Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869

    Do martohem pas hekurave të qelisë!!

    LA BURRIN PER TE DASHURIN QE E DINTE TE VDEKUR

    TIRANE

    Buzë që puthen fort përtej hekurave të burgut. Dashuria e tyre çmendurisht kapërcen qelitë dhe takohet përmallshëm përmes letrave. Vajza dërgon puthje, e brenda skicës së buzëve të vizatuara në letrën drejtuar të dashurit të saj thotë: "Të puth fort, Rita jote!". Ajo dërgon dhe lule e përbetohet për besnikërinë e saj ndaj tij dhe nuk e fsheh që është e gatshme të realizojë ëndrrën e saj, martesën, edhe pas hekurave të burgut.
    E gjithë kjo dashuri mes Merita Kolës nga Burreli dhe Arben Lalës nga Laçi ka shpërthyer pabesueshëm brenda dy javëve. Ata kishin shtatë vjet pa u takuar. Vajza ishte martuar me një bashkëfshatarin e saj që prej një viti dhe vetëm pak ditë më parë u përball me djalin që e dinte të vdekur. Më pas divorci dhe krejt papritmas dy të dashuruarit përfundojnë në burg. Një histori e vërtetë telenovelash. Nuk bëhet fjalë për sajime. Diçka e rrallë dhe e vërtetë, një skenar i gatshëm për cilindo që provon suksesin në telenovelë, duke konkurruar me serinë e pafund të protagonistëve të dashuruar të telenovelave të Amerikës Latine. Jo më larg, por dje, në redaksinë e Gazetës mbërriti letra e dashurisë së Merita Kolës, e cila pas hekurave të burgut 313 i shkruan njeriut të zemrës së saj, edhe ky i burgosur (por në Burrel) se e do marrëzisht dhe se jep edhe jetën për të. Ndërkohë, dy të dashuruarit deklarojnë se janë burgosur padrejtësisht, se janë dhunuar barbarisht nga policia e Burreli. Megjithatë... ata, dy të dashuruarit, do të martohen qoftë dhe pas hekurave të burgut ku janë mbërthyer aktualisht.

    Si u dashuruan?
    Shtatë vjet më parë u përballën krejt rastësisht në qytetin e Burrelit. Vajza nga fshati Burgajet i Burrelit dhe djali nga Laçi u takuan në lokalin "Tarzani" dhe aty i shprehën dashurinë njëri-tjetrit. E ndërsa po bëheshin gati të vinin kurorë, Arben Lala ikën në Greqi për pak kohë se i duheshin para, dhe nuk bëhet më i gjallë. Pas gjashtë vjetësh pritjeje e ankthi, Merita martohet me Mustafa Kolën nga Burreli. Gjithçka do të ishte mbyllur me kaq, kur dy javë më parë 22-vjeçarja mëson se i dashuri i saj, që e dinte të vdekur, ishte kthyer nga Greqia. I kërkon bashkëshortit divorc dhe pas OK-it të tij, shkon të martohet me Lalën. Në vendin e takimit arrestohen të dy.

    Arrestimi
    Merita Kolën (Sulmetaj) e denoncoi daja i burrit të saj, në shenjë hakmarrjeje se i la nipin. Kaq mjaftoi që policia e prokuroria të mbanin në burg dy të dashuruarit. Jo vetëm kaq, ish-nusja burrelase dhe 28-vjeçari Lala u akuzuan për trafik prostitucioni. Gjatë marrjes në pyetje në qeli dy të rinjtë pohojnë se u torturuan barbarisht. Gjithsesi, ata shpre-sojnë se e gjithë kjo është një histori telenovele dashurie që do të mbarojë shpejt dhe me kurorëzimin e lumturisë së tyre.


