Vizitë e kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jesen Petersen në Maqedoni
Sipas Petersenit referendumi ngadalëson “agjendën evropiane” të Maqedonisë
Shënimi i kufirit me Kosovën, të bëhet para zgjidhjes së statusit. Cërvenkovski: ne jemi të interesuar që Kosova të jetë e qetë, të ketë stabilitet dhe demokraci, të vendoset rend e drejtësi, të mbrohen të drejtat njerëzore dhe të minoriteteve.
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të KB-së për Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen, pas Tiranës dje erdhi në Shkup për vizitë njëditore. Me këtë rast, pati një sërë takimesh me zyrtarët e vendit: me kryetarin e shtetit, Branko Cërvenkovski, me kryeministrin e Qeverisë, Hari Kostov dhe me ministren e punëve të jashtme, Ilinka Mitreva, me liderët shqiptarë Ali Ahmeti (BDI) dhe Arbër Xhaferin (PDSH) dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
“Ne jemi të interesuar që Kosova të jetë e qetë, të ketë stabilitet dhe demokraci, të vendoset rend e drejtësi, të mbrohen të drejtat njerëzore dhe të minoriteteve”, deklaroi kryetari i Maqedonisë pas takimit me shefin e UNMIK-ut. Ai shtoi se të gjitha përpjekjet që i bën UNMIK-u dhe të gjitha bashkësitë ndërkombëtare të cilat çojnë në atë drejtim, ne do t’i përkrahim. Kryetari Cërvenkovski theksoi se gjatë këtij takimi kanë biseduar edhe për forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.
“Nga ana e Qeverisë së Maqedonisë ka gatishmëri që të shqyrtohen të gjitha modalitetet dhe regjimet të cilat do të sjellin deri në liberalizimin e mëtutjeshëm në pjesën e ekonomisë dhe tregtisë”, tha Cërvenkovski.
Cërvenkovski dhe Petersen kanë diskutur edhe për çështjen e shënimit të kufirit “ndërmjet Maqedonisë, Sërbisë dhe Malit të Zi në pjesën kah Kosova”, për të cilën kanë ardhur në përfundim se ky proces duhet të finalizohet para fillimit të bisedimeve për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.
Ndërkaq, Soren Jesen Petersen, shtoi se kur është larguar nga Maqedonia para gjashtë javësh, ka ikur i impresionuar nga vendosshmëria e Qeverisë dhe qytetarët e Maqedonisë, që të vazhdojnë me aktivitetet e agjendës evropiane. Ai tha se edhe me vetë vendimin për mbajtjen e referendumit të cilin e organizon opozita maqedonase, shtyhen zgjedhjet lokale, e me ketë edhe prolongohen aktivitetet që kanë të bëjnë me agjendën evropiane.
“Mbajtja e referendumit me të cilën do të shprehen qytetarët kundër Ligjit të ri për ndarjen territoriale do ta ngadalësojë procesin e decentralizimit, por ajo nuk do të thotë ndërprerje të aktiviteteve të cilat i ka ndërmarrë Maqedonia në pajtim me agjendën evropiane, përkatësisht kah Bashkimi Evropian”, deklaroi shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, i cili bëri të ditur se zgjidhjet ligjore për ndarjen e re territoriale janë në pajtueshmëri me kartën Evropiane për pushtetin lokal dhe qëllimi i tyre është që pushteti të afrohet në nivelin lokal të qytetarëve.
Peterseni dje qëndroi edhe në Tetovë, ku ka pasur takime me udhëheqësit e BDI-së dhe të PDSH-së.
S.SALIU
Krijoni Kontakt