KAMPIONATI EUROPIAN I PESHENGRITJES
Taulant Çerepi, kampion i Europës
Peshëngritësi thyen nga dy herë dy rekorde europiane
--------------------------------------------------------------------------------
Në Stavanger të Norvegjisë ditën e djeshme u zhvilluan garat e kategorisë 69 kg të Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të Rinj, të moshës nën 17 vjeç. Në këtë garë mori pjesë 17-vjeçari Taulant Çerepi, i cili para 3 ditësh kishte festuar dhe datëlindjen e tij. Dhuratë më të mirë se rekordi europian dhe medalja e artë nuk kishte për të. Kështu, Çerepi u fut në garë me shumë impenjim, duke pasur si kundërshtar kryesor peshëngritësin e talentuar grek Lazaridhis. Stili i parë ishte ai i shkëputjes.
Çerepi në provën e dytë ka ngritur peshën 132.5 kg, që përbën dhe rekord europian. Salla e ka duartrokitur shqiptarin kur ai ka ngritur shtangën dhe ka thyer dhe rekordin europian. Peshëngritësi grek Lazaridhis, i cili ishte dhe pretendenti kryesor në këtë peshë, ka kërkuar të ngrejë 135 kg për të rithyer rekordin e shqiptarit. Ai është përpjekur 2 herë në këtë peshë, por pa sukses. Ndërkohë, peshëngritësi ynë e ngre peshën 135 kg, duke rithyer rekordin europian të vendosur nga ai një provë më parë. Mrekullia ka ndodhur, peshëngritësi shqiptar ka marrë medaljen e artë në këtë stil dhe ka thyer 2 herë rekordin europian të vendosur para një viti nga shqiptari tjetër Endri Haxhihyseni. Po ashtu si në stilin e parë, edhe në të dytin, atë të shtytjes, Çerepi ka bërë një paraqitje shumë të mirë. Në provën e parë shqiptari ka ngritur peshën 157.5 kg, duke thyer kështu në dygarësh rekordin europian me 2.5 kg më tepër. Në provën e dytë Çerepi nuk ka mundur të ngrejë 162.5 kg, por e ka bërë këtë në provën e tretë, duke thyer rekordin e stilit dhe njëkohësisht dhe të dygarëshit. Por rekordi në stilin e shkëputjes nuk ka zgjatur shumë, pasi greku Lazaridhis ka ngritur peshën 165 kg, duke vendosur rekord në këtë stil. Taulant Çerepi ka marrë medaljen e argjendtë në këtë stil dhe në dygarësh është shpallur kampion i Europës dhe rekordmen europian, një sukses mjaft i madh për të dhe peshëngritjen shqiptare. Me Taulant Çerepin ka përfunduar dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Kampionatin Europian të të Rinjve nën moshën 17 vjeç. Shqipëria ka dalë nga ky kompeticion me tri medalje ari (2 Çerepi dhe 1 Trasha), tre argjendi (2 Trasha e 1 Çerepi) dhe tri medalje bronzi të marra nga Qerimaj. Me këtë paraqitje duhet të gëzohemi, pasi peshëngritja jonë po nxjerr talente të reja, që do ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Gerti Trasha në "Athina 2004"
Do të jetë Gerti Trasha peshëngritësi i dytë që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike "Athina 2004". Peshëngritësi nga Elbasani ka fituar duelin me shkodranin Erkand Qerimaj. Trasha ka ngritur në dygarësh 270 kg, duke zënë vendin e dytë, ndërsa Qerimaj ka ngritur 262.5 kg dhe ka zënë vendin e tretë. Në këtë mënyrë do të jenë dy vëllezërit nga Elbasani, Theodhoris dhe Gerti Trasha, dy peshëngritësit që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike.
Krijoni Kontakt