    Familjet e dy të dashuruarve: Do të bëjmë dasmë sipas zakonit

    E ndërsa përfaqësuesit e ligjit ngulin këmbë se lidhja mes Merita Kolës dhe Arben Lalës nuk është serioze, të kundërtën pohojnë familjet e dy të rinjve. "Prokuroria e Burrelit duhet të sqarojë pse na burgosi djalin dhe vajzën". Kështu janë shprehur dje dy kryefamiljarët, Lala dhe Sulmeta, të cilët sqarojnë se janë krejtësisht dakord për martesën e dy të rinjve. "Fillimisht menduam që të mos bënim dasmë, pasi Merita është martuar një herë, por pas veprimeve të dhunshme të prokurorisë dhe policisë, kemi rënë dakord me babanë e djalit, Tom Lalën, që të bëjmë dasmë sipas zakonit", thotë Osman Sulmetaj. Ndërkohë, prindërit e Meritës dhe të Arbenit shprehen se është absurde të prishësh martesën e dy të rinjve dhe e turpshme të bësh supozime dhe akuza të paqena, duke e lidhur historinë e dashurisë së tyre me trafikun e prostitucionit. "Sapo mora lajmin se Merita do të ndahej nga burri, pasi ishte kthyer i dashuri i saj Arben Lala, vendosa të kthehesha urgjentisht nga Greqia. Unë e mbështes motrën time në zgjedhjen që ka bërë. Arbeni është djalë i mirë dhe nuk është e vërtetë se është trafikant", thotë Artan Sulmetaj. Edhe avokati i Merita Kolës, Islam Ismaili, i cilëson veprimet e policisë e prokurorisë si të paprecedenta në historinë e shteteve demokratike.


    Prokuroria: Dy të rinjtë i kapëm për trafik

    Arben Lalën dhe Merita Kolën i arrestuam, pasi akuzohen për konsumimin e veprës penale të trafikut të prostitucionit". Kështu pohojnë burime nga policia dhe prokuroria e Burrelit. Ndonëse organi hetimor nuk ka prova të mjaftueshme për të argumentuar ligjërisht prangosjen e dy të rinjve, ka vendosur mbajtjen në burg të tyre derisa të zbardhet çështja në fjalë. Sipas bluve, Arben Lala është një person i dyshuar. Për policinë lidhja e Merita Kolës me 28-vjeçarin Lala jo vetëm nuk është serioze, por është bërë mbi bazën e interesave kriminale. Ndryshe nga rastet e tjera kur përflitet për trafik e viktima prostitucioni, kësaj here familjet e dy të akuzuarve i kundërvihen organit hetimor dhe prokurorisë. Madje, ata kanë dhënë edhe OK-in e martesës. Gjithsesi, dosja e hapur për Merita Kolën dhe Arben Lalën është në hetim e sipër. Nuk dihet nëse do të mund të provohet akuza që iu është atashuar dy të rinjve në fjalë.

  2. #2
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869

    Më rrahën për të mohuar të dashurin

    Tejet e tronditur dhe e mbushur gjithë mllef për njerëzit që jo vetëm i mohuan dashurinë e saj të madhe, por edhe e dhunuan fizikisht në qelitë e Komisariatit të policisë së Burrelit, Merita Kola (Sulmetaj), që prapa hekurave të burgut 313 dje i është drejtuar për ndihmë kryeprokurorit të Republikës Theodhori Sollakut dhe Avokatit të Popullit Ermir Dobjani. Pas denoncimit publik në media, 22-vjeçarja nga fshati Burgajet i Burrelit u ka dërguar letër përfaqësuesve të dy institucioneve të drejtësisë me shpresën e vetme që të lërë qelinë ku ndodhet aktualisht, të marrë pafajësinë, si dhe të vërë përpara përgjegjësisë dhe forcës së ligjit dhunuesit e saj. Përmes letrës adresuar Sollakut dhe Dobjanit, ish-nusja burrelase pohon se si e arrestuan atë dhe të dashurin e saj nga Laçi, Arben Lalën, me të cilin ka vendosur të lidhë jetën përgjithmonë. Ndërkohë, Merita Kola akuzon drejtpërdrejt dhe me emra konkretë ata që e fyen me fjalë të ndyra dhe që e rrahën barbarisht në dhomat e paraburgimit në Burrel. Nën akuzë vihen oficerë të Policisë Gjyqësore, inspektorë të Policisë Kriminale, punonjës të thjeshtë policie, si dhe vetë kryeprokurori i rrethit të Burrelit, Arben Dyla. Jashtë frikës, vajza e cila mbart mbi vete një histori dashurie të rrallë, denoncon atë çka ndodh shpesh në qelitë e paraburgimit të komisariateve të policisë në vendin tonë dhe që justifikohet padrejtësisht në emër të ligjit. 22-vjeçarja i bën apel Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit që të vendosin drejtësi. Ajo sqaron se së bashku me të dashurin e saj është burgosur padrejtësisht e akuzuar për konsumimin e veprës penale të trafikut të prostitucionit.

