Kur Bukoshi hip në ati, nuk i intereson sa është sahati- Shkruan Bedri HALIMI
Opinionit kosovar, ndonëse i është i njohur emri i Bujar Bukoshit, megjithatë vlen për të përmendur në mënyrë telegrafike, kyqja e tij në LDK, futjen e tij në thes nga UDB-a, e pastaj emërimin e tij në mënyrë të rrufeshme si kryeministër i Kosovës në ekzil.
Këto ditë në cilësinë e kryetarit të një partie me emrin PREK, ai nuk ngurroi që t’i sulmojë trashëgimtarët politik të luftës çlirimtare, se „E ardhmja e qytetarëve të Kosovës varet prej largimit nga pushteti të trashëgimtarëve politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“,i ka deklaruar Bujar Bukoshi kryetar i PREK-ut agjencisë austriake të lajmeve APA. Populli thotë hajni bërtet „kapeni hajnin“. Kësisoji mafiozi të akuzon për mafi në stilin mafioz.
Për qëndrimet e Bukoshit antiUÇK, opinioni i gjerë ka pasur rastin të njihet edhe më parë, madje qysh gjatë luftës çlirimtare.Në këtë rast si shembull dotë sillnim vetëm një deklarim të tij, në një intervistë dhënë BBC-së, kur thotë „Nuk kemi njohuri për ekzistimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“ „Bota sot“, 2 nëntor 1996, ndërkohë që po ky njeri, disa vite më parë, madje në cilësisnë e kryeministrit të Kosovës nga Gjermania, ku qëndronte si azilant pati deklaruar se i ka të gatshëm 300.000 luftëtarë për ta filluar luftën në Kosovë.
Bujar Bukoshi, po në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës vazhdimisht bënte thirrje për grumbullimin e 3% në popull, në emër të FONDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS. Pas luftës, më 25 mars 2000, e mbajti mbledhjen e fondeve, kurse më 27 prill të po atij viti, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të bordit drejtues, pati mbajtur konferencë për shtyp me gazetarë, duke ua bërë me dije se „ditë më parë është themeluar Unioni i Fondeve për Republikën e Kosovës“. Ky union ishte themeluar nga fondet e Republikës së Kosovës, shumica e të cilave patën filluar të veprojnë në shtete të Perëndimit qysh në vitin 1991. Këto fonde, siç thoshte Bukoshi, ndihmuan popullin e Kosovës për të mbijetuar dhe kanë mbështetur fusha të veçanta të jetës, arsimin, informimin, rastet sociale, institucionet e Republikës së Kosovës etj. Fondet e Republikës së Kosovës janë themeluar dhe kanë vepruar si fonde humanitare dhe janë administruar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave në kohën kur ka vepruar Qeveria e Kosovës në ekzil.
Gjithashtu, ai pati deklaruar se kemi zhvilluar disa herë konsultime edhe me komisionet dhe me kryetarët e fondeve në shtetet e Perëndimit. E tëra kjo pas luftës. Qëndrimet e të gjithëve nga këto takime ishin që të gjitha mjetet e fondeve të orientohen për ndihma në Kosovë nëpërmjet organeve të fondeve, ose nëpërmjet një organizimi të përbashkët, por fondi të administrohet nga ata që i kanë grumbulluar këto mjete. Po ashtu kemi zhvilluar konsultime edhe me organet ligjore të shteteve ku janë të regjistruara këto fonde, të cilat kërkojnë që fondet t’i orientojnë mjetet vetëm në kuadër të rregullave statutare dhe nuk lejojnë në asnjë mënyrë përdorimin e këtyre mjeteve për nevoja buxhetore, sepse këto mjete konsiderohen vetëm humanitare”.
“Esenca e marrëveshjes së këtij unioni qëndron se të gjitha mjetet që disponojmë të orientohen në Kosovë për ndihma humanitare, për nevoja të rindërtimit të Kosovës dhe të zhvillimit ekonomik“. Më tej Bokoshi theksonte se fondi do të ndihmojë fëmijët e paprindër, familjet pa kushte për ekzistencë dhe familjet e mbetura pa kryefamiljarë dhe përkujdesje, ndihma invalidëve të luftës dhe familjeve të të burgosurve politikë, ndihma për rindërtimin e objekteve të banimit dhe të objekteve për përkujdesje kolektive, siç janë shkollat, çerdhet e fëmijëve, ambulancat etj. Edhe pse saktësisht nuk tregoi shumën e mjeteve të këtij fondi, ai prapëseprapë tha se mund të jenë 55-60 milionë DM.
