Ermal dhe Alban Daja tentuan të vjedhin 7 milionë lekë të kompanisë “Vodafone”, para portës së “Alpha Bank”
Përleshje para bankës për 70 milionë
Policët privatë kanë ndërhyrë, duke penguar vjedhjen. Ermal Daja, ish-punonjës i “Vodafone”
Artur Qoraj
TIRANË- Dy vëllezër kishin planifikuar një grabitje spektakolare para portës së “Alpha Bank”, por plani i tyre dështoi brenda pak sekondash. Ndërhyrja e menjëhershme e dy policëve të objekteve “Alpha Bank” dhe “Tirana Bank”, u ka hequr nga dora 7 milionë lekë të reja të kompanisë celulare “Vodafone” Ermal dhe Alban Dajës. Pas izolimit nga policët privatë, agjentët e komisariatit nr. 3 të Tiranës arrestuan vëllezërit Daja, të cilët tentuan të vidhnin me ndihmën e një pistolete lodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9.30 minuta të mëngjesit të djeshëm, në kohën që policia e Tiranës ishte e angazhuar me shuarjen e zjarrit në magazinën e bojërave. Dy vëllezërit, të informuar më së miri për kohën dhe ditën që kompania e telefonisë celulare depozitonte lekët, i kanë zënë pritë punonjësit që mbante në dorë 7 milionë lekët e ndara në dy qese dhe ia kanë rrëmbyer atë. Ndërhyrja e policit që ruante “Alpha Bank” ka shmangur grabitjen dhe ka çuar në pranga vëllezërit vlonjatë, njëri prej të cilëve kishte qënë punonjës i kompanisë së telefonisë celulare.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë, Ermal dhe Alban Daja kishin zënë pritë përballë bankës që prej orës 08.00 të mëngjesit. Ata i njihnin personat që kryenin depozitimin e parave në bankë, pasi 25-vjeçari Ermal Daja kishte punuar për të njëjtën kompani. Ora shënonte 09.15 minuta, kur pranë “Alpha Bank” janë shfaqur me dy qese në dorë tre punonjës të kompanisë “Vodafone”. Ata kishin me vete 7 milionë lekë, që do të depozitoheshin në bankë. Pak sekonda para se të hapte derën e “Alpha Bank”, punonjësi i kompanisë së telefonisë celulare sulmohet nga Alban Daja, që i rrëmben nga dora njërën prej qeseve me para. Në ‘aksion” hyn edhe vëllai i tij më i madh, Ermali, i cili rrëmben qesen tjetër. Polici privat i turnit të parë i është hedhur nga këmbët, sapo ka parë atë që po ndodhte. Ka qënë shumë pranë në ato çaste dhe me fuqinë e tij ka mundur ta vërë poshtë të riun. Ndërsa përleshej me të, Albani është larguar rreth 15 metra me vrap. Në këtë moment ka kthyer kokën dhe ka parë të vëllanë që po përpiqej të shpëtonte nga duart e policit, duke kërkuar ndihmë. Ka nxjerrë një pistoletë, që më pas rezultoi lodër dhe kërcënoi policin, që të lëshonte të vëllanë. Por në këtë moment ka vepruar polici privat që shërbente në bankën ngjitur, “Tirana Bank”. Ai i ka vendosur automatikun në kokë kërcënuesit, duke e detyruar të lëshonte përtokë pistoletën dhe të dorëzohet së bashku me paratë.
Hetimet
Burime të policisë thanë se për arrestimin e njërit nga grabitësit ka vepruar edhe patrulla “Shqiponja”,që në ato çaste ndodhej në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë qendrës së Tiranës, ndërsa qindra uniforma të tjera kishin shkuar për të shuar flakët e zjarrit në magazinën e bojës. E gjithë skena nuk ka zgjatur më shumë se pesë minuta, duke përfunduar me prangosjen e Ermal dhe Alban Dajës. Të dyve u janë vënë prangat në rrugë dhe më pas janë përcjellë për në komisariatin nr. 3 që mbulon bulevardin “Zogu i Parë”. Dy të ndaluarit kanë rrëfyer në polici mënyrën se si kanë vepruar, duke mos dhënë hollësi për dijeninë e depozitimit të parave dhe informacionin e saktë që kishin marrë. Sipas burimeve zyrtare, Ermal Daja kishte punuar disa muaj pranë kompanisë “Vodafone”. Burime të policisë thanë për gazetën se dyshojnë për një person të brendshëm që u ka dhënë informacion dy vëllezërve Daja për depozitimin e parave. Ndërkohë që për zbardhjen e plotë të grabitjes së mbetur në tentativë, në komisariat janë shoqëruar dy policët privatë të shërbimit që kanë rrëfyer momentet e veprimit të tyre. Ata janë shprehur se pistoleta që kishin me vete dy të rinjtë nuk kishte asgjë mangut nga një pistoletë e vërtetë, gjë që e ka bërë më të vështirë ndërhyrjen e tyre për të shmangur vjedhjen e 7 milionë lekëve.
RRËFIMI
“Si u shmang grabitja”
Kadri Marku ka qenë një nga policët privatë që ka parë atë që ka ndodhur para “Alpha Bank”, që ndodhet në qendër të Tiranës. Ai rrëfen për gazetën “Shekulli” skenën e ngjarjes dhe si u kapën dy vëllezërit grabitës.
Ku ishit në momentin që dy të rinjtë grabitën punonjësin e “Vodafonit”?
Në fakt kam qënë përballë me bankën, pasi ne jemi një shoqëri që kemi nën përkujdesje objekte të rëndësisë së veçantë të fushës së biznesit. Tashmë më kanë caktuar këtu në mungesë të rojes tjetër që është thirrur nga policia.
A e patë çfarë ndodhi?
Pashë një rrëmujë dhe dy të rinj që iu afruan një personi. I morën çantën nga dora dhe rendën të vraponin.
Po më pas çfarë ndodhi?
Kolegu ynë iu vërsul duke ia kapur çantën fort. Më pas erdhën edhe forcat e policisë së rendit që i arrestuan.
Ishin vetëm dy persona?
Po, unë pashë vetëm dy. Por me sa dëgjova flitet edhe për disa të tjerë që nuk kanë vepruar.
Ishin të armatosur?
Nuk e di sepse nuk i pashë nga afër.
Tentativa ndodhi brenda bankës, apo jashtë saj?
Ndodhi jashtë dhe nuk kishte lidhje fare me bankën. Të rinjtë sulmuan një nga personat që po hynte me qese në bankë
Krijoni Kontakt