    Denoncimi
    "Ju lutem, mbroni të drejtat tona. Mbi të gjitha jemi njerëz dhe jo kafshë". Me këtë mesazh i është drejtuar dje Merita Kola (Sulmetaj) kryeprokurorit Theodhori Sollaku dhe Avokatit të Popullit Ermir Dobjani. Në letrën drejtuar dy autoriteteve në fjalë, vajza nga Burreli pohon se e kanë arrestuar më 23 korrik të këtij viti, teksa kishte takuar njeriun e saj të zemrës. Ajo i shkruan Sollakut e Dobjanit se bashkë me të dashurin akuzohen për trafik prostitucioni. Ndërkaq, 22-vjeçarja denoncon dhunën e ushtruar ndaj saj nga njerëzit që përfaqësojnë shtetin e ligjin. "Pasi më arrestuan, më çuan në komisariatin e Burrelit. Në orën 23.00 më morën në pyetje pa praninë e avokatit. Në seancën e tmerrshme ishte i pranishëm oficeri i Policisë Gjyqësore Miklovan Lazri, inspektori i Policisë Kriminale Renato Bujo dhe pesë të tjerë. Unë kam fiksuar vetëm emrat e tre prej uniformave blu: njëri quhej Leonard, tjetri Ramazan, ndërsa i treti Llan. E ndërsa filluan të më pyesnin, më goditën me shpulla dhe me shqelma në bark derisa më ra të fikët. Pasi më hodhën ujë e erdha në vete, filluan sërish të më fyejnë me fjalë që më vjen turp t'ua them, se janë shumë të ndyra, dhe të më rrahin. Në një moment polici me emrin Ramazan më godet në kokë. Mbaj mend se një tjetër më shkuli vathin nga veshi", tregon Merita Kola. Kjo e fundit thotë se për dy ditë radhazi ka pasur hemorragji dhe vetëm pas dy ditëve i kanë dërguar doktor, i cili i ka qepur veshin e shqyer. E burgosura deklaron se është kërcënuar nga kryeprokurori i Burrelit, Arben Dyla.

    Shpresa
    Pas denoncimit të dhunuesve të saj, Merita Kola shpreh bindjen se kryeprokurori Sollaku dhe Avokati i Popullit Dobjani do të ndëshkojnë uniformat e policisë që e dhunuan fizikisht dhe nga ana psikike. "Dashuria më ka mbajtur gjallë. Disa herë kam menduar të vras veten pas asaj që më bënë. Ju kërkoj ndihmë, kjo që më ndodhi mua dhe që është skandaloze, të mos i ndodhë dikujt tjetër", shkruan në letër 22-vjeçarja.


    22-vjeçarja letër nga qelia edhe Xhoana Nanos

    Privimi i dashurisë dhe ndëshkimi i saj në burg e detyruan pak ditë më parë Merita Kolën t'i drejtohej për ndihmë Zonjës së Parë të vendit, Xhoana Nanos. Në letrën drejtuar Xhoit, vajza nga Burgajeti i Burrelit sqaron se është arrestuar padrejtësisht. Në pak rreshta ajo tregon për dashurinë e saj me njeriun të cilin prej shtatë vjetësh e dinte të vdekur. "Jam e pafajshme. Ju lutem më ndihmoni të fitoj lirinë time, të jetoj e qetë jetën time private, e cila më është dhunuar në mënyrë absurde nga punonjës policie në Burrel. Gjithashtu, ju lutem që çështjen time ta shikoni shpejt. Më jepni një afat", i shkruan 22-vjeçarja bashkëshortes së kryeministrit. Të afërm të vajzës deklarojnë se Merita i është drejtuar për ndihmë Xhoana Nanos, pasi kjo e fundit shpeshherë është shprehur e gatshme të ndihmojë njerëzit në nevojë. Familja Sulmetaj shpreson se edhe Zonja e Parë mund të bëj diçka, kur bëhet fjalë për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.