Kurse për fondin “Vendlindja thërret” z. Bukoshi pati thënë se „gjatë kohës së shpërthimit të konfliktit, e akuzonte në mënyrë shumë primitive fondin e Kosovës. Përmes këtij primitivizmi ka ardhur deri te një çrregullim“. Gjithashtu më tej thotë se në mënyrë konsekuente shuma të caktuara 1.1-1.2 milionë DM janë dërguar vetëm për arsim në Kosovë. Por, në disa vende për shkak të rrethanave të krijuara, nuk ka mundur të bëhet shpërndarja e mjeteve.
Pra, UFORK-u ishte një shoqatë e re joqeveritare e themeluar nga mjetet e 3% që janë mbledhur në Perëndim për 10 vjet.
Edhe pse këto mjete gjatë “qeverisjes së Bukoshit si kryeministër” quheshin “Buxheti i Republikës së Kosovës”, Bukoshi filloi detyrën e re me para të popullit.
Natyrisht pakënaqësia nuk mund të mos jetë e theksuar te të gjithë ata njerëz që për dhjetë vjet rresht mjetet e tyre i kanë derdhur në këtë fond, në emër të Qeverisë së Kosovës, e jo në emër të ndonjë fondi humanitar, qoftë ai edhe për rindërtimin e Kosovës. S‘ka dyshim se ky ishte një vazhdim i manipulimit të Bukoshit me mjetet e popullit. Prandaj, deri kur duhet të lejohet ky njeri të manipulojë me djersën e popullit? Fondi për rindërtimin e Kosovës ishte një parullë joshëse për të vazhduar më lehtë me manipulime, ashtu siç ishte parulla e tij gjatë luftës “Gjithçka për pavarësinë e Kosovës”.
Bukoshi pastaj fomoi parti me emrin PREK, por populli nuk ja dha votën dhe as që dot’ja jap, sepse deri më sot nuk e ka sqaruar popullin, se sa janë ato mjete, për çka janë grumbulluar ato dhe kush duhet të disponojë me to sot.
1. Paratë nga Bukoshi u mblodhën në emër të Fondit të Republikës së Kosovës. Prandaj, pse dhe me cilën të drejtë, paratë e Fondit të Kosovës ai i bëri para të Fondeve humanitare?
2. Kur janë mbledhur paratë në Perëndim, para autoriteteve të shteteve të atjeshme janë paraqitur si fonde humanitare, e jo fonde qeveritare. Kurse para popullit natyrisht si Fond i Kosovës. Pastaj, ndodhi e kundërta, para popullit i paraqiti si fonde humanitare, dhe si arsyetim e përdori gjoja se edhe para botës paskan obligim që të jenë humanitare!!! Po dje, para botës a nuk kishin obligim për t‘ua treguar të vërteten se si dhe me çfarë qëllimi mblidhej 3%-shi?
3. Lufta ka përfunduar në qershor të vitit 1999, kurse UFORK-u i Bukoshit u themelua më 25 prill të vitit 2000! Çfarë misioni ka kryer pas luftës? A nuk kishte nevojë Kosova atëherë që të ndihmohej, kur sapo doli nga lufta e gjakosur e e plagosur? A nuk kishte nevojë ky popull që të ndihmohej para se të hynte në dimër? Pse u prit që të dalë pranvera për tu formuar ky fond humanitar? A nuk kishte deri tani fëmijë pa prindër, familje pa kushte për ekzistencë, invalid të luftës, pastaj objekte që kishin nevojë për ndërtim e riparim, shkolla, ambulanca, çerdhe etj, për të cilat më vonë thoshte vet ai se është formuar? Cila ishte arsyeja që nuk u ndihmua dje, dhe cila është arsyeja që të ndihmohej një vit pas luftës? Vërtet ndjenja humanitare e Bukoshit? Po këtë ndjenjë kaq humanitare që e kishte në pranverë, ku e pati vallë para se të hynte dimri dhe gjatë dimrit?
Natyrisht se fondi apo fondet humanitare të Bukoshit ishin instrumente për manipulim me ndjenjat dhe fatin e njerëzve, mbi supet e të cilëve rëndon pesha e skamjes, e goditjes nga lufta. Madje, pikërisht këtë shtresë Bukoshi synon edhe tani ta bëjë për vete, duke u thënë: pse nuk na dëgjuat ne, pse nuk e dëgjuat Rugovën, po ta kishit dëgjuar atë dhe LDK-në, sot asnjë anëtarë nuk do ta kishit të vrarë, asnjë shtëpi nuk do ta kishit të djegur, asnjë njeri nuk do ta kishit të burgosur e të kindapuar, asnjë grua nuk do ta kishit të dhunuar, etj.
