Ra ky mort dhe i pamë sërisht cenat e vendit tonë.
Adri Nurellari (Instituti Liberal Shqiptar)
Gazeta metropol
Tragjedia e aksidentit të autobusit me maturantë qe kthehej në shtëpi nga eskursioni ne Shqipëri, tregoi me shumë dhimbje edhe njëherë rreziqet që ballafaqojmë çdo ditë kur udhëtojmë nëpër rrugët e vendit tonë. Kjo ngjarje mbase nuk do të kishte ndodhur sikur rruga e përfolur dhe e premtuar për në Kosovë të ishte ndërtuar tashmë. Nje rrugë e gjerë, më e drejtë, pa gropa dhe e mbrojtur në anët e saj, e ndoshta do ti kishte kursyer ata. Dhe në mos rruga, mbase prania e një policie rrugore më të rreptë dhe të pakorruptueshme që do të arrinte të parandalonte shkeljet e shpeshta të rregullave të trafikut që hasen kur ecet në rrugë,do t’ia kishte dalë qëllimit.
Menjëherë pas gjëmës pamë që qeveritarët tanë mbushën ekranet e televizorëve duke dalë ne publik të pikëlluar dhe patriotë si rrallëherë tjetër, pa guxuar që të permendnin se çfarë u bë me rrugën e shumë-përfolur, shumë-premtuar dhe shumë-paguar të Kosovës. Për momentin faji për aksidentin e tmerrshëm që mori 15 jetë të rinjsh, i mbeti një veprimi të parregullt të një shoferi ose thjesht fatit, dhe këto aksidente rrugore kinse nuk mund të prandalohen ose parashikohen. Por në të njëjtën kohë pronarë te makinave në Shqipëri nuk kanë harruar se pagonin rregullisht për shumë vite një taksë të madhe për një rrugë që nuk përdornin dhe që akoma nuk është ndërtuar. Edhe në periudhën kjo taksë u vu qeveritarët dolën me retorikën e Kosovës sonë të shtrenjtë, pjesës së kombit që padrejtësisht na u shkëput. Sakaq këto para që do ta kishin ndërtuar tashmë rrugën, shkonin për të mbushur boshllëqet e buxhetit publik duke u justifikuar se taksa shkonte për çështjen kombëtare.
Por rrugët tona kanë dëshmuar se janë goxha popullore dhe dalin shpesh në qendër të vëmendjes. Politikanët shqiptarë kanë një preferencë të veçantë që të filmohen ose fotografohen duke përuruar rrugët “e reja”, sidomos para zgjedhjeve. Ja pra, pse kantieret janë duke u rishfaqur nëpër rrugë tona duke na treguar se qeveria punon. Kjo është arsyeja pse rrugët tona mezi presin që të përurohen me shumë publicitet pak kohë para zgjedhjeve të 2005-ës. Në të njëjtën kohë e dimë goxha mirë se si zakonisht nga fillim i vitit 2006 në këto rrugë do të shfaqen gropat e para dhe kur te vij viti 2007 ato do të jenë gati për tu rindërtuar dhe për tu përdorur sërisht për zgjedhjet e ardhshme lokale. Nje rreth vicioz i vërtetë që kanë si viktima rrugët tona dhe njerëzit që i përdorin. Po t’iu bëhet prerje tërthore rrugëve kombëtare tona ato do duken në profil si byrek me shumë petë dhe bën vaki që numri i petëve të përkojë me numrin e zgjedhjeve qe kemi patur. Asnjë masë ndëshkuese nuk merret ndaj firmave të ndërtimit për cilësinë e dobët me të cilën janë ndërtuar apo meremetuar rrugët tona. Përkundrazi, të njëjtat firma vazhdojnë të shpërblehen duke marrë gjithnjë e më shumë porosi nga qeveria për ndërtimin e rrugëve të tjera ose për të njëjtat rrugë për të kushedisesatën herë. Është më se e qartë vlera e madhe që kanë rrugët për politikanët tanë, nga njëra anë qëndrojnë tenderat “transparent” që kompani të ndryshme shtien në dorë nëpërmjet “konkurrencës së ndërshme”, dhe nga ana tjetër është fushata elektorale ku rrugët dalin në plan të parë.