    14-vjeçarja:E pësova edhe unë prej motrës

    Familja Sulmetaj nga fshati Burgajet i Burrelit akuzon blutë e këtij rrethi se kanë keqtrajtuar jo vetëm vajzën e tyre Meritën, e cila ishte e martuar me Mustafa Kolën, por edhe vajzën e vogël dhe djalin e tyre, Artanin. Vetë 14-vjeçarja Vojsava Sulmetaj pohon se është marrë disa herë me përdhunë nga shtëpia dhe është dërguar në komisariat. "Më kanë mbajtur për orë të tëra në polici. Atje më kanë pyetur për motrën time Meritën dhe të dashurin e saj, Arben Lalën nga Laçi. Pasi iu përgjigja se ata duhen dhe do të martohen, policët më pyetën nëse motra do të më trafikonte jashtë. Kjo pyetje më shokoi", deklaron për Gazetën 14-vjeçarja. Kjo e fundit sqaron se e ka kërcënuar dhe kryeprokurori i rrethit Arben Dyla. Madje Vojsava thotë së Dyla e ka terrorizuar, duke i thënë se do të urdhëronte t'i bëheshin analizat për të parë nëse ajo ishte e virgjër apo jo.


    DESHMIA NE LETER

    Më morën në pyetje pa praninë e avokatit.
    Ishin të pranishëm oficeri i Policisë Gjyqësore Miklovan Lazri, inspektori i policisë Renato Bujo dhe pesë të tjerë.
    Unë mbaj mend vetëm emrat e tre prej tyre. Ata quheshin Leonard, Ramazan dhe Llan.
    Teksa më pyesnin, më goditën me grushte dhe shqelma në stomak
    Më ra të fikët.
    Më hodhën ujë dhe erdha në vete
    Ramazani më godet sërish me grushte në kokë.
    Të gjithë më shanë me fjalë të ndyra
    Njeri prej tyre më shkuli vathin nga veshi
    Pas dy ditëve me temperaturë dhe hemorragji, më sollën doktorin.

  3. #3
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869
    Vetëm dy ditë pasi "Gazeta shqiptare" dhe Neës 24 publikuan lajmin e arrestimit të një çifti të rinjsh në Burrel, që akuzoheshin për trafik prostitucioni, prokuroria intensifikoi hetimet dhe pushoi çështjen në ngarkim të tyre. Merita Kola e Arben Lala, çifti i arrestuar, kanë një histori interesante, e cila për fat të mirë pati fund të lumtur, megjithëse pas takimit të parë pas shtatë vjetësh të humbur "pushuan" për dy javë në qeli, njëri te 313 dhe tjetri në komisariatin e Burrelit.
    Ka qenë një urdhër i nxjerrë dje nga Prokuroria e Përgjithshme që ka vënë në lëvizje organin e akuzës së rrethit të Burrelit për të parë imtësisht çështjen në ngarkim të çiftit të dashuruarve Merita Kola (Sulmetaj) dhe Arben Lala. Përfundimi i kësaj ishte vendimi për pushimin e çështjes dhe urdhërimi i autoriteteve të paraburgimit për nxjerrjen nga qelia të dy të dashuruarve.