Natyrisht që Serbia do të ishte këmbëkryq në Kosovë, duke e vazhduar në mënyrë të heshtur procesin e vdekjes së Kosovës. Kur prania serbe në Kosovë nuk e ka penguar Rugovën në Prishtinë, dhe atë bile duke qenë kryetar i Kosovës së okupuar, nuk e ka penguar as Bukoshin në Perëndim duke mbledhur 3%-shin në emër të Fondit të Kosovës. Prandaj, Bukoshi me fonde të UFORK-ut nuk e ndihmoi popullin, as fëmijët, as luftëtarët, as invalidët, sepse nuk e ndihmoi as luftën, as UÇK-në, por me UFORK-un e ndihmoi FARK-un! Por nuk dihet se a e ndihmoi FARK-un pas luftës sikur gjatë luftës, në emër të Fondit të Kosovës apo vazhdoi ta financojë, në emër të Fondit humanitar. Sidoqoftë, Bukoshi, UFORK-u dhe FARK-u, ishin një, e njëjta gjë. Sa të ekzistojë njëri, do të ekzistojë edhe tjetri. FARK-u dhe UFORK-u dështuan, kurse Bukoshi si themelues dhe financues i të dyjave me paratë e popullit, dështoi para dështimit të tyre. Këtë e tregon vetë numri i votave të fituara në zgjedhjet e fundit. Për këtë është shumë i vetëdijshëm se nuk do të kaloj më mirë as në këto zgjedhje të tetorit, prandaj edhe ka filluar t’i sulmojë trashëgimtarët politikë të UÇK-së, sepse ata e kanë penguar, edhe gjatë luftës, sepse po mos të luftonin ata, ky do të vazhdonte të mrizonte edhe sot nëpër perëndim me paratë e popullit, duke u thirrur si kryeministër i Kosovës. Prandaj, ka të drejtë të ankohet burri i botës, se të njëjtit njerëz që nuk e lanë të qetë dje gjatë luftës, nuk po e lënë të qetë as tani, sepse po mos të ishin këta, populli tani do ta votonte Bukoshin. Pra, kur Bukoshi hip në ati, nuk i intereson sa është sahati.
Paratë e popullit, në kohën e paqes, përmes të ashtuquajturave fonde humanitare u keqpërdoren në emër të paqes (UFORK), kurse në kohën e luftës u keqpërdoren në emër të luftës (FARK).
Por, kjo nuk është e tëra. Esenca e kësaj çështjeje ishte te deklarimi i Rugovës për t‘i hartuar listat e ushtarëve të LDK-së. Pra, esenca ishte për ta paguar tradhëtinë gjatë luftës, duke tentuar për të blerë ushtarë pas luftës. Po pse për të blerë ushtarë? Për ta mbuluar tradhtinë e mospjesëmarrjes, të mosfinancimit, bile edhe të pengimit të luftës. Për të paguar njerëz që do të shkruanin artikuj për dëshmorë të vrarë të UÇK-së, për ta dëshmuar kështu „përkrahjen“ dhe „pjesëmarrjen“ e anëtarëve të tyre në luftë.
Dhe së fundi, esenca e UFORK-ut ishte që të blejnë edhe vota në popull, sidomos te njerëzit me gjendje të rëndë materiale, duke e akuzuar kështu për çdo gjë, jo Serbinë, por UÇK-në që e prishi „rehatinë“. Po ku ishin tani institucionalistët Rugova dhe Bukoshi? Si u bë që i shkelën institucionet e tyre për para? Dhe me paratë qeverisnin ata që i mblodhën paratë në popull! Po pse nuk u derdhen ato mjete në buxhetin e Kosovës, aq më tëpër kur këtë resor, edhe në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës e mbante LDK-ja? Foshnja Diturie Deliu nuk u ndihmua as me ilaçe elementare, dhe vdiq si anëtarja e vetme që i kishte mbetur familjes Deliu. Bukoshi me paratë e popullit nuk e ndihmoi as këtë foshnje, e as foshnjet e tjera gjatë dhe pas luftës, prandaj mund të merret me mend se çfarë ndihme do të japë tani. Po ku ta dish, ndoshta nuk kanë lejuar rregullat statutare që të ndihmohej lufta, sepse ato para në popull ishin mbledhur për paqe, e jo për luftë çlirimtare. Natyrisht për paqe nën robëri.
Kur Bukoshi nuk e kishte formuar PReK-un, ua prekte xhepat dhe djersën e njerëzve, kurse tani pasi e formoi këtë parti prekëse me emrin PReK, populli më është bërë alergjik dhe nuk lejon deri në pafundësi që t’ia prek kush as ndjenjat e as djersën.
Trashigimtarët politik të UÇK-së, nuk i do as Çoviqi, sepse nuk i ka dashur dje Milloshi, ashtu siç nuk i do Bukoshi, sepse nuk i ka dashur dje Rugova.
Krijoni Kontakt