DEKLARATA E KANDIDATIT PER SHQIPTARO-AMERIKANET
"Ndihmë ekonomike Shqipërisë, statusin Kosovës"
--------------------------------------------------------------------------------
Në kulmin e fushatës së tij për t'u zgjedhur si President i SHBA, kandidati i Partisë Demokrate, Xhon Kerri, nuk la jashtë vëmendjes së tij edhe probleme që lidhen me komunitetin në rritje të banorëve amerikanë me origjinë shqiptare. Kerri shpall dhe planet e administratës së tij, nëse fiton, për Shqipërinë dhe Kosovën. Një vëmendje e tillë shpreh tendencën e administratës së SHBA që t'u kushtojë më shumë vëmendje, si atyre, tashmë të integruar në shoqërinë amerikane, me komunitetet përkatëse, kishat, xhamitë, teqetë, shkollat, klubet, gazetat, restorantet, festat, koncertet, librat, televizionet e radiot, ashtu edhe Ballkanit e shqiptarëve të atjeshëm. Qofshin këta në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Më datë 23 korrik 2004 Zyra e Shtypit e kandidatit demokrat për postin e Presidentit publikoi deklaratën e tij mbi çështjen shqiptare, të cilën e gjetëm me vend ta botojmë të plotë.
LAJMI
Ja çfarë deklaron senatori Kerri: Jam krenar që po marr përkrahje nga ana e shqiptaro-amerikanëve. Për breza me rradhë, shqiptarët që vinin në Amerikë morën mbi vete, me entusiazëm, përgjegjësitë dhe mundësitë që sjell qytetaria amerikane. Brezat më të rinj të shqiptaro-amerikanëve e kanë përcjellë këtë traditë në një mënyrë të tillë, që i bën paraardhësit tuaj - dhe të gjithë ata që e duan Amerikën - të ndihen krenarë. Në deklaratën e tij kandidati i demokratëve shton se: si amerikanë, ju keni ngritur bashkësitë tona, duke krijuar mundësi dhe begati ekonomike. Ju vlerësoni familjen, bashkësinë, përgjegjësinë dhe mundësinë. Dhe shumë shqiptarë kanë dhënë jetën e tyre në forcat tona të armatosura gjatë shekullit të kaluar, duke i shërbyer me zell vendit tonë dhe duke mbrojtur liritë tona. Duke vazhduar me premtimet Kerri u drejtohet shqiptaro-amerikanëve duke thënë: si president, do të nxit politika që do të mbrojnë bashkësitë që ju keni ndërtuar dhe të ruajnë vlerat që ju keni respektuar. Ne do të kujdesemi për të moshuarit tuaj, do ta bëjmë më të shpejtë kujdesin shëndetësor, do të zhvillojmë arsimin, do të ndihmojmë bizneset e vogla dhe do të sigurojmë mundësi të barabarta për të gjithë.
Duke i'u referuar trojeve Shqiptare në Ballkan, Kerri thotë se: unë vlerësoj, gjithashtu, lidhjet e forta që shqiptaro-amerikanët kanë me miqtë, familjet dhe të afërmit e tyre në Evropën Juglindore. Këto lidhje e bëjnë vendin tonë të fuqishëm dhe të madh. Ato na kujtojnë vlerat që na sollën këtu, si dhe shpresat dhe mundësinë që mbeten kudo. Ato e ndihmojnë Amerikën të krijojë miqësi dhe të farkëtojë aleanca. Nuk është e rastit që Shqipëria ka dërguar trupa në Afganistan dhe Irak, që Shqipëria është treguar e vendosur në luftën kundër terrorizmit, apo që shqiptarët konsiderohen sot si ndër më pro-amerikanët në botë. Kjo vjen si pasojë e rrjetit të lidhjeve, që bashkon, jo thjesht qeveritë, por njerëz që besojnë në të njejtat vlera. Ju keni vepruar kështu për vendin tuaj sot dhe për vendet e stërgjyshëve tuaj.