    Si u dashuruan
    Para 7 vjetësh Merita, atëherë 15-vjeçare, takohet rastësisht me Arbenin 21-vjeçar (tashmë 28), në lokalin "Tarzan" të qyettit të Burrelit. Vajza nga fshati Burgajet i këtij rrethi dhe djali nga Laçi vedosin të lidhin fatin bashkë. Gjithçka midis tyre u ndërpre menjëherë kur Arbeni largohet drejt Greqisë, për të mos u bërë më i gjallë deri para dy javësh. Merita e priti atë për gjshtë vjet me radhë dhe duke e menduar të vdekur vendosi të martohej me Mustafa Kolën nga Burreli. Kur martesa e tyre kishte mbushur një vit, papritmas shfaqet Arbeni, i menduar i vdekur për shtatë vjet me radhë. Merita i merr OK Mustafait, bashkëshortit të vet ligjor, për të zgjidhur martesën me të dhe për t'u lidhur me Arbenin. Gjithçka nis të funksionojë mirë, si shtatë vjet më parë, por pa kaluar pak orë, më 25 korrik dy të dashuriarit e shohin veten në Komisariatin e Burrelit. Akuza e ngritur mbi ta ishte "trafik prostitucioni". Mjaftoi kaq që prokuroria të mbushte në ngarkim të tyre një dosje penale dhe për të dërguar në qelitë e paraburgimit të dy të dashuruarit, megjithëse ata kishin vendosur që në datën 1 gusht të martoheshin. Madje, në mënyrë të përshpejtuar kishin bërë edhe gjithë zakonet e rastit.

    Arrestimi
    Merita Kola (Sulmetaj) pretendon se denoncimin për të dhe të dashurin e saj e ka bërë daja i Mustafa Kolës, ish-burrit të saj, për shkak se i la nipin. Ajo pretendon se gjatë marrjes në pyetje, në qelitë e komisaritit të Burrelit, mbi të është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë. Ndërsa prokuroria e Burrelit pretendon të kundërtën. Ata kanë ngritur mbi dy të rinjtë akuzën e "trafikut të prostituicionit". Prokuroria në momentin e arestimit nuk pretendoi për të pasur prova në ngarkim të të arrestuarve, por argumentoi se ato do të gjendeshin gjatë hetimeve. Njëkohësisht gjatë kësaj kohe pritej të zbardhej edhe gjithë ngjarja. Pikëmbështetja e prokurorisë për arrestimin e Kolës dhe Lalës ishte vetëm denoncimi i bërë në ngarkim të tyre, në të cilin pretendohej për lidhje për qëllime kriminale dhe jo dashurie.


    Familjarët: Meritën duam ta nxjerrim nuse nga burgu

    Meritën duam ta nxjerrim nuse nga qelia". Kështu janë shprehur familjarët e saj dhe të të dashurit të saj Arben Lala. Pushimi i çështjes dje nga ana e prokurorisë është shoqëruar me urdhrin për t'i lënë menjëherë të lirë Kola-Lalën, por ende nuk dihet nëse ata janë nxjerrë nga qelia. Familjet Kola dhe Lala, që prej 25 korrikut, kur dy të dashuruarit u ritakuan pas shtatë vjetësh, vendosën t'i jepnin OK martesës së tyre, por çdo gjë ngeci pas arrestimit të tyre. Duke vazhduar më tej, familjarë të dy të dashuruarve janë shprehur se kthimi në shtëpi i çiftit duhet të jetë ceremonia e martesës së tyre. Sipas familjarëve pritet vetëm nxjerrja nga qelia e dy të dashuruarve për të vazhduar më tej me dasmën e tyre, masat për të cilën janë marrë prej disa ditësh, pasi pritej që ceremonia martesore të zhvillohej më një gusht.


    Gazeta denoncoi nëpërmjet publikimit të historisë tonditëse

    Gazeta dhe Neës 24 që prej dy ditësh e publikuan historinë e 22-vjeçares Merita Kola (Sulmetaj) dhe Arben Lala, çiftit të dashuruar para shtatë vjetësh dhe të arrestuar pak ditë pas takimit të tyre. Gazeta në numrin e djeshëm publikoi, veç tjerash, edhe disa letra të 22-vjeçares dërguar që nga hekurat e qelisë të dashurit të saj dhe institucioneve të drejtësisë. Publikimi i këtij rasti nga Gazeta dhe Neës 24 bëri që institucionet e drejtësisë të viheshin në lëvizje për të kryer hetime intensive për këtë çështje. Sipas Kodit Penal në fuqi, për çështje të tilla hetimet zgjasin deri në 9 muaj. Por publikimi bëri që gjithë procedurat hetimore të përfundoheshin brenda pak ditësh, duke u minimizuar kështu vuajtjet e të dashuruarve në qeli.

