KUVENDI E MIRATOI PROPOZIMIN PËR FILLIMIN E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE
Deputetët në seancën e sotme të 97-të, njëzëri e miratuan Propozimin për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Kryetari i Kuvendit Lupço Jordanovski tha se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Parlamenti mori edhe vendim me të cilin e angazhoi Qeverinë që në një afat prej 60 ditëve ta përgatis dhe Kuvendit t'ia parashtrojë tekstin me propozim amendamentet.
Jordanovski pas miratimit të këtij propozimi e ndërpreu seancën e 97-të dhe e vazhdoi punën e seancës së 92-të, në të cilën deputetët e votuan Ligjin për procedurë të përgjithshme udhëheqëse.
Ministrja e Drejtësisë Meri Mlladenovska - Gjorgjievska, duke e arsyetuar Propozimin e Qeverisë, tha se ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, që është një nga qëllimet dhe nismat prioritare për vitin 2005 të Qeverisë, do të kontribuojnë drejt zhvillimit të standardeve evropiane në sferën e jurisprudencës, si dhe në përforcimin e pushtetit gjyqësor.
"Ndryshimet e Kushtetutës kanë të bëjnë me reformat e parashikuara për gjyqësi efikase dhe të pavarur. Me to nuk do të ndryshohet koncepti i Kushtetutës, por do të krijohen kushte për inicimin e ndryshimeve të ligjeve", tha Mlladenovska - Gjorgjievska.
Paraprakisht, deputetët në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë i mbështetën propozimet e Qeverisë për miratimin me procedurë urgjente të Propozimeve për nxjerrje të ligjeve për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për energjetikë, me Propozim të ligjit dhe të Propozimit për miratimin e ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ujëra, me Propozim të ligjit.
Krijoni Kontakt