Unë besoj se stabiliteti, demokracia dhe zhvillimi në Ballkan janë në interes të Amerikës. Administrata ime do të rivendosë lidershipin e Amerikës, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën. Kerri thotë se: administrata e Bushit i ka kthyer shpinën rajonit, ka dobësuar praninë tonë të sigurimit dhe i ka privuar banorët e rajonit nga mundësia e të vetëqeverisurit. Në një kohë kur popujt e këtyre vendeve kanë ndërmarrë hapa të guximshëm përpara për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe po përpiqen me dëshpërim të konsolidojnë reforma të përkohshme, administrata e Bushit po bën sa më pak që të jetë e mundur. Ajo humbi një mundësi historike. Administrata ime do të veprojë me shpejtësi për të përballuar problemet që has Kosova. Statusi i ardhshëm i Kosovës duhet të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur. Kosovarët duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre, duke përfshirë edhe mënyrën se si ata duan të qeverisen. Propozimet për të ndryshuar territorin e Kosovës apo për ta ndarë atë me kufij etnikë nuk mund të ndihmojnë krijimin e një shoqërie multietnike dhe përgatitjen e rajonit drejt të ardhmes së tij evropiane. Në të njejtën kohë që do të punojmë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, ne dëshirojmë të punojmë nga afër me të tjerët në rajon dhe t'i tërheqim ata në një tranzicion të butë. Shtyrja e vazhdueshme e afateve - e vetmja gjë që ka ofruar administrata e Bushit - përforcon pozitat e ekstremistëve të të gjitha ngjyrave. Rajoni kërcënohet nga nacionalistët e brendshëm dhe ekstremistët e jashtëm; ne mund të ndihmojmë në rindërtimin e institucioneve që do të mbrojnë banorët e Kosovës, në mënyrë që ata t'u rezistojnë thirrjeve për më shumë dhunë dhe katastrofa të tjera. Në rast se do të lejohej që situata në rajon të përkeqësohej, ai do të kthehej në epokën e mungesës së ligjit të Millosheviçit dhe kriminaliteti do të lulëzonte.
Ne do të na duhet ndihma tuaj. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për statusin e Kosovës që të krijonte një siguri më të madhe për fqinjët. Kjo do të kërkonte lidershipin, aleancën dhe përpjekjet amerikane, në atë formë si u veprua me Evropën Perëndimore në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Dhe kjo do të kërkojë kohë; ne nuk mund të ikim nga Kosova dhe rajoni. Unë kam nevojë për ndihmën tuaj për të krijuar mbështetjen në Kongres dhe në popullin amerikan për të përmbushur këtë detyrë historike. Me përkrahjen tuaj, administrata ime do të: Punojë së bashku me aleatët tanë evropianë për të bërë të mundur që shtetet e Gadishullit Ballkanik të zenë vendet e tyre si anëtarë me të drejta të plota të institucioneve-kyç që ndihmuan të fitohej Lufta e Ftohtë, duke përfshirë këtu NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ofrojë asistencë për qeveritë e vendeve të rajonit që të zhvillojnë tregtinë, të tërheqin investime dhe të përballojnë problemet e korrupsionit, trafikut të qenieve njerëzore e të të drejtave të minoriteteve. Ndjekë personat e akuzuar për krime lufte. Të gjitha qeveritë e rajonit duhet të bashkëpunojnë për të arritur këtë qëllim dhe për t'ia dorëzuar kriminelët e luftës drejtësisë. Pas këtyre premtimeve Kerri shton se: unë do të kem, gjithashtu, nevojë për ndihmën tuaj për të përkrahur më fuqishëm përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar ekonominë e saj, për t'u integruar në institucionet euro-atlantike dhe për të forcuar demokracinë. Ne do të vazhdojmë të mbështetim përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe Malin e Zi për t'u bërë qytetarë të barabartë në shoqëri demokratike. Jo çdo gjë do të jetë e lehtë. Amerika ka si synim kryesor realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë. Administrata ime do të kërkojë mbështetjen tuaj që të realizohen të drejtat e njeriut në mbarë rajonin. Kjo duhet të përfshijë edhe serbët e komunitetet e tjera etnike që jetojnë në Kosovë. Ndryshe, do të jetë më e vështirë, në mos po e pamundur, të arrijmë një paqe dhe zhvillim të qendrueshëm në rajon dhe të plotësojmë aspiratat e ligjshme të të gjithë atyre që jetojnë atje. Jam krenar se ne, sëbashku, do të kontribuojmë në kthimin në realitet të ëndrrës së shqiptarëve, amerikanëve, aleatëve tanë dhe të gjithë atyre që kanë për zemër sigurinë dhe lirinë tonë, asaj të krijimit të një Evrope paqësore, demokratike, që nuk njeh frikën dhe shtypjen, një Evrope të lirë dhe tërësore, që nga Balltiku në Detin e Zi. Nën administratën Kerri, deri në detin Adriatik! Kështu perfundon deklarata e kandidatit amerikan për zgjedhjet presidenciale Xhon Kerri.
ÇFARE THA XHON KERRI
- Shqiptarët konsiderohen si ndër më proamerikanët në botë.
- Do të përkrah më fuqishëm përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar ekonominë e saj, për t'u integruar në institucionet euroatlantike dhe për të forcuar demokracinë.
- Statusi i Kosovës duhet të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur.
gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt