambasada Çeke se çfarë kishte ndodhur, sepse në një notë zyrtare nga ambasada thuhej se tre studentët ishin gjetur dhe transportuar me helikopter drejt Tiranës.

Ne e refuzuam menjëherë mesazhin, si të pakonfirmuar. Gjatë 15 minutave ne morën informata të ndryshme nga ambasada, se mesazhi ishte prezantuar zyrtarisht nga Agjencia Çeke e Shtypit (ČTK) në median çeke.

Me kërkesë të policëve ne na dhanë nga dy roje, të armatosur me kallashnikov dhe jelekë antiplumb.

Pas diskutimit me grupin e dytë, që qëndroi në manastir, ne ikëm së bashku, përfshirë edhe motër Michaelën, drejt maleve. Pas disa kilometrave, pamë një helikopter në veri-perëndim, mbi male, në drejtim të Shkodrës.

Rrugës, roja jonë mbante kontakt me fshatarët. Pas një ore e gjysmë udhëtimi u detyruam të linim njërën prej makinave tona, sepse u prish. Pas marrëveshjes me policinë, një polic i armatosur dhe dy prej shokëve tanë qëndruan në makinë.

Më në fund arritëm në Nikaj Shalë, ku drejtori i policisë dhe policët po na prisnin me një "Fuoristradë" blu. Na thanë se studentët e humbur nuk janë aty, por në Theth, mëse tre orë rrugë prej aty. Po errej dhe na thanë se udhëtimi natën ishte shumë i rrezikshëm. Mendohej se do të ndiqnim makinën e policisë, për në Theth. Ndërsa udhëtonim përmes shtëpive të vetmuara të Ndërlisajt, morëm një urdhër të ndalonim. Polici ynë po diskutonte diçka me të zotin e një shtëpie. Ne u lidhëm me Çekinë dhe motër Michaela me manastirin. Polici foli për një kohë të gjatë me eprorin e tij me telefon satelitor.

Pas disa orësh pritjeje u urdhëruam të fiknim dritat dhe të mbanim qetësi. Pas pak dëgjuam ulërima dhe pamë njerëz që vinin drejt nesh. Ne ishim urdhëruar të rrinim pa drita. Kur të panjohurit po afroheshin, ne dëgjuam mbushje armësh. Policët tanë bënë armët gati. Një grup i vogël erdhi te ne dhe diskutonte diçka me zë të ulët. Makinat tona ishin 50 metra më tutje. Njëri prej burrave ishte i pirë, ai lëvizte para makinave, ku qëndronin shoferët. Për fat të mirë, afër 5 metra nga makina e parë, ai u thirr nga grupi që të bënte mbrapa.

Pas pak, burrat ikën. Rojet tona na thanë se vazhdimi i rrugës nuk ishte i sigurt dhe duhej ta kalonim natën në Ndërlisaj. Parkuam makinat në oborrin e njërës prej shtëpisë dhe prisnim ftesën për të hyrë brenda. Pjesa e grupit fjeti në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër me policët, në makinat e parkuara.

(11 tetor) Në mëngjes u kthyem në Shkodër dhe në stacionin e policisë, ne informuan se informacioni i djeshëm për tre njerëzit e gjetur ishte gabim dhe ata nuk ishin çekë, por të huaj të tjerë.

(12 tetor) Drejtori i Policisë na informoi ne, se tre studentët e humbur ishin parë në fillim të shtatorit afër Shkodrës. Aty mendohet se u takuan me një polic. Ne shkuam të shihnim vendin, shoqëruar nga një polic, që mendohej se i kish takuar. Ai na dha një përshkrim të tyre. Vizituam vendin dhe shtëpitë në zonë, por nuk gjetëm informacione të reja.

Nga prishja e njërës prej makinave, vendosëm të reduktojmë numrin e grupit dhe të dërgojmë njërën makinë dhe katër njerëz, për në Çeki.

(13 tetor) Grupi i parë e dërgoi makinën e thyer në Ambasadën Çeke në Tiranë.

Grupi i dytë ndoqi kreun e policisë vendore, për në zonën midis fshatrave Domen dhe Drisht, afër Shkodrës. U përpoqëm të kërkojmë vendin ku mendohej se polici kish takuar tre studentët. Folëm me njerëz në shtëpitë ngjitur, por ata thanë se nuk mbanin mend gjë.

Më tej kontaktuam kreun e Policisë Pyjore, i cili premtoi se do të na ndihmonte.

Në mbrëmje ne morën një njoftim nga qyteti i Laçit, ku studentët mendohej se ishin parë në fillim të shtatorit. Për fat të keq, ne nuk e konfirmuam informacionin.

(14 - 15 tetor) Pjesa e parë e ekipit u kthye në Çeki. I dhamë një telefon satelitor motër Michaelës, që të qëndronte me kontakt të vazhdueshëm me ne.

Kontaktuam me mediat vendore dhe televizionet, duke u kërkuar të na ndihmonin për hetimet. Një sport televiziv u dha në televizionin vendor TV1 në Shkodër. Spoti u dha 6 herë në ditë. Ne duam t'i falënderojmë ata, sepse ata e bënë këtë pa na kërkuar ndonjë financim!!!

(16-17 tetor) Vendosëm se të pritnim ishte e kotë, ndaj u kthyem në fshatin Lotaj, aty ku ne ndaluam hetimet e fillestare. Pas një problemi me njërën makinë, ne shpenzuam dy orë më shumë në rrugë dhe vendosëm të qëndrojmë në një hotel në Theth, gjatë natës. Pyetëm sërish njerëz. Në mëngjes në hotel, njëri prej policëve tanë gjeti një informacion që tregonte se përfundimisht, shokët tanë kishin ndjekur rrugën drejt maleve.

Që në fillim të ditës, përkthyesi ynë kishte probleme shëndetësore. Kur ecnin rrugës për në Bogë, ai ishte në kushte të këqija. Për fat të mirë, ambulanca e Urdhrit Maltes vepronte në zonë. Ata i dhanë ndihmën e parë. U desh një orë që ai të transportohej. Humbëm shumë kohë, që të mundnim të niseshim drejt maleve.

Më pas, në manastir ne pyetëm motër Michaelën, që t'u thoshte rojeve tona policore për të dhënat e tyre dhe t'i përkthenim ato para se të linim Shqipërinë.

(18 tetor) Takim me përfaqësuesit e OSBE-së në Shkodër. U dhamë atyre të gjitha informacionet për hetimet tona dhe na u premtua bashkëpunim i mëtejshëm.

Kthim në Ambasadën Çeke në Tiranë.

Hipëm në tragetin për në Itali, rreth orës 11:00.

(19-20 tetor) Udhëtim përmes Italisë, për në Republikën Çeke

Gazeta Shekulli