Sami Frasheri, nder studiuesit me te famshem shqiptar, ka shkruar edhe kete broshure per te cilen flitet me poshte e cila fatmiresisht qenka perkthyer edhe ne shqip. Uroj qe sa me shume shqiptare ta lexojne kete liber, sepse aty mund te gjenden shume pergjigje per problemet e guas dhe paragjykimet ndaj fese Islame ne kete çeshtje.



Alma Mile (Gazeta "Shekulli")
Që atëherë kanë kaluar shumë kohë, por në thelb problemet janë po ato. Gruaja vazhdon të përbëjë gjysmën e popullsisë së botës, të trajtohet pak a shumë në të njëjtën mënyrë dhe të vuajë nga të njëjtat komplekse. Prej shek.XIX, Sami Frashëri ngre zërin. Eshtë i sigurt se nuk mund t’i zgjidhë problemet, por edhe nuk mund të heshtë. “Gratë”, kështu titullohet libri i shkruar nga mendimtari Sami Frashëri, botuar nga Shtëpia Botuese “Logos A”. Eshtë një libër i shkruar me dashuri, ku në momente të caktuara, shkrimtari e poeti, dalin mbi mendimtarin. Në fakt ai e quan broshurë dhe ka pasqyruar në të pozicionin e gruas, kryesisht asaj muslimane, jo vetëm në Turqi, ku u shkrua libri, por edhe Shqipëri e gjetkë, duke i shtuar kësaj panorame dhe mendimet e tij, përparimtare për kohën kur është shkruar, mbi mënyrën se si ajo duhet trajtuar, mbi arsimimin, rolin që duhet të zërë në familje e shoqëri, etj. Në një kohë kur gruaja ende trajtohej si një mall tregu, Frashëri e quan atë bazën e shoqërisë. Në libërthin e tij, ai e quan shoqërinë një grumbullim familjesh, ndërkohë që përkufizimi i tij për këtë të fundit është “Familje do të thotë grua” (fq. 17). Në mënyrë të prerë e quan të prapambetur mendimin e shumicës, sipas të cilit edukimi, apo arsimimi për gruan është i dëmshëm. “Mjerisht edhe sot ka shumë prej atyre që, të mësuarit dhe të edukuarit të grave e shohin të dëmshëm. Sipas mëtimeve të këtyre njerëzve, dituria e grave qënka e dëmshme dhe shkak grindjesh në shoqërinë njerëzore! Kur bën faj një mashkull i paditur, ia quajnë paditurisë së tij, pasi nga i dituri nuk mendohet të dalë një faj i tillë. Përse nuk e përdorin këtë rregull edhe për gratë?”. Në mënyrë të argumentuar ai sjell për lexuesin arsyet përse një grua duhet të jetë e arsimuar. Sipas tij, prej gjendjes së grave varet edhe ajo e shoqërisë, pasi gruaja, nëna, është edukuesja e brezave, ndërkohë që janë një mori mjeshtërish që gruaja mund të bëjë, që nga ato që lidhen me dhuntitë që i ka dhënë Zoti, tek mjekësia. Përveçse të brishta, për të gratë nuk janë qënie inferiore në krahasim me meshkujt, madje ai u vesh atyre disa cilësi që burrat nuk i kanë. “…gratë për mendje e zgjuarsi nuk mbesin pas meshkujve, ndoshta e kanë më të madhe mendjemprehtësinë dhe janë më shpejt të kuptueshme”. Për të mbështetur idetë e tij, ai përmend edhe figura të njohura të artit dhe historisë, si zotësinë dhe suksesin e shkrimtares Zhorzh Sand, adhurimin dhe vlerësimin që filozofi Kant kishte për nënën, apo Bonapartin, i cili ka thënë “E ardhmja e një fëmije është në dorë të nënës”. Në këtë broshurë, pa mundur të shkëputet nga feja, si një mysliman i mirë, ai i kundërpërgjigjet të gjithë atyre që ua veshin problemet e gruas, fesë myslimane. Duke cituar Kur’anin ai sqaron pozicionin që Islami i ka caktuar gruas, madje ai sjell si shembuj edhe gra të njohura të historisë islame, si Aishja, apo Fatimeja të cilat kanë marrë pjesë edhe në vendimarrje politike e luftëra. Ai përcjell ndër të tjera problemin e poligamisë e cila aplikohet ndër myslimanët. Ai shprehet kundër martesës së burrit me shumë gra dhe radhit një mori të këqijash që rrjedhin prej kësaj, por e justifikon në raste të veçanta. Një tjetër çështje është edhe ferexheja. Frashëri paraqit atë që thuhet në Kur’an për këtë çështje, ndërkohë që të gjitha mënyrat e tjera të të veshurit, si mbulimi i fytyrës, gishtave, papuçet e verdha, e të tjera si këto, i konsideron si të krijuara nga vetë njerëzit. “Kur’ani urdhëroi mbulesën e flokëve, të krahëve e të kofshëve e pjesëve të tjera të shtatit”, ndërsa më vonë shton: “Secila prej popullsive islame, për mbulesën e perçes së grave ka trashëguar nga mbeturinat e zakoneve dhe të ceremonive të kohëve paraislamike, të cilat nuk përkojnë me shprehjen e sheriatit për çështjen” (fq 52). Sot, pas njëqind e ca vjetësh, ndonjë prej mendimeve të tij mund të jetë jashtë mode, por në kompleksin e tij, ky libër duhet lexuar pa dyshim nga politikëbërësit.

Arsimimi
Edukata si një pemë
“Edukata që u jepet meshkujve është si një pemë që mbillet për të bërë hije, ndërsa të edukuarit e grave është si të mbjellësh një pemë që bën edhe hije, edhe fryte; mirësia i vjen shoqërisë njerëzore nga vetë edukata e saj, e fryti janë fëmijët e rritur me edukatë.”

Familja
Si planetët rreth diellit
“Familje do të thotë grua….Ajo është shtylla e familjes dhe njëherësh është qendra e saj. Anëtarët e tjerë gjenden rreth saj si planetët rreth diellit – siç varen prej diellit planetët dhe si i ndrit dielli ata, ashtu dhe pjesëtarët e familjes janë të lidhur me ndjenjën e saj.”

Shoqëria
Shpëtimi nga egërsia
“Gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, është shtylla e moralit të përgjithshëm, ajo është lulishtja e njerëzimit e, duke hyrë në lidhjen e shenjtë që ndërton familjen, e ka shpëtuar njeriun nga egërsia, duke e çuar në udhën e qytetërimit”

Martesa
Për të mos shëmbëllyer me dhentë
“Po t’u njihet e drejta meshkujve që të marrin shumë gra, kishte për të qenë një padrejtësi e madhe, duke shembëllyer njerëzit me pulat e dhentë. Martesa për njerëzit nuk është vetëm për të kryer një nevojë të natyrshme dhe për vazhdimin e breznisë, pasi ka edhe dy shkaqe të tjera kryesore e të shenjta: njëri është dashuria, tjetri është vullneti i formimit të familjes”