  4. #4
    GuEsS...? Maska e Leandra
    Anëtarësuar
    24-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    185
    Wow...s'kam fjale te tjera.
    Une me ty pata fillu
    vec ta bej tjetrin xheloz,
    e tash me ty jam dashuru,
    ...kjo pune me ben nervoz....

  5. #5
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869

    Vesh vellon nusja e prangosur!!

    Dasma e dy të rinjve fillon te burgu 313 e mbaron në Laç

    Një kërcitje brave dhe më pas hapet zhurmshëm dera e burgut 313. Jashtë portës së madhe dhe të errët shfaqet e hutuar një vajzë imcake, me mollëzat paksa të kuqe e me vetullat e holla të harkuara. Ajo shikon mes grumbullit të njerëzve që ndodhen jashtë burgut, dhe afrohet nga ne. Është ora 11.30. Merita Sulmeta, protagonistja e një dashurie të mohuar deri pak minuta më parë, tashmë është e lirë. Ashtu e ndrojtur dhe me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, afrohet te të afërmit e burrit të saj. Është nipi i Tom Lalës (vjehrrit) me bashkëshorten dhe djalin e tij, e shumë të tjerë që e presin me mall nusen e dalë nga "shtetrrethimi" i burgut të njohur në kryeqytet. Mes turmës së njerëzve që kishin ardhur nga Laçi për ta pritur, 22-vjeçarja kërkon të dijë nëse është liruar dhe i dashuri i saj i zemrës, Arben Lala, me të cilin do të martohet. "Arbeni është ende në burg në Burrel, por do të lirohet edhe ai", i thonë të gëzuar krushqit nga Laçi. E ndërsa përshëndeten me gardianët e burgut, turma mes të cilëve ndodhet nusja nga Burreli drejtohet te lokali "Lura", që ndodhet në fillim të rrugicës së burgut. Futemi zhurmshëm në lokal. Të papërmbajtur, të afërmit e dhëndrit njoftojnë Tom Lalën që të vinte dhe të merrte nusen në Tiranë. Në pritje të vjehrrit të nuses, ulemi në një tavolinë dhe bisedojmë me vajzën, e cila si rrallëherë, me historinë e saj, u kthye në një heroinë të një telenovele dashurie.

    Nusja
    Megjithëse një vajzë fshati e drojtur, çuditërisht flet e shpenguar në sy të njerëzve të burrit. Duket sikur njihet prej shumë kohësh me ta. "Shpresoja se do të më linin të lirë. Sapo kërkova që të flisja në telefon me vjehrrin tim, Tomën, për ta pyetur se çfarë u bë, erdhi një gardian e më tha se isha e lirë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, unë dhe i dashuri im Arbeni jemi të pafajshëm. Më në fund drejtësia e tha fjalën e saj", thotë Merita.

    Ceremonia
    Pas disa orësh pritjeje në lokalin "Lura", mbërrijnë një turmë e madhe dasmorësh nga Laçi e Burreli. Mes tyre ndodhen babai i Meritës, Osman Sulmeta, motra e saj 14-vjeçare Vojsava, si dhe vjehrri Tom Lala, i cili i pari drejtohet nga nusja e djalit të vet dhe e përqafon fort. "Të na trashëgohesh, moj bijë! Paç hajrin!" Një skenë vërtet mbresëlënëse. Merita hidhet në krahët e babait të saj, i cili pak nga mosha dhe fiziku i dobët, mezi rri në këmbë. Nis ahengu. Lokalin e marrin në "dorë" krushqit. "Tani do nisim dasmën dhe këtu në këtë lokal," thotë Tom Lala. Ndërsa nusja pohon se do të vishet me vello e do të ndalë hapin para Prokurorisë së Përgjithshme, derisa të lirohet i dashuri i saj, Arbeni. Ende pa mbaruar mirë fjalën Merita, avokati i saj jep lajmin e mirë: "U lirua nga burgu Arben Lala". Njerëzit nga Laçi e Burreli nisin ahengun.