Tragjedia e llahtarshme e autobuzit kosovar nuk është e izoluar por është pjesë e një tragjedie të pa reklamuar qe përjetojmë çdo ditë. Vështirë se mund të gjendet ndonjë ditë kur lajmet ose gazetat të mos njoftojnë për aksidente rrugore që kanë shkaktuar vdekje. Ndërsa pretendojmë të hyjmë në Evropë, shpeshtia e aksidenteve fatale që ndodh në Bashkimin Evropian dallon shumë nga shpeshtia e aksidenteve fatale tek ne. Në Bashkimin Evropian vdesin mesatarisht 17 persona për çdo një milion njerëz ndërsa në Shqipëri vdesin mbi 120 vetë në milion gjatë çdo viti. Statistikat e këtij viti duken akoma më të zymta. Me këtë frekuence aksidentet rrugore nuk mund të quhen më thjesht aksidente por eventualitete me probabilitet shumë të lartë nga i cili asnjë nga ne nuk është i sigurtë. Edhe vetë presidenti dhe kryeministri kanë vuajtur kohët e fundit nga aksidentet rrugore. Për ironi të fatit këto rrugë përdoren në të njëjtën kohë sikur të ishin etalon matës të cilësisë së qeverisjes duke u portretizuar si arrijtet më domethënëse. Në fakt rrugët përdoren me ngulm për të mbuluar çështje të tjera të mprehta qe mbeten të pazgjidhura si: varfëria, papunësia, avancimi në integrimin evropian, niveli i ulët i demokracisë si dhe niveli i lartë i korrupsionit dhe kriminalitetit. Është njësoj sikur të përpiqesh të mbulosh diellin me shoshë.
Një ndër arsyet kryesore që shkaktojnë këtë tragjedi të pareshtur, është cilësia e rrugëve. Dhe në mos është cilësia e keqe e rrugëve që shkaktojnë këtë përgjakje atëhere fajin e ka shkelja e rregullave të qarkullimit nga shoferët dhe këmbsorët. Kuptohet qe ndërgjegjësimi është shumë i nevojshëm për të shmangur aksidentet. Por përpara ndërgjegjes së natyrshme të qytetarëve, rreptësia e policisë rrugore do të ishte më efikase për të bërë më të sigurta rrugët tona. Fundja për çfarë tjetër paguhen këta njerëz nga taksat tona nëse presim që njerëzit të veprojnë në rrugë në mënyrë të harmonishme duke u mbështetur tek ndërgjegja dhe vullneti i mirë. Së pari për të marrë patentën nuk nevojitet aftësia sepse mjafton ryshfeti. Këmbësorët tek ne ecin pa përfillur rregullat e qarkullimit sepse vështirë se rastis që nje këmbësor të gjobitet për një shkelje. Por edhe ata shoferë të aftë tek ne nuk druhen për shkeljet pasi e dinë se nëse kapen në gabim, me pak para kanë për ta hedhur lumin. Madje policët rrugorë tek ne jo vetëm që nuk konsiderohen si faktorë sigurie nga shoferët por shikohen me mosbesim dhe përçmim. Kjo gjë dallohet lehtë sepse kur ne ecim në rrugët e Shqipërisë, shoferat e ndryshëm dërgojnë sinjale me dritë njeri tjetrit për të njoftuar se ka policë rrugorë vërdallë.
Rrënia e autobusit me gjimnazistë fatkeqësisht krijon një ide“déjà vu”. Kujton tragjedinë e janarit dhe tragjedi të tjera të mëdha e të vogla qe kalon vendi ynë. Fakti që faji për këtë aksident i vihet fatit, do të thotë që vetëm fati na mbron ne nga tragjeditë. Kjo do të thotë që dhëntë zoti nuk bie më shumë shi që të mos na përmbytet përsëri Tirana dhe fushat e Lezhës dhe Lacit! Dashtë fati nuk bie ndonje tërmet që të mos na shëmben ndërtesat e panumërta që janë ndërtuar pa leje, pa studim urbanistik apo pa patur parasysh rregullat teknike të ndërtimit! Shyqyr qe nuk bie shumë dëborë tek ne që të mos kemi orteqe! Inshallah nuk po vjen ndonje terrorist këtej nga ne se ka për të bërë kërdinë, etj. Ndërkohë qeveritarët rrinë mënjanë duarkryq pasi rolin e tyre ka lënë në dorë të perëndisë. Për ta nuk ka rëndësi nëse të tjerë aksidente kanë për të ndodhur prej rrugëve të këqija dhe policisë rrugore neglizhente, por që këto ngjarje të mos konsiderohen si pasojë e keq-qeverisjes së shtetit nga ana e tyre. Nën drejtimin e tyre më e gjërat që shteti bën, janë, së pari transportimi i viktimave dhe i të mbijetuarve për në shtëpitë e tyre, së dyti ulja e flamurit në gjysëm shtizë dhe së treti lutja që mangësitë e vendit tonë të mos dalin më në pah haptazi me ngjarje makabre të tilla.
Krijoni Kontakt