“Popullsia greke në Shqipëri është më shumë se 1.17 për qind. Akuza për “manipulim” shifrash

Autori i Lajmit: Silvana Dervishi

UASHINGTON – “Minoriteti grek në Shqipëri përbën 1.17 për qind të popullsisë”. Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar pak ditë më parë shifrat lidhur me pakicat etnike që jetojnë në vendin tonë. Por ashtu siç edhe pritej, ka mbërritur menjëherë reagimi i lobit grek në Shtetet e Bashkuara.
Përfaqësuesit e shoqatave pan-helenike në Uashington i kundërshtojnë shifrat e zyrtarëve amerikanë, duke i konsideruar “falso” përfundimet e raportit të Departamentit të Shtetit.
Reagimi i lobit
Instituti Helenik-Amerikan në një deklaratë të publikua dje shpalli si të pavlerë raportin zyrtar amerikan. Sipas këtij instituti, shifrat e publikuara si nga Departamenti i Shtetit ashtu dhe nga Shqipëria janë të pasakta dhe çorientuese. Sipas përfaqësuesve të lobit grek në Uashington, komuniteti helen në Shqipëri nuk po përfillet, megjithëse përbën minoritetin më të madh në këtë vend. Reagimi erdhi menjëherë pasi Zyra e Çështjeve për Evropën dhe Euroazinë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së në raportin e publikuar për Shqipërinë deklaroi se popullsia etnike greke përbën 1.17 % të popullsisë së përgjithshme. Ndërkohë, sipas autoriteteve të ndryshme ndërkombëtare, përqindja e minoritetit grek në Shqipëri është më e lartë se sa është paraqitur nga Departamenti i Shtetit. SHBA-ja herë pas here ka publikuar të dhëna në lidhje me numrin e minoritetit grek në Shqipëri. Në prill të vitit 1992, Libraria e Studimeve të Kongresit nxori një raport për Shqipërinë, ku tregohej se minoriteti grek përbënte 8 % të popullsisë shqiptare. I të njëjtit mendim ishte dhe CIA, e cila në raportin e saj të 1992-shit deklaroi se minoriteti grek përbënte 8 % të popullsisë. Një tjetër organizatë ndërkombëtare, Organizata e Vendeve dhe Popujve, vlerëson se minoriteti grek në Shqipëri shënon shifrën e 280,000 njerëzve nga popullsia e përgjithshme shqiptare, që vlerësohet të jetë 3,200,000 banorë. Me fjalë të tjera, kjo organizatë është e mendimit se minoriteti grek në Shqipëri përbën 8,75 % të gjithë popullsisë shqiptare. “Ndryshimi i madh që ekziston ndërmjet shifrave të deklaruara nga organizatat kryesore ndërkombëtare dhe raportit të Departamentit të Shtetit, (ku Departamenti i Shtetit është i bazuar në shifrat zyrtare të deklaruara nga Shqipëria) vjen si pasojë e refuzimit nga pala shqiptare për lejimin e qytetarëve minoritarë të regjistrojnë minoritetin e tyre në zyrat kombëtare të Shqipërisë, që u krijuan në vitin 2001.
Akuza për Shqipërinë
Dështimi i qëllimshëm nga pala shqiptare për të mbledhur të dhënat e grupeve etnike është dënuar nga organizatat ndërkombëtare, megjithatë Shqipëria prapë se prapë ka refuzuar të përfundojë statistikat e sakta në lidhje me grupet minoritare që ndodhen në këtë vend. Mangësitë në mbledhjen e të dhënave, që i takon zyrës për Evropën dhe Euroazinë, janë bërë të ditur nga një tjetër zyrë brenda vetë Departamentit të Shtetit, Zyra e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës. Raporti i publikuar në 25 shkurt të vitit 2004 mbi praktikat e të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë, e publikuar nga Departamenti i Shtetit, Zyra e Demokracisë, Të drejtat e Njeriut dhe Punës, ishte tepër skeptike në lidhje me të dhënat e nxjerra nga pala shqiptare, ku, sipas këtij raporti, ishin mjaft të pabesueshme. Në raport thuhej: “Grekët janë minoriteti etnik më i madh… Megjithatë, sipas Zyrës së Çështjeve për Minoritetin, nuk ekzistojnë statistika zyrtare në lidhje me numrin e komuniteteve të ndryshme etnike në Shqipëri. Qeveria Shqiptare gjatë këtij viti ndërmori një analizë për të përcaktuar numrin e minoriteteve të ndryshme etnike në vend. Analiza, që u bazua me shembullin e standarteve të Kombeve të Bashkuara, nuk u publikua në fund të vitit ashtu siç pritej.
“Bashkëpunim
shqiptaro-amerikan”
Raporti i lobit grek vazhdon më tej me akuza lidhur me një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe atyre shqiptarë për të deklaruar shifra aspak të sakta. Në vazhdim të buletinit të panhelenikëve të Uashingtonit, shkruhet: “Departamenti i Shtetit i ka konsideruar të dhënat e nxjerra nga zyrtarët shqiptarë si të pabesueshme, megjithatë është fakt i hidhur sesi raporti i publikuar në gusht të 2004 nga Departamenti i Shtetit përputhet mjaft mirë me raportin e Shqipërisë, ku thuhet se minoriteti grek përbën 1,17 % të popullsisë. Bashkimi Evropian e ka kritikuar Shqipërinë për dështim në lidhje me njohjen e grupeve minoritare dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Bashkimi Evropian në raportin e saj të 2004-s për Stabilizim Asociim i tërhoqi vërejtje Shqipërisë për dështimin e “përmbushjes së kërkesave në lidhje me vlerësimin e saktë të numrit të minoriteteve në Shqipëri.” Për më tepër, në paragrafin 2.2.2 mbi “të drejtat e minoriteteve dhe të refugjatëve”, raporti i BE-së thekson se “qeveria duhet të raportojë me saktësi përbërjen e çdo grupi etnik në Shqipëri,” dhe përfundon me atë që “Shqipëria duhet të jetë më ambicioze dhe duhet të luftojë për të siguruar mbrojtjen e duhur të grupeve minoritare në mbarë territorin e saj, konform Konventës së Kornizës së Këshillit të Evropës në lidhje me mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare.” Bashkimi Evropian, në raportin e publikuar në vitin 2002, deklaroi “Shqipëria duhet të sigurojë shumë shpejt statistikat e minoriteteve kombëtare dhe kulturore, që aktualisht jetojnë në Shqipëri,” thuhet në deklaratën e Institutit Helenik-Amerikan”. Këtu përfundon edhe “kritika” e ashpër e lobit grek në Amerikë, drejtuar Departamentit të Shtetit



ballkan