    Dasma
    Ashtu siç kishte premtuar, Merita Sulmetaj u bë nuse sapo doli nga burgu. Në një ambient të lokalit ajo vesh vellon e bardhë. Me një tufë lulesh të bardha dhe e kuqe flakë, ajo rri mes turmës së njerëzve që këndojnë: "Sa e mirë ka dalë nusja, marshallah, marshallah". Rrokullisen gotat. Ndërkohë, Tom Lala pohon se "sot do të bëjmë dasmën. E kisha planifikuar që dasmën ta bënim të shtunën, pasi doli vendimi për pushimin e çështjes, por prokurorët për së dyti na prishin punë. Gjithsesi, rroftë drejtësia. Dasmën do e bëj sot në lokalin "Vabli", i cili ndodhet në vendin që ndan Burrelin dhe Kurbinin. Jeni të ftuar të gjithë. Dhe ju gazetarët", thotë Toma. Disa makina me shami të lidhura dasme presin jashtë lokalit. Por para se të niset nuse për në Kurbin, Merita e veshur nuse troket te porta e burgut 313 dhe u jep gardianëve një gonxhe të bardhë në emër të çiftit të dashuruar dhe të drejtësisë që i pagëzoi më në fund burrë e grua.


    Avokati: Kryetari i trupit gjykues hezitoi të jepte arrest për Meritën

    Prokuroria bëri një veprim të nxituar me arrestimin e Merita Sulmetës dhe të djalit që ajo do, Arben Lalës nga Laçi. Që të akuzosh dikë për trafik prostitucioni, vepër penale kjo që parashikon deri 15 vjet burg, duhet të kesh prova dhe jo të nisesh thjesht nga disa sinjalizime që nuk të çojnë gjëkundi", deklaron avokati i Merita Sulmetës, Islam Ismaili. Ndërkohë, përfaqësuesi i mbrojtjes tregon se çështja e klientes së tij u nis krejt mbrapsht dhe jo me profesionalizëm nga prokuroria e Burrelit. "Unë u habita kur prokurori kërkoi ndalimin e Meritës. Që të bëhej ky veprim, të paktën duhej që akuza të kishte një provë apo një fakt në dorë. Unë protestova, duke thënë se nuk mbroj elementin kriminal, por në këtë rast nuk bëhet fjalë për trafik prostitucioni, dhe se ndaj pjesëtarëve të familjes Sulmeta ishte ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike, e cila nuk mund të justifikohej", tregon avokati, i cili sqaron: "Kryetari i trupit gjykues nuk ishte dakord që Merita të shkonte në burg. Ai i tha prokurorit se akuza e ngritur ndaj Meritës ishte e nxituar. Gjithsesi, gjyqtari firmosi falë këmbënguljes së prokurorit të çështjes, që këmbëngulte se kishte zbuluar një rrjet të trafikut të prostitucionit.


    Çifti Lala u lirua pas denoncimit nga Gazeta

    Vetëm pak ditë pas arrestimit, nisur nga heshtja e organeve të drejtësisë për zgjidhjen e problemit të tyre, Merita Sulmeta nga Burreli dhe Arben Lala nga Laçi iu drejtuan për ndihmë medias. Paanësisht "Gazeta Shqiptare" publikoi dashurinë e mohuar të dy të rinjve, që u takuan pas shtatë vjetësh. Përveçse historisë së dy protagonistëve që u burgosën me akuzën e trafikut të prostitucionit, gazeta dhe News 24, si dhe media të tjera, publikuan dhunën që policia kishte ushtruar mbi pjesëtarët e familjes Sulmeta. Në Gazetë u publikua edhe apeli që Merita Sulmeta i bëri kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Avokatit të Popullit Ermir Dobjani, si dhe Zonjës së Parë të vendit, Xhoana Nanos.

