Blerina Goce
Në programin special të “Tirana International Film Festival”, dy filma të rrallë të gjetur në Arkivin e Filmit Shqiptar. “Mr Topaze” dhe “Bazilikasit” për herë të parë në kinema që nga vitet ’60
Janë thesare të gjetura në Arkivin e Filmit Shqiptar dhe një pjesë e tyre nuk gjenden as në DVD, në asnjë vend të botës. Të rrallë dhe tepër të vlefshëm për atë çfarë prezantojnë janë pjesë e programit special të “Tirana International Film Festival”. Një prej tyre, si për ironi, ka shpëtuar pikërisht nga izolimi i Enver Hoxhës. Bëhet fjalë për “Mr Topaze” ose “Unë i dua paratë”, një prodhim filmik britanik i vitit 1961 i legjendarit komik anglez Peter Sellers, i cili do të shfaqet për publikun mbrëmjen e sotme. “I shndërruar në yll ndërkombëtar, Sellers, i cili më vonë krijoi filma të mirënjohur, si: ‘Being there’ apo ‘Dr. Strangelove’, iu kthye në vitet ’60 ‘Mr Topaze’ dhe nuk pëlqeu atë çfarë kishte krijuar. Ai urdhëroi që të gjithë kopjet t’i ktheheshin atij dhe i dogji dhe shkatërroi”, - thotë Tomas Logoreci, përzgjedhës i programit në TIFF. Porse regjimi i Enver Hoxhës për shumë arsye e injoroi këtë urdhër të komikut të njohur britanik dhe nuk e ktheu kurrë kopjen e filmit. Kështu, sot fatmirësisht kemi në dorë këtë film që kritikët dhe fansat e Sellers e kanë pasur të pamundur ta shohin.
“Më kanë ardhur shumë e-mail-e, ku më kërkonin nëse mund t’ju jepja një kopje të Mr Topaz”, - vëren Logoreci, duke shpjeguar se që në vitin 1961 filmi nuk është shfaqur kurrë në televizion në Angli apo në Amerikë, nuk është shfaqur kurrë në kinema dhe nuk ka qarkulluar as në DVD.
“Është një film bardh e zi dhe nuk ka ngjyra, por gjithsesi diçka unike”, - nënvizon ai.
Peter Sellers, njëkohësisht regjisor dhe aktor në këtë film, ka sjellë një adaptim të dramës së Marcel Pagnol rreth një mësuesi francez.
“Bazilikasit”, një rrëfim i ndershëm për seksin
Filmi i dytë është ai i regjisores italiane Lina Wertmuller.
Nuk ka asgjë të shkruar në kutitë e filmit të parë të Wertmuller, “Bazilikasit”. Ka mundësi që regjimi komunist, pasi e importoi këtë komedi italiane, e mbylli atë në raftet e arkivit.
Duke qenë se regjisorja njihej si e majtë politikisht, mund të kuptohet lehtësisht pse filmi erdhi fillimisht në Tiranë, por nuk u shfaq për shkak të subjektit të tij.
Për 10 minuta satirë të jetës në një qytet të vogël të Italisë është e qartë pse nuk është shfaqur në kinematë e Shqipërisë. Tre burra të rinj pa qëllim, duke diskutuar për gratë dhe seksin, një indikacion i humorit radikal, i cili shënoi filmat e saj të mëvonshëm të viteve 1970.
“Ky film erdhi në Shqipëri në vitin 1981, kur Mehmet Shehu ishte vrarë dhe këtu në Shqipëri ishte shumë rrezikshëm. Wertmuller ishte një marksiste e njohur. Për këtë arsye filmi i saj është futur lehtësisht në Shqipëri. Në mënyrë të ndershme në këtë film flitet për seksin dhe fenë. Edhe pse regjisorja ishte artiste marksiste, ajo ishte një krijuese filmash e lirë”, - pohon Logoreci, duke shtuar se filmi nuk është shfaqur kurrë në kinematë shqiptare.
“Ky film nuk është në DVD. Mund ta kërkoni kudo dhe realisht është një klasik i vërtetë. Arkivi Shqiptar i Filmit është një arkiv fantastik”, - përmbyll ai.
Është shumë e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të ndodhte nëse “Bazilikasit” do të shfaqej në kinematë shqiptare gjatë kohës së Enver Hoxhës. Ky film vjen për të parën herë para publikut tani, 45 vjet pas prodhimit të tij.
Ndikimi nga Fellini
Kur drejtoi “Bazilikasit”, Wertmuller, në atë kohë 35 vjeç, sapo kishte marrë pjesë si asistentregjisore në filmin e Federico Fellinit “Otto e Mezzo”.
Ndihet influenca nga Fellini në planet bardh e zi të kameramanit Gianni Di Venanzo, si dhe ideja e subjektit nga “I Vitelloni” (1953) të regjisorit të madh.
Wertmuller shkoi për të drejtuar disa nga veprat komike të kinemasë italiane dhe ishte gruaja e parë e nominuar për çmimin “Akademik”.
Gazeta Metropol
Krijoni Kontakt