Të burgosurit shqiptarë në Greqi - në grevë

Robert Goro
Korrespondent i BBC-së në Athinë


Autoritetet greke thonë se do t'i shqyrtojnë kërkesat e grevistëve
Në Greqi është shkallëzuar greva e të burgosurve shqiptarë në të cilën tani janë përfshirë edhe grekë.
Të burgosurit i kanë paraqitur Ministrisë së Drejtësisë një peticion ku ndër të tjera kërkojnë uljen e dënimeve, të cilat sipas tyre u janë dhënë më të rënda nga ç'u takojnë.

Ndërsa greva e të burgosurve shqiptarë në burgun e Patras ka hyrë në ditën e tetë, ditë pas dite, greva është shpërndarë edhe në burgje të tjerë të Greqisë.

Kështu,në Patras, në burgjet e Koridalosit, Nafplios, Larisës, Maladrinos, Diavatës dhe Korfuzit, të burgosurit kanë bojkotuar marrjen e vakteve ushqimore.

Këtij bojkoti i janë bashkuar tashmë për solidaritet edhe shumë të burgosur grekë, pasi disa prej kërkesave të të burgosurve shqiptarë, shprehin edhe vendasit.

Të burgosurit shqiptarë, që vlerësojnë se gjykatat greke u japin vazhdimisht dënime më të rënda se sa u shqiptojnë grekëve për të njëjtat akuza, kërkojnë krijimin e një komisioni për rishqyrtimin e proceseve të tyre.

Ata po ashtu kërkojnë ndërhyrjen e një avokati ndërkombëtar, pasi nuk kanë besim tek avokatët grekë.

Mësohet se në burgun e Patras, gjendja e grevistëve nuk paraqet ende shqetësime të mëdha, por grevistët kanë simptomat e mungesës së ushqimit, si tension të ulët e marrje mendsh.

Gjithsesi, pranë grevistëve ndodhet vazhdimisht personali shëndetësor i burgut, ndërsa në burgun e Maladrinos, gjendja është më normnale, siç i tha BBC-së një shtetas shqiptar që vuan dënimin atje.

Përshkallëzimi i grevës u ka shkaktuar kokëçarje autoriteteve greke, tani që mbetet diçka më shumë se dy javë nga fillimi i lojërave Olimpike.

Burime nga ministria greke e Drejtësisë, që u pyetën nga BBC, thanë se ata po e ndjekin me shumë shqetësim situatën, por shtuan se shumë prej kërkesave të të burgosurve janë ekstreme dhe madje jashtë imagjinatës.

Ndërkaq, ambasada shqiptare në Athinë që në momentet e para, e ka vlerësuar seriozisht gjendjen, dhe mban kontakte të vazhdueshme, si me autoritetet greke të drejtësisë, ashtu dhe ato shqiptare.

Të martën në burgun e Patras ka qenë konsulli i ambasadës shqiptare, Andi Mahila, i cili është njohur nga afër me kërkesat e të burgosurve shqiptarë.

Zoti Mahila i tha BBC-së se janë marrë sigurime nga autoritetet greke se kërkesat e grevistëve do të merren në shqyrtim menjëherë pas përfundimit të Lojërave Olimpike.

Për këtë janë informuar edhe të burgosurit, mirëpo diplomati shqiptar nuk ishte në gjendje të saktësojë se kur do t'i japin fund grevës.