  6. #6
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869
    LAÇ

    Një dasmë e pazakontë është bërë dje në një lokal në rrethin e Kurbinit. Ndryshe nga zakoni, Merita Sulmeta dhe Arben Lala janë kurorëzuar të hënën, vetëm pak orë pasi kanë lënë qelitë e burgut. Lotët dhe gëzimi i papërshkrueshëm i kanë mbërthyer dasmorët, kur nusja e dalë nga "shtetrrethimi" i repartit 313 është hedhur në krahët e dhëndrit të dalë nga dhomat e paraburgimit në komisariatin e policisë së Burrelit. Puthje të përmallshme, dhe më pas ahengu i shoqëruar nga këngët dhe vallet karakteristike të zonës. Tom Lala, i zoti i dasmës, ka uruar dhe përqafuar çiftin. "Jam tepër i gëzuar që sot po martoj djalin tim me vajzën që e deshi aq shumë. Dasmën e bëra pikërisht në këtë lokal, i cili ndodhet në kufirin ndarës mes Burrelit e Laçit, me mesazhin e vetëm të triumfit të dashurisë së vërtetë dhe të sheshimit të konflikteve mes çiftit dhe organeve të drejtësisë. Falënderoj drejtësinë dhe median që kontribuan për lirimin e nuses dhe të djalit, të cilët u akuzuan padrejtësisht. Urimi im i vetëm është 'Të na trashëgohet çifti'", është shprehur Lala. Ndërkohë, dhëndri, Arben Lala, ka shprehur emocionet e tij për "Gazetën Shqiptare".

    Sot po përjetoni dy gëzime në një ditë?
    Eshtë vërtet kështu. Gëzimi i parë është se dola nga burgu, kurse i dyti se sot po martohem me vajzën që desha dhe për të cilën kam ndenjur net të tëra pa gjumë. Në këto momente nuk dua të kujtoj ata që dhunuan dashurinë time. Kjo për faktin se martesa ime me Meritën është kurorëzim i një dashurie tërë sakrifica, por të dëlirë dhe jo ashtu siç e kanë përfolur. Janë pikërisht këto sakrifica që dasmën tonë e bëjnë të veçantë.

    Çfarë nuk realizuat dot?
    Dëshiroja të bëja një dasmë të madhe, ku të ftoja gjithë të afërmit e mi. Kjo nuk u realizua ashtu siç desha, pasi ashtu na u krijuan rrethanat.

    Cili është mesazhi që ju u drejtoni organeve të drejtësisë?
    Uroj që drejtësia të reflektojë, ashtu siç bëri në rastin tim e të Meritës, që u ndëshkuam padrejtësisht po nga njerëz që përfaqësojnë ligjin. Uroj që të dashuruar të tjerë të mos kenë fatin tim. Ndërkohë, deklaroj se nuk do të merrem me njerëzit që cenuan padrejtësisht lirinë e privacinë time. Për këtë le të thonë fjalën e tyre organet e drejtësisë.


    Pensionisti nga Tirana urime çiftit Lala

    Historia e dashurisë e Merita Sulmetës dhe Arben Lalës nga Laçi, e cila i ngjan vërtet një telenovele, është ndjekur me vëmendje nga lexues të shumtë të "Gazetës Shqiptare" dhe teleshikues të "News 24". Dje në redaksinë e Gazetës ka mbërritur një letër nga Haki Drini, banues në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë. Tejet i emocionuar nga lajmi për lirimin nga burgu të çiftit të dashuruar, pensionisti Drini dërgon urimet më të mira për dy të rinjtë. "Merita Sulmeta dhe Arben Lala janë protagonistë të një historie të vërtetë dashurie. Falënderoj redaksinë e 'Gazetës Shqiptare' dhe 'News 24' për publikimin e kësaj dashurie sublime, të rindezur pas plot shtatë vitesh. I uroj çiftit jetë të lumtur", shkruan qytetari Drini.

  7. #7
    ~*SoMeOne's LiL SuGar*~ Maska e sweet_babe
    Anëtarësuar
    09-08-2004
    Vendndodhja
    ~*Ne endrrat e Mia dhe te Tuat...*~
    Postime
    503
    qyqja.... dashuri kaq te zjarrte skisha pare a degjuar ndonjehere. Po kjo goca burrin se paska dashur fare . Gjynah i shkreti... Por edhe historia e dashurise se ketyre cik e dhimbshme se edhe tani qe mund ta realizonin enderren e tyre te ishin bashke shiko cju ndodhi. Tamam si nje telenovel!!
    ~* After the baby talk the Gu Gu Ga Ga, you ask me can you be my Bi Ej Bi Y*~

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •