Ambasadori i OSBE –së komenton situatën në Shqipëri dhe flet për rëndësinë e zgjedhjeve të 2005
Lipponen: Fatale nëse ekonomia e zezë "hyn" në kuvend
“Vendimet e qeverisë, madje edhe dokumentet më rutinë, është shumë vështirë t’i gjesh”
Shekulli
Në dëshminë e tij para Komisionit amerikan të Helsinkit, përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Osmo Lipponen bëri disa kritika të ashpra mbi funksionimin e procesit demokratik në Shqipëri. Ambasadori Lipponen, i cili është në prag të largimit nga Shqipëria, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, pas seancës dëgjimore, theksoi në veçanti rëndësinë, por edhe vështirësitë që e karakterizojnë procesin elektoral për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.
Zoti Ambasador, dëshmia juaj para Komisionit amerikan të Helsinkit paraqet një pamje të zymtë të zhvillimeve në Shqipëri, ndërsa ky vend ndodhet një vit larg zgjedhjeve parlamentare. Ju keni qenë i përfshirë nga afër si ndërmjetës në politikën shqiptare përsa i përket procesit zgjedhor. A rrezikon Shqipëria që edhe në zgjedhjet e ardhshme të humbasë një shans për përparim, ashtu si në zgjedhjet e tetorit 2003?
Ambasadori Lipponen: Ndoshta ajo që thashë në dëshmi mund ta paraqesë gjendjen të zymtë, por mendoj se ishte një përshkrim realist i gjendjes. Faktet janë të tilla. Realiteti social-ekonomik në Shqipëri është i tillë dhe para se të fillojnë reformat duhen njohur faktet. Shqipëria është vendi i dytë më i varfër në Evropë dhe megjithë përparimin e shpejtë, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve në fakt po thellohet. Dhe kur njerëzit shohin realitetin përqark dhe e krahasojnë atë me vendin e tyre kjo krijon një ndikim negativ psikologjik. OSBE-ja ka ndërmjetësuar procesin zgjedhor, por kjo ka qenë tepër e vështirë. Diskutimet e para për komisionin e përkohshëm parlamentar për zgjedhjet u zhvilluan në muajt janar-shkurt. Bisedimet zgjatën rreth 2 muaj, për të parë nëse ekzistonte vullnet politik dhe besim reciprok midis palëve. Tani që puna ka filluar, brenda dy javësh presim të shohim rezultate konkrete. Dy partitë më të mëdha ranë dakord që brenda dy javësh të arrijnë rezultate konkrete për balancimin, ose ristrukturimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përbërja e këtij Komisioni ka qenë një nga arsyet kryesore të mungesës së besimit mes tyre. Nëse kjo çështje zgjidhet atëherë do të shtohet besimi tek procesi. Megjithatë ka ende shumë punë për të bërë që zgjedhjet të shkojnë mirë.
Kohët e fundit ju ndërmjetësuat një marrëveshje midis PS-së dhe PD-së për Kodin Zgjedhor që u kritikua ashpër nga partitë e vogla. Ndonëse argumenti juaj ishte se në realitetin politik shqiptar nuk mund të ketë klimë të përshtatshme politike pa marrëveshje midis dy partive kryesore, a nuk e dëmton në përgjithësi procesin politik një qëndrim i tillë pragmatist?
Ambasadori Lipponen: Jo, në fakt kjo është pjesë normale e procesit demokratik. Forcat politike të përfaqësuara në Parlament kanë të drejtë të arrijnë marrëveshje politike me njëra -tjetrën. Dhe kjo ishte një marrëveshje politike mes tyre. Ka interpretime të ndryshme nëse marrëveshja është e detyrueshme për Parlamentin dhe Gjykata Kushtetuese do të japë mendimin e saj për këtë. Përse është ajo e rëndësishme? Ato janë forcat kryesore politike që luftojnë dhe në se njera prej tyre do të qëndrojë jashtë formulës së zgjidhjes së problemeve zgjedhore, veçanërisht për përmirësimin e listave të zgjedhësve, kjo do të linte shtegun hapur që partia që do të humbiste, mund të shprehej në të ardhmen se nuk kishte rënë dakord me procesin. Pra këto dy parti duhet të jenë të përfshira në proces. Nga ana tjetër këto parti kanë edhe partnerët e tyre si në qeveri ashtu edhe në opozitë. Në qoftë se për arsye të ndryshme ato nuk duan të diskutojnë në këtë fazë paraprake me partitë e tjera më të vogla, unë mendoj se ky është një aktivitet normal politik në një sistem shumëpartiak. Ka patur ndoshta dyshime se interesat jetike të partive të vogla janë diskutuar dhe për to është vendosur, por asgjë në këtë drejtim nuk është diskutuar e vendosur.
Ju keni bërë kritika të ashpra ndaj politikës shqiptare. Po ju citoj: ...“Parlamenti shqiptar është i pazhvilluar dhe përdoret kryesisht si një hapësirë për të publikuar konfliktin politik”. Ndërsa për qeverinë ju jeni shprehur se ... “procesi i vendimmarrjes është i mbyllur, nuk jep llogari ndaj askujt dhe nuk është transparent”. Sa larg ose sa pranë është Shqipëria nga kufiri i asaj që quhet shtet i falimentuar?
Ambasadori Lipponen: Unë nuk do ta quaja shtet të dështuar. Shqipëria duhet parë në kontekst të historisë dhe burimeve të saj, të mungesës së traditës politike dhe demokratike. Në këtë atmosferë vendi po përpiqet të bëjë përparim dhe ka bërë përparim. Por është po kaq e vërtetë se Parlamenti është i pazhvilluar. Atij i mungojnë këshilltarët. Komisionet parlamentare nuk bëjnë punën e duhur përgatitore dhe nuk kanë ndihmën e duhur. Për këtë po punohet dhe OSBE-ja ka dhënë një ndihmesë të madhe. Për shembull gjatë përgatitjes për ligjin e buxhetit, që është një nga ligjet më të rëndësishnme, nuk u pa një gjë e tillë. Të gjitha grupet e interesuara, shoqëria civile, partitë e gjithë të tjerët duhet të bëjnë lobizëm gjatë debateve për buxhetin dhe të japin mendimet e tyre. Në Shqipëri një gjë e tillë mungoi. Ajo që ndodhi është që qeveria propozoi buxhetin dhe Parlamenti as nuk e dha mendimin e tij. Parimi se është Parlamenti ai që i jep burimet financiare qeverisë, mungoi. Nga ana tjetër, procesi i vendimmarrjes politike ka probleme të ngjashme. Qeveria nuk i ka burimet e duhura dhe procesi normal i këshillimeve po ashtu mungon. Në një sistem funksionues demokratik qeveria i diskuton projektet e saj me të gjitha grupet e interesuara. Por në Shqipëri kjo nuk funksionon. Vendimet e qeverisë, madje edhe dokumentet më rutinë, është shumë vështirë t’i gjesh. Ata i referohen vendimit kaq e aq, ose një akti nënligjor, por nuk gjendet teksti. Edhe me parlamentin ndodh që miraton një ligj, por që ligji të hyjë në fuqi ai duhet botuar në gazetën zyrtare dhe në Shqipëri ndodh që të kalojnë 2 e 3 vjet para se ai të botohet. Pra është mungesa e traditës, mungesa e transparencës.
Shqipëria është kritikuar shpesh për korrupsionin zyrtar. Çfarë e ushqen këtë dhe a ka arritur vendi në atë pikë sa korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë tejet të përhapur dhe të fuqishëm për t’u goditur?
Ambasadori Lipponen: Do të uroja që gjendja të mos ketë arritur deri aty. Por këto zgjedhje do të jenë tejet të rëndësishme edhe në këtë drejtim. Nga partitë politike kemi mësuar se ka shumë interes për të futur në lista kandidatë me shumë para, ose për t’u dhënë para kandidatëve gjoja të vërtetë. Nëse kjo ndodh do të krijohej një ekonomi e zezë dhe nëse interesat e ndryshme do të gjenin strehë dhe do të kishin një ndikim të fuqishëm në Parlament dhe në gjithë sistemin, kjo do të ishte me të vërtetë fatale për vendin.
Zoti Ambasador së shpejti ju largoheni nga Shqipëria. Me çfarë përshtypjesh largoheni nga ky vend?
Ambasadori Lipponen: Ende nuk jam gati të jap përshtypjet e mia të përmbledhura, por do të thoja që unë vij nga një vend i vogël që ka ngjashmëri në histori me Shqipërinë. Duket se shumica e vendeve kalojnë përmes trazirave civile. Edhe vendi im ka kaluar në faza të tilla, por sot ne jemi një nga nxënësit më të mirë të klasës, kur vjen fjala për demokracinë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetërespekt shumë të fortë, që është e mirë, por disa herë kjo ndjenjë është tepër e fortë. Pranimi i kritikës konstruktive, pranimi i realitetit në Shqipëri është shumë i vështirë. Eshtë një lloj krenarie, si të shprehem, e gabuar. Shqiptarët janë shumë punëtorë, bëjnë përpjekjet të mëdha dhe padyshim që meritojnë një të ardhme më të mirë sociale e politike. Ata kanë aftësinë e duhur. Elita intelektuale e vendit është e përgatitur, njerëzit flasin disa gjuhë të huaja, kanë njohuritë e duhura dhe kjo përgatitje e tyre është shumë premtuese, nëse disa pengesa, që janë reale, si mosfunksionimi i demokracisë, korrupsioni e të tjera, që u diskutuan gjatë dëshmisë, do të kapërceheshin. Nëse Shqipëria integrohet, ajo ka shumë aftësi dhe mundësi për të ardhmen.
Marrë nga “Zëri i Amerikës”
Krijoni Kontakt